Dr Selim Ibraimi*
Pritej që para qershorit, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të arrinin një marrëveshje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët. Zërat pozitivë të fund vitit të kaluar dhe në fillim të janarit, duket se shuan në prill, kur përfundimisht mund të themi se deri në qershor nuk do të kemi heqje të vetos bullgare.
Provat tregojnë se pas vizitës së delegacionit bullgar në Manastir, sulmet e orkestruara prej qarqeve akademike, të politikës dhe të medias në gjuhën maqedonase, tani për tani e kanë minuar dialogun. Zgjidhjen duhet parë nëse të dy qeveritë me një ndërmjetësim amerikan do të mund të arrijnë një marrëveshje gjatë këtij viti. Mundësitë janë që Sofja dhe Shkupi të pajtohen, dilema mbetet se si duhet bërë kjo marrëveshje e cila në të njëjtën kohë do t’i japë një shtytje të re Ballkanit në rrugën e sigurisë euro-atlantike.
Në veçanti duhet përmendur vizitën e delegacionit amerikan në Ballkan dhe në Shkup, ku zyrtarë amerikanë nga Stejt Departamenti i dhanë një mbështetje të fortë anëtarësimit të vendit në BE. Përkundër premtimeve të dhëna nga delegacioni amerikan, duhet pranuar se problemi është i brendshëm dhe çështja me Bullgarinë do të mund të mbyllet shpejt nëse në procesin e negociatave nuk ka ndërhyrje nga aktorë malinj dhe vendor. Sofja zyrtare ka njoftuar se do ta tërheqë veton nëse do të hapet kushtetuta e MV-së dhe kur pakica bullgare do të bëhet pjesë e saj. Duke u nisur nga vizita e fundit e delegacionit bullgar, realiteti aktualisht ka ndryshuar shumë në Shkup. Qëndrimet e qeverisë qendrore dhe të shtypit bashkë me disa figura publike shqiptare janë të habitshme. Disa prej tyre i kanë bërë thirrje qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski që të tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2017 me Bullgarinë, me idenë që të rriten aksionet e palës maqedonase në bisedimet me Sofjen. Këto lëvizje të brendshme që po artikulohen pa vend, janë të motivuara nga disa informacione të pakonfirmuara se Uashingtoni zyrtarë po shikon vendosjen e disa sanksioneve ndaj Bullgarisë apo një farë presioni për të lëshuar pe. Ashtu siç është duke lëvizur politika amerikane pas sulmit rus në Ukrainë, do të jetë vështirë për Uashingtonin të hapë një krizë të re në mes Shkupit dhe Sofjes.
Diplomacia amerikane tash e tutje do të fokusohet në një ndërmjetësim aktiv dhe vazhdim të bisedimeve pas dyerve për të arritur një marrëveshje gjatë këtij viti. Por, shumë çështje të hapura e të lëna pas dore nga Komisioni bullgaro-maqedonas duhet të mbyllen deri në vjeshtë, para se Uashingtoni të marrë në dorë dhe mbyllë problemin në mes Shkupit dhe Sofjes. Ajo që mbetet shqetësuese, është se afër qeverisë së Kovaçevskit ende qëndrojnë disa individë ashtu njëjtë si dikur i pëshpëritnin në vesh Gruevskit disa këshilltarë që në marrëdhëniet me Greqinë çështja e emrit të zvarritej. Propozimet për tërheqje të qeverisë së MV-së nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, në këtë kohë janë veprime amatore. Në një gjendje të përkeqësimit rajonal dhe global të sigurisë, hapja e një debati më të ashpër me Sofjen, Shkupit zyrtar nuk i bën mirë dhe as më pak çështjes së hapur të identitetit maqedonas. Janë pa vend thirrjet publike për ikje nga përgjegjësia e nënshkrimit të gushtit të 2017-ës. ShBA bashkë me forcat progresive në Shkup dhe me qeverinë e kryeministrit bullgar Kirill Petkov, kanë gjasa reale të arrijnë një marrëveshje të pranueshme për të dyja shtetet. Para kësaj, me rëndësi është të rishikohen të gjitha çështjet që janë të diskutueshme për qeveritë. Kjo është një mundësi e mirë për të parë një zgjidhje hap pas hapi. Qeveria e Kovaçevskit dhe e Petkovit kanë kohë deri në vjeshtë për t’i shqyrtuar të gjitha opsionet. Zërat antibullgarë, së bashku me nostalgjikët jugosllavë dhe pro-rusët, nuk duhet të dëgjohen më si në Shkup apo në Sofje.