Nga Dr. Selim Ibraimi
Në Maqedoninë e Veriut kohët e fundit kanë filluar telashe të reja në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Rritja e urrejtjes mes maqedonasve dhe shqiptarëve po vazhdon, pavarësisht se lufta mori fund në gusht të 2001. Paqja e brishtë për më shumë se 20 vjet është mbështetur nga politikat e buta të Perëndimit dhe nga politikat e dobëta të qeverisë në Shkup. Për shkak të rritjes së ekstremizmit politik dhe etnik, qeveria maqedonase duhet të bëjë thirrje për paqe dhe ulje të tensioneve ndëretnike. Opozita shqiptare BDI ka akuzuar qeverinë se ka nisur një spastrim për të ndëshkuar kundërshtarët politikë, veçanërisht shqiptarët që janë punësuar që nga viti 2002. Në ngjarjet e fundit, kur dy flamujt (shqiptarë dhe maqedonas) janë vënë në flakë, dhe disa incidente në Kumanovë kanë shpërthyer të hënën, tregojnë se siguria publike në Maqedonië e V. është vënë në pikëpyetje. Gjendja në Maqedoninë e Veriut është përkeqësuar disa herë me tendenca të vazhdimit të së njëjtës. Të dyja palët BDI dhe VLEN kanë akuzuar njërja tjetrën, duke treguar për paaftësinë politike të tyre për të ndryshuar gjendjen në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Hristian Mickosksi dhe ndjekësit e tij e kanë bërë të qartë se nuk tolerojnë asnjë përmirësim të statusit të shqiptarëve. Që nga viti 2001, Maqedonia e Veriut është përballur me shumë turbulenca etnike dhe politike. Paqja e brendshme ka qenë shumë herë në rrezik. Disa analistë kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e dy komuniteteve për të vazhduar bashkëjetesën.
Incidentet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut mund të kenë lidhje që kërkojnë vëmendje të menjëhershme nga të gjithë aktorët. Sot liderët fetarë në Maqedoninë e Veriut kanë nënshkruar një deklaratë për paqen, e cila është një shenjë e mirë. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë qeveria qendrore me masa të shpejta dhe të barabarta si mënyrë për të kthyer besimin në mes grupeve etnike dhe fetare.