Çfarë mendon elita ruse për Trumpin? Çfarë strategjie po ndjek presidenti? Alexander Dubowy interpreton situatën aktuale.
Nga Alexander Dubowy [Berliner Zeitung]
Donald Trump ka pasur një javë plot ngjarje. Ai e quajti Zelensky një diktator dhe tha se Zelensky dhe Joe Biden ishin përgjegjës për luftën në Ukrainë. Ai mori shumë kritika për këtë, dhe New York Post – një gazetë pro-republikane – e kundërshtoi atë. Të premten, Trump lavdëroi përsëri popullin ukrainas. Eksperti i Ukrainës Alexander Dubowy shtron pyetjet më të rëndësishme dhe vlerëson situatën aktuale nga këndvështrimi i tij.

Donald Trump
A do ta braktisë SHBA-ja Ukrainën?
Nuk ka gjasa, por trazirat janë rritur jashtëzakonisht. Ekipi i Trump po dërgon sinjale të forta kontradiktore. Nga njëra anë, Trump po i afrohet Putinit pa asnjë parakusht. Nga ana tjetër, Keith Kellogg duket se po punon intensivisht me Ukrainën në sfond për një propozim adekuat për t’i dhënë fund armiqësive dhe gjithashtu për një marrëveshje burimesh që do të lidhte më ngushtë Kievin me Uashingtonin. Megjithatë, nëse marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara dhe midis Trump dhe Zelensky nuk stabilizohen apo edhe përkeqësohen në dy javët e ardhshme, kjo do të sinjalizojë qëndrimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara me Rusinë për të zbatuar një paqe të diktuar kundër Kievit.
A mund të bëjnë një marrëveshje Trump dhe Putin prapa shpinës së Kievit dhe Evropës?
Shqetësimi është i justifikuar, por takimi në Riad e bëri të qartë se SHBA-të dhe Rusia janë larg arritjes së një marrëveshjeje solide. Për momentin ata janë ende duke u njohur me njëri-tjetrin. Nuk ka asnjë garanci që propozimet e njërës palë do të jenë të pranueshme për tjetrën. Një marrëveshje e tillë do të ishte gjithashtu e dënuar me dështim. Shtetet e Bashkuara nuk duan të dërgojnë paqeruajtës në Ukrainë dhe, nga perspektiva aktuale, duan vetëm të ofrojnë një minimum garancish sigurie. Evropa do të duhej të merrte këtë rol, por kjo do të kërkonte një koordinim të ngushtë me shtetet evropiane. Së fundi, një pikë shumë shpesh shpërfillet: askush nuk mund ta detyrojë Ukrainën të kryejë vetëvrasje politike; as SHBA.
Pritshmëri të mëdha për bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë
Në çdo rast, pritshmëritë duhet të zbuten, pasi objektivat e Uashingtonit dhe Moskës janë shumë larg njëra-tjetrës. Për Kremlinin, fokusi është në lehtësimin e izolimit ndërkombëtar dhe përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, jo në një dëshirë për një fund të shpejtë të luftës. Vladimir Putini madje e sheh luftën në Ukrainë si një parakusht të domosdoshëm për dialogun me SHBA-të. Kjo do të thotë se Putini ka të ngjarë të mbajë premtimin për një fund të luftës si karrota proverbiale para hundës së Trump-it. Prandaj, çështja kryesore mbetet se çfarë mjeti presioni ka mundësi të aplikojë në të vërtetë Trumpi nëse Putini refuzon të pajtohet me marrëveshjen e armëpushimit.
Çfarë mjetesh mund të jenë këto?
Sanksionet, veçanërisht në sektorin e energjisë, janë mjeti më i fuqishëm i Trumip për presion. Pavarësisht disa zbatimeve të dobëta, ka hapësirë për shtrëngim. Por sanksionimi i energjisë ruse paraqet gjithashtu rreziqe për Shtetet e Bashkuara: një rënie drastike e eksporteve ruse do të reduktonte furnizimet globale të naftës, do të rriste çmimet dhe do të nxiste inflacionin – një kontradiktë e drejtpërdrejtë me premtimin e Trumpit për të ulur inflacionin. Ky problem mund të tejkalohet vetëm përmes koordinimit të ngushtë brenda G7 dhe me OPEC. Por ndjeshmëria diplomatike dhe durimi i kërkuar për këtë nuk janë ndër pikat e forta të Trump-it.
Çfarë strategjie po ndjek Trumpi në lidhje me luftën në Ukrainë?
Trumpi aktualisht duket se po ndjek një strategji diplomatike blitzkrieg të kombinuar me një taktikë karrota dhe shkopi. Fokusi i tij aktual – ndoshta edhe sepse ndihet i sulmuar personalisht nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky – është të ushtrojë presion mbi Ukrainën, duke përdorur një ofensivë sharmi për të marrë lëshime nga Rusia dhe të paktën për të ngrirë luftën. Kjo do t’i lejonte atij të paraqitej si një fitimtar triumfues në sytë e publikut amerikan dhe aktorëve kryesorë globalë, veçanërisht Kinës.
A mund të jetë e suksesshme kjo strategji blitzkrieg?
Kjo është shumë e pasigurt. Aktualisht ka shumë bujë për sukseset e paprekshme, ndërkohë që marrëdhëniet diplomatike po pësojnë dëme të qëndrueshme. Pyetjet thelbësore rreth luftës mbeten kryesisht pa përgjigje. Mbi të gjitha, veprimet e Trumpit janë të paparashikueshme dhe jokonsistente. Nëse qasja e tij dështon, Trumpi ka të ngjarë të mbledhë supet, të largohet dhe t’ia lërë detyrën e lodhshme stafit të tij të këshilltarëve. Ne pamë një qasje të ngjashme ndaj Koresë së Veriut, për shembull, gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Por raportimi i mediave shtetërore ruse për SHBA duket se ka ndryshuar?
Kjo është e saktë. SHBA-të tashmë po glorifikohen si një shpresë e re për Kremlinin. Propaganda ruse ka bërë një kthesë të jashtëzakonshme 180 gradë dhe tani po lavdëron SHBA-të deri në qiell. Nga “perandoria e së keqes” e djeshme, Shtetet e Bashkuara u bënë befas djemtë e mirë që “kultivojnë vlerat tradicionale”, “përçmojnë liberalizmin” dhe “në shumë mënyra u ngjajnë rusëve”.
Por si do të reagojë propaganda ruse nëse bisedimet dështojnë?
Një precedent për përdorimin e propagandës ruse kundër Donald Trumpit mund të gjendet tashmë në mandatin e tij të parë në detyrë. Njoftimet me zë të lartë të Trumpit ngritën pritshmëri të larta në Moskë. Por kur i ashtuquajturi Pazari i Madh – një marrëveshje gjithëpërfshirëse, veçanërisht për sigurinë evropiane – dështoi në fillim dhe marrëdhëniet me Uashingtonin arritën në një nivel historik, euforia fillestare u shndërrua befas në kritika dhe kërcënime të mprehta. Një skenar i ngjashëm mund të përsëritet edhe këtë herë.
Por si shihet Trump nga elitat politike përtej propagandës ruse?
Në qarqet e fuqisë ruse, një pjesë e elitës duket se e kupton veçantinë, paparashikueshmërinë dhe mospërputhjen e presidentit amerikan. Për shembull, një nga ekspertët më të mirë të Kremlinit, Andrei Pertsev, thotë se që nga zgjedhja e Trumpit, përfaqësues të rangut të lartë të inteligjencës ruse dhe elitave ushtarake – të ashtuquajturit siloviki – kanë paralajmëruar Kremlinin që të mos vendosë shpresa të tepruara te Trumpi. Në të njëjtën kohë, megjithatë, Kremlini do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të shfrytëzuar veprimet e njëanshme të Trumpit, shpërfilljen e tij për Perëndimin dhe udhëheqjen e tij impulsive dhe stilin e komunikimit për qëllimet e veta.
Cili është rreziku më i madh i politikave të Trumpit për Evropën?
Trump e konsideron veten një biznesmen të suksesshëm dhe për këtë arsye edhe një burrë shteti mendjemprehtë. Në fakt, ka disa paralele midis ekonomisë dhe politikës globale të fuqisë – të dyja rrotullohen rreth ambicjes, burimeve dhe ndikimit. Por ky ekuacion dështon. Në këtë keqkuptim, Trumpi mund të gjejë ndeshjen e tij te Putini. Një afrim i pakushtëzuar midis Uashingtonit dhe Kremlinit, ndërkohë që e largon atë qëllimisht nga aleatët e tij kryesorë në Evropë, mbart rrezikun që Putini të nxjerrë lëshime nga Shtetet e Bashkuara që do të forcojnë pozicionin e tij për agresionin e ardhshëm dhe do ta shkundin rendin evropian në thelb.
Si duhet të reagojë Evropa ndaj kësaj?
Për një Evropë të bashkuar politikisht, një dritare vendimtare mundësish po hapet – ndoshta vetëm për një kohë të shkurtër – për të zgjeruar autonominë strategjike të kontinentit të vjetër dhe për të pozicionuar Brukselin si një aktor politik me vetëbesim përballë Uashingtonit. Brukseli gjithashtu duhet të zgjerojë masivisht mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Ky jo vetëm që do të ishte një mjet efektiv për të forcuar ndjeshëm pozicionin negociator të Kievit në bisedimet e ardhshme të paqes, por gjithashtu një mënyrë relativisht e lirë për të ruajtur sigurinë e kontinentit evropian si kundër një Rusie agresive, ashtu edhe ndaj Amerikës gjithnjë e më të njëanshme dhe të paparashikueshme të udhëhequr nga Trumpi. [Përktheu: ISHGJ]