Nga Dr Donik SALLOVA
E kanë gabim ata që thonë se katër kryetarët e komunave në veri do duhej të dorëhiqeshin dhe jo të shkarkoheshin përmes peticionit. Shkarkimi i katër kryetarëve nuk është aspak thelbi i çështjes. Dihet se ata katër kryetarë janë në detyrë sepse respektuan procedurën demokratike përballë bojkotit të zgjedhjeve. Ky peticion është një leksion politik për partitë politike serbe se procedura demokratike dhe ligji në Kosovë janë po aq të rëndësishme sa edhe vullneti politik i zgjedhësve. Nuk mund të legjitimohet asnjë pushtet politik pa iu nënshtruar procedurës demokratik dhe principeve të shtetit ligjor. Listat e peticionit që kanë nënshkruar serbët në veri në krye të fletës kishin mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’.
Pra, aksioni i Beogradit që kishte për synim destabilizimin e veriut përmes një zinxhiri aksionesh që nisën me dorëheqjet e kryetarëve serbë dhe bojkotimin e zgjedhjeve e vazhduan deri tek sulmi terroristë në Banjskë, në fakt përfundoi duke i vënë serbët në radhë me leternjoftime të Kosovës në dorë duke e shfrytëzuar instrumentin demokratik të peticionit ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ata që sot po rekomandojnë dorëheqjet e kryetarëve para peticionit për shkarkim, në fakt dorëheqjet i kanë kërkuar që në krye të herës, edhe atëherë kur huliganët dhe milicitë fashiste plagosnin ushtarët e KFOR-it në përpjekje për të pushtuar institucionet lokale në veri. Por, konsistenca në parimet demokratike të pushtetit dhe vendosmëria për të mbrojtur shtetin ligjor dhe sovranitetin, kanë prodhuar një realitet politik në veri me më shumë respektim të Republikës, Demokracisë dhe Shtetit Ligjor. Pa dyshim lufta është e gjatë, sepse Beogradi për 20 vite ka investuar politikisht, financiarisht dhe psikologjikisht për ta enklavizuar veriun e Kosovës, duke i privuar serbët nga liritë dhe mundësitë që atyre u jep Republika e Kosovës, por parimësia dhe vendosmëria po i jep rezultatet e para.
Nëse ndonjë fantazi borrelliane mund të ketë menduar se shqiptarët kishin synim t’i privonin serbët nga pushteti vetëqeverisës lokal në komunat e tyre, realizimi i këtij peticioni i demanton ata. Është detyrë e institucioneve të Republikës që të jenë gardiane e parimeve të kushtetutës demokratike të Kosovës. Peticioni është një hap në demokratizimin politik të serbëve në veri. Hapi tjetër duhet të jetë dekriminalizimi i skenës politike, jo vetëm në veri, por veçanërisht në veri. Aty ku krimi është i përfshirë në politikë, pushteti asnjëherë nuk mund të jetë demokratik. Garantimi i lirisë së mendimit, pluralizmi politik, konkurrueshmëria partiake janë tipare të sistemeve politike liberal-demokratike.
Në këtë sens Kosova është kampione në rajon, por ajo nuk duhet të lejojë vrima të zeza të suspendimit të demokracisë dhe lirive në asnjë pjesë të territorit pavarësisht se nga cili komunitet banohen. Do të jetë detyra e KQZ-së dhe e institucioneve tjera relevante që të krijojnë mekanizma që do të privojnë pretendimin për përfaqësim politik të atyre partive apo figurave që janë apo kanë qenë të lidhura me krimin apo veprimtari të tjera antishtetërore. Aty ku ka më shumë liri, demokracia është më e fortë. Aty ku demokracia është e fortë, liria dhe të drejtat janë më të garantuara!