RIPËRTËRIRJA SHPIRTËRORE RUSE
Nga Shqiprim Pula /PhD
Pak kohë para se të zgjidhej President i Federatës Ruse, Vladimir Putin kishte deklaruar se,Rusinë nuk e sheh larg Europës dhe botës. Por, ndërkohë lindi një shqetësim i ri, edhe i rrezikshëm!
Po kush e shkaktoi atë? Ku është pikënisja? Në ditët e sotme, Rusia e pas 22 viteve, e drejtuar nga Vladimir Putin-i, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, nga Europa e bota perendimore në tërësi, u izolua, me disa përjashtime minore. P
Përmbrenda Unionit Sovietik ishin 15 republika, por cilësuar për nga madhësia e rëndësia Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia ishin liderët e Unionit të atëhershëm. Të përbashkëtat e tyre tregonin ngjashmëritë si ndërmjet vëllezërve, por nga etër të ndryshëm. Përgjatë shekullit 20-të kombi, religjioni dhe rregullimi shtetëror morën kuptim dhe formë, për të gjitha vendet që vazhdonin të përmbushnin formësimin si të mëvetësishëm. E si rrjedhojë, sidomos përgjatë viteve 1989-1991, kjo frymë mori rrjedhë edhe brenda vendeve të Unionit Sovietik, prandaj dhe vendosën të ndaheshin. Por, drejtuesit e tanishëm të Kremlinit dhe mbështetësit e tyre, shpërbërjen e Unionit Sovietik e konsideruan si fatkeqësia më e madhe globale gjeopolitike.
Perandori Nikolai i Parë dhe Ivan Aleksandrovich Ilyin, dy personazhet shpirtëror të ripërtëritjes – ortodoksia dhe identiteti kombëtar si përkufizime ishin kultivuar nga perandori Rus Nikolai i Parë, sipas të cilit, Rusia duhet të mbetet e bazuar dhe prijëse. Dhe po këto parime, u përvetësuan edhe nga Putini, kështu duke e krijuar kultin e një udhëheqësi të pagabueshëm politik të progresit social e ekonomik, përmes mediave që e mbeshtetnin Kremlinin. Kurse, filozofia e Ivan Aleksandrovich Ilyin-it shërbeu si ripërtëritje shpirtërore ruse e preferuar për Putinin, ndërkaq, libri i tij “Detyrat tona” si frymëzim për patriotizmin, ndjenjën e nderit për Rusinë, sakrificën për të mirën e atdheut dhe disiplinën politike si udhëzues për rivendosjen dhe rilindjen e një Rusie në kërkim të pozicionimit botëror.
Lufta në Ukrainë, pos tjerash, ka të bëjë edhe me Rusinë e Kievit. Federata Ruse e sotme e konsideron Kievin si shtetin e parë sllavo-lindor i krijuar diku në shekullin e 9-të nga fiset vikinge, nga ku dolën rusët, ukrainasit bjellorusët e të tjerë, ndërsa ortodoksinë e kultivuan nga Bizanti. Filozofi Ivan Ilyin, të cilin Vladimir Putin e konsideron frymëzues shpirtëror, përveҁ identitetit kombëtar Rus i mohonte të tjerët si ukrainas, bjellorusë, estonezë, letonezë apo pakica të tjera.
Rol të theksuar në këtë konceptim nacionalist kishte edhe Kisha Ortodokse Ruse, e cila ndihmonte Kremlinin politikë, duke u kujdesur në edukimin e brezave mbi trashigiminë e vlerave ruse, për ruajtjen e ‘botës ruse’, qoftë edhe duke ndërhyrë ushtarakisht. Në 2008-tën, ndërhyrja në dy territoret e Gjeorgjisë (Abkhazia dhe Osetia Jugore) si dhe në 2014-tën, ndërhyrja në dy territoret e Ukrainës (Donbasi dhe Krimea), ishte kundërvënje ndaj Perëndimit, e për rrjedhojë, nga konflikti i ngrirë u krijua paqëndrueshmëri reale mbi perspektivën politike të tyre.
Lufta e ditëve të sotme në Ukrainë, si pikënisje kishte konfliktin midis Viktor Janukovyç dhe rivalit të tij kryesor politik, Julia Timoshenko. Në Shkurt 2014 ‘Revolucioni i Dinjitetit’, ndërmjet rivalëve politikë krijoi trekëndëshin Ukrainë-Rusi-Perëndim. Janë tre skenarë që duket se janë në garë të ashpër: I pari, Ukraina mbetet me Lindjen; I dyti, Ukraina do të rrugëtoj drejt Perëndimit; dhe I teti, Ukraina të mbetej ura lidhëse midis Perendimit dhe Lindjes.
Historiografia politike e tyre tregon afërsinë që kishin thurrur ndër-shekuj shteti Rus i Kievit dhe besimi ortokos i përhapur nga Kievi. Kuptimi i Ukrainës konsiderohej si vet egzistenca e Rusisë; prandaj Ukraina e djeshme dhe e sotme, nuk do të konsiderohet asnjëherë një territor më afër Perëndimit e larg Rusisë.
Një nga kushtet për ndalimin e luftës u tha të jetë zëvendësimi i qeverisë, e kjo do të nënkuptonte instalimin e një qeverie të re pro-Ruse. Ajo ҁfarë don Rusia nga Ukraina është atë që praktikisht sot e bën Bjellorusia. Pranimi I pozicionit të vasalit të bindur.
Prandaj Ukraina ndërkohë është shndërruar në një fushëbetejë gjeopolitike, ku po konfrontohet Lindja me Perendimin, specifikisht fushbetejë ku po përballet Europa me Rusinë.