Mazohizmi politik duhet të marrë fund
Nga Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 28 janar – Në prag të vizitës në Kosovë, dje z. Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, i dha një intervistë të gjatë gazetës relativisht të re ndër ne – Reporteri.
Për dy ditë rresht ajo është bërë objekt trajtimi e interpretimi në studiot televizive, rrjetin social por edhe në komunikimin intern ndërpolitik. Krejtësisht e pritshme, meqë personaliteti i z Eskobar dhe pesha diplomatike e tij konsiderohet kruciale për mbarëvajtjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja.
Njëra nga përgjigjet e z Eskobar që qëllimisht u la nën hije ose u keqinterpretua ishte edhe kjo:
Gabriel Escobar: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele.”
Komenti i gazetës Reporter (PDK):
“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS).”
Në këtë linjë manipulimi dhe keqinterpretimi të deklaratës së z. Gabriel Escobar, dje e sot vazhdojnë trumpetimet e mediave të kontrolluara nga establishmenti që shkoi në histori më 14 shkurt 2021 dhe me gjasë do ët vazhdojnë deri në fund të vizitës së paralajmruar të z Eskobar.
Për fat të keq, kështu veproi edhe RTK sot, në emsionin e lajmeve të mëngjesit (ora 8.00).
Këtë prirje të mazohizmit politik, të shndërruar në shkollë specifike në kuadër të të ashtuquajturit “gandizëm rugovian”, të ushtruar keq në vitet e ’90-ta në Kosovë, vazhdojnë ta aplikojnë edhe pas tri dekadave, pavetëdijshëm o me qëllime të ulta politike, një shtresë e gjerë në jetën tonë politike dhe rrjedhimisht edhe mediat.
N intervistën integrale askund nuk e gjeni dot të ketë thënë z Eskobar se
“ Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cenon sovranitetin e Kosovës”, ndërkaq në njërën prej fjalive në tekstin hyrës të Reporterit thuhet taksativisht :”Sipas tij, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cenon sovranitetin e Kosovës”!
Është për të ardhur tepër keq se në ç’shkallë superiore të mahoizmit politik ka përfunduar mendimi politik i opozitës në Kosovë që kryesisht trumbetohet në studiot e debateve dhe lajmet qendrore të pothuajse shumicës së shtëpive televizive ndër ne! Në këtë linjë gjykimi politik, me elemente të theksuara të mazohizmit politik, redaksia e Reporterit shtron pyetjen që po sjellë më poshtë, sikur të ishte pjesë e ndonjë gazete nga Beogradi:
“…rishtazi qeveria refuzoi mbajtjen e referendumit të kërkuar nga Serbia në Kosovë. Qëndrimi publik i partisë në pushtet, Vetëvendosjes, është që e njëjta gjë do të bëhet edhe në zgjedhjet serbe që do të mbahen në prill….”
Por, duket se kjo pyetje e ka irituar edhe vet G.Eskobarin, prandaj ai i jep përgjegjen e merituar: “Kosova është shtet sovran. Si e tillë, ajo ka të drejtë të caktojë se me çfarë kushtesh mund të mbahen zgjedhjet e vendeve të tjera në territorin e saj.” Sidoqoftë statusi i tij prej diplomati, nuk ia lejon që mos ta zbusë paksa këtë qëndrim, duke pohuar në fund të përgjigjes se:
“Mirëpresim mundësinë për të diskutuar me qeverinë e Kosovës për identifikimin e zgjidhjeve dhe aranzhimeve, që janë të pranueshme për të, duke siguruar mundësinë për të votuar për ata që kanë të drejtë vote.”
Në këtë linjë të mazohizmit politik, një ish ambasador i Kosovës, bashkëautor i një raporti të një universiteti amerikan të shumëcituar së fundmi për qeverinë amerikane, kishte pohuar me sforcim të theksuar kosovacentrizmin e tij, duke bërë përpjekje ta imputoj si qëndrim të aministratsës Biden, duke pohuar se, kushdo që angazhohet për Bashkim të Kosovës me Shqipëri, pritet të jetë në lisëtn e të sanksionuarve!
Por edhe speciet mazohiste që përbëjnë tharmin e kosovacentristëve, kanë marrë përgjegjen e duhur përmes kësaj përgjigje:
“…Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i sanksionojnë individët apo entitetet për pikëpamjet e tyre politike.”
Lexues të dashur, lexojeni me vëmendje të shtuar këtë pyetje të Reporterit “tonë”! Keni parasysh, ajo është formuluar nga një shqifolës, jo nga ndonjë serbishtfolës i Beogradit, siç mund të supozoni pasi ta keni lexuar:
“Në letrën e Sekretarit të Shtetit, Blinken, kryeministrit Kurti i kërkohet që Kosova do të duhej të zbatojë vendimet e gjykatës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave. Sa e kuptojmë ne, ka të bëjë me një vendim të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese në të mirë të Manastirit të Deçanit, me të cilin vendoset që 24 hektarë tokë i takojnë manastirit. A pritni që Kosova ta përmbushë këtë kërkesë të Shtëpisë së Bardhë?”
Iritimi e mazohizmi politik këtu duket se arrinë shkallën siprore.
Pak dinjitet njerëzor e politik, pak dashuri më shumë ndaj Republikës dhe të ardhëmes së saj, do të ishte terapia fillestare më e mirë.
Ajo përmbysje e madhe që ndodhi më 14 shkurti 2021, që unë jam i prirë ta cilësoj si Revolucion i qetë, përveç tjerash, hyn në histori edhe duke i dhënë fund këtij lloii të mazohizmit politik.