Politika e jashtme greke në Mesdheun Lindor: Energjia dhe realpolitika
Nga Emmanuel Karagiannis
“Il Giornale”
Mesdheu Lindor është një rajon i molepsur nga konfliktet dhe destabiliteti. Lufta civile siriane është shndërruar në një krizë rajonale, e cila ka prekur edhe shtetet e tjera fqinje. Egjipti pas Mubarak po kërkon një rol të ri si një vend udhëheqës në botën arabe.
Izraeli është bërë pjesë e një lufte të fshehtë me Iranin dhe aleatët e tij shiitë. Ndërkohë, Turqia po shfaqet gjithnjë e më e vendosur për të rritur ndikimin e saj në Mesdheun lindor. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca kanë treguar një interes të madh për të marrë pjesë në skemat e sigurisë së rajonit.
Shpërthimi i pandemisë Covid-19, nuk ka ndikuar aspak tek aftësia diplomatike e Greqisë për të vepruar brenda ekosistemeve të reja komplekse të sigurisë. Në fakt Athina ka zhvilluar një politikë të re të jashtme për Mesdheun Lindor, e cila meriton të analizohet më në detaje.
Pas krizës ukrainase të vitit 2014, nevoja për të reduktuar varësinë nga gazi rus, i detyroi qeveritë evropiane të konsideronin rajonin e Mesdheut Lindor, si një burim potencial i furnizimit me energji. Eksportet e gazit izraelit, egjiptian dhe qipriot, mund të kontribuojnë në diversifikimin e furnizimeve të kontinentit.
Mesdheu Lindor ka rreth 34 miliardë metër kub gaz natyror, aktualisht ende i fshehur, por teknikisht i rikuperueshëm. Pozicioni gjeografik i Greqisë, e bën këtë vend një urë natyrore midis Mesdheut Lindor të pasur me burime energjetike, dhe Evropës perëndimore që i konsumon ato.
Prandaj, Athina negocioi me Nikozinë dhe Jeruzalemin ndërtimin e “Eastern Mediterranean Pipeline”, që do të lidhë rezervat e gazit izraelit dhe qipriot me Evropën nëpërmjet Kretës dhe Greqisë kontinentale. Në janarin e vitit 2020, të tria vendet nënshkruan një marrëveshje, edhe pse gjurma përfundimtare e tij është ende duke u diskutuar.
Gjithsesi, projekti i gazsjellësit “EastMed” është i realizueshëm vetëm me mbështetjen politike dhe financiare nga Shtetet e Bashkuara, siç e tregon edhe Akti i Sigurisë dhe Partneritetit të Energjisë në Mesdheun Lindor i vitit 2019 i miratuar nga Kongresi Amerikan.
Pasoja është që Turqia ndihet edhe më e përjashtuar dhe e izoluar. Ndaj Ankaraja ka nevojë për aleatë, që të mbështesë pozicionin e saj në rajon. Në nëntorin e vitit 2019, qeveria e Marrëveshjes Kombëtare Libiane me bazë në Tripoli, nënshkroi një marrëveshje detare me Turqinë në këmbim të mbështetjes ushtarake.
Marrëveshja krijoi një (ZEE) midis dy vendeve, e cila injoronte ishujt grekë, përfshirë Kretën, ishullin e katërt më të madh në Mesdhe. Ligjshmëria e marrëveshjes vihet në pikëpyetje nga opozita libiane. Për këtë arsye, Athina u detyrua të afrohej me Kajron.
Në gushtin e vitit 2020, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje për një demarkacion të pjesshëm të kufijve detarë midis Kretës dhe bregdetit verior të Egjiptit. Por kjo nuk është e gjitha. Vendosmëria e qeverisë qipriote për të shfrytëzuar depozitat e saj të gazit në det të hapur, provokoi reagimin ushtarak të regjimit Erdogan.
Anijet turke kanë hyrë vazhdimisht në ZEE-në qipriote, të shoqëruara nga luftanijet, për të kryer një sërë aktivitetesh. Por Nikozia i ka dhënë leje disa kompanive të huaja të kryejnë eksplorime në Zonën e saj Ekskluzive Ekonomike. Për arsye etnike, në konfrontimin e saj me Ankaranë, Athina e mbështeti Republikën e Qipros.
Por gjeopolitika e energjisë luan një rol të rëndësishëm edhe në planet ambicioze të Greqisë për energjinë e rinovueshme. Në tetorin e këtij viti, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe lideri i Egjiptit Abdel-Fattah Al-Sisi, nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një lidhje elektrike nën det përmes ZEE-së së re greko-egjiptiane.
Ky projekt synon të lidhë Evropën dhe Afrikën nëpërmjet ndërtimit të një linje kabllore nënujore, me një fuqi totale prej 2000 Megavat në të dyja drejtimet. Së bashku me lidhje të tjera të ngjashme të zhvilluara në rajon, përfshirë ato midis Italisë dhe Bullgarisë, ajo midis Egjiptit dhe Greqisë mund ta shndërrojë këtë të fundit në një qendër energjie me kosto të ulët dhe të qëndrueshme për mjedisin.
Bashkëpunimi me Izraelin, është shtylla e politikës së jashtme greke në Mesdheun Lindor. Përkeqësimi i marrëdhënieve Turqi-Izraelit pas incidentit të flotiljes në Gaza në majin e vitit 2010, krijoi terrenin për një epokë të re të marrëdhënieve greko-izraelite.
Me nismën e qeverisë Netanyahu, të dyja vendet nënshkruan marrëveshje në fushën e sigurisë, energjisë, tregtisë dhe turizmit. Jeruzalemi ndan shqetësimet e Greqisë për sjelljet agresive të Turqisë në Mesdheun Lindor. Ankaraja ka ofruar jo vetëm mbështetje për palestinezët, por një mbështetje morale edhe për Hamasin.
Kësisoj nuk është habitshme që forcat ajrore të Izraelit dhe Greqisë, kanë kryer vitet e fundit stërvitje përbashkëta. Përveç kësaj, Athina synon që të blejë sistemet ushtuake izraelite të fjalës së fundit të teknologjisë. Ndërkohë Athina ka krijuar një marrëdhënie të re me vendet pro-perëndimore të Gjirit Persik.
Në fund të nëntorit 2020, Greqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një pakt mbi mbrojtjen, që përfshin ndihmën e ndërsjellë kur kërcënohet nga një palë e tretë integriteti territorial i secilit prej shteve. Tre muaj më parë, avionët F-16 të Emirateve të Bashkuara Arabe u vendosën në bazën ajrore Suda në Kretë, për një stërvitje të përbashkët me Forcat Ajrore Helene.
Abu Dhabi e kundërshton përpjekjen e Ankarasë për të dominuar botën myslimane, dhe e mbështet opozitën anti-turke në Libi. Ndërkohë në shtator po të këtij viti, Athina vendosi raketa “Patriot” në Arabinë Saudite për të mbrojtur infrastrukturën e saj energjetike.
Disa muaj më parë, avionët sauditë F-15 zbarkuan në Greqi për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Ashtu si Emiratet e Bashkuara Arabe, edhe Arabia Saudite e kundërshton politikën e jashtme turke në Lindjen e Mesme.
Athina është përpjekur t’i kundërpërgjigjet Turqisë duke hyrë në një aleancë me Parisin, që e sheh si një kundërshtare gjeopolitike Turqinë e Erdogan. Në fund të shtatorit 2021, Greqia dhe Franca nënshkruan një marrëveshje, e cila përfshin një klauzolë të ndihmës së ndërsjellë në fushën e mbrojtjes. Bazuar në atë marrëveshje, marina greke do të blejë së shpejti fregata moderne franceze për të kryer operacione në brigjet greke.[Bota.al/ISHGJ]