Nga Dr Donik SALLOVA
Bashkësia ndërkombëtare po e gjykon qeverinë e Kosovës dhe qasjen e saj në veri jo mbi veprimet konkrete që po i bën ajo, e për të cilat s’mund të ketë asnjë kundërshtim sepse ato janë ligjore e legjitime, por mbi reagimin që mund të ketë Serbia në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe interesat e saj nga ky dobësim i ndikimit ilegal dhe kriminal të Serbisë në veri të Kosovës. Ndërkombëtarët po e barazvlerësojnë padrejtësisht qasjen e Kosovës ndaj veriut me qasjen që Serbia ka pasur në veri, duke thënë duhet të dialogoni se si do të bashkërendoni vendosjen e rendit në veri. Prej kur u bind bashkësia ndërkombëtare që Serbia e do shtetin ligjor demokratik të Kosovës në veri?
Ajo që po bëjnë institucionet e Kosovës është shtrirja e ligjshmërisë dhe forcimi i rendit atje, e duke qenë se ligji në Kosovë është demokratik, madje i shkruar në vazhdimësi bashkë me europianët, ky ligj është shumë më demokratik se sa ligji në Serbi, apo ligji i dhunës së Radijiçiqit kur sundonte në veri. Me pagu taksa të cilat kthehen në investime e shërbime publike, këtë po u kërkon qeveria e Kosovës serbëve atje. Asnjë politikë diskriminuese.
Pra, ndërkombëtarët nuk duhet ta shohin Kosovën me shembullin e Serbisë. Qeveria nuk po shkon në veri me heq të drejta, por me garantu të drejta, sepse ato të drejta u janë mohu serbëve nga Serbia përmes bandave kriminale. Kaq po bën qeveria e Kosovës dhe nuk pritet të bëjë më shumë, pjesën tjetër, vetëqeverisjen sipas ligjit dhe kushtetutës duhet ta bëjnë vetë serbët. Kësaj radhe ata nuk deshën t’i ndërrojnë kryetarët e zgjedhur, herën tjetër mbase marrin pjesë në zgjedhje. E rëndësishme është që Kosova ua ka garantuar kushtetutshmërisht çdo mundësi për të qeverisur vetën si komunitet përmes komunave dhe institucioneve qendrore.
Por, sigurisht kjo qeveri e Kosovës ka vullnetin dhe vendosmërinë që të jetë atje, ashtu që grupet kriminale dhe terroriste të mos veprojnë më lirshëm, që duke i penguar serbët të integrohen, të realizojnë synimin e Serbisë për destabilitet të Kosovës dhe pretendim të territorit të saj. Çdo politikë që pengon të drejtën e Kosovës për sovranitet edhe në veri, synon të nxisë segregacion politik të serbëve të veriut nga sistemi politik i Kosovës. Ndërkombëtarët nuk duhet ta ngatërrojnë qasjen e qeverisë së Kosovës për t’i garantuar të drejtat e serbëve edhe në veri me qasjen e spastrimit etnik që Serbia po ua bën shqiptarëve në Luginë të Preshevës përmes pasivizimit të adresave si politikë qeveritare. Kosova dhe Serbia nuk janë të njejta.