Nga Dr Donik SALLOVA
Sondazhi pa dyshim është kryetema e sontme, dhe me të drejtë, sepse është rezultante përmbledhëse e shumë zhvillimeve progresive në tri vitet e fundit. Por, sonte nuk duhet anashkaluar lajmi se Serbia do t’i pranojë targat RKS në territorin e saj. Targat shtetërore me gjithë simbolet e saj. Pas heqjes nga përdorimi i targave ilegale të prodhuara nga Serbia për serbët e Kosovës, ky është një hap tjetër i asaj që paraqet njohjen faktike të sovranitetit shtetëror në raportet ndërfqinjësore Kosovë-Serbi, ashtu siç e parasheh edhe marrëveshja Bruksel-Ohër.
Serbia ka obligim të njohë edhe pasaportat dhe dokumentet tjera shtetërore, të heq dorë nga interferimi në Kosovë, duke respektuar siç e ka pranuar në marrëveshje, subjektivitetin dhe sovranitetin e Kosovës, të formalizojë raportet bilaterale me Kosovën përmes shkëmbimit të misioneve diplomatike, si dhe të dëshmojë tërheqjen nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ata që thonë se Kosova ka pranuar ta themelojë Asociacionin, duhet ta dinë se themelimin e Asociacionit nuk e ka pranuar kjo qeveri, por qeveria e Thaçit dhe Mustafës, ndërsa kjo qeveri nuk ka marrë ndonjë obligim për themelim të Asociacionit në kundërshtim me kushtetutën dhe ka vendosur kushtin që Asociacioni si obligim i qeverive të vjetra do të zbatohet vetëm pasi Serbia e bën njohjen faktike duke e nënshkruar dhe zbatuar Marrëveshjen Bruksel-Ohër. Vetëm pas njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia krijohen kushtet për ta konsideruar Asociacionin si formë vetëmenaxhimi integrues për serbët kosovarë dhe jo siç e pretendon Serbia një instrument për enklavizimin segregues të tyre.
Duhet kujtuar se Marrëveshja Bruksel-Ohër është rezultat i një dialogu që ndryshoi thelbësisht pasi qeveria e Kosovës vendosi që raportet me Serbinë, për mirë apo për keq, do të zhvillohen vetëm sipas parimit të reciprocitetit. Më njeh, të njoh. Nuk më njeh, nuk të njoh. Të shumtë ishin ata që e qortuan qeverinë e Kosovës për reciprocitetin lidhur me targat, por ishte pikërisht ky qëndrim që ua bëri me dije negociatorëve të Brukselit se ka kaluar koha e marrëveshjeve me Serbinë të cilat i zbaton vetëm Kosova.
Prej atëherë situata në veri ka pasur ulje-ngritje tensionesh, por a mund të thotë dikush që atje ka pasur ndonjëherë më shumë pushtet shtetëror të Kosovës se ç’ka sot? Dhe ky pushtet nuk po shtrihet atje me marrëveshje me Serbinë, siç ishte marrëveshja e vitit 2013 që i “integroi” Rojat e Urës në Policinë e Kosovës, detyra e të cilëve ishte të sigurojnë dezintegrimin e serbëve nga sistemi politik i Kosovës. Sot pushteti shtetëror në veri po shtrihet mbi parimin demokratik të shtetit ligjor.
Serbia bëri përpjekje me sulmin në Banjskë ta përmbysë këtë rrethanë të re ku me Kosovën tashmë duhet të sillet si me një shtet fqinj. Sigurisht ajo do të bëj edhe përpjekje të tjera, sepse në fakt asaj nuk i kanë mbetur mundësi të tjera. Deri në 2020-ën instrumenti i saj ishte dialogu joparimor i Brukselit dhe mungesa e vullnetit të qeverisë së Kosovës për ta luftuar krimin e lidhur me Beogradin në veri. Kosova tashmë është e vendosur ta luftojë krimin dhe terrorizmin e Serbisë në veri. Serbia mund t’i dalë edhe zyrtarisht në ndihmë strukturave paramilitare për t’ia mësyrë Kosovës, mund ta përfshijë drejtpërdrejt edhe ushtrinë. Këto janë hesapet e tyre. Por, personalisht i besoj Departamentit Amerikan të Shtetit se një sulm i Serbisë ndaj Kosovës do të konsiderohet si sulm ndaj NATO-s, sikurse besoj që nuk ka grup terrorist e paramilitar që mund të dal i fituar përballë të drejtës, vullnetit dhe gatishmërisë sonë për ta mbrojtur sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e Kosovës.