Zef Mazi, ish-kryenegociator për Integrimin e Shqipërisë në BE është njohës i mirë i ngjarjeve dhe konjukturave ndërkombëtare. Në këtë intervistë me gazetarin Ben Andoni ai e shpjegon skakierën e sotme politike dhe rreshtimin e forcave; pozicionin e Shqipërisë; ecurinë e Luftës në Ukrainë dhe mbi të gjitha superfuqitë e reja, si edhe ngritjen e një sërë vendesh, që kërkojnë zërin e tyre.
Pse po falet Serbia nga komuniteti ndërkombëtar; çfarë do sjellin ndryshimet e Brukselit; çfarë mund të sjellë shtrirja e luftës në Lindjen e Mesme, një botë unipolare apo multipolare?! Ku do ta gjejë veten Shqipëria dhe si duhet ta ndërtojë politikën e saj të jashtme?! Ecuria e “Ballkan Open-it” dhe jo vetëm, shtjellohen në një formë shumë interesante nga ambasadori Mazi.
I nderuar Ambasador, shumë zhvillime po duken se kanë forma opake. Para se të pyesim për çështjet tona, apo afër dhe rreth nesh, dëshirojmë t’ju pyesim më gjerë për zhvillimet në politikën aktuale globale. Si i shikoni ju, se shumë po flitet për Rend Global modern për unipolaritetin kundrejt multipolaritetit? Davosi nuk solli ndonjë zhvillim të ri këtë vit, përveç fjalës së përfaqësuesit amerikan, këshilltarit Sullivan.
“Sa mund të thuhet në kuadrin e një interviste e bën disi të vështirë të japësh përgjigje të plotë analitike, të sintetizuar. Po përpiqem, pa anuar dhe pa mbështetur aspak njërin apo tjetrin krah, si e shoh unë me mendje të ftohtë.
Epoka unilaterale sot përfaqësohet nga një numër i vogël qeverish perëndimore. Ky është fakt. Ajo epokë i ka fillimet qysh në vitet 1990-91: Lufta e Ftohtë mbaroi, u fitua, unë tani eci besimplotë se “jam i vetëm si superfuqi, jam hegjemon, mund të vendos çdo gjë, të imponoj çdo gjë, kudo, kurdo“. Kjo mendësi erdhi duke u përforcuar derisa arriti në veprime të keqllogaritura, të keqdrejtuara. Pasojat po shfaqen frikshëm, paralelisht, në disa rajone të globit dhe në të njëjtën kohë.
Një nga objektivat kryesore të Perëndimit, vitet e fundit, ka qenë krijimi dhe futja e përçarjes midis përkrahësve dhe promovuesve kryesore të Rendit Botëror Multipolar, kryesisht Kinës dhe Rusisë dhe, vendeve të Jugut të Botës (Global South). Këto vende janë përfshirë intensivisht, në një mënyrë a një tjetër, në procesin e rendit të ri, modern, botëror.
Dy shembuj për ilustrim: Disa media Perëndimore, kryesisht ato franceze, ngritën alarmin se Rusia dhe Kina mund të nisin të plotësojnë njëra-tjetrën në kontinentin afrikan. (Një numër vendesh afrikane janë ish-koloni franceze, ose “koloni moderne“ të saj.) Në fillim u besua se interesat e Kinës dhe Rusisë do përplaseshin, ndoshta ato mund të ktheheshin deri në sebep lufte midis tyre. Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi. Ato po e plotësojnë njëra-tjetrën. Kuptoj se kjo është pjesë e koordinimit të tyre strategjik mbi bazë marrëveshjesh, midis tyre dhe me një numër rajonesh, përfshirë në Afrikë.
Në ato sektorë, ku Kina është në pozitë më të fortë, si në projekte infrastrukturore, etj., vepron Kina. Në sektorët ku Rusia është në pozitë më të favorshme, vepron ajo. Nuk ka gjë për t’u habitur për këtë. Me kalimin e kohës, do jetë normale të ketë edhe konkurrencë më aktive ndërmjet kompanive kineze dhe ruse. Vijim i koordinimit midis tyre do të forcojë pozitat e Kinës dhe të Rusisë.
Elitat e Perëndimit kolektiv po bëjnë përpjekje për t’a zhvendosur Kinën si partnerin më të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik në Afrikë, edhe në Evropë. Thirrjet për t‘i ulur, ose ndërprerë, ndërveprimet me Kinën, përfshirë fushatën propagandistike anti-Kinë, duket se kanë dështuar, ndërkohë që kanë forcuar marrëdhëniet strategjike Kinë-Afrikë.
E njëjta, pak a shumë, mund të thuhet edhe për marrëdhëniet e Rusisë me Afrikën dhe Jugun e Botës. Këtu bën përjashtim koha e aktivizimit rus në Afrikë. Ajo filloi pak vite më parë. Ky aktivizim ndryshon nga ai i Kinës, që pat nisur qysh në vitin 2000. Në ato fillime, pak kush besoi në kthimin me sukses të Rusisë në Afrikë. Disa në Perëndim ishin mësuar të diktonin kushtet dhe rregullat e lojës në Afrikë. Nuk vonoi dhe Rusia nënshkroi një numër partneritetesh me vende afrikane.
Sot një numër vendesh afrikane e shohin Rusinë si partner të besueshëm në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe, në një numër fushash të tjera, si energjia, ushqimi, bujqësia, arsimi. Pika më e rëndësishme është se partneriteti afro-rus gëzon mbështetjen e popujve në Afrikë. Nuk është lehtë, as bindëse, të ngrihesh kundër fakteve.
Ka filluar të kuptohet rreziku që sjell “infleksioni i bashkëpunimit“ të suksesshëm. Ndaj bëhen përpjekje, me çdo mjet, për ta ngadalësuar procesin, përfshirë presionin politik ndaj shteteve afrikane dhe fushatave informative mediatike. As kjo nuk duket të ketë sukses”.
Ka përpjekje prej disa kohësh për të karakterizuar Kinën dhe Rusinë si armike. Individë nga Shqipëria e vockël organizojnë edhe mbledhje, seminare, me temë armiqësia e tyre ndaj Ballkanit, etj. Jeni në dijeni?
“Po e ndaj përgjigjen në dy pjesë. Kina nuk është armik i Perëndimit. Si e shoh unë, ajo është kundërshtare e idesë hegjemoniste të SHBA. Nuk duhet harruar se Kina është unifikuar si shtet në vitin 221 BC, nën kontrollin e Qing, mbi dy mijë vjet më parë, kur Jing Zheng u vetëdeklarua “Qing Shih Huang“ (Perandori i Parë i Qin), duke vendosur dinastinë Qing. Ai u bë sundimtari i parë sovran i Kinës të unifikuar. Bëhet fjalë për një popull dhe vend me trashëgimi historike-kulturore disa mijëra vjeçare. Ndërsa në Perëndim dëgjohet t‘i thuhet Kinës – Bëj kështu, Bëj ashtu – të mësohet Kina sesi të mendojë, si të jetojë, si t’i rregullojë e drejtojë punët e saj, etj.!
A mundet Kina të jetë kërcënim për SHBA-në, kur kjo e fundit e ka rrethuar Kinën me baza ushtarake?! Ajo po bëhet dhe do jetë sfiduese, konkurrentja kryesore. Kina shihet dhe karakterizohet si armike vetëm për shkak të suksesit të saj ekonomik dhe të dimensionit të saj. Vetëm Kina dhe India kanë afro 40 përqind të popullsisë të botës. Perëndimi përbën afro 10 për qind të popullsisë të botës. Ai nuk mundet më tej të vendosë dhe të dominoje 8 miliard njerëz! As të predikojë “rendin e bazuar në rregulla”, një hipokrizi, se ky “rend” nuk ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare. Cilat rregulla, ku u diskutuan, cilët shtete morën pjesë, si u morën vendimet për to, në cilat organizata, etj.? Kohët kanë ndryshuar.
Tregtia e Kinës me Evropën ka qenë shumë produktive për vite me radhë. Firmat amerikane dhe evropiane kanë shkuar në Kinë, jo anasjelltas. Është bërë biznes, është zhvilluar turizmi, janë zhvilluar marrëdhënie të mira dhe shkëmbime në një numër fushash. Këto janë rritur nga viti në vit. U ndërhy, iu tha Evropës të ndahet nga Kina, një kryeministreje iu tha të heqë dorë nga Iniciativa e Rrugës dhe Rripit (Road and Belt Initiative), etj.! Cilat vende po dëmtohen më shumë, kjo ia vlen të shihet dhe ndiqet hap pas hapi”.
Rusia bën punë armiqësore destabilizuese në Ballkan. Kjo flitet shpesh. Prania apo synimet ruse në Ballkan nuk janë risi, që po ndodhin tani dhe nuk kanë ndodhur më parë. Si e shihni ju?
“Ballkani gjithmonë ka qenë gadishull ku janë ‘përplasur qytetërimet’. Tre kanë qenë interesat thelbësore ruse në gadishullin e Ballkanit dhe Evropën jug-lindore: 1) strategjike, 2) kulturore, 3) fetare.
Nga pikëpamja strategjike, diplomacia ruse gjithmonë e ka konsideruar Ballkanin dhe Evropën Jug-lindore si rajone të domosdoshme, jetike, për sigurinë e shtetit rus dhe, mbi të gjitha, për stabilitetin e kufijve të shtetit rus. Nuk është i panjohur synimi rus për të pasur kufi me leverdi në Besarabi (sot Republika e Moldavisë), si dhe për të ushtruar kontroll mbi ngushticat e Bosfor-it dhe Dardanele-ve. Këto ngushtica morën rëndësi të madhe për zhvillimin tregtar, ekonomik dhe për projektet gjeopolitike të Rusisë, veçanërisht për transportin e mbiprodhimit të grurit nga Ukraina e sotme, ose nga Rusia e Vogël, siç njihej atëherë drejt tregjeve botërore.
“Ballkani i Hapur” duket se u rikthye, veçse deklarata e Samitit të Shkupit gati u prish nga Serbia, pa mbushur as 24 orë. Procesi i Berlinit sikur ofron, deri diku, zgjidhjen e problemeve dypalëshe, rritje të sigurisë në rajon dhe i hap udhë bashkëpunimit ekonomik rajonal. Samiti i Shkupit tentoi t’u vërë kapak mosmarrëveshjeve etnike, kufitare dhe politike, dhe të injorojë pasigurinë dhe tensionet? A mundet që lidhja ekonomike t’i shërbejë paqes? A patë element pozitiv të këtij Samiti në mungesë të protagonistëve evropianë?
“’Ballkani i Hapur’ ishte dhe është një ide disi akrobatike, e paqartë, pavarësisht retorikes propagandistike, politike, apo ndonjë hapi pozitiv. U reklamua, u lartësua si të qe çelësi i zgjidhjes të një numër problemesh të bartura, jo të lehta, të papajtueshmërive serioze, që ende rëndojnë në kurrizin e Ballkanit.
U morën disa iniciativa që, fillimisht, nisën me zhurmë, me fjalë të mëdha. Pak më vonë u tha, si pa të keq se: ishte gabim, nisma ka mbaruar por, papritur, ajo ringjallet, për t’i hapur rrugën dorëheqjes të një kryeministri të një vendi pjesëtar. Kjo dëshmon joseriozitet, jo mirë-peshim, analizë të vakët, ose të munguar, para se të hidhej në treg dhe të nisnin veprimtari.
Ai nuk mund të kishte suksesin që reklamohej në Ballkan. Pesëdhjetë për qind e vendeve ballkanike nuk e përqafojnë, pavarësisht se mund t’i japin përgjigje pozitive ndonjë ftese. Kosova, interes jetik për Shqipërinë, nuk e sheh me vend atë nismë, se ajo bart probleme të ndjeshme politike. Për çdo veprim, që përfshin dhe ka të bëjë edhe me Kosovën, është e domosdoshme që Shqipëria të konsultohet, të koordinohet ngushtë me Kosovën, dhe jo të marrë vendime se ‘kështu dua unë’, të bëjë sarkazëm, presion, dhe të tentojë të diktojë si ‘lider’.
Nëse diçka është ndihmuese, ajo duhet bërë. Janë ndërmarrë tre-katër hapa teknike. Ato ndihmojnë, me apo pa “Ballkan të Hapur”. Ato nuk janë, nuk duhen etiketuar se janë domosdoshmërisht në kuadër të asaj nisme, për origjinën dhe synimin e të cilës ka pikëpyetje.
Procesi i Berlinit është krejt ndryshe, është serioz, ka vëmendjen dhe angazhimin, në nivel të lartë politik, të një shteti të madh, të fortë. Ai ka përmbajtje, ide dhe projekte konkrete ekonomike infrastrukturore, që ndihmojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal. Nuk është as lehtësuese, as të shërben, të krahasohet ai Proces me ‘Ballkanin e Hapur’ dhe, as të thuhet se ky i fundit është për ta ndihmuar atë. Procesi i Berlinit nuk ka nevojë dhe s’ka kërkuar ndihmë.
Lidhur me Serbinë, ajo ngaherë ka luajtur si ‘macja me miun’. Këtë bën edhe me këtë nismë, e ka fasadë, se po bashkëpunoj, ajo ka strategji dhe zbaton taktika të mirë-menduara para takimeve. Nuk habitem me qëndrimet e saj. Nuk di nëse pala jonë kishte bërë llogaritë më parë çfarë të bënte, çfarë të thoshte nëse do ndodhte kjo, ose ajo. Asgjë nuk i lihen spontanitetit, reagimit të çastit!
Më bëri përshtypje negative mospjesëmarrja as edhe e një komisioneri të vetëm në këtë ‘Samit’. Niveli më i lartë ishte një drejtor drejtorie zgjerimi në Komision, i ardhur për të folur me presidentë dhe kryeministra të Ballkanit! Kjo flet për rëndësinë që i jepet Ballkanit, flet për ulje të ndjeshme të nivelit, deri fyerje protokollare. Protokolli është vetëm politikë mbështjellë me fjalën ‘protokoll’. Kështu duhet lexuar, kështu është. Element pozitiv është që drejtuesit e Ballkanit takohen dhe bisedojnë”.
Pse mohohen, ose më mirë, anashkalohen problemet e krijuara nga Serbia?
“Është e vërtetë se problemet e krijuara nga Serbia, për mbi një shekull, e që vijojnë, ndonëse në dukje disi të fashitura, të maskuara pas një fytyre gjoja demokratike presidenciale, anashkalohen dhe mohohen. Vijojnë politikat, dashuritë dhe interesat e vjetra të ndonjë evropiani, apo dy.
Analizat, nëse bëhen, kanë gabime dhe mangësi të theksuara. Jepen orientime, mbahen qëndrime mbi bazën e hamendësimit, pa strategji të qartë, pa u thelluar, duke moskuptuar nevojën e analizës të krejt paketës. Është dëshpëruese të harrohet se politikat e paqtimit, të ledhatimit të egos, të ‘fantazisë’, se duke e marrë me të mirë, duke mos e kritikuar Serbinë për veprimet e saj të rënda, përfshirë ato ushtarake, do e afrojnë me BE-në dhe Perëndimin dhe do e largojnë nga Rusia. Kjo është ‘fantashkencë’, flet për mosnjohje të historisë dhe të rrjedhës mbi 100-vjeçare të zullumeve në këtë rajon. Vijojnë keqkalkulimet, keqorientimet.
Situata dhe zhvillime të ngjashme, deri në lajthitje logjike, çuan në kasaphanën që gatoi Milloshevici dhe ministrat e tij, në luftërat e përgjakshme të viteve 1992-’95, që shuan një çerek milioni jetë njerëzish. Ndjekja qorrazi, deri në ekstrem, vetëm ideologjikisht, e interesave dhe synimeve gjeopolitike, të vjetra e të reja, shihet ku po e çon botën”.
Armatosja e Serbisë, tollovia e Federatës së Bosnjës, blerja e armëve nga Kosova, dhe angazhimi i Shqipërisë për të shkuar në shpenzimet ushtarake në 2% të GDP, duket se reflektojnë atë që lidhet me një kërcënim. A është e vërtetë narrativa e përsëritur për një luftë?
“Çfarë është thënë dhe bërë në të kaluarën njihet; çfarë po bëhet sot, po ashtu shihet, mund të analizohet dhe, të merren masa. Çka nuk dihet dhe nuk mund të thuhet me siguri, është ajo çfarë kanë në kokë drejtues shteti, qeverie, disa drejtues të politikës dhe institucioneve. Ajo vetëm mund të hamendësohet. Mbi atë bazë mund të bëhen plane skenarësh A, B, C, etj.
Narrativa e përsëritur për luftë, më shumë, ka të bëjë me ngjalljen e frikës, me paralajmërim, përgatitje, me dhënie sinjali ndaj kujtdo që mund ta mendojë, që duhet ta heqë nga koka. Janë bërë disa herë luftëra në rajonin tonë. Është parë qartë se cilët kanë qenë humbësit dhe fituesit. Rajoni ynë, me dy përjashtime, është territor i NATO-s. Ai nuk mund të bartë e të ketë luftëra të tjera, pavarësisht tensioneve që mund të krijohen, që janë dhe do jenë të menaxhueshëm. Të kesh oreks për luftë tjetër në Ballkan do të thotë të kesh problem me ‘motorët logjikë!’”
Si e shikoni Shqipërinë në gjithë këtë qerthull të ri të zhvillimeve ndërkombëtare?
“Përsëris, Shqipëria është tepër e vogël për të pasur ndikim, modeste tej rajonit tonë. Përtej tij, është e vështirë të luajë ndonjë rol të ndjeshëm. Duket se kjo ende nuk është kuptuar mirë. Shihen jo rrallë, për rrjedhojë, akrobaci politike, sikur vendi të ishte disa herë më i madh se ç’është në të vërtetë! Një vend është aq i fortë sa të madhe e ka popullsinë, sa e ka forcë ekonomike, sa ka fuqi ushtarake për të luajtur rol. Këto të gjitha shkojnë paralel, të marra së bashku. Të jesh anëtar në një organizatë, përfshirë ushtarake, nuk do të thotë më shumë se të kesh barazinë e të ulurit në të njëjtën tryezë, ku dëgjohen e merren vendime, teorikisht bashkërisht. Konkretisht, të bashkohesh me vendimin e të mëdhenjve! Pra, vendi ynë është mirë të luajë aq rol sa e ka forcën, as më pak, as të pretendojë më shumë, por parësisht të jetë modest dhe pa fjalë të mëdha! Këtë rol ta luajë duke analizuar thellë zhvillimet ndërkombëtare, paketën e zhvillimeve, sepse gjërat janë të lidhura, dhe të përcaktojë pozicionin e tij. Asgjë nuk lind, nuk zhvillohet në vakum”.
A ka rrugë që të shmangë veton e vazhdueshme greke për integrimet shqiptare?
“Kjo lidhet me akrobacitë që përmenda më lart, me vetësigurinë, se ia hedh, e kaloj, me bërjen gabim të hesapeve, me një lloj ‘megalomanie të të voglit’, që Cvajgu e ka pasë karakterizuar ‘të rrezikshme’.
Afera ‘Bejleri’ ka qenë dhe është çështje e drejtësisë. ‘Kur flet drejtësia, hesht politika’. Kjo aksiomë zbatohet kudo me përjashtim të Greqisë. Ajo po keqpërdor anëtarësimin e saj në BE për të arritur synime politike, deri në afatgjata, apo cenime territoriale. BE-ia ka përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, që nuk ka forcë të bindë një anëtar të saj se e ka gabim dhe duhet të heqë dorë. Ajo është një çështje dypalëshe. Çështjet dypalëshe nuk duhet të sillen në tryezën e 27-shes, për këtë BE-ia ka direktivë të posaçme.
Një politikë e ngjashme, e papranueshme, nacionaliste, ka bërë që Maqedonia të rrinte tek dera e organizatave për 20 vjet, të quhej ish-shtet, të ndërronte edhe emrin e shtetit, duke ndryshuar kushtetutën e saj. BE-ja, i gjithë komuniteti ndërkombëtar, çfarëdo të kuptohet me këtë dy fjalësh, bënte sehir! Ajo bën sehir edhe sot, kur një anëtar i saj ende mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë dhe nuk ka ndërmend ta abrogojë atë! Politikisht, juridikisht, teknikisht, ajo është në situatë lufte me Shqipërinë.
Nëse Greqia nuk ndërron qëndrim, nëse BE-ia nuk ka forcë të bindë Greqinë të heqë dorë nga vetoja aktuale, apo nga vetot në vijim të procesit, të drejtë që ia jep zbatimi i metodologjisë të re, nuk shoh arsye përse Shqipëria duhet të vijojë angazhimin maksimal në procesin e integrimit dhe të mos diversifikojë marrëdhëniet me botën. Shqipëria ka qenë aty ku është, ajo i ka mbijetuar tufaneve me mijëra vjet edhe pa BE-në. Ajo do mbijetojë edhe mijëra të tjerë po ashtu, me ose pa BE-në. Ajo ka popull vital, të mençur, punëtor, që e do vendin e vet më shumë se gjithçka tjetër.
Marrë me shkurtime nga JAVA