Nëse zyrtari bëhet peng i profiterëve, atëherë të gjithë ne bëhemi peng të situatave kaotike ku më së miri dijnë të lundrojnë ata që janë mësuar të peshkojnë njerëz të pafajshëm, njerëz që me nder kanë arritur në karrierë, të rinjë që me sukses kanë mbaru universitetin, por që detyrohen të ikin në Gjermani dhe të bëhen shërbëtorë në ndonjë McDonalts….
Shkruan Emin Azemi,
Situata në Ukrainë po na jep shumë mësime…Nëse deri tani kemi pasë dilema se çfarë dëme mund të vijnë nga diletantizmi i politikës, tani do ta kemi më qartë pas gjithë këtyre ngjarjeve dramatike që po ndodhin në Ukrainë.
Atje, në Ukrainë, po shohim se politikanët qenkan zgjedhë me meritë, e jo nëpër aksham pazare… Po shohim një President që nuk po e braktis vendin e tij dhe po bëhet shembull për të tjerët se si mbrohet atdheu.
Atje në Ukrainë, nuk po shohim ministra e kryetarë komunash që janë aparatçikë partiak. Po shohim se me politikë të merresh nuk është vetëm privilegj, por edhe obligim dhe detyrim ndaj të tjerëve. Ndaj atyre që të kanë bërë DIKUSHI… Atje po shohim se pushteti lokal di të menaxhojë krizat dhe e di saktësisht se ku ndodhen strehimoret për banorët e lagjes. Atje nuk fitojnë tendera për ndërtim të strehimoreve, por kur vjen puna pisk, njerëzit nuk kanë ku të strehohen, sepse politikanët paratë i kanë bë rrush e kumbulla duke ndërtu vila e duke ble gjëra luksi për veti dhe për hakrabatë. Madje edhe për kucat e macat….
Atje, në Ukrainë, çmimet nuk rriten 3 fiish, si te ne, por përkundrazi shteti i mban nën kontrollë çmimet dhe nxjerr masa parandaluese për të gjithë abuzuesit. Te ne nuk ka luftë, por çmimet po shkojnë në stratosferë, sepse profiterët nuk kanë ideal dhe mëshirë.
Profiterër i presin tre ditët e tyre, dhe shteti dorëzohet para tyre, sepse jo pak segmente të shtetit kanë aleancë të fshehur me profiterët. Nëse për një punësim, bie fjala, është paguar 5000 euro ryshfet, atëherë ai zyrtar që i ka marrë ato para, pastaj e ka vështirë të del kundër profiterëve. Nëse zyrtari bëhet peng i profiterëve, atëherë të gjithë ne bëhemi peng të situatave kaotike ku më së miri dijnë të lundrojnë ata që janë mësuar të peshkojnë njerëz të pafajshëm, njerëz që me nder kanë arritur në karrierë, të rinjë që me sukses kanë mbaru universitetin, por që detyrohen të ikin në Gjermani dhe të bëhen shërbëtorë në ndonjë McDonalts….
Ukrania, rahmet i pas shpirti për së gjalli, shumë mësime po na jep…. sepse ne jemi shembulli më i keq se si nuk duhet të sillemi në kohë krizash…Edhe me prostitucionin tregtar të rritjes së çmimeve edhe me çyçanllëkun lapidar të shtetit kundrejt profiterëve të të gjitha ngjyrave….
Nëse ukrainasit po luftojnë me moral të lartë kundër një ushtrie pushtuese, ne si duket e kemi më vështirë të luftojmë kundër një armate politikanësh që edhe krizat i kthejnë në favor të tyre, për përfitimet politike të radhës….
Ukraina nuk është shumë larg, por ne jemi me vite drite larg nga caku për të qenë të dinjitetshëm si ukrainasit!