Analiza e asaj çfarë ndodhi në Cetinjë të Malit të Zi në 5 shtator
Nga Shaban Murati
Në Ballkan po vjen era mesjetë dhe këtë rikthim antihistorik e ka marrë përsipër Serbia, që ka nxjerrë shpatën e fondamentalizmit ortodoks serb për të aneksuar me forcë shtetet e “Ballkanit të Hapur”.
Në 5 shtator provokacioni i Serbisë për të ndërsyer kishën ortodokse serbe kundër identitetit kombëtar, pavarësisë kombëtare dhe kishës kombëtare ortodokse malazeze, mori formën më brutale me aksionin fetaro-ushtarako-policor të fronëzimit në Cetinje të peshkopit Joanikije të kishës ortodokse serbe për Malin e Zi, në ish-kryeqytetin e mbretërisë, të shtetit dhe të kishës autoqefale ortodokse malazeze, e cila ka qenë autoqefale përpara kishës ortodokse serbe.
Fronëzimi ishte një shkelje dhe sulm brutal i qeverisë së Serbisë dhe i kishës ortodokse serbe ndaj simbolit historik të shtetit, të kombit dhe të kishës ortodokse malazeze. Kjo ndërhyrje flagrante serbe nuk mund të mos ngjallte reagimin e ligjshëm të shumicës së popullit malazez, i cili është krenar për historinë e shtetit dhe të kombit, dhe u ngrit në protesta masive kundër ofensivës së Serbisë për të kontrolluar jetën politike, sociale dhe fetare të Malit të Zi.
Ajo që ndodhi në Cetinjë në 5 shtator nuk ishte përplasje fetare apo ideologjike. Ajo ishte përplasje midis shumicës së popullit malazez, që mbron lirinë dhe pavarësinë, dhe forcave uzurpatore fetaro-politike serbe, që kërkojnë aneksimin e Malit të Zi njësoj si në vitin e zi 1918, kur Serbia zhduku me dhunë shtetin dhe pavarësinë e Malit të Zi.
Fronëzimi i peshkopit të kishës ortodokse serbe për Malin e Zi, ishte një aksion ushtarako-policor i ndërhyrjes direkte të Serbisë në punët e brendshme, në sovranitetin dhe në integritetin e shtetit të Malit të Zi. Gazeta e njohur ruse “Komersant” e cilësonte “desantim ushtarak” ceremoninë e fronëzimit të peshkopit serb, sepse ai zbarkoi në manastirin e Cetinjes me helikopter ushtarak me eskortë të njësive të forcave speciale dhe të shërbimit sekret serb.
Është vërtetë absurde se si mund të pretendojë të jetë drejtues fetar peshkopi serb, të cilin e refuzon shumica e popullit malazez dhe i cili vetëfronëzohet me polici, ushtri dhe me njësite speciale, që përdorën dhunë të jashtëzakonshme kundër protestave paqësore të popullit malazez, duke plagosur dhjetëra vetë.
Është një situatë serioze e ndërhyrjes së Serbisë me kishën e saj ortodokse serbe për qëllime politike në jetën e brendshme të Malit të Zi dhe një ofensivë brutale e veshur me veladon për nënshtrimin dhe serbizimin e dhunshëm të Malit të Zi dhe aneksimin e tij në “Serbinë e madhe” apo në “botën serbe”, siç e quan tani qeveria e Vuçiçit.
“Kisha ortodokse serbe, shkruan “Balkaninsight”, ka qenë skenë e lojës politike të pamëshirshme të presidentit të Serbisë Vuçiç për ta vënë Malin e Zi nën kontrollin e tij”.
Në fakt në 5 shtator pamë të zhvillohej faza e tretë e ofensivës së Serbisë për të vendosur sundimin e saj të plotë në Malin e Zi. Faza e parë ishte përpjekja për grusht shteti në Podgoricë në tetor 2016, e organizuar nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për të përmbysur qeverinë e ligjshme dhe për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Faza e dytë ishte ngritja e kishës ortodokse serbe dhe e formacioneve të shërbimit sekret serb në Mal të Zi në trazira dhe demonstrata të dhunshme në vitin 2020 kundër ligjit për liritë fetare, që miratoi parlamenti malazez në fund të vitit 2019 për të kërkuar me të drejtë që objektet fetare dhe pasuritë fetare, që uzurpoi me dhunë kisha ortodokse serbe pas vitit 1918 të pushtimit serb, t’i ktheheshin popullit malazez. Serialin e protestave të dhunshme antiqeveritare dhe antiatlantike e udhëhiqte kisha ortodokse serbe me peshkopët ekstremistë Amfilohije dhe Joanikije, dhe ky i fundit është dënuar nga Gjykata malazeze me burgim për veprimtarinë e tij politike destabilizuese.
Përmes një inxhinjeringu elektoral dhe social shërbimet sekrete serbe dhe ruse arritën që në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 të nxjerrin fituese forcat politike proserbe, të cilat krijuan qeverinë, që është sot në Podgoricë, dhe që u bë palë me kishën ortodokse serbe në provokacionin e 5 shtatorit.
Tani kemi fazën e tretë, ku Serbia mohon hapur shtetësinë e Malit të Zi dhe ndërhyn direkt me sfidën e Cetinjës, për të zhdukur e identitetin e kombit dhe të kishës ortodokse malazeze. Serbia po zbaton me shpejtësi planin e aneksimit faktik të Malit të Zi.
Strategjia e Beogradit ka nxjerrë kishën ortodokse serbe në ballë të strukturave të politikës së saj shoviniste dhe aneksioniste në Ballkanin Perëndimor apo në ish-Jugosllavinë e re. Kisha ortodokse serbe po lufton të krijojë federatën ortodokse serbe në gjithë hapësirën ish- jugosllave. Nuk e bën dot kurrë me Kroacinë dhe me Slloveninë. Por planifikon ta bëjë me pesë shtete të dobëta ish-jugosllave dhe me Shqipërinë, e cila nuk është shtet ortodoks, por avantazhi dhe llogaria serbe janë që kisha ortodokse e Shqipërisë udhëhiqet prej 30 vitesh nga një kryepeshkop grek, i cili është në linjë me kishën ortodokse ruse dhe serbe dhe nuk njeh as kishën ortodokse kombëtare të Malit të Zi, as kishën ortodokse kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe as kishën ortodokse kombëtare të Ukrainës.
Nga federata fetare ortodokse e drejtuar prej saj, Serbia planifikon të jetësojë federatën politike ballkanoperëndimore, të cilës i ka vënë emrin fals “Ballkani i hapur”. Mali i Zi është një nga tre shtete e Ballkanit Perëndimor që ka refuzuar deri tani projektin serb të ringjalljes së Jugosllavisë me emrin “Ballkan i hapur”.
Serbia dhe presidenti i saj si arkitekt i projektit, po shohin dështimin e këtij plani të ri të hegjemonisë serbe në Ballkani Perëndimor. Ndaj me nxitim vunë në lëvizje instrumentin e kishës ortodokse serbe për të shkatërruar identitetin dhe kombin malazez dhe për të imponuar bashkimin e Malit të Zi me “Ballkanin e hapur”. Politikani i njohur serb Nenad Çanak në 4 shtator në Podgoricë i bëri thirrje kryeministrit malazez Krivokapiç që të dënonte “përpjekjet e “Serbisë së Madhe” për të pushtuar Malin e Zi”.
Ajo që ndodhi në 5 shtator në Cetinje me përleshjet e përgjakshme të policisë dhe të ushtrisë kundër protestuesve paqësorë, që mbronin pavarësinë e shtetit, të kombit dhe të kishës ortodokse malazeze, ka prodhuar një situatë të rëndë jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në krejt rajonin. Po ndodh një agresion i heshtur serb dhe rus kundër një shteti anëtar të NATO-s nëpërmjet përdorimit të fondamentalizmit fetar dhe politik të kishës ortodokse serbe kundër shtetit të pavarur të Malit të Zi.
Kemi dy momente të rëndësishme, që lidhen me këtë situatë të re. Së pari kemi daljen publike në skenën politike ballkanike të rolit politik dhe të aktivizimit të fesë ortodokse si instrument goditës i sovranitetit dhe i integritetit të shteteve të pavarura ballkanike.
Së dyti kemi përpjekjen djallëzore të Serbisë dhe të presidentit të saj për të nxitur dhe për të krijuar një histeri urrejtje fetare të kishës ortodokse serbe dhe ballkanike kundër Perëndimit. Në datën 5 shtator presidenti serb Vuçiç bëri deklaratën skandaloze që “Forcat perëndimore po përpiqen të shkatërrojnë kishën ortodokse serbe në ish-Jugosllavi, si dhe kishën ortodokse ruse në Ukrainë”. Mund të quhet një skandal diplomatik që presidenti i një shteti kandidat të BE, i cili ka nisur edhe bisedimet e pranimit në BE, nxit urrejtjen fetare të Serbisë dhe të kishës ortodokse serbe kundër Perëndimit, që nënkupton BE dhe SHBA.
Në këtë ofensivë fetare, subversive dhe ushtarako-policore të ndërhyrjes brutale të Beogradit në punët e brendshme të Malit të Zi, Serbia gëzon mbështetjen diplomatike dhe agjenturore ruse, si dhe pjesëmarrjen e Rusisë. Dëshmi është për këtë implikim rus pjesëmarrja në ceremoninë e paligjshme të fronëzimit të peshkopit serb edhe e disa jerarkëve të lartë të kishës ortodokse të Rusisë dhe e ambasadorit rus në Podgoricë. Duke analizuar këtë aspekt të zhvillimeve në Mal të Zi, eksperti ushtarak Aleksander Kovalenko thekson për rrjetin ukrainas “24 TV.ua” në 6 shtator se Rusia po organizon skenarin ukrainas në Mal të Zi.
Është skenari i destabilizimit të vendit, i cili përgatiti aneksimin e Krimesë dhe të Ukrainës Lindore nga Rusia. Siç deklaron diplomati amerikan Michael Carpenter “Kisha ortodokse serbe është përdorur si një instrument i fuqisë së butë për promovimin e interesave të Serbisë dhe të Rusisë në rajon”. Ndaj dhe Moska shprehet kaq e kënaqur nga suksesi i operacionit diversionist fetar në Cetinje. Ja çfarë shkruan portali proqeveritar rus “Balkanist” në 6 shtator:
“Pavarësisht nga gjithë peripecitë, kryesorja është që kisha ortodokse serbe mbeti forca kryesore ndikuese në këtë vend. Sido që të jetë, kjo forcë qëndron me Rusinë”. Në dritën e kësaj ndërvarje ruso-serbe, tingëllon e çuditshme pjesëmarrja e ambasadorit të Francës në ceremoninë e fronëzimit të peshkopit serb, i cili përfaqëson forcat më regresive antiperëndimore dhe më antiatlantike në Mal të Zi.
Zhvillimet aktuale në Malin e Zi paraqiten tepër shqetësuese, sepse ndodhin në një shtet anëtar të NATO-s, fqinj me Shqipërinë. Prej kësaj dalin dy mësime. Së pari që ka një plan të madh strategjik të Serbisë dhe të Rusisë për shndërrimin e Ballkanit Perëndimor në një federatë apo konfederatë ortodokse të menexhuar nga Beogradi dhe Moska kundër Perëndimit.
Ndaj është aktivizuar fort ordoksizmi politik i tyre. Në këtë funksion Rusia bashkë me Serbinë po nxisin urrejtjen fetare të shteteve dhe të kishave ortodokse kundër Perëndimit. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov në 30 gusht deklaroi : “Kisha ortodokse ruse është vënë nën presion të tmerrshëm nga disa shtete perëndimore dhe në radhë të parë nga SHBA, që i kanë vënë vetes detyrë të shkatërrojnë unitetin e botës ortodokse. Në Ballkan kisha ortodokse serbe ka qenë në shënjestër të sulmeve shumë të fuqishme”.