Shkruan: Dr Xhevat Hasani
Për tre VLEN-istët dhe për të gjithë shqiptarët në Maqedoni, ka ardhur koha që të vishen më trashë, sepse dimri i egër VMRO-istë po u vjen nga pas!
Më vjen keq që, parashikimet e errëta lidhur me veprimtarinë antishqiptare të VMRO-së në Maqedoni, çdo ditë e më shumë po bëhen një realitet i zi.
Bëmat antishqiptare të VMRO-së janë si më poshtë:
1. Të gjitha Ministritë shtet-bërëse dhe shtet-mbajtëse (Kryeministrin, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Ekonomisë, VMRO-ja ua ka besuar qytetarëve të klasit të parë: Maqedonasve;
2. Vetëm katër Ministri që paraqesin bishtin e fshesës së shtetit, VMRO-ja ua ka besuar qytetarëve të klasit të dytë: Shqiptarëve;
3. VMRO-ja, ata shqiptarë që në Ministritë e kaluara kanë pasur poste drejtorësh, i ka larguar nga këto detyra duke i bërë ata nëpunës të thjeshtë e, bile edhe duke i bërë rojtarë në dyert hyrëse të Ministrive të ndryshme;
4. VMRO-ja nuk e ka dënuar përçmimin dhe poshtërimin që koncensionarët e Aeroportit të Shkupit, ia kanë bërë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, me rastin kur ajo nga aeroporti i Shkupit ka udhëtuar për në Slloveni. Sot nuk i besohet askujt se VMRO-ja në të ardhmen do të përpiqet ta zhbëj edhe njohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Maqedonisë;
5. Qeveria maqedone VMRO-iste gjatë kësaj vere në sajë të një marrëveshje makabre Maqedoni – Serbi, solli në qytetin e Ohrit policë nga Serbia, gjoja për ta ruajtur ata bashkë me policët maqedonas rendin publikë në qytetin e Ohrit, por në fakt për t`i provokuar jo vetëm shqiptarët në Maqedoni por edhe shqiptarët në Kosovë, kjo duke pasur parasysh krimet gjenocidale që policia serbe gjatë viteve 1998-1999 të luftës, ka bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë;
6. Ministria VMRO-iste e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka pranuar që me urdhër-arrest të Serbisë ta burgos një ish-ushtar UÇK-së që u gjend në Maqedoni;
7. Dhe së fundi Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Darko Konstandinovsi, e ka paralajmëruar ndryshimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, me qëllim që përdorimin e gjuhës shqipe nga gjuhë zyrtare ta spostoj në gjuhë lokale, duke ia venë ai kësisoj kazmën e parë Marrëveshjes Ndërkombëtare të Ohrit të vitit 2001, në sajë të të cilës gjuha shqipe krahas gjuhës maqedone është bërë gjuhë zyrtare në Maqedoni.
8. VMRO-ja edhe në ditet dhe muajt në vazhdim do të bëj veprime makabre kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, me qëllim të fundit zhbërjen e plotë të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Ohrit të vitit 2001.
VMRO-ja Zhbërjen e plotë të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Ohrit, e ka domosdoshmëri për të shkaktuar konflikt në mes të strukturave pothuajse monetnike shtetërore të Maqedonisë dhe të shqiptarëve në Maqedoni, njësoj me rastin e luftës së strukturave monetnike shtetërore të Maqedonisë me shqiptarët në gjysmën e parë të vitit 2001.
VMRO-së konflikti ndëretnik me shqiptarët i duhet për ta realizuar ajo qëllimin e saj kryesor: Ndarjen e Maqedonisë në dy pjesë sipas formulës: Pjesën e Madhe të Maqedonisë („Pjesën e Luanit“) për t`ia bashkuar Bullgarisë, kurse Pjesën e Vogël të Maqedonisë („Pjesën e Fakirit“) për t`ia dhënë lëmoshë Shqipërisë.
Janë faktet e mësipërme ato që më shtyjnë që tre VlEN-istëve shqiptarë dhe të gjithë shqiptarëve në Maqedoni, t`u them në kuptimin figurativ dhe metaforik: Vishuni më trashë sepse dimri i egër VMRO-ist po u vjen nga pas!