Krahasimet e kobshme të Edi Ramës!

Nëse Edi Rama në projeksionet e tij futuriste e parashikon veten në ndonjë post të rëndësishëm ndërkombëtar, kjo nuk mund të bëhet duke shkelur mbi Kosovën dhe gjithçka që ka arritur ajo me gjak, sakrifica e shantazhe të ndryshme.
Nga Emin AZEMI, Shkup
Edi Rama – një orator brilant, por një mendimtar tepër i dobët, kur bën krahasime të kobshme dhe tepër të rrezikshme (Hamasin e krahason me Qeverinë e Kosovës, Serbinë e krahason me Izraelin!) Ai jo vetëm që çalon në gjetjen e analogjive, por ai me shkurtpamësinë e tij e amniston totalisht Serbinë nga historitë e këqija të saj, sepse me të njëjtin kandar fajësie e mat edhe përgjegjësinë e Kosovës për mosnormalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd. Ai në njëfarë mënyre amnistoi edhe grupin terrorist të Radoiçiçit, i cili me gjithë logjistikën shtetërore të Vuçiçit deshi të aneksojë një pjesë të territorit të Kosovës, përmes një skenari të përpunuar gjatë kohë në Beograd.
Rama flet për Kosovën, sikur të ishte në krah të Antony Blinken në ndonjë mision diplomatik për gjetjen e rrugëzgjidhjeve së konfliktit në Lindjen e Mesme…
A nuk e mendon Rama se sa dëm mund të bëjë me këtë qëndrim problematik kundrejt Kosovës, sidomos në qarqet ndërkombëtare ku ai ka ndikim. Fatkeqësisht po del se atë ndikim ai nuk po e përdor për të fuqizuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, por po mundohet të shndërrohet në një rrjet mbrojtës mbi qiellin e Serbisë për të refuzuar çdo kritikë dhe qortim të Brukseit dhe Washingtonit ndaj politikave antiperëndimore të Vuçiçit.
Si qenka Kosova përgjegjëse për këto raporte të prishura me Beogradin, kur Serbia ende nuk ka kërkuar falje për dhunimet dhe krimet e kryera mbi popullatën civile, kur ende i mohon masakrat në Reçak, Mejë, Izbicë e gjetiu dhe kur ende Beogradi nuk i ka identifikuar dhe dorëzuar trupat e pagjetur të mijëra kosovarëve të vrarë e maskruar nga bandat serbe.
Rama e ka shumë gabim kur thotë se Kosova duhet të kryej detyrat e saj, pavarësisht se çka bën Serbia. Nuk mund të pritet që Kosova të ofrojë më shumë, përderisa e kupton se Serbia nuk e ka gatishmërinë dhe vullnetin, që të njohë shtetin e Kosovës dhe të ketë normalizim të mirëfilltë.
Pse Edi Rama me gjithë atë elokuencë pikturale euro-atlantike nuk po arrin ta bind mikun e tij Vuçiç që ta njeh Kosovën si shtet, në mënyrë që pastaj kësaj të fundit t’i bëhen vërejtje eventuale, siç po i bën tani?
Nëse Edi Rama në projeksionet e tij futuriste e parashikon veten në ndonjë post të rëndësishëm ndërkombëtar, kjo nuk mund të bëhet duke shkelur mbi Kosovën dhe gjithçka që ka arritur ajo me gjak, sakrifica e shantazhe të ndryshme.