“Pyeteni Lajçakun në 22 shkurt”, një këshillë për miqtë në Prishtinë dhe formula Bajden, si prioritet primordial me Serbinë
Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Burime diplomatike bëjnë të ditur që në 22 shkurt në takimin e ri në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve të delegacionit të Kosovës dhe të delegacionit të Serbisë ndërmjetësi i posaçëm i BE në dialog, Miroslav Lajçak, ka vendosur si çeshtje qendrore të rendit të ditës “asosiacionin e komunave serbe”.
Me këtë rast si diplomat i vjetër kam një sugjerim që të mos pranohet ai prioritet sllovako-serb, sepse i kundërvihet formulës së presidentit amerikan Bajden për çeshtjen qendrore, ku duhet të prioritarizohet dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërmjetësit Lajçak i duhen drejtuar disa pyetje.
Pyeteni Lajçakun nëse Çekosllovakia e tij i dha leje pas Luftës së Dytë Botërore Gjermanisë së mundur që ajo të bënte organizimin administrativo-territorial të pakicës gjermane në Çekosllovaki? Pyeteni nëse i dha leje Bashkimi Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore Gjermanisë së mundur që ajo të bënte organizimin administrativo-territorial të pakicës gjermane në shtetin sovjetik? Pyeteni nëse i dha leje Polonia pas Luftës së Dytë Botërore Gjermanisë së mundur që të bënte ajo organizimin administrativo-teritorial të pakicës gjermane në shtetin polak?
Lajçaku dhe lajçakët e lobit diplomatik filoserb në BE, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare për sovranitetin e shtetit në territorin kombëtar, vendosin në qendër të dialogut të drejtën e Serbisë së mundur nga NATO në vitin 1999 që të bëjë dhe të diktojë organizimin administrativo-territorial të pakicës serbe në Kosovë në formën e një mini “serpska republika”, pra të një bombe me sahat, që po hedh në erë shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, dhe që Serbia po e planifikon që të hedhë në erë edhe shtetin e Kosovës.
Asnjë ligj ndërkombëtar nuk e detyron qeverinë e Prishtinës t’i bindet verbërisht apo të zbatojë disa angazhime të gabuara dhe të dëmshme për sovranitetin nga qeveritë paraardhëse. As praktikat ndërkombëtare dhe as praktikat kombëtare të shteteve sovrane nuk japin një shembull apo një precedent të dhënies një shteti tjetër të së drejtës sovrane të organizimit administrativo-territorial brenda territorit të shtetit.
Me të drejtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur si të papërputhshëm me Kushtetutën e Kosovës këtë projekt të “asosiacionit të komunave serbe” në Kosovë. Qeveria në Prishtinë duhet t’i bindet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe jo Lajçakut.
Një angazhim i gabuar i një qeverie të mëparshme të Kosovës kurrsesi nuk mund të jetë detyrim ligjor për qeverinë e sotme. Janë me qindra raste në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkan, në Europë dhe në botë, kur qeveritë kanë hedhur poshtë marrëveshjet e gabuara dypalëshe të qeverive paraardhëse.
Qeveria e Prishtinës e ka më të lehtë marrjen e qendrimit për refuzimin, sepse ajo, që quhet “marrëveshje për asosiacionin e komunave serbe”, nuk është marrëveshje në kuptimin juridik dhe klasik të fjalës.
Nuk është një marrëveshje e arritur dhe e nënshkruar midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, dhe nuk ka as emblemat zyrtare, as testatot zyrtare të shteteve përkatëse dhe as vulat zyrtare të të dy shteteve dhe nuk ka ofiqet zyrtare bashkëngjitur emrave apo firmave të kryeministrave si kryetarë qeverie të dy shteteve sovrane.
Pra janë angazhime politike të qeverive të mëparshme, të cilat juridikisht nuk i pranon dhe as nuk i konsideron si dokumenta juridike të vlefshme asnjë gjykatë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kryesorja që del si konkluzion:
1-Një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës për “asosiacionin e komunave serbe” nuk duhet diskutuar kurrsesi përpara arritjes së marrëveshjes për njohjen reciproke midis dy shteteve.
2-Dialogu politik midis midis Kosovës dhe Serbisë duhet t’i përmbahet në rendin e ditës së bisedimeve prioritetit të përcaktuar nga presidenti amerikan Xho Bajden për qendërzimin e dialogut në njohjen reciproke.
Devijimet tematike, që kërkon Serbia dhe i fut në rendin e ditës Lajçaku, nuk janë detyrim për Kosovën. Formula diplomatike Bajden duhet të jetë prioriteti primordial dhe platforma e qeverisë së Kosovës në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. [DITA/ISHGJ]