Referendumi serb si Casus Belli
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Të dielën, pra më 16 janar 2022, në Serbi, organizohet referendumi, ku qytetarët do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”
Ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë me gjyqësorin (intencën që ai të jetë i pavarur), meqë Serbia është e obliguar për t’i bërë ato nëse vazhdon të jetë e interesuar për aderim në Bashkimin Evropian (BE). Këto ndryshime rezultojnë të jenë nusprodukt i përcaktuar që në kapitullin 23 të Planit të Veprimit.
Plani i veprimit ndërlidhej me detyrimet për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, që ishin potencuar që në vitin 2017 dhe më pas ato afate u zhvendosën disa herë. Por as brenda këtij plani nuk kemi të bëjmë fare me ndryshimet e kësaj kushtetute që kanë të bëjnë me preambulën e kushtetutës serbe, ku potencohet pozita e Kosovës si pjesë integrale e Republikës së Serbisë, e as me nenet përkatëse të saj, që trajtojnë subjektivitetin e Kosoëvs sikur ajo të ishte provincë serbe. Duket se në këtë rrafsh, BE-ja mbetet tutje “neutrale”!
Komisioni Evropian në raportin e tij në vitin 2020, deklaroi se “shkalla e ndikimit të vazhdueshëm politik në gjyqësor, sipas legjislacionit aktual, është një çështje seriozisht shqetësuese”.
Por heshtet çështja e preambulës!
Tek ky pozicion kuazineotral, duket se ka burimin edhe qëndrimi i shefit të politikës së BE-së dhe kryengociatorit, Josep Borell ndaj referendumint në fjalë. Për rrjedhojë çështja e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë është bërë arsyeja e përplasjes së dytë të hapur në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit dhe shefit të Politikës së Jashtme të Përbashkët të Sigurisë së BE-së, ndërkohë kryengociator i dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borell,
“Mbledhja e votave në të kaluarën është bërë përmes lehtësimit të
@OSBE. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar” ishte decitiv në cicërimën e tij në twiter J.Borell.
Ndaj këtij insistimi ka reaguar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti: “Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik.”
Referendumi në Serbi dhe kjo përplasje mes Kurtit e Borellit hedhë dritë mbi pozicionin tashmë anues të këtij të fundit, duke qenë ai pikërisht faktori që po ndikon në humbjen tutje të kredibilitetit të BE-së si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.
Beogradi insiston që në referendum të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës, duke vazhduar kështu ta imponoj pozicionin politik n prag të rivazhdimit të dialogut, se çështja e Kosovës, respektivisht statusi I saj duhet të rikthehet në tavolinë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se moslejimi i mbajtjes së referendumit në Kosovë “do ketë pasoja afatgjate përtej asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar”.
Këtë deklaratë Borelli do të duhej ta kuptonte astu si është: një ultiatum i llojit të vet, respekzivisht shpallje e parakohshme e luftës. – Casus Belli.
Komisioni i BE-së këtë fakt do të duhej ta mbante shënim, duke e bërë të qartë se 22 shtetet e Bashkimit Europian e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe e trajtojnë atë si Shtet sovran. Intencën për cenimin e sovranitetit të Kosovës nga Serbia, qoftë duke organizuar zgjedhje a referendum brenda territorit të një shteti tjetër, në këtë rast në Kosovë, nuk duhet në asnjë mënyrë dhe me kurrfarë arsyesh (qofshin ato edhe nga përvoja e së kaluarës) ta mbështesë BE-ja.
Diplomacia e J.Borellit duke u bazuar në të ashtuquajturin parim të neutralitetit mbi statusin e Kosovës, tashmë cenon jo vetëm interesat jetike të Republikës së Kosovës, por edhe ato të BE-së. Tolerimi tutje i Serbisë që përmes formave të kësaj natyre të veprimit, të mbajë gjallë fomracione që ushqejnë doktrinën e luftës hibride kundër Kosovës, janë të patolerueshme.
Serbia edhe mund ta shfrytëzoi referendumin si një lloj Casus Belli, por këtë nuk duhet ta bëj shefi i Politikës së Jashtme të Përbashkët dhe të Sigurisë së BE-së,Josep Borell.