Nga Naim Noka
Rrëzimi i paktit mes Giorgia Meloni dhe Edi Ramës nga Gjykata e Emigracionit e Romës nuk ishte thjesht një goditje ndaj një marrëveshjeje dypalëshe mbi emigrantët. Ky vendim shpalosi një kontrast të fortë midis dy sistemeve gjyqësore, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe pavarësinë e institucioneve në Shqipëri.
Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, e cilësuar si institucioni më i lartë juridik, miratoi marrëveshjen në mënyrë të shpejtë dhe pa shumë debat. Kjo ndodhi nën presionin e një qeverie që, sipas shumë kritikëve, ka kapur drejtësinë. Sipas juristit Ylli Manjani, Gjykata e Emigracionit në Romë, ndonëse më “e ulët” në hierarkinë italiane, tregoi një pavarësi dhe integritet shumë më të lartë sesa Gjykata Kushtetuese shqiptare.
Ajo veproi me guxim dhe arsyetim ligjor për të mbrojtur të drejtat e refugjatëve, ndërkohë që institucioni më i lartë juridik i Shqipërisë zgjodhi të mbyllte sytë ndaj të drejtave themelore në favor të një marrëveshjeje politike.
Ky dështim i marrëveshjes së Melonit me Ramën, i promovuar si një “model menaxhimi i krizës së refugjatëve,” shfaqet tashmë si një farsë politike dhe ligjore.
Refugjatët do të kthehen në Itali pas vendimit te gjykatës italiane në Romë, dhe kjo tregon qartë mungesën e një plani real dhe të qëndrueshëm për emigrantët dhe marrëveshjen Meloni-Rama.
Një anije ushtarake me ekuipash më shume se 16 emigrantët tani do ti duhet të kthehet dhe të rikthejë në Itali 12 emigrantët. Kjo duket qesharake – me më shumë roje sesa emigrantë – dhe sesi e gjithë ndërmarrja përfundoi në dështim total.
Në fund, Italia dëshmoi se respekton ligjin dhe të drejtat ndërkombëtare, ndërsa institicionet e Shqipërisë veprojnë si instrumenta të bindur politikë.
Në thelb, ky rast pasqyron një problem më të thellë: drejtësia në Shqipëri është në kolaps. Një sistem që nuk është i pavarur dhe që shërben si mjet për qëllime politike nuk mund të funksionojë në interesin e qytetarëve apo të ligjit. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila duhej të mbronte Kushtetutën dhe interesat e vendit, zgjodhi të veprojë sipas interesave të qeverisë. Në të kundërt, Gjykata e Emigracionit në Romë, e cila në pamje të parë mund të duket si një gjykatë e vogël, tregoi se është më e lartë në parimet e drejtësisë dhe pavarësisë.
Dështimi i kësaj marrëveshjeje nuk është vetëm një humbje diplomatike për qeverinë shqiptare; është një tregues i qartë i degradimit të institucioneve tona dhe domosdoshmërisë për një reformë reale në drejtësi. Shqipëria, për të ecur drejt Evropës, duhet të reflektojë mbi këto dështime dhe të ndërmarrë veprime të thella për të rivendosur pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e tij. [Publika.al]