Nga Dr Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 22 korrik – Mediat gjermane njoftojnë se presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel patën dje një bisedë telefonike të gjatë. Objekt bisede ishin çështjet e energjisë, zgjidhja e konfliktit në Ukrainën lindore dhe marrëdhëniet dypalëshe gjermano-ruse.
Tashmë bëhet e qartë për të gjithë se arsyeja kryesore e kësaj bisede ishte trajtimi i rrugëve dhe mundësive që do t’ i hapnin udhë marrëveshjes së arritur tashmë mes SHBA-ve dhe Gjermanisë për tubacionin e diskutueshëm rus të gazit Nord Stream 2, nënshkruar dje nga Angela Merkel dhe Joe Biden, që de facto “dritën e gjelbër” për fillimin e tij.
Lajmi për bisedën Merkel-Putin u konfirmua mbrëmë edhe nga mediat ruse.
“Udhëheqësit janë të kënaqur me përfundimin e tubacionit Nord Stream 2. Presidenti rus vuri në dukje angazhimin gjerman për zbatimin e këtij projekti, i cili është thjesht i bazuar në treg dhe synon forcimin e sigurisë energjetike të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian,” nënvizohet në një deklaratë të publikuar nga zyra e presidentit rus.
Të vetëdijshëm për pasojat në rrafshin gjeopolitik të këtij objekti me peshë të veçantë në rrafshin gjeoekonomik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë këmbëngulur ta arrijnë një marrëveshje paraprake me Gjeraninë, e cila do ta obligojë këtë të fundit për parandalimin e Rusisë që të përdorë tubacionin e gazit Nord Stream 2 si levë politike e shantazh ndaj Evropës.
Gazsjellësi me një gjatësi prej 1,230 km, që shtrihet nën Detin Baltik, tashmë është pothuajse i përfunduar dhe ai do të dyfishojë eksportet e gazit rus në Gjermani.
Zyrtarja amerikane Victoria Nuland me këtë rast u shpreh për këtë vepër, duke e cilësuar si “një tubacion të keq”, por shtoi se, marrëveshja parashikon sanksione kundër Moskës nëse do të përpiqet të shantazhojë në të ardhmen Ukrainën.
Zëvendës Sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Victoria Nuland, ka paraqitur detajet e Marrëveshjes “Nord Stream SHBA-Gjermane”, të nënshkruar dje në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan.
Kjo marrëveshje u arritë pavarësisht kundërshtimeve nga dy aleatët e Perendimit – Polonia (anëtare e NATO-s dhe BE-së), dhe Ukraina që tok e konsiderojnë projektin si kërcnim për sigurinë e Evropës Qendrore.
Sipas kushteve të marrëveshjes së arritur paraprakisht mes SHBA-ve dhe Gjermanisë, Ukraina do të marrë 50 milion dollarë kredi të teknologjisë së energjisë së gjelbër dhe një garanci të ripagimit për tarifat e tranzitit të gazit që do të humbasë, duke u anashkaluar nga tubacioni deri në vitin 2024, thuhet në njoftimin e Associated Press-it.
Le të kujtojmë se, në maj të këtij viti, administrata e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, hoqi dorë nga sanksionet mbi një kompani që ndërtonte tubacionin, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga ligjvënësit republikanë.
Shtëpia e Bardhë e Z. Biden në parim ishte kundër këtij tubacioni, por analistët e njohur të kësaj çështjeje pohojnë se, ai kishte ngurruar të rrezikojë raportet me Gjermaninë në një kohë kur po promovon doktrinën e tij, që varet shumë edhe nga qëndrimi i aleatëve evropianë.
Tubacioni i ri, ashtu si ai pararendës tashmë funksional, Nord Stream, do të ketë kapacitetin prej 55 miliard metra kub gaz në vit dhe do të furnizojë gjithë Evropën perendimore.
Siç mirret vesh Rusia nuk ka asnjë hezitim që të zgjasë afatin e marrëveshjes së arritur me Kievin në dhjetor 2019, e që zgjatë atë – marrëveshjen për tranzitin e gazit rus në Evropë, meqë interesi i Rusisë është që gazi i saj të shitet në Europë. Por, siç thotë urtësia angleze, djalli fshihet në detaje: çështja kryesore është sasia e këtij gazi. Kontrata afatgjatë e lartpërmendur parashikonte tranzitin e gazit rus në një sasi totale prej një 180 miliardë m3 në vit, e cila i siguron Ukrainës përfitime të mëdha financiare.
Cila do të jetë kontrata e tretë në fund të vitit 2024, për të cilën flet Victoria Nuland, askush nuk mund ta dijë ende, sepse ndërkohë Nord Stream 2 do të jetë operacional (do të përfundojë në shtator të këtij viti dhe do të ketë një kapacitet vjetor prej 55 miliard m3 – po aq sa tranziti përmes Ukrainës sipas kontratës aktuale afatshkurtër), komenton portali Geopolitik News i Zagrebit.
Shih për këtë, pozicioni ukrainas, pavarësisht ngushëllimit të djeshëm të Kievit nga ana e Victoria Nuland, nuk duket aspak i mirë. Ndërkaq ata që kanë arsye të jenë të kënaqur janë kancelarja Merkel dhe presidenti Putii.
A është ky hapi më serioz në “përmbysjen” e gjeopolitikës postmoderne gjermane, rol të veçantë luan gjithësesi edhe pozicionimi i grupimit të shteteve të “Vishegradit” dhe i atyre të Ballkanit Perendimor, e që prekin kryesisht intencën për përafrim ekonomik të Gjermanisë me Rusinë. Në këtë rast, megjithatë, kemi të bëjmë më shumë me gjeoekonomi. Në këtë sferë duket se përafrohen shumë forcat politike, jo vetëm ato të spektrit të djathtë, si në Gjermani edhe në Rusi.
E djathta gjermane dhe jo vetëm ajo, gjithësesi pretendon t’i përdorë mjetet politike, emocionin politik që shkakton interpretimi i historisë dhe raporteve brenda BE-së, për të arritur qëllimet ekonomike. Por, edhe përdorimi i mjeteve ekonomike për të arritur qëllimet politike si: kontrolli i tregjeve, me theks atij energjetik (Nord Stream 2), investimet strategjike… janë pjesë e strategjisë për përmbysje, respektivisht rishikim të gjeopolitikës.
Sidoqoftë, Gjermania, edhe pas epokës së Angela Merkel-it, pavarësisht kësaj marrëveshje, mbetet tutje njëri nga partnerët më serioz të SHBA-ve dhe pjesë e boshtit të strukturës së sigurisë euroatlantike (NATO-s).