Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka paraqitur një nga reformat më të mëdha në strukturën e BE-së – një ide për një nivel të dytë të vendeve jashtë bllokut që ndajnë vlerat me BE-në dhe gjeografinë e unionit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që vazhdojnë të qëndrojnë para dyerve të Brukselit me vite, këtë ide të presidentit Macron nuk e kanë pritur mirë.
Nga Dr Selim Ibraimi
Shkupi dhe deri diku Tirana zyrtare, propozimin francez e kanë interpretuar si plan që është për vendet që ende nuk kanë status kandidati. Bojan Mariçiçi nga integrimet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka thënë se ideja e presidentit Emmanuel Macron është më shumë si një mesazh ndaj shteteve të cilat ende nuk janë kandidat ose ende nuk kanë hyrë në rrethin e BE-së. “Unë mendoj se ky mesazh është para së gjithash ndaj Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, sepse këto shtete ende nuk kanë kornizë të statusit kandidat”.
Realisht, me këtë ide merr fund ëndrra për një anëtarësim të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo që tash bën Franca nuk është diçka e re. Parisi qysh moti është shprehur kundër anëtarësimeve të reja të shteteve që nuk i plotësojnë kriteret ose për arsye të sigurisë evropiane -të drojës nga konfliktet siç është rasti tani me Rusinë, BE-ja ka ka qenë dhe është kundër anëtarësimeve të reja në union. Brukseli dhe Parisi janë larg projektit të përfshirjes së Ballkanit në BE. Dhe këtu roli francez po bëhet gjithnjë e më i çuditshëm brenda BE-së ashtu njëjtë siç po ndodh në raport me Rusinë.
Rrethi i dytë i anëtarësimit apo të krijimit të një blloku të ri të shteteve, në fakt do të bëjë një ndarje të re të Evropës Perëndimore nga ajo Jugore dhe Lindore. Dhe sidomos ndarja do të ketë efekte negative për shtetet e Ballkanit, të cilat vende kryesisht janë korruptuara dhe qëndrojnë larg sundimit të ligjit.
Në shtetet multietnike dhe me përbërje të përzier fetare, blloku i ri do të shkonte në favor të grupeve radikale dhe aktorëve të jashtëm të interesuar për të zënë vendin e BE-së. Siç po shihet në BE nuk ka një unitet për të pranuar anëtarë të rinj dhe kjo situatë ka gjasa të përkeqësohet nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimeve të Rusisë të përdorimit të armëve bërthamore.
Në kohën e mosmarrëveshjeve të reja brenda vetë BE-së, rreth furnizimit apo jo me gaz rus, propozimi francez për një bllok tjetër është tepër i mirëseardhur për rusët, kinezët, serbet dhe forcat radikale në Bosnjë. Tash e tutje ideve franceze do t’ju gëzohen më së shumti oligarkët dhe të korruptuarit, pasi të gjithë mendojnë të veprojnë përfundimisht të lirë dhe larg ligjit.
Këtë ide duhet ta refuzojnë shtetet që kanë si përparësi me të vërtetë BE -në. Ndryshe do të jenë të kota përpjekjet e qeverive për t’i zgjedhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore. Nga Franca, Holanda dhe Danimarka duhet të kemi një qëndrim më të qartë. Nëse janë për një BE bashkë me Ballkanin apo jo. Nga ana tjetër, disa kritikë thonë se një bllok apo një Ballkan me një shpejtësi tjetër do të shkonte në favor të vetë qeverive ballkanike deri në plotësimin e kushteve dhe ndërtimit të paqes ndëretnike. Megjithatë, deri në një gjendje më të qetë, nuk dihet se çfarë mund të ndodhë me Ballkanin përderisa Brukseli dhe Parisi të kujtohen t’i hapin dyert. Nëse me këtë ide do të pajtohen shtetet anëtare të unionit, atëherë nuk është për tu habitur që “Open Balkans” të “zëvendësojë” BE-në. Gjasat janë që Franca dhe disa shtete në BE të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim refuzues e të heshtur ndaj Ballkanit dhe shteteve të Evropës Lindore.
Në fund, mund të shfaqet droja jonë e kahershme se Ballkani mund të ndahet formalisht në nën blloqe dhe sipas interesave gjeopolitike globale dhe rajonale. Frika më tej qëndron tek krijimi i aleancave ashtu njëjtë si para një shekulli. Mirëpo, deri në fund të vitit asgjë më shumë nuk mund të themi, përderisa jemi në pritje të zgjidhjes së çështjes me Bullgarinë, ku Franca ka deklaruar se do të organizojë konferencën e parë -ndërqeveritare në mes dy vendeve. Historikisht Franca ka luajtur në disa karta dhe ka lënë përshtypje se nuk është aktor global serioz.