“Të gjitha institucionet serbe janë të përkushtuara për ta rikthyer Kosovën nën kontroll”

Historiani zviceran Oliver SCHMITT shpjegon situatën në Kosovë dhe dështimet e Zvicrës dhe vendeve të tjera perëndimore [2 tetor 2023]
Gazetari Benjamin von Wul: Edhe pse Rusia gjithashtu ka imponuar ushtarakisht separatizmin pro-rus në Abkhazi, Osetinë e Jugut, Transnistria dhe natyrisht në Ukrainën lindore, Putini gjithmonë ka hequr çdo kritikë duke thënë se NATO ndërhyri në anën e Kosovës në vitin 1999. A është i vlefshëm ky krahasim?
Oliver Jens Schmitt: Jo, këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Njëra ishte një ndërhyrje humanitare për të parandaluar një nga krimet më të mëdha që nga viti 1945. Tjetra është politika cinike e pushtetit për të dobësuar shtetet sovrane.
Rusia po përpiqet të ndërtojë një teori të së drejtës ndërkombëtare që injoron qëllimisht kontekstin: nga fundi i viteve 1980 e tutje, nën drejtimin e Millosheviçit, Serbia ndoqi qëllimin e diskriminimit dhe përfundimisht të dëbimit të popullsisë shumicë shqiptare nga Kosova. Serbia ka kryer krimet më të rënda të të drejtave të njeriut në atë që aktorët serbë kanë vrarë sistematikisht, kanë përdorur dhunë seksuale kundër popullatës dhe kanë shkatërruar 40.000 shtëpi dhe një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore.
Një qeveri që vepron kundër popullsisë së tij në këtë mënyrë humbet të drejtën për të sunduar mbi këta njerëz. Shqiptarët në Kosovë e kishin shpallur pavarësinë e tyre në vitin 1991. Ndërhyrja ndërkombëtare e NATO-s u bë në vitin 1999 me qëllim sigurimin e të drejtave themelore të njeriut dhe parandalimin e shpërnguljeve masive.
Situata në zonat që aktualisht janë të pushtuara nga Rusia është e ndryshme. Këto janë ish-republika sovjetike, kufijtë e të cilëve dikur ishin tërhequr qëllimisht nga Stalini në një mënyrë të tillë që republikat si Gjeorgjia dhe Moldavia përfshinin zona me minoritete që do të destabilizonin shtetet e reja në rast të shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Në ndryshim nga NATO-ja, Putini nuk mbrojti të drejtat e pakicave, por krijoi konflikte qëllimisht.
PYETJE: Kosova është një rajon i ngarkuar me shumë kuptime kontradiktore. Cili është në memorien serbe dhe cili në kujtesën shqiptare?
PERGJIGJE: Deri në pavarësinë në vitin 2008, Kosova nuk ishte shtet sovran dhe para vitit 1945 nuk ishte as njësi territoriale. Pra, ekziston termi “Kosovë” për një peizazh – por nuk ka pasur identitet rajonal për një kohë të gjatë, vetëm perceptim i një rajoni me kufij të paqartë.
Serbët dhe shqiptarët tregojnë një histori që është e ngjashme në atë që përjashton tjetrin. Për një kohë të gjatë në Perëndim vërehej vetëm versioni serb. Shkurtimisht, kjo është kështu: sllavët arritën në Kosovë në mesjetën e hershme, dhe në vitin 1389 serbët u mundën në mbrojtjen e Ballkanit kundër osmanëve. Lindi miti i Betejës së Kosovës, në të cilën princi serb Llazar ra për krishterimin dhe kombin serb.
Ky mit u përdor nga shteti serb në fund të shekullit të 19-të për të sqaruar pretendimet serbe për këtë rajon. Sipas opinionit serb, katastrofa në Kosovë filloi me emigrimin e shqiptarëve. Ata erdhën vetëm në fund të shekullit të 17-të si një lloj fituesi nga sundimi osman.
Megjithatë, hulumtimet historike tregojnë se shqiptarët janë një nga grupet më të vjetra gjuhësore në Evropë dhe kanë jetuar në Kosovë shumë kohë përpara se të imigronin sllavët. Versioni ahistorik serb pohon pikërisht të kundërtën. Madje, në vitet 1980, Akademia Serbe e Shkencave parashtroi tezën se shqiptarët po kryenin një “gjenocid biologjik” ndaj serbëve përmes lindjeve të larta.
PYETJE: Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundmi iu ankua Vladimir Putinit për spastrim etnik të supozuar ndaj serbëve të Kosovës. Vuçiq e tha këtë pas një përshkallëzimi me katër vdekje mes serbëve të armatosur me lidhje kriminale dhe policisë së Kosovës.
PERGJEGJJE: Çfarë janë serbët e Kosovës? Serbët e Kosovës në thelb ndahen në dy grupe: së pari, ata që jetojnë në vendbanime të shpërndara nëpër Kosovë. Nuk ka probleme të mëdha atje. Është një popullsi në plakje. Shumë të rinj largohen nga Kosova për shkak të mungesës së perspektivës dhe serbët vështirë se ndryshojnë nga të rinjtë shqiptarë në këtë aspekt.
Së dyti, një grup më i madh jeton kompakt në veri të Kosovës, ku ata formojnë një shtet brenda një shteti të financuar nga Beogradi. Në fakt, kjo ofron edhe përparësi materiale: pensionistët marrin dy pensione, njëri nga Kosova dhe tjetri nga Serbia.
Kosova veriore është gjithashtu një qendër e rëndësishme për krimin e organizuar. Në fakt, nuk ka forcë policore në rajon. Krimi i organizuar ka interes që t’i mohojë qasjen policisë së Kosovës. Çdo veprim i policisë përshkruhet si dhunë etnike e supozuar. Incidenti i lartpërmendur i tregoi të gjithë botës se sa ngushtë janë të lidhura krimi i organizuar dhe dhuna politike. U bë gjithashtu e qartë se sa ngushtë janë ndërthurur këto grupe të aktorëve politikë kriminalë me qeverinë në Beograd.
Tematika është e ngarkuar. Kjo shkon aq larg sa Kosovës – një shteti të pavarur – i kushtohet një rëndësi e madhe në Kushtetutën e Serbisë dhe të gjitha institucionet serbe janë të përkushtuara për ta rikthyer Kosovën nën kontroll. Nacionalizmi serb dhe miti janë pengesa në rrugën e Serbisë drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë. Serbia aktualisht është shumë larg nga kjo. [Përkthyeu: Ibrahim KELMENDI]