Kush do ta shpëtojë euron nga politika e Italisë?

Nga Dr Sadri Ramabaja
Rënia e qeverisë në Itali është shpërfaqja e theksuar e krizës së shtresuar politike në ardhje, me gjasë në të gjitha vendet e eurozonës. Ajo po vije si një uragan.
Kriza ku po futet Italia me rënien e qeverisë së Drahgi-t, do të shkaktojë një tatpjetë serioze të euros dhe do të zhvlerësojë paratë.
Paraljmrimet janë më ogurzeza se sa ato që pat shkaktuar kriza valutore greke.
Italia është ekonomia e tretë më e madhe në BE, pas Gjermanisë dhe Francës. Por ajo është e dominuar nga oligarkët.
Subjektet politike të së djathtës ekstreme — produkt i kësaj shtrese oligarkësh, javën që lamë pas përmbysën kryeministrin e respektuar Mario Draghi, një politikan i matur e europianist i thekur. Ky akt subversiv i politikës agresive të së djathtës italiane ka futur vendin në një labirinth me shumë të panjohura. Natyrisht ata pretendojnë që të promovojnë në krye të pushtetit një koalicion populist të krahut të djathtë — marionetë tipike që po riciklon kjo mendësi politike. Ata tok e shohin shtetin si pre të tyre.
Beteja për shpëtimin e EURO-s nga politika e Italisë sapo ka filluar.
Koha për rishikim të rregullave të veprimit, por edhe për ndëshkimin e shkelësve tlë këtyre rregullave po vjen. Përndryshe Italia rrezikon ta tërheqë drejt greminës komplet eurozonën!
Berlini, Parisi dhe Brukseli, shkruan e përditshmja gjermane sot [tagesspiegel.de], e kanë kohën jo vetëm për rimendim të qëndrimeve në raport me rregullat e njohura të eurozonës, por edhe për veprim konkret.
Pyetja retorike se kush do ta shpëtojë euron nga politika e Italisë, tashmë tingëllon si kambanë alarmi para së gjithash në Berlin, Paris e Bruksel.
Po qytetarët, sidomos ata të Italisë dhe të periferisë së eurozonës, kush do t’i shpëtojë nga pasiguria sociale dhe kriza që i pret?!