Nga Dr Donik SALLOVA
Antarësimi i pritshëm i Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës do të jetë përgjigja më e mirë që Europa demokratike do t’ia japë Rusisë dhe armiqëve të lirisë. Si mund të forcohej më mirë demokracia në rajonin tonë, përveç se duke e pranuar edhe Kosovën në forumin më të rëndësishëm të mbrojtjes dhe promovimit të lirive, të drejtave dhe vlerave të demokracisë siç është Këshilli i Europës.
Plotësimi i të gjitha parakushteve, si kritere themelore të anëtarësimit, si dhe vullneti politik i Kosovës që t’i bashkohet këtij forumi të demokracisë, përkundrejt shteteve që duan të largohen e po përjashtohen, dëshon se Kosova Këshillin e Evropës e konsideron jo veç forum për ta promovuar shtetësinë, por edhe instrument i forcimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë brenda vetes.
Ata që duan të pengojnë antarësimin e Kosovës duke deklaruar kushte të reja që po u lidhkan me të drejtat e pakicave në Kosovë, po tregohen destruktiv jo vetëm në aspiratën e Kosovës në KE, por edhe në aspiratën e Evropës për ta mbrojtur e forcuar demokracinë e saj në kontinent. Të gjithë e dinë se Kosova është kampione e promovimit dhe garantimit kushtetues të barazisë qytetare dhe të drejtave të komuniteteve pakicë. Nëse të drejtat e pakicave do ishin kriter për anëtarësi në KE, Kosova do të ishte shteti i vetëm i rajonit pjesë e kësaj organizate. Në aspektin e lirisë ekonomike, valuta Euro është simboli kryesor i lirisë europiane të zhvillimit.
Prandaj, të konsiderohet se dinari e cënon lirinë ekonomike të komunitetit serb kundrejt euros kah e cila duhet të shkojë vet Serbia, është pak a shumë sikur Europa të vazhdonte ta mbështeste stabilitetin e saj energjetik tek gazi i rublave ruse. Rasti i Rusisë dëshmon më së miri se despotizmat dhe autokracitë nuk duhet të merren me të mirë se ato kështu mund të ndryshojnë. Rusia, ish antëtare e KE-së sot ka pushtuar një shtet sovran, kërcënon paqen europiane dhe liderët opozotarë ose i ka vrarë ose i ka në burg.
Nëse Europa dhe Perëndimi duan vërtetë ta mbrojnë dhe zgjerojnë lirinë dhe demokracinë, atëherë anëtarësia në Këshill të Europës duhet të bëhet gjithnjë e më shumë mbi bazë vlerash e jo mbi bazë forcash. Pranimi i Kosovës në Këshill të Europës përveç se do t’i kontribuonte zhvillimit të demokracisë e shtetit ligjor në mbrojtje të të drejtave e lirisë, në rrethanën kur po bëhet do të jetë edhe mesazh gjeopolitik e i sigurisë se Europa Demokratike nuk është aspak në defansivë në mbrojtjen dhe përhapjen e vlerave të saj.