Nga Xhafer SHATRI
Para një jave, më 5 mars 2024, në Beograd u mbajt një ceremoni rasti për ditën e Agjencisë së Sigurimit Ushtarak të Serbisë.
I pranishëm ishte edhe ministri serb i mbrojtjes, Vuçeviq.
Gjatë ceremonisë u shpërndanë medalje dhe u mbajtën fjalime rasti, përmes të cilëve u shpërfaq dhe një herë orientimi strategjik, agresiv, i Serbisë ndaj fqinjve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti.
Sipas ministrit Vuçeviq, “interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë janë të rrezikuara për shkak të separatizmit (?!!!) në Kosovë e Metohi dhe aktiviteteve të shumta të vendeve që, te shtetet e tjera, nuk respektojnë atë që respektojnë në shtetin e tyre… E ky është integriteti territorial dhe suvereniteti i shtetit tonë.
Ajo që u pranohet të gjithëve, vetëm neve po na mohohet… Është detyrim yni që ta ruajmë shtetin, ta ruajmë popullin tonë, parasegjithash popullin tonë në Kosovë e Metohi, por edhe ta ndihmojmë popullin tonë kudo që jeton…”
Ndërkaq drejtori i shërbimit sekret ushtarak, gjeneralmajori Zoran Stojkoviq, ishte edhe më i drejtpërdrejtë:
« Në Agjencinë tonë nuk ka vend për personat që nuk e kanë në zemër Kosovën e Metohinë dhe të cilët nuk jetojnë për ditën kur flamuri trengjyrësh serb do të valvitet gjithandej në krahinën tonë jugore…»
Moti, nuk kanë thënë kot se kur e ke dreqin kojshi, mund të flesh i qetë vetëm nëse je i përgatitur mirë edhe për më të keqen.
Fundja edhe Ajnshtajni i famshëm sygjeronte se ekuilibri i forcës është faktori që më së shumti i shërben paqes.