Nga Xhafer SHATRI
Më 25 mars 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lëshoi urdhërarrestin nr. PP. 25/2025, përmes të cilit kërkon arrestimin e menjëhershëm të 20 personave të dyshuar për krime të luftës…
Sepse « në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur «Ura e Taliqit», në Gjakovë nga data 7 e deri me datën 10 maj të vitit 1999, pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan bastisjet shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezent duke i ndarë burrat nga gratë e fëmijtë dhe më pas i vranë gjithsejt 106 civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe pas Luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive, në Batajnicë të Serbisë.»
Në mesin e të dyshuarve figuron edhe një emër i njohur deri emblematik:
Milan (Rajko) Radoiçiq, i lindur më 21 shkurt 1978, në Gjakovë.
Përmes këtij shkrimi dua ta ndaj me lexuesit e mi jo shqetësimin, por trishtimin dhe zhgënjimin e pakufijshëm se si është e mundur që të pritet 26 vjet pas Luftës dhe 18 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë për t’u proceduar penalisht të dyshuarit për krime kaq të rënda të luftës kundër civilëve.
Shtoji kësaj se njëri prej tyre, Milan Radoiçiq, jo vetëm ka qenë i pranishëm, por ishte edhe faktor i rëndësishëm politik në Kosovë.
Dhe shumë vjet radhazi.
Zhgënjimin tim nuk dua ta ndaj me militantë partiakë, me këta trutharë e truhiç të pacipë, që identifikojnë atdheun me partitë e tyre. Por me ata njerëz që e duan Kosovën me shpirt, pa interes dhe pa kërkuar kurrë përfitime politike a pushtetore për vete.
Jam i sigurt se kjo kategori qytetarësh përbëjnë shumicën absolute në Kosovë dhe duhet të jenë të vetëdijshëm se elitat politike, me indiferencën e tyre (edhe në emrin tonë), jo vetëm i harruan, por i fyen e madje edhe pështyen mbi viktimat e shumta, të cilat i vrau ushtria serbe… Vetëm pse ishin shqiptarë.
Dhe, në përpjekje për t’i zhdukur gjurmët, ua përdhosën edhe kufomat gjatë transferimit nga një varrezë masive në tjetrën.
Çka t’u thuhet atyre që, me dekada, jo vetëm heshtën si peshku por nuk e çuan as gishtin e dorës për ta vënë drejtësinë në vend, që, me këmbëngulje, e injoruan fatin e viktimave të shumta, në saje të sakrifikimit të të cilave ne jetojmë në një vend të lirë?
Kthejeni në cirk, bashkë me sakrifikimin e viktimave të shumta, edhe Kuvendin e Republikës, vazhdoni e rrjepeni Kosovën, me radhë, herë njëri e herë tjetri, talluni me të sa t’ua dojë qejfi.
Por dijeni se jo Gjykata e Hagës, por Gjyqi i Historisë do t’ua jap dënimin e përjetshëm duke ju çuar aty ku e keni vendin: në Shportën e Bërllogut të Historisë.
Por nuk duhet harruar as përgjegjësit kriminogjenë të sistemit të drejtësisë që, ani se paguhen rrast, nuk e kryen, as përafërsisht, detyrën e tyre ndaj popullit, ndaj drejtësisë dhe ndaj historisë.
Definitivisht, mungesa e interesimit elementar për t’i ndjekur penalisht kriminelët që vepruan, që vranë e grinë shqiptarë për t’ua marrë territoret, dëshmon se elitat kryesore në Kosovë realisht janë gatu dhe janë pjekë nëpër furrat e Serbisë.
Krejt këtë lukuni parazitësh e hilexhinjsh, historia, me të drejtë, do t’i kualifikojë si Šiptari made in Serbia.
Sepse kjo vonesë, kjo indiferencë, kjo zhagitje e qëllimshme nuk mund të shpjegohet ndryshe dhe nuk ka emër tjetër.