Nga Shaban Murati
Deti Adriatik si aspiratë e hershme e strategjisë dhe e gjeopolitikës serbe ka qenë dhe mbetet pjesë e pandarë e planeve diplomatike të Serbisë edhe në ditët e sotme. Por duke qenë se prishja e Jugosllavisw e çoi Serbinë në humbjen e daljes detare në Adriatik, ajo po përpiqet të zbatojë forma dhe mënyra të reja, që mund të sanksiononin kapjen prej saj të porteve të Adriatikut. Metoda e parë diplomatike dhe subversive, që po ndjek shteti dhe diplomacia e Serbisë për kapjen e daljeve në detin Adriatik, është metoda direkte ose metoda e futjes nën kontrollin e saj të ndonjë shteti, që laget nga deti Adriatik. Objekti parë i kësaj metode të ndërhyrjes për kontroll direkt serb në administrimin e bregdetit është Mali i Zi, i cili deri në vitin 2006 ka qenë pjesë e “Unionit Serbia dhe Mali i Zi” dhe Beogradi kishte kontrollin edhe mbi bregdetin malazez. Për të riparuar humbjen gjeopolitike detare, që pësoi në vitin 2006 me pavarësimin e Malit të Zi, Serbia po përpiqet që të neutralizojë pavarësinë dhe shtetësinë e Malit të Zi dhe të rikthejë statusin e dominimit të saj në Podgoricë. Në funksion të kësaj strategjie Serbia u angazhua me të gjitha institucionet e saj që në zgjedhjet parlamentare të gushtit të vitit 2020 në Mal të Zi të realizohej një“regime change”, ku koalicionin qeverisës ta dominonin grupi i partive dhe i forcave proserbe. Nisur nga kjo premisë e re raportesh të reja politike paszgjedhore në shtetin dhe në qeverinë e Malit të Zi, Serbia nisi fushatën gjeopolitike për të fituar statusin e përdorimit ushtarak të porteve të Malit të Zi në Adriatik.
Ambasadori i Serbisë në Rusi, Miroslav Lazanski, njoftoi në 17 korrik se Serbia i ka bërë kërkese zyrtare Malit të Zi që të lejojë përdorimin e portit të Tivarit nga Serbia për transportimi detar të kontigjenteve të reja të armëve, që Rusia po i dhuron Serbisë. Sipas burimeve diplomatike, njëkohësisht edhe diplomacia ruse ndërmori përçapje që Podgorica të lejonte përdorimin e portit të Tivarit për transport dhe për qëllime ushtarake nga Serbia dhe Rusia. Serbia madje kërkoi që Mali i Zi ta mbante fshehur nga NATO dhe nga opinioni publik kërkesën serbe për përdorimin ushtarak të portit malazez dhe ta paraqiste në dokumente thjesht si ngarkesë detare kontigjentin e armëve ruse të destinuara për në Serbi. Arroganca e Serbisë shkoi deri atje sa Beogradi nuk begenisi as formalitetin e një shkrese zyrtare dërguar institucioneve përkatëse malazeze, por u mjaftua me urdhërin telefonik të ambasadorit serb në Moskë për ambasadorin malazez, që t’i kërkonte kryeqytetit të tij plotësimin e kërkesës serbe.
Është pozitive dhe duhet përshëndetur fakti që Mali i Zi e refuzoi kërkesën e Serbisë për përdorimin e portit malazez të Tivarit për qëllimet ushtarake të Beogradit. Rasti i korrikut me implikimin e diplomacisë serbe dhe ruse për të përdorur për qëllime ushtarake portin malazez hedh dritë në përpjekjet e papushuara të Serbisë dhe të Rusisë për të siguruar shfrytëzim ushtarak, lehtësira ushtarake dhe dalje në detin Adriatik. Veprimi i Malit të Zi duhet vlerësuar nga anëtarët e NATO-s në detin Adriatik, sepse jo vetëm pengoi përdorimin ushtarak të bregdetit të tij, por refuzoi të bëhej bashkëpjesëmarrës në armatosjen e pakufishme të Serbisë nga Rusia. Këtu lind një problem shumë i rëndësishëm, që duhet të shqetësojë shtetet anëtare të NATO-s në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë. Ambasadori i Serbisë ne Moskë deklaroi i entuziazmuar në17 korrik se ndërsa Mali i Zi e pengoi transportin detar të armëve ruse për në Serbi, disa shtete të tjera të NATO-s e lejuan atë transport armësh nëpërmjet territorit të tyre. Ambasadori serb nuk zuri emra shtetesh, por dihet se në vitin 2019 Hungaria lejoi kalimin nëpër territorin e saj të kontigjentit të tankeve ruse për në Serbi, dhe Bullgaria lejoi në vitin 2020 kalimin në territorin e saj të sistemit të raketave ruse “Pancir” për në Serbi. Janë veprime skandaloze të disa aleatëve tanë, të cilat cënojnë sigurinë e anëtarëve të NATO-s në rajon, sepse dihet që Serbia armatoset kundër shteteve të NATO-s në rajon. Ndaj siç meriton vlerësim Podgorica, meritojnë protesta në selinë e NATO-s në Bruksel veprimet e atyre shteteve të NATO-s që ndihmojnë armatosjen e Serbisë nga Rusia.
Ka një rigjallërim të përpjekjeve diplomatike, ushtarake dhe subversive të Serbisë për të arritur të drejtën e daljes së saj në portet malazeze të Adriatikut. Po arrihet deri atje sa që të rivendikohet hapur ndryshimi i kufijve të Malit të Zi dhe pjesë të territorit të tij bregdetar të aneksohen nga Serbia. Kjo është bërë kaq flagrante, sa që më hapur se kurrë ndonjëherë që nga pavarësimi i Malit të Zi po shfaqen ambicia dhe rivendikimi serb për marrjen e pjesëve të bregdetit malazez. Në datën 6 korrik media e njohur proqeveritare ruse ”balkanist.ru”, e specializuar për politikën ruse në Ballkan, botoi artikullin me titull provokues:” A do të marrë Serbia korridorin hercegovinas për në detin Adriatik?”. Është një lëvizje e beftë diplomatiko-propagandistike, e cila hedh hapur tezën e re ruse dhe serbe për rishikimin e kufijve të Malit të Zi dhe rikthimin e portit të Herceg Novit të Malit të Zi në gjirin e Serbisë. Media e mësipërme ruse shkruante hapur se “rikthimi i Hercegovinës si pjesë e Serbisë dhe rikthimi i statusit të portit të fuqishëm detar të Herceg Novit nuk është më fantazi si 15 vjet më parë, (kur u pavarësua Mali i Zi)”.
Përveç tezës destruktive të prishjes së kufijve të shtetit të pavarur të Malit të Zi në funksion të rivendikimit të Serbisë për porte dhe bregdet në Adriatik, kemi dy momente interesante. Portali rus jo rastësisht merr si bazë të ashtuquajturin“non pajpër” të parë për Ballkanin, që doli në Ljubjanë në muajin prill,dhe sugjeronte rivizatimin e kufijve të rajonit. “Në prill 2021 u çfaq problemi kufitar në projektin jozyrtar (non pejpër) si rivizatim i kufijve të Ballkanit, që çoi në një diskutim për çështjen e aksesit të Serbisë në detin Adriatik nëpërmjet territorit të Hercegovinës së vjetër”- shkruan “Balkanist”. Kjo zbulon se origjina e non-pejpërit për Ballkanin, që u publikua në prill, është Beogradi, i cili aspiron ndryshimin e kufijve të shteteve të rajonit dhe daljen e tij në Adriatik.
Non pejpëri u hodh në qarkullim diplomatik për t’u përdorur si bazë për të nxitur rihapjen e të ashtuquajturës të drejtë të Serbisë për dalje në Adriatik. Rusia dhe Serbia tentojnë të aktualizojnë një rivendikim të vjetër serb për porte dhe bregdet në Adriatik, rivendikim që daton zyrtarisht qysh në vitin 1912, kur Serbia pushtoi territoret bregdetare të Shqipërisë. Historiani i njohur serb Dushan Batakoviç ka shkruar në një nga punimet e tij, publikuar në revistën “Balcanica” se “Në luftën ballkanike të vitit 1912 trupat serbe hynë në Shqipërinë Veriore dhe dolën në detin Adriatik. Vendosmëria e qeverisë serbe për të avancuar në brigjet e Adriatikut, në një rajon etnik shqiptar, bazohej në vlerësimin se shqiptaret të ndarë nga feja dhe nga përplasjet e përhershme të fiseve, nuk kanë ndërgjegje të vërtetë kombëtare dhe as mund të formojnë një komb”.(Balcanica, XXII, kapitulli 4, fq.119). Batakoviç ishte ambasadori i Serbisë, që kryesoi delegacionin serb në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik 2010, kur u shqyrtua kërkesa e OKB për të dhënë opinion për aktine shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mentaliteti i qeverive serbe, që paraqet ai për pushtimin serb dhe për pretendimet serbe ndaj brigjeve shqiptare, është i njëjtë dhe sot e kësaj dite në Beograd, ku mendojnë se Serbia duhet të administrojë bregdetin dhe portet e “njerëzve të dalë nga pylli”, siç i quan shqiptarët kryeministrja e sotme serbe.
E habitshme është se media proqeveritare ruse jep si model të ribashkimit të Herceg Novit malazez me shtetin serb modelin e bashkimit të Krimesë me Rusinë në vitin 2014 dhe del me tezën provokative që “kufijtë e caktuar disa dekada më parë mund të ndryshohen”. Është një tezë e rrezikshme, që ligjëron modelin rus të aneksimit të dhunshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe inkurajon qarqet drejtuese nacionaliste në Beograd për ndonjë aventurë të Serbisë për të realizuar një aneksim të ngjashëm të portit dhe të bregdetit të Herceg Novit.
Natyrisht edhe Serbia, edhe Rusia, e dinë se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe as mund të shkohet ndër mend që NATO të lejojë Serbinë të marrë ushtarakisht porte dhe bregdet në Malin e Zi. Ndaj është e papërputhshme me interesat atlantike që portet detare të një shteti të NATO-s të vihen në dispozicion për përdorim ushtarak nga Serbia dhe Rusia, siç bëri presion Beogradi në muajin korrik.
Këto teza dhe rivendikime të reja të Serbisë për dalje në detin Adriatik duhet të tërheqin vëmendjen dhe alarmin e qeverisë dhe të diplomacisë së Shqipërisë, sepse kemi një sinjal të qartë se Serbia nuk ka hequr dorë nga aspirata aneksioniste e vitit 1912 për të patur të sajat portet shqiptare të Adriatikut. Por në lidhje me Shqipërinë dhe bregdetin shqiptar Serbia po ndjek jo metodën direkte si në Mal të Zi, sepse një ndryshim regjimi këtu është mision i pamundur. Serbia po ndjek ndaj Shqipërisë metodën indirekte, nëpërmjet krijimit të lidhjeve të ngushta dypalëshe me koperturë tregtare apo infrastrukturore me Shqipërinë, ose me projekte më të zgjeruara mikroballkanike si projekti jugosllav i “mini Shengenit”. Nëpërmjet kamuflazhit të interesave të zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore apo të qarkullimit të lirë ballkaniko-perëndimor, të shkrirjes së kufijve dhe të doganave, të interesit panballkanik të krijimit të infrastrukturës së përbashkët hekurudhore dhe detare dhe profkave të tjera të integrimit ballkanik, të shkohet te realizimi strategjik i Serbisë që të realizojë daljen faktike të saj në detin Adriatik nëpërmjet portit të Durrësit. Kjo metodë indirekte e pranisë dhe e daljes serbe në bregdetin shqiptar të Adriatikut konkretizohet nëpërmjet projektit të përfolur të lidhjes direkte hekurudhore Nish-Tiranë me kosto një miliard dollarë, projekt i cili ka qenë pjesë e marrëveshjeve midis presidentit të Serbisë Vuçiç dhe kryeministrit të Shqipërisë Rama qysh në vitin 2015. Presidenti serb e përfshiu këtë projekt të daljes hekurudhore serbe në portin e Durrësit edhe në platformën, që hartoi për“mini Shengenin” në tetor të vitit 2019, të cilin e miratoi edhe Shqipëria. Siç shkruante media greke “balkaneu.com“:“Për Serbinë, që rrethohet nga tokë, hekurudha që do të lidhë Nishin me portin e Durrësit garanton dalje në portet e Shqipërisë në Adriatik si Durrësi dhe Shëngjini”.
Në këtë lojë të komplikuar dhe të errët diplomatike dhe të metodës indirekte serbe për të marrë dalje në bregdetin shqiptar të Adriatikut, Serbia hodhi ne tavolinat diplomatike shashkën që mund të pranonte njohjen e Kosovës në shkëmbim të së drejtës së daljes në bregdetin shqiptar në Adriatik. Është një tezë, që e përmend edhe media serbe “B92” në 20 mars 2020, kur del me njoftimin “Një pikë-dalje në det, ky është kompromisi i ofruar Serbisë”.
Kemi një lëvizje taktike dinake të Serbisë për të joshur Shqipërinë që për “motive patriotike” të bëjë një cedim sovraniteti, cedim strategjik dhe gjeopolitik vetëvrasës, dhe t’i japë Serbisë të drejtën për dalje në portet shqiptare të Adriatikut. Nuk duket rastësi që kjo formulë u fut edhe në dokumentin e firmosur nga presidenti i Serbisë Vuçiç dhe që iu dorëzua presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë në 4 shtator 2020 dhe ku në pikën 2 thuhet se të dy palët Serbia dhe Kosova“do të angazhohen në një studim fizibiliteti të përbashkët lidhur me opcionet e lidhjes infrastrukturore hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të thellë të Adriatikut”. Marrëveshja paraprake ishte që Serbia në shkëmbim do të pranonte në dokumentin e saj njohjen e Kosovës, dhe në një nen të dokumentit, pika 10, shkruhej se dy shtetet do të angazhoheshin për njohjen e përbashkët. Por Beogradi e hoqi atë pikë të njohjes reciproke dhe doli vetëm me aspiratën për portin e Adriatikut. Kështu që Serbia kërkon daljen në det pa dhënë asnjë premtim për njohjen e Kosovës. Kjo don të thotë që asnjë justifikim nuk mund të ketë nga ana e Shqipërisë për t’i dhënë Serbisë të drejtën që të ketë dalje në portet shqiptare të Adriatikut.
Këtu duhet sqaruar hileja diplomatike serbe me qitje të largët. Serbia nuk kërkon thjeshtë transportin e mallrave serbe nga dhe për në portet shqiptare, që e bën gjithë bota dhe është praktikë tregtare e zakonshme në botën e sotme. Serbia kërkon të drejtën e daljes në detin shqiptar, çka është tjetër gjë dhe përbën një shkelje të sovranitetit shqiptar dhe dëmton interesat gjeopolitike dhe strategjike të Shqipërisë. Serbia me angazhimin e Rusisë po rrit dozën e përpjekjeve për të fituar të drejtën e daljes në detin Adriatik. Për këtë qëllim ajo po lëviz haptaz dhe nëndheshëm në drejtim të dy shteteve të dobëta të NATO-s në Adriatik, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Nuk guxon të tentojë në drejtim të Kroacisë, sepse e din përgjigjen e vendosur, që do të gjejë nga Kroacia në mbrojtje të sovranitetit të saj. Në këtë situatë me plot rreziqe brenda për sovranitetin detar të Shqipërisë, shpresa është që NATO të jetë vigjilente për të mbajtur fort frerët e qeverive në Mal të Zi dhe në Shqipëri, që të mos lejojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë të drejtën e padrejtë të Serbisë për dalje në detin Adriatik, i cili duhet të jetë një liqen ekskluziv atlantik. [Dita/ISHGJ