Dr Selim Ibraimi
Nga zgjedhjet federale të 26 shtatorit në Gjermani, shumë çështje të jashtme dhe të brendshme pritet të ndryshojnë. Politikat e brendshme fiskale dhe emigracioni mbetet dy tema të nxehta për politikën e brendshme gjermane. Si çështje të jashtme mund të konsiderohen forcimi i lidhjeve transatlantike, riorganizimi i ushtrisë gjermane, zgjerimi drejt Ballkanit dhe çështja ruse e cila vlerësohet nga pala gjermane si e mbyllur, por që pritet të ketë ndikim në politikën e jashtme të Gjermanisë. Çfarë ndodhë në Gjermani, sigurisht se i ka efektet e saja në Ballkanin Perëndimor, ku tashmë ‘Open Balkans’ paraqet një zhvillim të ri në raportet e unionit me WB-6.
Berlini zyrtarë gjatë 16 viteve të fundit nën drejtimin e Kancelares Angela Merkel, ka qenë një ndër inicuesit kryesorë të integrimeve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe ku është dashur të kundërshtojë Francën dhe Holandën në përpjekje për të vënë nën kontroll (penguar) zgjerimin e unionit drejt Ballkanit.
Largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe pandemia ishin një ndër dy sfidat ku Gjermania u përqendrua në dy vitet e fundit me një politikë të jashtme të ruajtjes së unitetit në union dhe ndërtimit të politikave stabile fiskale. Qeveria e re gjermane si zakonisht do të përbëhet nga treshja e fortë parlamentare SPD, CDU dhe Partia e të Gjelbërve. Së këndejmi pritet që të formohet një koalicion majtist me SPD, po deri në fund të procesit zgjedhor mund të ketë kthesa se kush do ta udhëheqë Gjermaninë në kohën e krizës globale.
Me rëndësi është të shihet politika gjermane në Ballkan dhe presioni i saj për integrim të shpejtë të vendeve ballkanike të mbetura drejt BE-së. Këtu me ‘Open Balkans’, Gjermanisë i kanë dalë para disa vështirësi me rolin e dyfishtë të Serbisë herë me BE-në e herë me Rusinë. Dhe tani me treshen rajonale Serbi, Maqedoni e Veriut (MV) dhe Shqipëri, Berlinit do t’i duhet më shumë kohë për të bërë presion mbi qeveritë e këtyre vendeve se “Procesi i Berlinit” mbetet e vetmja zgjidhje për tu integruar në BE.
Pesimizmi në rritje tek ballkanasit se BE-ja nuk e ka plan të qartë të shtrihet në jug, do të jetë një ndërmarrje tjetër e vështirë e diplomacisë gjermane për të përmirësuar imazhin e BE-së. Një tjetër çështje në pritje, është migrimi dhe refugjatët afganë në Kosovë, MV dhe Shqipëri, si efekte për sigurinë dhe vendosjen e një rregulli të ri për fuqinë punëtore nga Ballkani Perëndimor. Kosova dhe Serbia do të dominojnë politikën e jashtme të Gjermanisë, ku pas refuzimit të Berlinit të planeve për shkëmbime territoriale në mes Thaçit dhe Vuçiçit, ideja gjermane u mbështet edhe nga amerikanët e administratës së presidentit Bajden. Këtu Gjermania do të luaj një rol dominant dhe po thuajse të barabartë sa SHBA-ja në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu, pritet një presion më i madh nga Gjermania ndaj Bullgarisë në lidhje me bllokadën e Sofjes kundër Shkupit dhe mundësisht arritjes së një marrëveshje në mes dy qeverive. Shqetësuese për qeverinë e ardhshme gjermane do të jenë padyshim raportet me SHBA-në, vakumin strategjik në Lindjen e Largët dhe impaktin në botën perëndimore me theks arkitekturën e sigurisë, ku edhe Ballkani mund të bëhet pjesë e zhvillimeve ndërkombëtare. Shkurt. pa një Gjermani të fortë nuk mund të kemi as BE dhe stabilitet në Ballkan. Zgjedhjet e shtatorit do të definojnë rolin gjerman në BE, marrëdhëniet me SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe Ballkanin Perëndimor.