Shaban Murati: Ndikimi rus në Tiranë, real dhe i thellë, ju tregoj kur dhe si ka nisur
Studiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”.
Në një intervistë për DITA ku ai publikon analizat e tij, Murati shpjegon se libri është një përpjekje për të kuptuar në thellësi pasojat e sotme dhe të ardhme, nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.
DITA– Libri juaj i ri “Rusët po vijnë” ka një rezonancë interesante me ngjarjet aktuale të agresionit rus në vazhdim e sipër në Ukrainë dhe të pasojave të tij në politikën europiane dhe ndërkombëtare. Çfarë mesazhi i drejtoni lexuesit me librin tuaj?
Shaban Murati: Vërtet librin e bën aktual zhvillimi i ri i ngjarjeve në Ukrainë, jo vetëm për aktin e invazionit ushtarak rus, por për një politikë ambicioze imperiale ruse, që ka 30 vjet, që zhvillohet me konsekuencë si proces, që kur Rusia doli shtet më vete pas prishjes së Bashkimit Sovjetik.
Në librin tim përpiqem të zbërthej dhe të tërheq vëmendjen në fenomenin e penetrimit rus në gjitha vendet e Ballkanir, pavarësht nga shkalla e lidhjeve të tyre me Moskën. Është një fenomen gjeopolitik, diplomatik dhe subversiv, i konkretizuar me një luftë të papushuar dhe të nëndheshme hibride për të vendosur dhe forcuar ndikimin rus në Ballkan.
Fenomeni i penetrimit gjeopolitik dhe diplomatik nuk është një ngjarje tronditëse e ditës apo e muajit, siç mund të jenë sulmet ushtarake dhe pushtimi i territoreve të Ukrainës nga forcat e armatosura ruse. Është një fenomen i gjatë dhe i qetë, me metoda të sofistikuara, të cilat shpesh neglizhohen nga mekanizmat dhe institucionet mbrojtëse të shteteve ballkanike.
Duke qenë një proces erroziv i kamufluar, unë e kam cilësuar në libër “kundërevolucioni i heshtur” rus, që don të thotë se kemi një proces negativ, që në dinamikën e tij të çon te paralajmërimi “ruset po vijnë”.
Kundër-revolicioni i heshtur rus ka bërë që në disa vende të Ballkanit të lëkunden rezultatet e revolucioneve demokratike të Europës Lindore, që përmbysën komunizmin në fund të viteve 80’ të shekullit të kaluar. Rusia po vjen me gazsjellësa, po vjen me përdorimin e kishës ortodokse ruse dhe të pansllavizmit, po vjen me raketa, po vjen me të gjitha format e tjera të penetrimit okult, subversiv dhe propagandistik.
Në Ballkanin Perëndimor ka tre shtete anëtare të NATO-s dhe në gjithë rajonin e Ballkanit ka nëntë shtete anëtare të NATO-s. A përbën ende për këto shtete një kërcënim apo një rrezik nga Rusia?
Këtu duhet ndarë rreziku i agresionit direkt ushtarak rus, i cili përjashtohet për shkak të frenimit që i bën Moskës neni 5 i Traktatit themelues të NATO-s për mbrojtjen kolektive. Unë në libër analizoj stretegjinë e Moskës për të dobësuar vendet e NATO-s një e nga një, për të sabotuar kohezionin e tyre, dhe për të depërtuar me influencën e saj në sfera të ndryshme të jetës së anëtarëve të NATO-s.
Libri tërheq vëmendjen në kuintesencën e politikës së jashtme dhe të strategjisë ruse në Ballkan, e cila konsiston në të vërtetën se Moska nuk është pajtuar me shtimin e rradhëve të NATO-s me shtete nga Ballkani.
Libri analizon një element interesant në qendrimin strategjik dhe gjeopolitik rus. Pak muaj pas agresionit rus në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm rus të Krimesë, presidenti rus Putin doli me teorinë dhe me kërkesën që Perëndimi duhet të rinegociojë me Rusinë rezultatet e mbarimit të luftës së ftohtë dhe që palët të nënshkruajnë një traktat paqeje midis tyre.
Pas çerek shekulli presidenti rus dilte kundër shembjes së komunizmit si sistem dhe pasojave të kësaj në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në hartën gjeopolitike europiane. Kjo donte të thonte që Moska nuk pajtohej me pavarësimin nga Rusia të shteteve ish-komunise të Europës Lindore dhe as me anëtarësimin e atyre shteteve në NATO. Shumë zyra diplomatike dhe qeveritare në Europë nuk i kushtuan vëmendje teorisë së Putinit.
Por në dhjetor të vitit 2021 Moska i drejtoi kërkesat zyrtare NATO-s dhe Perendimit, ku i kërkonte që NATO të rikonfigurohej në kufijtë e vitit 1997, kur nuk kishte hyrë në Aleancën Atlantike asnjë shtet ish-komunist. Kjo paralajmëronte agresivitetin e ri rus, që shpërtheu pas dy muash me invazionin ushtarak në Ukrainë. Ndërkaq ministri i jashtëm rus Lavrov doli me kërkesën që NATO të largohet nga Ballkani.
Libri analizon angazhimin dhe lëvizjet konkrete ruse për të ndaluar anëtarësimet e reja në NATO nga vendet ballkanike si përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në 2016, trazirat atiqeveritare në Maqedoninë e Veriut për të bllokuar nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës për emrin, si dhe organizimi i fushatës së protestave të klerit ortodoks në Greqi kundër marrëveshjes së Prespës, me qëllim që të bllokohej anëtarësimi i Shkupit në NATO.
Libri trajton ndërhyrjet e vazhdueshme të Moskës në vendet e NATO-s në Ballkan si në Bullgari, Rumani, Kroaci, Slloveni dhe në Turqi.
Pra anëtarësimi në NATO nuk duhet parë si imunitet i paprekshëm nga penetrimi shumëformësh dhe nga lufta hibride e Rusisë kundër vendeve të NATO-s në Ballkan, të cilat Moska para pak kohësh zyrtarisht i klasifikoi si “shtete armiqësore”.
Libri juaj i kushton vëmendje të veçantë politikës dhe intrigave ruse kundër shtetit të Kosovës. Cilat janë drejtimet e këtij rreziku rus në Kosovë?
Rreziku rus ndaj Kosovës analizohet në libër në dy plane. Së pari, në planin e veprimtarisë dhe të angazhimit direkt diplomatik të Mokës në arenën ndërkombëtare kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Së dyti, në planin e përdorimit të Serbisë për provokimin e tensioneve të vazhdueshme në kufi me Kosovën dhe për sposorizimin e intransigjencës serbe në mbajtjen gjallë të një konflikti të ngrirë me Kosovën.
Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës Rusia ka qenë promotorja kryesore e ngadalësimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës nga vendet e Azisë, Afrikës dhe të Amerikës Latine, siç ka qenë dhe organizatorja dhe financuesja kryesore e fushatës absurde diplomatike të çnjohjeve të Kosovës nga disa mikroshtete. Unë theksoj në libër se strategjia e Rusisë me Kosovën lidhet me interesat e saj të mëdha në planin dipomatik ndërkombëtar dhe jo me interesat e Serbisë.
Moska kërkon ta përdorë Kosovën si monedhë shkëmbimi në tratativat e saj ndërkombëtare me qëllim që të arrijë nga Perëndimi pranimin e pushtimit rus të Abhazisë, të Osetisë së Jugut dhe të Krimesë. Rusia ishte një nga protagonistet e projektit antishqiptar të vitit 2018 të shkëmbimit të territoreve, që në fakt ishte e dhurimit të territoreve nga Kosova.
Nuk është e qartë pse u joshën disa qarqe qeveritare në Prishtinë në atë kohë nga manovrat diplomatike ruse dhe patën iluzione se Rusia po merr kthesë ndaj Kosovës. Ishin llogari të gabuara, që u pasuan nga veprime të rrezikëshme të Moskës kundër Kosovës në planin diplomatik dhe që analizohen në libër.
Një fokus tjetër tematik në librin tuaj lidhet me marrëdhenet midis Shqipërisë dhe Rusisë. Si e trajtoni dinamikën e këtyre marrëdhënieve në kohën e tranzicionit dhe pas hyrjes sonë në NATO dhe çfarë lloj kërcënimi përbën realisht Rusia edhe për Shqipërinë?
Unë do të zbuloj për herë të parë për gazetën tuaj të respektuar një element të hershëm të diplomacisë së fshehtë ruse ndaj Shqipërise, të cilin nuk e kam përmendur asnjëherë në analizat dhe në librat e mi.
Në vitin 1992 MPJ Rusisë i propozon MPJ të Shqipërisë demokratike që të krijohej një komunitet apo organizëm i shteteve ish-komuniste, sepse “ne i njohim më mirë se sa Perëndimi problemet tona, qe i kemi të ngjashme në këtë periudhë tranzitore dhe mund t’i kapërxejmë më lehtë sëbashku”. Moska një vit pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë planifikonte ta përfshinte Shqipërinë ish-komuniste në një komunitet të drejtuar prej saj.
Në vitin 1993 MPJ e Rusisë i propozoi Shqipërisë të nënshkruanin Traktatin dypalësh të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit. Tërheq vëmendjen në këto akte për të treguar se Moska ka ndjekur një politikë konstante të përpjekjeve për penetrim në Shqipëri. Në libër analizohet veçanërisht periudha pas agresionit rus në Ukraine dhe kur qendra e tensioneve ruse spostohet në Ballkan.
Ndikimi rus ne Shqipëri është real dhe i thellë dhe libri analizon se sa pa baza janë pretendimet e disa qendrave akademike dhe mediatike filoruse në Tiranë, që zhurmojnë se në Shqipëri nuk ka ndikim rus.
Në fakt këtë ndikim e ndesh prej kohësh nga viti 2014 e deri tani në disa drejtime. Drejtimi i parë është për të ndikuar në skenën politike shqiptare dhe në partitë politike shqiptare nëpërmjet krijimit të lobeve filoruse, herë me mbulesë ideologjike, herë me mbulesë fetare, herë me mbulesë kulturore e herë me mbulesë nostalgjike familjare, arsimore apo fisnore. Fenomeni i ri i politikës shqiptare në tetë vitet e fundit, që trajtin libri, është lindja e habitëshme e një antiamerikanizmi si produkt i një financimi dhe sponsorizimi rus.
Është koha e shkallëzimit të antiamerikanizmit nga sulmet kundër ambasadorëve amerikane te sulmet kundër vetë politikës së SHBA. Kjo situatë vjen pas financimeve okulte ruse në adresë të disa partive politike dhe pas disa qendrimeve politike e diplomatike të dyshimta të shtetit shqiptar në raportet me Rusinë.
Ka një gropë septike të hapur në politikën e disa qeverive shqiptare ndaj Rusisë.
Kjo gropë e zezë e ka emrin Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit midis dy vendeve, i sigluar në Tiranë në dhjetor 2004 nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve. Është një traktat me nene antiatlantike dhe ia lidh këmbët Shqipërisë te Rusia. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov në 26 shkurt të vitit 2020 iu drejtua kryeministrit të Shqipërisë në konferencën e përbashkët të shtypit në Moskë:”Traktati është gati. Ne plotësisht mund ta vemë atë në veprim”.
Lavrovi e din se Shqipëria është anëtare e NATO-s, por si diplomat i vjetër e din gjithashtu së traktati i sigluar është i vlefshëm nga pikëpamja juridike dhe diplomatike, sepse qeveritë e Shqipërisë nuk e abroguan atë edhe pas hyrjes së vendit në NATO. Është një bombë me sahat për interesat tona kombëtare dhe atkantike dhe në perceptimin tim ndikimi i lobit rus e mban në frigoriferin diplomatik të shtetit shqiptar.
Në librin tuaj ju shprehni pikëpamjen se nisma “Ballkan i hapur” jo vetëm nuk i shërben Shqipërisëdhe rajonit, por i shërben interesave të Rusisë. Mund ta shtjelloni konkretisht?
Kjo nuk është çeshtje interpretimi, por konkludimi nga dinamika e zhvillimeve rajonale dhe implikimet e aktorëve të jashtëm. Libri analizon gjërësisht avantazhet gjeopolitike, që nisma serbe i krijon Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe arsyet pse Moska e mbështet atë.
Mbështetja është shprehur si në linjë zyrtare nga zëdhënësja e MPJ të Rusisë, ashtu dhe në linjë akademike dhe mediatike ruse. Kushdo që di sadopak nga gjeopolitika e kupton se çdo forcim i rolit të Serbisë në Ballkanin Perëndimor është forcim i Rusisë në rajon. “Ballkani i hapur” si nismë e presidentit serb synon të zëvendësojë integrimin europian të vendeve të rajonit me integrimin serb. Oferta e bujshme, që jep presidenti serb, dhe të cilën nuk dihet pse e amplifikon aq shumë dhe qeveria e Tiranës, është se me nismën serbe vendet e Ballkanit Perëndimore do të fitojnë katër liritë e famshme të Kartës së Helsinkit.
Pesë shtete të Ballkanit Perëndimor i kanë pasur katër liritë në Federatën Komuniste Jugosllave, të cilën e drejtonte Serbia. Tani nisma kërkon rikthimin në atë lloj federate, siç e ka deklaruar vetë presidenti serb. Duke u bashkuar me “Ballkanin e hapur” serb i shërbehet vetëm Serbisë si në planin politik dhe gjeopolitik, ashtu dhe në planin ekonomik, sepse ekonomia serbe është më e madhja në Ballkanin Perëndimor.
Nisma serbe është një goditje direkte kundër shtetit të pavarur të Kosovës, sepse i ofron Kosovës vetëm statusin e provincës serbe në atë projekt serb. Pjesëmarrja dhe deliri infantil i qeverisë së Tiranës për nismën serbe është dyfishim i goditjes direkte kundër pavarësisë së Kosovës.
Rusisë i intereson sabotimi i kohezionit atlantik dhe europian në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo e ndihmon strategjinë ruse të tensioneve që nëpërmjet Serbisë të mbajë në kapacitet të plotë dy vatrat e tensionit në rajon: Bosnje-Hercegovinën dhe veriun e Kosovës. Ndaj dhe BE nuk e ka përkrahur nismën serbe të “Ballkanit të hapur” dhe asnjë dokument zyrtar i BE gjatë tre viteve e deri tani nuk e ka përmendur kurrë si term, pale më të shprehë mbështetje. Shqipëria po minimizon çdo ditë e me shumë rolin e saj dhe zërin e saj në rajon, duke ecur në gjurmët e politkës së jashtëme të Serbisë.