Dr Donik SALLOVA
Është paradoksale se si Departamenti i Shtetit në njërën anë kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, të orientohen kah integrimet europiane, e në anën tjetër kërkon që Kosova ta tolerojë dinarin si valutë dezintegruese e një shteti me orientim shekullor lindor. Nuk mund ta zhvillojë rajonin dhe ta çojë drejt BE-së dinari më shumë se euro. Donacionet e pafundme BE-ja ia ka dhënë Serbisë në euro apo në dinar? Të shqetësohesh për përcaktimin e euros si valutë në gjithë territorin e Kosovës do të thotë të japësh mesazhe kontradiktore mbi orientimin para së gjithash vleror të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shqetësuese duhet të jetë e kundërta: insistimi nga serbët për përdorimin e dinarit kundrejt euros së BE-së. Imagjinojeni sikur Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Shqipërinë të vendoste që në Kosovë të përdorej Leku si valutë zyrtare. Kjo politikë e etnizimit bie ndesh fuqishëm me politikën identitare që bashkësia ndërkombëtare ua ka imponuar shqiptarëve të Kosovës për 20 vite: multietniciteti dhe qytetaria. Shqiptarët e kanë pranuar këtë politikë në kurriz të identitetit të tyre si shumicë, për të ndërtuar një shtet qytetar më së shumti në funksion të komoditetit identitar të pakicave, por jo që kjo t’i krijojë avantazhe Serbisë që në Kosovën “multietnike” t’i shenjoj si serbe territoret e aspiruara për aneksim.
Për serbët dinari është Serbia, se valutë për valutë dihet cila është valuta e zhvillimit. Duke e tolertuar dinarin ne do të financojmë iluzionin e serbëve, veçanërisht atyre të veriut, se ajo pjesë e territorit është Serbi, siç është propaganduar me vite lirshëm para syve të misioneve ndërkombëtare detyra e të cilëve ka qenë të vëzhgojnë se si po jetësohet Plani i Ahtisaarit.
Si të bëhet integrimi i serbëve në sistemin politik të Kosovës duke toleruar segregime të tilla etnike në çdo sferë. Nëse premtimi i radhës i bashkësisë ndërkombëtarëve do të jetë që tash duke e legalizuar segregimin e serbëve në çdo aspekt institucional, politik, ekonomik, monetar ata do të integrohen, kjo tashmë nuk do të ishte përralla e radhës, por mashtrimi më i madh të cilën nuk ua kemi borxh!