Abstrakt
Proceset zgjedhore po marrin një rëndësi të shtuar në skenën gjeopolitike, duke u bërë një forcë kryesore në formimin e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke vëzhguar zgjedhjet në vendet si SHBA, Gjermani, dhe Itali, konfirmojnë se ndryshimet ideologjike të partive politike po ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në dinamikën gjeopolitike (zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë). Këto ndryshime reflektohen në përdorimin e proceseve zgjedhore nga regjimet autokratike si Rusia dhe Serbia për të ndikuar në demokracitë e brishta, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Strategjitë e luftës hibride të këtyre regjimeve synojnë të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve dhe të manipulojnë strukturat politike në favor të interesave tyre. Në Ballkanin Perëndimor, këto ndërhyrje po shkaktojnë sfida për integritetin e vendeve. Në këtë punim bazuar në atë që thamë më sipër, kemi përshkruar, shpjeguar, kuptuar, i kemi dhënë kuptim dhe orientuar (kahëzuar) ndikimin e Rusisë dhe Serbisë në Maqedoninë e Veriut dhe pasojat që mund të ketë duke përfshirë edhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare te këtij viti. Kjo analizë thekson rëndësinë e kuptimit të dinamikës së politikës zgjedhore për të adresuar rëndësinë e zhvillimit socio-ekonomik, tensionet etnike dhe për të gjetur zgjidhje afatgjata për stabilitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të vendit në një skenë ndërkombëtare të ndryshuar.
Fjalë kyçe: zgjedhjet elektorale, gjeopolitika, ndikimi i Rusisë dhe Serbisë, lufta hibride, serbizimi
Hyrje
Në labirinthin Ballkanik, Maqedonia e Veriut shfaqet si një vend me një peshë të habitshme gjeopolitike. E vendosur mes maleve dhe e zhytur në histori, rëndësia e saj strategjike tejkalon madhësinë e saj modeste. Maqedonia e Veriut vepron si një urë tokësore jetike, që lidh arteriet e tregtisë dhe infrastrukturës midis Evropës Juglindore dhe Qendrore. Ky avantazh gjeografik e pozicionon atë si një lojtar vendimtar në rrjedhën e tregtisë dhe zhvillimit në të gjithë rajonin.
Zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut, ky vend pa dalje në det e që ndan një popullsi mes maqedonasve shumicë, shqiptarëve që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vendit, është krijuar si Republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë me 2 gusht 1944 për tu ndarë pastaj si republikë e pavarur nga referendumi i mbajtur me 8 shtator 1991.
Serbia gjatë viteve të ’90, kur Jugosllavia po shkatërrohej dhe aparati shtetëror serb i përvetësuar nga mbetjet e ish-Jugosllavisë, ishte angazhuar me gjitha mekanizmat e saj të pushtojë, Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Slloveninë, Maqedonia e Veriut (aso kohe vetëm Maqedonia apo FYROM) shpëtoi pa luftë por jo pse askush nuk e dëshironte aty luftën por se interesat ishin tjera.
Menjëherë pas referendumit dhe shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut , Rusia u bë vendi i parë i përhershëm në Këshillin e Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që ia njohu pavarësinë në fillim të vitit 1992, përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe çdo vendi të madh në Evropën Perëndimore. Në anën tjetër, ky vend nuk do të sulmohej nga Serbia për faktin se:
• Ishte e zënë në shumë luftëra,
• Nuk dëshironte ta zgjeronte zonën e luftës ku kishte edhe më shumë shqiptarë dhe
• Kishte plane tjera për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Millosheviçi gjatë qëndrimit të tij me 1992 në rivierat greke, iu kishte propozuar këtyre të fundit që të krijonin një konfederatë ndërmjet Serbisë – Maqedonisë – Greqisë, kjo ide politikanëve maqedonas u kishte pëlqyer duke përfshi edhe Gligorovin.
Më vonë me 1994, Greqia me insistimin perëndimor do ta hidhte poshtë këtë ide, pastaj edhe Gligorovi do të bënte të njëjtën, mirëpo këtë të fundit ky refuzim për pak sa nuk i kushtoi më jetë, edhe pse i kushtoi me gjymtime në sy dhe fytyrë. Një atentat për vrasje do të merrej kundër tij, e që rrethanat e atentatit do t’i shpjegojmë në një punim tjetër.
Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt perëndimit është përfshirë në një udhëkryq që ka shënuar përplasje të mëdha midis forcave pro-perëndimore dhe atyre pro-ruse dhe pro-serbe. Në vitin 2017, në procesin për votimin e qeverisë së re në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut që kulmonte me rrëzimin nga pushteti të VMRO-DPMNE, e cila kishte qasje më shumë pro-ruse dhe pro-serbe, dhe zëvendësimin e saj me LSDM ndodhën edhe trazira me qëllim grusht-shteti elektoral. Ky tranzicion solli në pah qëllime të qarta për dëmtimin e procesit demokratik, me incidente të dhunshme që ndodhën brenda dhe jashtë Kuvendit, duke lënë pas të lënduar politikanë shqiptarë dhe maqedonas, si dhe qytetarë. Kjo periudhë u karakterizua nga një ndikim i dukshëm ruso-serb në politikën vendase, duke dëshmuar nivele të larta të infiltrimit.
Por përderisa zgjedhjet e vitit 2016 sollën ndryshim qasjesh të qarta në politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut, dhe gjatë kësaj periudhe ky vend arriti ta zgjidhë problemin e emrit me Greqinë, të anëtarësohet në NATO dhe të bëj hapa të tjerë drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe të afrohet drejt zgjidhjes së problemeve edhe me Bullgarinë, si duket zgjedhjet e reja që mbahen në fund të prillit dhe fillim të majit nuk do jenë më pak sfiduese sa ato me 2016.
Gjatë punimit Maqedonisë së Veriut i referohemi me emrin e saj të ri zyrtar edhe kur bëhet fjalë për periudhën e para marrëveshjes së Prespës, kjo për faktin që të mos krijojmë probleme në lexim.
Qëllimi i këtij punimi është të evidentojë ndikimin rus dhe serb në Maqedoninë e Veriut, kryesisht në dy dekadat e fundit, duke përfshi edhe situatën aktuale. Të identifikojë ndikimin e procesit zgjedhor të vitit 2016 dhe atë që po ndodh tani, në gjeopolitikën e këtij shteti.
Pyetja hulumtuese e punimit është: Cilat janë përplasjet dhe bashkëpunimet e Maqedonisë së Veriut me Rusinë dhe Serbinë në aspektin e influencës gjeopolitike dhe roli i zgjedhjeve elektorale në këto përplasje?
Variabli i varur është: Influenca gjeopolitike e Rusisë dhe Serbisë në Maqedoninë e Veriut.
Hipoteza: Ndikimi i Rusisë dhe Serbisë në Maqedoninë e Veriut është një faktor me ndikim të konsiderueshëm në politikën dhe zhvillimin e vendit, përmes përpjekjeve për të penguar bashkëpunimin dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut me vendet perëndimore, duke përfshirë subjekte politike, organizata të ndryshme dhe zgjedhje elektorale.
Metoda hulumtuese e këtij studimi është ndërtuar mbi një gamë të gjerë të burimeve të informacionit dhe teknikave analitike. Fokusi kryesor i kësaj metode është mbi:
• Mbledhjen dhe analizën e veprimeve të Serbisë dhe Rusisë kundër Maqedonisë së Veriut.
• Analizën gjeopolitike
• Analizën e zgjedhjeve dhe krahasimin e ndryshimit të kursit gjeopolitik.
• Analizën e luftës hibride.
Përmes kësaj metode të hulumtimit, synohet të përdoret një qasje transdisiplinare për të kuptuar thellësisht dinamikën komplekse të konfliktit dhe rivalitetit në Maqedoninë e Veriut, duke integruar informacionin nga burime të ndryshme dhe duke përdorur teknikat analitike të përshtatshme për të arritur një kuptim të plotë dhe të thellë të situatës.
Instituti Octopus, i ka shkruar e-mail edhe Ministrisë për Punë të Jashtme të Maqedonisë së Veriut me datën 29.02.2024, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje në pyetjet tona që kanë pasur të bëjnë në lidhje me temën e shqyrtuar në këtë punim.
Kuadri teorik: Kuptimi i ndikimit të Rusisë dhe Serbisë në Maqedoninë e Veriut
Punimi nga kuadri teorik mund të shqyrtohet në kuadër të ndikimit politik, ekonomik dhe social të Rusisë dhe Serbisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Andaj, për të kuptuar këtë dinamikë komplekse, ne mbështetemi në tre perspektiva të spikatura teorike në marrëdhëniet ndërkombëtare: Realizmi, Institucionalizmi Liberal dhe Konstruktivizmin Social.
Bazuar në nocionin se shtetet janë aktorë racionalë të nxitur nga interesi vetjak dhe fuqia (Kunz & Morgenthau, 1948), Realizmi parashtron se politika ndërkombëtare është një luftë konkurruese për avantazh. Në këtë kontekst, Rusia dhe Serbia, me ambiciet e tyre përkatëse dhe lidhjet historike me Maqedoninë e Veriut, mund të përdorin mjete ekonomike ose presion politik për të çuar përpara interesat e tyre kombëtare. Rusia, për shembull, mund të përdorë eksportet e saj të energjisë për të ndikuar në zgjedhjet e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, duke i përafruar ato me qëllimet strategjike të Moskës (p.sh., Mearsheimer, 2001). Në mënyrë të ngjashme, Serbia, me trashëgiminë e saj të përbashkët sllave dhe ndikimin kulturor, mund të ushtrojë presion mbi qeverinë e Maqedonisë së Veriut përmes manovrimeve politike ose thirrjeve ndaj nacionalizmit etnik (p.sh., Waltz, 1979).
Në ndryshim nga këndvështrimi i Realizmit me qendër pushtetin, Institucionalizmi Liberal thekson rolin e institucioneve dhe normave ndërkombëtare në formësimin e sjelljes shtetërore (Keohane, 1984). Kjo perspektivë sugjeron se aspiratat e Maqedonisë së Veriut për integrim euroatlantik, veçanërisht anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, veprojnë si një forcë kundërvepruese kundër ndikimit rus dhe serb. Duke iu përmbajtur normave demokratike dhe kornizave institucionale të këtyre organizatave, Maqedonia e Veriut kërkon të forcojë sovranitetin e saj dhe zhvillimin ekonomik, duke u distancuar potencialisht nga ndikimi i fuqive globale dhe rajonale me agjenda jo-demokratike (Moravcsik, 1997).
Duke lëvizur përtej dinamikës së fuqisë materiale, Konstruktivizmi Social nxjerr në pah sesi kuptimet e përbashkëta dhe proceset shoqërore formojnë marrëdhëniet ndërkombëtare (Wendt, 1995). Kjo teori hedh dritë mbi ndikimin e narrativave politike dhe mediatike pro-ruse dhe pro-serbe në Maqedoninë e Veriut. Këto rrëfime, të shpërndara nëpër media të ndryshme, mund të ndikojnë në opinionin publik dhe diskursin politik, duke nxitur potencialisht një ndjenjë të afërsisë kulturore dhe historike me Rusinë dhe Serbinë. Duke formësuar perceptimet e identitetit kombëtar dhe kërcënimeve të sigurisë rajonale, këto narrativa mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo-drejtpërdrejtë në vendimet e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, edhe nëse nuk diktohen drejtpërdrejt nga Rusia ose Serbia.
Secila prej këtyre këndvështrimeve teorike ofron njohuri të vlefshme për ndikimin e Rusisë dhe Serbisë në Maqedoninë e Veriut. Realizmi nxjerr në pah rëndësinë e interesave kombëtare dhe dinamikës së pushtetit. Institucionalizmi Liberal thekson efektet shtrënguese dhe oportuniste të institucioneve dhe normave ndërkombëtare. Konstruktivizmi social hedh dritë mbi rolin e kuptimeve të përbashkëta dhe narrativave mediatike në formësimin e politikës së jashtme. Duke i përdorur këto korniza në mënyrë transdisiplinare, ne mund të fitojmë një kuptim më të nuancuar të faktorëve kompleks që formësojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut.
Drejt “Serbizimit”
Spiunët dhe diplomatët rusë janë përfshirë në një përpjekje gati një dekadëshe [të gjatë, sidomos pas vitit 2008] për të përhapur propagandë dhe për të provokuar mosmarrëveshje në Maqedoninë si pjesë e një përpjekjeje mbarë-rajonale për të ndaluar vendet e Ballkanit që të anëtarësohen në NATO. Ky përfundim vjen nga një pjesë e dokumenteve të inteligjencës të marra nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe partnerët NOVA TV dhe Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit (KRIK) (Dojčinović, 2017).
Gazi ka qenë një faktor kyç i ndikimit të Rusisë në Maqedoni të Veriut duke dashur të krijoj një “shtet ekskluzivisht i varur nga politika e Rusisë”.
Sipas dokumenteve të zbuluara, agjentët rusë kanë punuar të rekrutojnë anëtarë të ushtrisë maqedonase dhe zyrtarë të ministrisë së brendshme për të krijuar “një masë kritike të ushtarëve të trajnuar” që do të përdoreshin në situata të caktuara për të mbështetur interesat e Rusisë.
Rusia është angazhuar të financoj media në Maqedoni të Veriut duke përfshi edhe ato kundër shqiptarëve, pastaj ka hapur baza të inteligjencës në emër të konsullatave të nderit si në Manastir dhe Ohër, nëpërmjet kishës serbe është angazhuar të shtyjë idetë pansllavike, ka financuar një qendër kulturore në Shkup dhe ndërtimin e kryqeve dhe kishave duke përfshi edhe restaurimin sipas stilit rus. Ka krijuar rreth 30 asociacione të miqësisë midis Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe si duket këto kanë pasur efekt ku me 2014 Maqedonia e Veriut nuk i bashkohet perëndimit në sanksionet ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, në kohën kur Rusia aneksoi Krimenë.
VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski kanë qenë “porta” e Rusisë në Maqedoni të Veriut por Gruevski u detyrua të jap dorëheqje me 2015 pas publikimit të përgjimeve nga Zoran Zaev, lider i LSDMS-së, nja parti me qasje pro-perëndimore.
Nga viti 2006 deri me 2016, nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit, nga partia VMRO-DPMNE, do kishte një politikë e cila ishte me anime të konsiderueshme pro-ruse dhe pro-serbe por nuk mund të themi që avancimi i saj pro-perëndimor duke përfshi edhe njohjen e Kosovës ishte i mangët.
Në librin e Jasmin Mujanoviç “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in The Balkans” ai thotë se Gruevski dhe VMRO-DMPNE kanë bërë “përpjekje për ta zhvendosur Maqedoninë nën sferën e sundimit njëpartiak (Mujanović, 2018)” dhe se investimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor kanë inkurajuar në formë latente ndjenjat anti-demokratike e veçanërisht tek elitat ku kryesorët janë qeverisja e Dodikut në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjegjësisht në Republika Srpska, pastaj qeverisja e Vuçiqit në Beograd dhe e Nikolla Gruevskit në Maqedoni. (Mujanović, 2018)
Ljubo Georgievski, ish kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe themelues i VMRO-DPMNE që pastaj do largohej nga kjo parti për të krijuar VMRO-NP, po ashtu i kritikuar si pro-bullgar dhe që më vonë do merrte edhe shtetësinë bullgare, në një intervistë të tij në vitin 2015 thoshte se: “…partia që e bind qytetarin maqedonas se mbron identitetin e tij nga grekët dhe bullgarët, nga ana tjetër bën serbizimin e Republikës së Maqedonisë. Mendoj se në këtë moment kemi një serbizim të hapur të popullit maqedonas dhe mendoj se është pak turp nëse 80 për qind prej nesh votojnë për shkrirjen me Serbinë nesër në referendum”. (Митевска, 2015)
Pas përgjimeve të publikuara nga Zoran Zaev “bombat e Zaevit”, rënies së Gruevskit dhe zgjedhjeve të reja, kreu i opozitës socialdemokrate Zaev fitoi duke krijuar një qeveri me dy parti shqiptare.
Krahu i VMRO-DPMNE-së, pro-rusët dhe pro-serbët pakënaqësitë e tyre i shprehën me 27 maj duke sulmuar parlamentin, ku u goditën Zoran Zaevi, Ziadin Sela, Talat Xhaferi dhe nga trazirat brenda dhe jashtë Kuvendit mbetën të lënduar rreth 102 persona (Gazeta Shqip, 2017). Aty ishte identifikuar të paktën një agjent serb (Dojčinović, 2017).
Këto zgjedhje ishin kritikuar nga Rusia për ndërhyrje nga SHBA dhe BE me qëllim copëtimin e Ballkanit dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke pretenduar se ato realisht ishin fituar nga VMRO-DPMNE (BIRN, 2018).
Nga “pro-rus dhe pro-serb” drejt “pro-perëndimit”
Në një dokument të 7 prillit midis zyrtarit të lartë të Ministrisë së Jashtme maqedonase Nenad Kolev dhe ambasadorit rus Oleg Shcherbak, ambasadori rrëfehet se qëllimi i Rusisë ishte “të krijonte një rrip vendesh ushtarakisht neutrale” në Ballkan që përfshin Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë.
Dokumente të inteligjencës tregojnë edhe për ndikimin e BIA-së. Vuçiqi asnjëherë nuk është deklaruar publikisht, por mediat e mbështetura nga Vuçiqi kanë përkrahur fuqishëm Gruevskin dhe Rusinë.
Dokumentet tregojnë se agjentët e kundërzbulimit maqedonas kanë monitoruar një operativ të BIA-s dhe zyrtar të ambasadës në Shkup, Goran Zhivaljeviç, i cili, sipas një vlerësimi, që nga viti 2015 ka punuar për të kundërshtuar integrimin e vendit me Evropën.
Dokumentet tregojnë Zhivaljeviç duke i dhënë udhëzime Ivan Stoilkoviqit, një deputet maqedonas pro-rus, i cili është lider i një partneri të koalicionit VMRO, Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni. Zhivaljeviç shpesh e takonte Stoilkoviçin “kur merrte vendime të rëndësishme në kuvend ose para mbledhjeve të qeverisë”, sipas një dokumenti. Stoilkoviç ishte nga ata politikanët ballkanikë që kishin udhëtuar në Moskë për të nënshkruar një deklaratë që bënte thirrje që rajoni të mbetej “ushtarakisht neutral”, pozicion që përjashtonte marrëveshjen me NATO-n. Stoilkoviç kishte takuar politikanë e aktivistë edhe nga Mali i Zi që ishin kundër NATO-së duke përfshi edhe Marko Milaçiq.
Zhivlajeviç dhe Stolikoviç ishin kapur edhe me incizim duke u koordinuar nga Serbia për propagandë anti-Zaev me mbi 50 përgjime audio.
Por pas skandaleve të korrupsionit që shpërthyen në Maqedoni të Veriut, planet e Rusisë dhe Serbisë morën goditje të rëndë. Kremlini lëshoi deklarata të shumta për shtyp në mbështetje të Gruevskit, duke u përpjekur pa sukses ta përfytyronte ndjenjën në rritje anti-Gruevski në Maqedoni të Veriut si “ndërhyrje të rëndë nga Perëndimi”. (Noack, 2021)
Fitorja e Zaevit e frenoj në një masë ndikimin rus dhe serb në Maqedoni, të paktën duke i krijuar një kufizim. Mirëpo, Rusia ka qenë e angazhuar efektivisht në frenimin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe pranimit të marrëveshjes së Prespës (nga “Maqedonia” në “Maqedonia e Veriut”) ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit. Rusia sipas të dhënave ka qenë vazhdimisht e inkuadruar në propagandën që të votohet kundër marrëveshjes së Prespës në referendumin e vitit 2018.
Në krye të lëvizjes kundër referendumit ishte Janko Baçev, lider i Edinstvena Makedoniaj, parti rusofile që përkrah partinë në pushtet në Kremlin “Rusia e Bashkuar” e cila e mbronte riorientimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Ekonomik Euroaziatik ku merr pjesë edhe Serbia.
Kjo parti ka organizuar panele dhe seminare me disa nga ideologë nga Moska si Alexander Dugin. Në maj të vitit 2018, 50 anëtarë të partisë morën pjesë në një trajnim nga strategu politik Leonid Savin. (Trpkovski, 2018)
Rusia nuk është thjesht kundërshtarja e anëtarësimit të vendeve të ndryshme në Bashkimin Evropian; në fakt, është kundër anëtarësimit të tyre në NATO për arsye strategjike dhe politike të mëdha. Në përpjekjen për të mbajtur influencën e saj në rajonin e Evropës Lindore dhe Qendrore, Rusia ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndikuar në politikat dhe zgjedhjet e këtyre vendeve, duke u përpjekur të pengojë integrimin e tyre në strukturat perëndimore, siç është NATO. Kjo ka qenë një pikë e dobët për Rusinë, pasi është përballur me sfida të rënda për të ruajtur dominimin e saj në këtë zonë.
Për të kundërshtuar anëtarësimin në NATO, Rusia ka shfrytëzuar çdo mjet të mundshëm, duke përfshirë propagandën, destabilizimin politik, dhe në disa raste përdorimin e forcës së fshehtë. Megjithatë, ndërhyrjet e saj kanë hasur rezistencë dhe kundërpërgjigje nga vende të tjera të interesuara për të ndihmuar në integrimin euroatlantik të rajonit. Kështu, ndërkohë që Rusia ka qenë e vendosur për të përmbysur procesin e anëtarësimit në NATO, përpjekjet e saj janë shoqëruar me sfida dhe përgjigje të ndryshme nga vendet perëndimore.
Angazhimi i Rusisë për frenimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së
Rusia ishte angazhuar efektivisht që të dëmtonte marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Greqinë për të ndalur procesin e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve dhe të ndaloj arritjen e marrëveshjes për çështjen e emrit. Madje diplomatët rusë ishin zënë duke korruptuar edhe klerikë ortodoksë (Deutsche Welle, 2018) përveç zyrtarëve tjerë dhe duke shkaktuar probleme në sigurinë e Greqisë (Benakis, 2018). Ky problem kishte dërguar edhe në deportimin e diplomatëve rusë nga Greqia. (Nedos, 2018)
Në vitin 2018 ambasadori i atëhershëm rus në Maqedoninë e Veriut, Oleg Shcherbakov, tha se bashkimi me Aleancën do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në Shkup, pasi mund ta kthente atë në një objektiv për sulmet ruse, nëse Moska ndihej e kërcënuar. (Drapak, 2023)
Procesi i marrëveshjes mes këtyre dy vendeve, nuk e kishte ndaluar Putinin dhe Lavrovin që frustrimin e tyre ta paraqisnin edhe publikisht.
Putin para se të vizitonte Beogradin, në vitin 2019 kishte shprehur pakënaqësinë e tij për marrëveshjen ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit. Ai për këtë kishte akuzuar perëndimin për rritjen e influencës në Ballkanin Perëndimor. “Politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve të tjera perëndimore në Ballkan, të cilët kërkojnë të pohojnë dominimin e tyre në rajon, ka qenë një faktor serioz destabilizues. […] Kjo përfundimisht do të rrisë mosbesimin dhe tensionet në Evropë, në vend që të përmirësojë stabilitetin”. Ai po ashtu kishte shtuar se edhe vendimi që Mali i Zi të bëhet pjesë e NATO-së në prill 2017 kishte rezultuar që vendi “tani të kalonte një periudhë jostabiliteti politik”. Në të njëjtën kohë edhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov për çështjen e Maqedonisë së Veriut, kishte thënë se Moska kishte arsye të besueshme për të vënë në dyshim legjitimitetin e procesit me të cilin Maqedonia kishte ndryshuar emrin e saj. (Smith, 2019)
Gjorgje Ivanov, president i Maqedonisë asokohe po ashtu kishte refuzuar që të nënshkruante marrëveshjen e kryeministrit Zoran Zaev me kryeministrin grek Aleksis Tsipras për çështjen e emrit. (Deutsche Welle, 2018a)
Sipas Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një nga biznesmenët më të pasur rus, Ivan Savvidi, ka dhënë të paktën 300 mijë dollarë tek aktorët maqedonas të cilët ishin kundër anëtarësimit në NATO dhe kundër ndryshimit të emrit. Savvidi ishte dikur pjes e parlamentit rus dhe ka jetuar edhe në Greqi. (Cvetkovska, 2018).
Daniel Suter në një artikull në vitin 2020 në “NATO Review”, argumentonte se: “Maqedonia e Veriut ishte një shembull i aktiviteteve të bashkërenduara propagandistike, diplomatike dhe inteligjente për gati dhjetë vjet përpara anëtarësimit të saj në NATO në vitin 2020 [nga Rusia]. Aktivitetet informative tani fokusohen në paraqitjen e vendit si viktimë të shteteve fqinje, Bullgarisë dhe Greqisë, dhe akuzimin e qeverisë aktuale pro-perëndimore në Shkup se po dorëzohet ndaj kërkesave të Sofjes për çështjen e identitetit. (Sunter, 2020)
Pra, ashtu si në rastin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, i njëjti angazhim i Rusisë ka vazhduar edhe në prishjen dhe dërgimin në konflikt ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë. (Европа, 2022)
Moska është dëshmuar e aftë në mjegullimin e kufijve midis veprimeve shtetërore zyrtare dhe jozyrtare në Ballkanin Perëndimor, shpesh duke e kanalizuar mbështetjen e saj përmes proxy-ve (McBride, 2023) si Serbia dhe Republika Srpska. Politika e Rusisë në rajon ka të bëjë gjithashtu me rekrutimin e të gjitha llojeve të mbështetjes ndihmëse për agjendën ndërkombëtare të Kremlinit. (Secrieru, 2021)
Serbia duke qenë Proxy i Rusisë, ka ofruarvazhdimisht leva të ndryshme kundër Maqedonisë së Veriut. Për të treguar se Serbia nuk është miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, Millosh Vuçeviq, në kohën kur u publikua ky punim kandidat për kryeministër i nominuar nga Vuçiqi, Ministër aktual i Mbrojtjes së Serbisë, po ashtu edhe kryetar i Partisë Progresive të Serbisë pasi Vuçiq dha dorëheqje, në një kërcënim të hapur, për median Pink tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e zemëruan Serbinë aq shumë kur njohën shtetin e Kosovës, sa që ky veprim do i godasë në kokë sikur po goditet Ukraina. (Radio Slobodna Evropa, 2023)
Mali i Zi kursin e vet politik filloi ta ndryshoj nga perëndimi drejt Rusisë dhe Serbisë nga viti 2020, Maqedonia e Veriut ka pasur një rrugëtim të kundërt ku deri me 2016 realisht ka qenë e udhëhequr nga një parti e cila ka pasur më shumë prirje pro-ruse dhe pro-serbe mjaftueshëm për ta frenuar drejt NATO-së.
Por në këtë rrugëtim drejt perëndimit, në rrugë Maqedonisë së Veriut nuk i doli vetëm Greqia, por me 2020 edhe Bullgaria e cila përdori të drejtën e vetos për të bllokuar Maqedoninë e Veriut drejt Bashkimit Evropian. Sipas Sofjes, gjuha maqedonase është thjesht bullgare me një emër tjetër, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk i njeh lidhjet e saj të përbashkëta kulturore dhe historike me Bullgarinë. Në të njëjtën kohë, Sofja kërkon që një pakicë bullgare [që nuk e kalon shifrën 3500 banorë] të përfshihet zyrtarisht në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Propozimi i ardhur nga Franca në qershor 2023 – gjatë presidencës së Parisit në BE – ofroi një sërë masash për të kapërcyer ngërçin aktual [duke përfshi edhe ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me njohjen e komunitetit bullgar si pakicë kombëtare], masa që u pranuan nga qeveria maqedonase, ndërsa opozita i refuzoi me vendosmëri (Samardjiev, 2024).
Por edhe pas këtij kompromisi me insistimin e Presidentit Francez, Emanuel Macron, qëndrimi bullgar duket se është i dyshimtë. Dy vjet pas marrëveshjes, presidenti Bullgar Rumen Radev me bindje pro-ruse deklaronte se: “Bullgaria nuk do të lejojë legjitimimin e maqedonizmit” (Президент На Република България, 2022).
Por në gusht të vitit 2023, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit për Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special në Ballkanin Perëndimor, deklaronte se kishte “biseduar personalisht me ministren e Jashtme të Bullgarisë, Mariya Gabriel dhe ajo e kishte siguruar atë se nëse Maqedonia e Veriut bën atë që ishte përshkruar në marrëveshjen aktuale, nuk do të kishte kushte të tjera të vendosura nga Bullgaria” (Reed, 2023).
Por, propozimi francez, i cili u bë propozim i BE-së, nuk u prit në mënyrë të mirë nga popullsia maqedonase. Sipas një sondazhi nga IPIS, 70%-80% e qytetarëve janë kundër këtij propozimi dhe nuk e duan anëtarësimin në BE sipas këtij propozimi. (Анкета На ИПИС: Над 70% Од Граѓаните Се Против Францускиот Предлог, 2022)
Pra, ky propozim arriti që rrugën drejt BE-së ta trondiste pasi si tërësi opinioni nuk është euroskeptik ku me 2023, 57% e maqedonasve etnikë dhe 78% e shqiptarëve janë pro anëtarësimit në BE. (Nikolovski & Kirchner, 2021)
Kjo gjë ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e frymës së partive me semgmente pro ruse dhe serbe si VMRO-DPMNE apo te tilla si deklaritivisht pro ruse dhe serbe që është Levica. Maqedonasit del që e duan BE-në por jo nën kushtet e marrëveshjes me Bullgarinë.
Profesori Eduard Joseph, duke krahasuar qasjen e Rusisë në Ukrainë dhe Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, thotë se:
“Lidhja është brishtësia e nacionalizmit ekstrem bullgar dhe rus. Në secilin rast, identiteti kombëtar është i rrënjosur në origjinën e supozuar të lashtë, që i është dhënë një ‘posedimi i humbur’ – Maqedonia dhe Ukraina, respektivisht. Në secilin rast, misioni nacionalist është të rivendosë dominimin, mbi historinë dhe gjuhën në veçanti, në një territor që u hoq padrejtësisht nga sundimtari i tij i ligjshëm në Sofje dhe Moskë. Në secilin rast, ekzistenca e thjeshtë e një identiteti të pavarur, “artificial” maqedonas ose ukrainas perceptohet – visceralisht dhe intelektualisht – si një mohim i plotë i identitetit autentik bullgar ose rus. Shkurtimisht, arritja e nënshtrimit të formalizuar të identitetit – zëvendës kompromisi ose respektimi i dallimeve – është mjeti për minimin e shtetësisë maqedonase dhe ukrainase (Joseph, 2023).
Lufta në Ukrainë dhe rrethanat e reja gjeopolitike
Fillimi i luftës në Ukrainë e solli prapë në vëmendje Maqedoninë e Veriut. Që nga fillimi i invazionit të Rusisë në Ukrainë, Maqedonia e Veriut tre herë ka deportuar dhe shpallur non grata diplomatë rus. Me 28 mars 2022, Maqedonia e Veriut ka deportuar pesë diplomatë rusë. (Radio Slobodna Evropa, 2022) Me 15 prill 2022, po ashtu ka deportuar gjashtë diplomatë rus dhe në deportimin e tretë me 12 shtator 2023 ka deportuar tre diplomatë rusë. (Radio Slobodna Evropa, 2023b)
Maqedonia e Veriut për herë të parë pas 17 vitesh, këtë vit do të mbaj zgjedhje të rregullta parlamentare të cilat kanë koinciduar në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale. Me 28 prill do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, përderisa raundi i dytë (nëse asnjë kandidat nuk i siguron mbi 50 % të votave), do të mbahet me 8 maj, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare.
Si duket ndikimi ruso-serb këtu nuk mungon ashtu si edhe në rastin e Malit të Zi, sloganet e mobilizimit në Mal të Zi që të ndalojnë rikthimin në pushtet të nacionalistëve malazezë duke iu referuar Partisë Socialiste Demokratike të dalë nga Gjukanovici, e njëjta ekuivalencë po përdoret edhe në Maqedoni të Veriut por vetëm me shprehje tjera si ajo “Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut – Përcaktojnë rrugën për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’” (Kosovo Online, 2024).
Dy ideologjitë, ose Dy projektet, Russky Mir (Bota Ruse) dhe Serpski Svet (Bota Serbe) janë angazhuar vazhdimisht që Ballkanin Perëndimor ta frenojnë drejt avancimit në BE dhe NATO.
Synimi i tyre ka qenë dhe mbetet që ta prishin unipolaritetin perëndimor në nivel global dhe Ballkanin Perëndimor. “Duke mbështetur Serbinë, Rusia po teston dëshirën e saj për një rend shumëpolar, të bazuar në një koncert të fuqive të mëdha. Në thelb të kësaj është një përpjekje e Moskës për të përmbysur rendin botëror unipolar që u perceptua në Ballkan në vitet 1990 dhe për të riafirmuar statusin e saj si një fuqi e madhe globale – një status që ajo mendon se i është mohuar gabimisht nga Perëndimi” (Vuksanovic, 2018).
Sipas ekspertëve rusë, një “koncert i fuqive” – ku Rusia është një nga menaxherët e shumtë të Ballkanit Perëndimor – është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar rivalitetit aktual rajonal dhe për të shkuar drejt një rendi më të mirë me shumë palë të interesuara. (Secrieru, 2018)
Autokracia e Putinit ashtu sikur edhe ato komuniste, nuk mund të thuhet se mbahen vetëm nga një person dhe nga një ideologji apo parti, por mbështetet në një grup shumë të gjerë aktorësh: shërbimin e inteligjencës, operativë politikë, oligarkë, organizata dhe subjekte të ndryshme ultranacionaliste, kompani shtetërore, hakerë paramilitarë duke përfshi kompani mercenarësh privat e të paligjshëm, media shtetërore dhe media të financuara në mënyra të ndryshme, kriminelë dhe trollë të internetit. Pra, është një amalgamë hibride aktorësh që e mbivendosin axhendën e shtetit rus bashkë me atë serb. Serbia duke qenë Proxy i Rusisë arrin në formë të përsosur të përfitojë nga rrjedha e interesit reciprok me Rusinë për të realizuar gjeopolitikat e planeve Russky Mir (Bota Ruse) dhe Serpski Svet (Bota Serbe).
Andaj, komplementariteti, historik, religjioz, ideologjik, civilizues dhe gjeopolitik ndërmjet Rusisë dhe Serbisë është holistik dhe real.
Influenca ruso-serbe si proces i dështimit të subjekteve në zhvillimin politik, ekonomik dhe social
Pakënaqësia me qeverinë aktuale, të cilën qytetarët e konsiderojnë se nuk ka ndikim në punët e jashtme të vendit, dhe besimi në përgjithësi në rënie në BE, ndikojnë në proceset politike dhe sociale, duke hapur dyert për aktorët e jashtëm si Rusia, Kina, Turqia dhe vendet Arabia si shtetet e Gjirit Persik – për të ushtruar ndikim. Zhgënjimi që shumë qytetarë në Maqedoninë e Veriut që ndjejnë ndaj BE-së i jep hapësirë Rusisë dhe aktorëve të tjerë të jashtëm në shoqërinë maqedonase. (Rechica, 2023)
Pra, thënë në fjalët e popullit i bie: “Në kohën e Gruevskit ka pasur vjedhje, por edhe ndërtim”. Një nga projektet e tij të mëdha ishte Shkupi 2014, një rinovim i kryeqytetit prej 800 milionë eurosh – një temë e polemikave të mëdha. (Dimitrievska, 2024)
Ndjenja e stagnimit të plotë dhe pafuqisë së madhe u përhap te qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Shumica prej tyre ende flasin vetëm për politikën e brendshme me përbuzje të thellë. Përveç kësaj, pothuajse askush nuk ka një opinion të mirë për Bashkimin Evropian dhe nuk pret ndonjë gjë pozitive nga Brukseli. Ata që munden, kërkojnë punë jashtë vendit. Emigrimi nga Maqedonia e Veriut është masiv – numri i banorëve është ulur me 10 për qind vitet e fundit dhe ka rënë në 1.8 milionë. (Brey, 2023)
Maqedonia e Veriut sikur edhe vendet e saj fqinje kanë rënë në kurthin e ruajtjes së politikave të mëdha dhe erozionin e brendshëm “uzurpokrat”.
Prioritizimi i stabilitetit nga Perëndimi (Stabiliokracia) mbi konsolidimin e vërtetë demokratik, ka rezultuar mbrapsht në mënyrë spektakolare. Kjo qasje i ka lejuar udhëheqësit pro-perëndimorë të kultivojnë “rrjetet e patronazhit” dhe të neglizhojnë reformat jetike socio-ekonomike, duke çuar përfundimisht në zhgënjim publik.
Rusia me lidhjet e saj historike, fetare dhe kulturore me disa vende të Ballkanit Perëndimor e sidomos me Serbinë, i kanë kapitalizuar pakënaqësite publike për interesa gjeopolitike. Ndikimi i tyre manifestohet jo vetëm nëpërmjet operacioneve të mundshme të fshehta, por edhe përmes promovimit të tregimeve që rezonojnë me ankesat e brendshme.
Zgjedhjet malazeze të vitit 2020, ku u rrëzua një qeveri properëndimore, shërben si një “paralajmërim i ashpër”. Ndërsa ndërhyrja e mundshme ruse dhe serbe meriton vigjilencë, sepse hulumtimi nënvizon rolin se zhgënjimi qytetar nga “uzurpokracia”, korrupsioni dhe stagnimi ekonomik dhe kjo ka nxitur ndjenjën kundër partive pro-perëndimore duke iu dhënë hapësirë partive anti-perëndimore.
Dështimi i zhvillimit të brendshëm ekonomik, beteja me Greqinë dhe tani përsëri me Bullgarinë si duket e kanë lodhur popullin në Maqedoni të Veriut.
Zgjedhjet si “zgjidhje” drejt Perëndimit apo rikthim në gjeopolitikë
Para zgjedhjeve të vitit 2016, Ljubço Georgievski me partinë e tij VMRO-NP kishte nisur një fushatë elektorale “Stop asimilimit serb të kombit maqedonas” (Filipovic & Pejic, 2015). Këto billborde ishin larguar shpejt nga rrugët e Maqedonisë së Veriut dhe mediat pro-pushtetit kishin akuzuar Georgievskin si pro-bullgar. Në atë kohë u bë ndarja e madhe e regjimeve politike ku pësoi rënie regjimi i Nikolla Gruevskit VMRO-DMPNE dhe fitoi LSDM-ja. Pra, pushteti në Maqedoni të Veriut me një busullë pothuajse pro-serbe dhe pro-ruse, u kthye në perspektivën pro-perëndimore, me faktor kyç shqiptarët.
Në zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare që pritet të mbahen në fund të prillit dhe fillim të majit, dilema pothuajse është e njëjtë por në formë të piramidës së përmbysur.
Zyrtarisht koalicionet e definuara janë: “Koalicioni për ardhmëri evropiane” që udhëhiqet nga LSDM-ja, “Maqedonia Jote” e VMRO-DPMNE-së, koalicioni “Me guxim për Maqedoninë” që udhëhiqet nga partia “Grom”, “Fronti Evropian” që udhëhiqet nga BDI-ja dhe koalicioni “Vlen” i opozitës shqiptare. Të vetëm në zgjedhje, marrin pjesë “Levica” dhe partia “Znam”. (Klan Macedonia, 2024)
Fronti Evropian me në krye Ali Ahmetin dhe Ziadin Selën, dy kundërshtarë të ashpër politik që u bashkuan tani, fushatën e tyre e kanë “kundër Rusisë, pro Europës (Lajme Sot, 2024)”. Mirëpo, tek shqiptarët, tek asnjëra palë nuk ka qasje pro-ruse apo pro-serbe, gjë që shqiptarët nuk përbëjnë asnjë rrezik për shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, Përplasja e dy koalicioneve shqiptare është e ashpër, në modelin politikë “jetë a vdekje”, por nuk është aspak më ndryshe në kampin maqedonas. Në kampin maqedonas madje ballafaqimi është në orientimin strategjik për Maqedoninë e Veriut. LSDM-ja pro-europiane e cila ka shprehur gatishmëri t’i votojë ndryshimet kushtetuese përballet me rritjen e madhe të VMRO-DPMNE-së e cila është kundër ndryshimeve kushtetuese. Në anën tjetër, Levica, një parti pro-ruse deklartivisht, sipas gazetarit Fitim Kryeziu, synon që të marrë të paktën 6 vende në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sulmi ndaj Maqedonisë së Veriut nëpërmjet luftës hibride
Maqedonia e Veriut është bërë vatër e përhapjes së luftës hibride jo vetëm për rajonin, por deri në ndikimin në zgjedhjet në SHBA.
Roli i Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA përfshinte përhapjen e lajmeve të rreme tek votuesit amerikanë përmes faqeve të internetit me bazë në Maqedoninë e Veriut. Këto faqe interneti u paraqitën si media konservatore amerikane, duke gjeneruar të ardhura nga reklamat në internet duke shpërndarë përmbajtje sensacionale dhe mashtruese që buronin nga faqet e internetit të teorive të konspiracionit të krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara. (Synovitz & Mitevska, 2020)
Industria e lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në Veles, fitoi famë për shpërndarjen e historive të rreme, duke përfshirë pretendimet si një aktakuzë penale joekzistente kundër Hillary Clinton dhe një miratim të fabrikuar të kandidaturës së Trump nga Papa Françesku. (Silverman & Alexander, 2016)
Ndikimi i industrisë së lajmeve të rreme të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA ishte i rëndësishëm, duke ndikuar në diskursin publik dhe duke ndikuar potencialisht në rezultatin e zgjedhjeve. Përhapja e informacionit mashtrues përmes platformave të mediave sociale arriti në miliona amerikanë, duke krijuar një efekt përforcues që shtrembëronte faktet dhe përhapte narrativa të rreme
Pavarësisht përpjekjeve të Facebook dhe Twitter (X) për të hequr llogaritë e rreme të lidhura me operatorët e Veleshit, faqet e internetit maqedonase përshtatën strategjitë e tyre për të vazhduar synimin e amerikanëve konservatorë me përmbajtje mashtruese. (Synovitz & Mitevska, 2020).
Organizatat ndërkombëtare të medias fillimisht raportuan se industria e lajmeve të rreme në Velesh drejtohej nga adoleshentë me njohuri teknologjike. Por një hetim në vitin 2018 nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe partnerët e tij zbuloi “lojtarë sekretë” pas industrisë së lajmeve politike në gjuhën angleze në Velesh.
Ai raport hetimor zbuloi se faqet e internetit “nuk u krijuan spontanisht nga adoleshentët apolitikë” me vetëm një zotërim rudimentar të anglishtes dhe u nis nga një avokat i njohur i medias maqedonase Trajçe Arso i cili punoi ngushtë me dy partnerë të profilit të lartë amerikan për të paktën gjashtë muaj gjatë një periudhe që përputhej me ditën e zgjedhjeve, shkruante OCCRP.
Hetimi i OCCRP zbuloi gjithashtu se të paktën një punonjës i “fabrikës së trolleve” famëkeqe të Rusisë, Agjencia e Kërkimeve të Internetit (IRA) në Shën Petersburg, kishte vizituar Maqedoninë e Veriut vetëm tre muaj përpara se Arsov të regjistronte domenin e internetit në vitin 2015, Usapoliticstoday.com.
Punonjësja e IRA-s, Anna Bogacheva, ishte gjithashtu në mesin e një grupi rusësh të paditur nga Prokurori i Posaçëm i SHBA Robert Mueller gjatë hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 e cila kishte vizituar Maqedoninë e Veriut. (Cvetkovska et al., 2018)
Problemi pothuajse i njëjtë u shfaq përsëri në vitin 2020 me qendër prapë në Veles. Sipas një hulumtimi nga Studiuesit e internetit nga Universiteti Standford thonë se faqet e internetit të “klikimeve partiake” në Velesh, Maqedonia e Veriut, po paraqiten edhe një herë si media konservatore të lajmeve të SHBA-së, me qëllim që të mbledhin të ardhura nga reklamat në internet.
Këto “ferma të përmbajtjes” në Veles ende “ndjekin traditën e kopjimit të përmbajtjes” nga faqet e internetit më të njohura të teorisë së konspiracionit të krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara, thonë studiuesit. Por faqet e internetit maqedonase kanë “përpunuar taktikat e tyre që nga viti 2016 për të fshehur gjurmët e tyre dhe për të shfrytëzuar platformat e mediave sociale të krahut të djathtë që kanë më pak gjasa të heqin një përmbajtje të tillë,” përfundojnë ata. (Cable et al., 2020)
Pra, përkrahja për krahun e djathtë në SHBA ishte shumë e fuqishme nga mbi 100 uebsajte të identifikuara me 2016.
Djathtizmi e që në fakt do të duhej të paraqiste në realitet konservatorizmin nga forcat ruse dhe serbe shihet si një mundësi për të realizuar interesat e tyre gjeopolitike.
Nëse shohim se kujt i intereson një president në SHBA që i ndryshon linjat e vendosura deri më tani, atëherë atë mund ta kuptojmë nga udhëheqësja e fushatës “SerboAmerikanët për Trumpin”. Ajo është Olga Ravasi, e cila duke arsyetuar organizimin e “SAVA PAC” për mbledhjen e serbëve të votojnë pro-Donald Trump thoshte: “…për shkak se i kishin zhgënjyer presidentët e mëparshëm Bill Klinton, Xhorxh Bushi i riu dhe Barak Obama. Presidenti Trump, pastaj Grenell, Douglas McGregor, madje edhe zëvendëspresidenti Pence, këta janë njerëzit që hoqën vijat e kuqe kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Metohinë. Deri më tani ishte një temë e përfunduar… Tani horizontet janë të hapura dhe shumë më tepër varet nga ne dhe aftësitë tona. Duhet të ndikojmë në gjërat, të kemi një strategji, të lobojmë. Duhet të jemi proaktivë dhe të mos ulemi e të presim që dikush të na “kthejë” diçka.” (Kovačević, 2020)
Pra, të rinjtë të angazhuar në këtë projekt me qendër në Velesh, nuk mund të ishte rastësi së pari ngritja e tyre shumë shpejtë, ideja e përkrahjes së Trumpit dhe se kujt i konvenonte gjithë ky organizim, në këtë projekt mund të mos ketë qenë fare i përfshirë askush nga grupi i Trumpit, por nga ata që kanë pasur interesa të caktuara që Trumpi të bëhet president, nga vende si Rusia dhe Serbia.
Nga Maqedonia e Veriut gjatë periudhës së pandemisë “COVID19” kishin dalë edhe dezinformata për koronavirusin, ku facebook ishte angazhuar në mbylljen e atyre faqeve (Collins & Zadrozny, 2020).
Maqedonia e Veriut është përballur me intensifikim të sulmeve kibernetike që nga fillimi i luftës në Ukrainë, por sulme të tilla ka pasur edhe para fillimit të luftës në Ukrainë (Marusic, 2022).
Më 21 shkurt 2023, më shumë se 30 lokacione u evakuuan në Shkup dhe një në qytetin e Prilepit pasi autoritetet morën kërcënime të rreme për bomba. Kërcënimet synonin një gamë të gjerë lokacionesh, duke përfshirë pallatin presidencial për herë të parë, por edhe shkollat, institucionet publike, stacionet televizive, gjykatat, qendrat tregtare, ndërtesat e banimit, muzetë dhe hotelet. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar se dërguesit e kërcënimeve të rreme me bomba janë të vështirë për t’u zbuluar dhe se sulmet përfaqësojnë një formë të luftës hibride (Dimitrevska, 2023).
Pas këtyre sulmeve ishte angazhuar efektivisht edhe NATO në ndihmë të Maqedonisë së Veriut për tu përballur me pasojat e sulmeve hibride dhe për t’i frenuar ato në të ardhmen. (NATO, 2023)
Por edhe bashkëpunimi me NATO-në në parandalimin e luftës hibride, si duket nuk ka sjellë rezultatet e pritura, në vitin 2024 Veleshi prap është bërë qendër e krimit kibernetik. Ky krim kibernetik ka ndodhur duke përdorur shitjen e “kartelave dixhitale” ku personave u kërkohej një investim në to me arsyetimin se ato mbanin 200.000 dollarë janë bërë duke e shfrytëzuar personalitetin e Donald Trumpit. Nga 69 njerëz të identifikuar në këtë rrjet, 2/3 e tyre gjurmët dixhitale i kanë të vendosura në Velesh. Ata shitjet i bëjnë duke e shfrytëzuar platformën Telegram, (Katic et al., 2024) një rrjet social ku sot postohen më së shumti lajme dhe bëhen koordinime të grupeve për interesa të caktuara nga Rusia dhe Serbia.
Lufta hibride si duket e ka dëmtuar shumë Maqedoninë e Veriut në aspektin politik, institucional dhe shtetëror sa ka bërë që zyrtarë nga ky shtet, fajtorë për këto ngjarje ta akuzojnë edhe BE-në.
Këtë luftë hibride sipas Bujar Osmanit, ministër i jashtëm në detyrë i Maqedonisë së Veriut është duke e mundësuar edhe vonesa e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ai shprehet se: “Frustrimi për vonesën në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE po krijon një hapje për Rusinë që të mbjellë përçarje në vend përmes një ‘arsenali’ të luftës hibride” (Jones, 2024).
Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut Slavjanka Petrovska thoshte se “qëllimet e sulmeve hibride dhe kibernetike janë të paralizojnë institucionet shtetërore dhe të pengojnë funksionimin normal e të qetë të institucioneve shtetërore dhe të sektorit privat. Pasojat e sulmeve të tilla i ndjejnë një numër i madh i qytetarëve. Një supozim në lidhje me sulmet hibride gjithnjë e më të shpeshta dhe qëllimin e tyre për të prishur jetën shoqërore është krijimi i pakënaqësisë që do të reflektohet në kutinë e votimit. Do të thotë, ato do të shkaktonin një krizë dhe një ulje të mbështetjes midis aktorëve dhe qeverive properëndimore” (Gjorgovski & Petrovska, 2023).
Lufta hibride në Maqedoninë e veriut ka qenë dhe mbetet në shumë nivele një sfidë pasi mund ta destabilizojë vendin pa iu drejtuar një konflikti të hapur, pasojat e kësaj luftë janë shqetësuese pasi ato përfshijnë:
• Dobësimin e vendosmërisë pro-perëndimore
Fushatat e dezinformimit, një element kyç i luftës hibride, mund të gërryejnë besimin e publikut në institucionet demokratike të Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimin e saj për integrimin euroatlantik. Këto fushata shpesh përhapin narrativa të rreme dhe shfrytëzojnë ndarjet ekzistuese sociale, duke dobësuar mbështetjen publike për reformat properëndimore.
• Tensionet etnike dhe brishtësia:
Rusia dhe Serbia mund të shfrytëzojnë këto ndarje etnike ekzistuese për të mbjellë mosmarrëveshje dhe për të ndezur trazira. Kjo mund të çojë në një destabilizim të rajonit, duke rrezikuar potencialisht paqen e brishtë të arritur pas kryengritjes së vitit 2001.
• Manovrim i kufizuar ekonomik dhe politik:
Rusia dhe Serbia mund të përdorin lidhjet ekonomike dhe ndikimin politik për të bërë presion ndaj Maqedonisë së Veriut që të përafrohet me qëllimet e tyre të politikës së jashtme. Kjo mund të kufizojë autonominë e Maqedonisë së Veriut në skenën ndërkombëtare dhe të pengojë aftësinë e saj për të ndjekur politika të pavarura.
Ndërsa pasojat e mundshme janë shqetësuese, ndikimi i luftës hibride nga Rusia dhe Serbia në Maqedoninë e Veriut është një çështje komplekse që kërkon analiza të vazhdueshme. Ndërsa shtrirja e plotë e kërcënimit mbetet e paqartë, potenciali për dobësimin e institucioneve pro-perëndimore, nxitjen e tensioneve etnike, kufizimin e autonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe riorientimin strategjik kërkon një përgjigje vigjilente.
Konkluzione
Proceset zgjedhore kanë filluar të evoluojnë nga çështje të brendshme social-politik dhe ekonomik, në një forcë kryesore në formimin e politikës dhe gjeopolitikës. Zgjedhjet në SHBA nga viti 2016 e deri më sot, pastaj në Gjermani, Itali dhe vende tjera të Evropës tregojnë se ndryshimet ideologjike të partive nuk janë duke u paraqitur vetëm si ndryshime të brendshme në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror por edhe atë të jashtëm gjeopolitik. Por këto ndryshime po godasin më së shumti vendet e treta. Regjimet autokratike, si Rusia dhe Serbia, e kanë njohur potencialin e proceseve zgjedhore nëpërmjet luftës hibride si një armë për të ushtruar ndikim në demokracitë e brishta, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ky manipulim i proceseve demokratike është një manifestim i luftës hibride, ku përdoren strategji politike, ekonomike dhe informative për të arritur objektivat strategjikë.
Së fundmi, jemi dëshmitarë edhe të deklaratës së kancelarit gjerman Olaf Scholz mbi zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar qartazi që të votohet LSDM-ja. Kjo deklarata e z. Scholz nuk është thjesht një preferencë personale e tij, por një lëvizje e llogaritur brenda një strategjie gjithëpërfshirëse për të mbrojtur interesat kryesore të NATO-s dhe BE-së në rajonin strategjik të Ballkanit Perëndimor.
Çdo ndryshim në peizazhin politik të Maqedonisë së Veriut që nuk përputhet me interesat e Perëndimit mund të krijojë potencialisht një bosht të rrezikshëm anti-perëndimor dhe quasi perëndimor, duke përfshirë Serbinë, Republikën Srpska, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ky zhvillim mund të ketë implikime të gjera për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit, dhe si rrjedhojë, për interesat e Perëndimit.
Në këtë kontekst, proceset zgjedhore janë bërë një komponent kritik i ndikimit gjeopolitik, duke formuar aleancat dhe duke ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si e tillë, të kuptuarit e dinamikës së politikës zgjedhore në vendet e treta është thelbësore për të hulumtuar në kompleksitetin e rendit bashkëkohor global. Pra jemi në trendin “zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë”.
Shembull, në SHBA sfida elektorale mes pretendentëve Joe Biden dhe Donald Trump nuk është thjesht një duel politik brenda kufijve të tyre, por gjithashtu është një spektakël që mund të prekë thellësisht strukturat gjeopolitike globale.
Në këtë kontekst, vëzhgohet me kujdes se si ndryshimi i qeverisë në SHBA potencialisht mund të ndikojë në orientimin e saj gjeopolitik dhe në marrëdhëniet me aktorët ndërkombëtarë.
Gjatë kësaj periudhe zgjedhore, është e vështirë për të mos vënë re ndikimin e interesave të jashtme në fushatën dhe rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Në një mjedis gjeopolitik të ndryshuar dhe të rëndësishëm, aktorët ndërkombëtarë përdorin mjetet e tyre diplomatike, ekonomike dhe propagandistike për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në vendin më të fuqishëm në botë.
Në këtë mënyrë, vendimi elektoral nuk do të jetë vetëm një manifestim i preferencave politike të popullsisë amerikane, por gjithashtu një shprehje e përcaktimit të përgjegjësive dhe sfidave që i takojnë një lideri të ri të përzgjedhur në kontekstin e një bote në ndryshim.
Në kontekstin e sfidave gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, veprimet e Rusisë dhe Serbisë nëpërmjet përdorimit të strategjive të luftës hibride në Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë një përpjekje të qartë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe për të manipuluar strukturat politike në favor të interesave tyre. Në këtë skenar, qëllimi është krijimi i një situate politike të paqëndrueshme, e cila do të rezultojë në një qeverisje të pasigurt, e cila do të mbajë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të ngjashme me atë të Malit të Zi.
Në detaj, kjo strategji synon që të sigurojë një fitore për partitë e djathta nacionaliste si VMRO-DPMNE, duke ndërlidhur ato me një lëvizje të majtë siç është Levica, për të krijuar një koalicion qeverisës që përfshinë edhe ndonjë koalicion shqiptar në emër të multietnicitetit dhe garancisë kinse pro-perëndimore, megjithatë, në kushtet e një qeverisje të tilla, nuk mund të garantohet një stabilitet shtetëror dhe institucional.
Në këtë situatë, fuqitë perëndimore do të jenë të detyruara të pranojnë një strukturë të tillë qeverisje në emër të stabilitetit, siç kanë vepruar më parë në rastin e Malit të Zi. Stabiliteti mund të rikthehet në një sfidë por jo nga faktori shqiptar pasi është e rëndësishme të përcaktojmë se rreziku i përkeqësimit të tensioneve etnike në Maqedoninë e Veriut nuk ka burim në faktorin shqiptar. Në vend të kësaj, tensionet etnike kryesisht vijnë nga faktorët e brendshëm maqedonas.
Shqiptarët, qofshin ata në aspektin politik apo etnik, kanë demonstruar një ndërgjegje shtetërore të qëndrueshme ndaj Maqedonisë së Veriut, duke ruajtur një orientim pro-perëndimor dhe duke shprehur vullnetin e tyre për të qenë pjesë e strukturave shtetërore dhe politike të vendit. Ky qëndrim i tyre i përhershme ka përbërë një element stabilizues në peizazhin politik të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nga ndryshimet në karakteret ideologjike dhe strategjike të partive politike nga ana maqedonase.
Prandaj, për të kuptuar dhe adresuar tensionet etnike në Maqedoninë e Veriut, duhet të kthehemi te sfidat dhe dinamikat brenda komunitetit maqedonas, duke i shqyrtuar ato në kontekstin e historisë së vendit dhe të politikës së brendshme, dhe duke identifikuar burimet e tyre kryesore për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata për stabilitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut.
Për të ruajtur integritetin Maqedonia e Veriut dhe për të shmangur influencën e përhapur ruso-serbe, një nga sfidat kryesore që duhet ta marrë seriozisht është zhvillimi ekonomik dhe social. Për të arritur këtë objektiv, është e rëndësishme që klasat politike, intelektuale e qytetare më Maqedonia e Veriut të luajnë rolin e patriotëve të vërtetë, duke u përpjekur për të mbrojtur mëvetësinë e saj dhe duke përparuar në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Ky proces kërkon që aktorët politikë dhe shoqërorë të vendit të punojnë në harmoni për të shmangur përfshirjen e politikave të jashtme që mund të çojnë në kapjen e shtetit, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përparimin e vendit. Në kundërshtim, mosmarrëveshjet dhe tensionet politike mund të shkaktojnë revoltë sociale dhe destabilizim, duke rrezikuar ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si një entitet shtetëror në strukturën e tashme politike.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vlerësojë seriozisht sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke marrë si shembull përballjen dhe trajtimin e tyre nga Malit të Zi. Lidhja e fortë me NATO-në dhe përpjekjet për integrim në Bashkimi Evropian janë gjithashtu thelbësore për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e vendit në një kontekst të ndryshuar gjeopolitik. Prandaj, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të kuptojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur për të ruajtur integritetin dhe për të përmbushur objektivat e saj strategjike në skenën ndërkombëtare.
_______________________________
* Dr Gurakuç KUÇI është hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin Shqiptar për Gjeopolitikë
Referenca
Benakis, T. (2018, July 12). Greece, Russia to expel diplomats in ‘Macedonia’ row. European Interest. Retrieved April 3, 2024, from https://www.europeaninterest.eu/greece-russia-expel-diplomats-macedonia-row/
BIRN. (2018, May 18). Russia accuses West of backing ‘Greater Albania.’ Balkan Insight. Retrieved April 6, 2024, from https://balkaninsight.com/2017/03/03/russia-jumps-into-macedonia-election-crisis-03-03-2017/
Brey, T. (2023, August 30). Građani Sjeverne Makedonije više ne žele čekati Europu. dw.com. Retrieved April 4, 2024, from https://www.dw.com/hr/gra%C4%91ani-sjeverne-makedonije-vi%C5%A1e-ne-%C5%BEele-%C4%8Dekati-europu/a-66660820
Cable, J., Garcia-Camargo, I., Diresta, R., Stanford Internet Observatory, & Graphika Team. (2020, October 13). A look into viral North Macedonian content Farms — Election integrity partnership. Election Integrity Partnership. Retrieved April 9, 2024, from https://www.eipartnership.net/2020/north-macedonian-content-farms
Collins, B., & Zadrozny, B. (2020, May 29). Troll farms from North Macedonia and the Philippines pushed coronavirus disinformation on Facebook. NBC News. Retrieved April 9, 2024, from https://www.nbcnews.com/tech/tech-news/troll-farms-macedonia-philippines-pushed-coronavirus-disinformation-facebook-n1218376
Cvetkovska, S. (2018, July 16). Russian businessman behind unrest in Macedonia. Retrieved April 4, 2024, from https://www.occrp.org/en/investigations/8329-russian-businessman-behind-unrest-in-macedonia.
Cvetkovska, S., Belford, A., Silverman, C., & Feder, J. L. (2018, July 18). The secret players behind Macedonia’s fake news sites – OCCRP. OCCRP. Retrieved April 9, 2024, from https://www.occrp.org/en/spooksandspin/the-secret-players-behind-macedonias-fake-news-sites
Deutsche Welle. (2018a, June 13). Macedonia’s president rejects new name deal. dw.com. Retrieved April 4, 2024, from https://www.dw.com/en/macedonian-president-ivanov-says-he-wont-sign-disastrous-name-deal-with-greece/a-44212040
Deutsche Welle. (2018b, July 11). Greece to expel two Russian diplomats, ban two others. dw.com. Retrieved April 3, 2024, from https://www.dw.com/en/greece-to-expel-two-russian-diplomats-ban-two-others-newspaper/a-44628127
Dimitrevska, V. (2023, February 22). North Macedonia steps up security after cyber attacks and bomb hoaxes linked to Ukraine war. Retrieved April 6, 2024, from https://www.intellinews.com/north-macedonia-steps-up-security-after-cyber-attacks-and-bomb-hoaxes-linked-to-ukraine-war-270736/
Dimitrievska, V. (2024, February 9). Voters prepare to punish North Macedonia’s ruling SDSM for broken promises. Retrieved April 4, 2024, from https://www.intellinews.com/long-read-voters-prepare-to-punish-north-macedonia-s-ruling-sdsm-for-broken-promises-310569/
Dojčinović, A. B. S. C. B. S. a. S. (2017, June 4). Leaked documents show Russian, Serbian attempts to meddle in Macedonia – OCCRP. OCCRP. Retrieved April 3, 2024, from https://www.occrp.org/en/spooksandspin/leaked-documents-show-russian-serbian-attempts-to-meddle-in-macedonia/
Drapak, M. (2023). Kremlin’s influence on Bulgaria, North Macedonia, and Montenegro in the context of Russian aggression against Ukraine. Analytical Portal. https://analytics.intsecurity.org/en/bulgaria-and-macedonia-montenegro/
Filipovic, V., & Pejic, M. (2015, November 25). HAJKA NA SRBE Skandalozni bilbordi mržnje po celom Skoplju, ljudi u strahu. Blic.rs. Retrieved April 4, 2024, from https://www.blic.rs/vesti/politika/hajka-na-srbe-skandalozni-bilbordi-mrznje-po-celom-skoplju-ljudi-u-strahu/l0w6dbt
Gazeta Shqip. (2017, April 28). Maqedoni, 102 të plagosur nga trazirat. Gazeta Shqip. Retrieved April 6, 2024, from https://gazeta-shqip.com/2017/04/28/maqedoni-102-te-plagosur-nga-trazirat/
Gjorgovski, J., & Petrovska, S. (2023, September 15). “North Macedonia has made a clear national decision.” New Eastern Europe. Retrieved April 6, 2024, from https://neweasterneurope.eu/2023/05/04/north-macedonia-has-made-a-clear-national-decision/
Jones, M. G. (2024, January 24). Russia trying to ‘hijack’ frustration with EU accession delay – North Macedonia FM. Euronews. Retrieved April 6, 2024, from https://www.euronews.com/my-europe/2024/01/24/russia-trying-to-hijack-frustration-with-eu-accession-delay-north-macedonia-fm
Joseph, E. P. (2023, November 25). How U.S. history can save North Macedonia and defeat Putinism in the Balkans – The SAIS Review of International Affairs. The SAIS Review of International Affairs. Retrieved April 4, 2024, from https://saisreview.sais.jhu.edu/how-u-s-history-can-save-north-macedonia-and-defeat-putinism-in-the-balkans/
Katic, M., Jevtovic, M., Nikolovska, B., Jankovic, J., & Jovanovic, N. (2024, February 27). Made in Macedonia: Americans lose millions buying fake Donald Trump debit cards. RadioFreeEurope/RadioLiberty. Retrieved April 9, 2024, from https://www.rferl.org/a/macedonia-trump-debit-cards-scam/32836128.html
Keohane, R. O. (1984). After Hegemony: Cooperation and discord in the world Political economy. Foreign Affairs, 63(2), 414. https://doi.org/10.2307/20042201
Klan Macedonia. (2024, March 30). Zgjedhjet 2024/ Fundjava e promovimeve të koalicioneve dhe listave! Klan Macedonia. Retrieved April 4, 2024, from https://tvklan.mk/zgjedhjet-2024-fundjava-e-promovimeve-te-koalicioneve-dhe-listave/
Kosovo Online. (2024, February 26). Elections in North Macedonia – determining the path towards the creation of “Greater Albania.” Kosovo Online. Retrieved April 4, 2024, from https://www.kosovo-online.com/en/news/kontext/elections-north-macedonia-determining-path-towards-creation-greater-albania-26-2-2024
Kovačević, A. (2020, November 20). INTERVJU, OLGA RAVASI: Vreme je da američki Srbi izađu iz apatije i ujedine se oko Trampa, jer su njegovi neprijatelji i naši! | Serbiantimes.info. Serbiantimes.info. Retrieved April 9, 2024, from https://serbiantimes.info/intervju-olga-ravasi-vreme-je-da-americki-srbi-izadu-iz-apatije-i-ujedine-se-oko-trampa-jer-su-njegovi-neprijatelji-i-nasi/
Kunz, J. L., & Morgenthau, H. J. (1948). Politics among Nations. The Struggle for Power and Peace. the Western Political Quarterly/the Western Political Quarterly, 1(4), 461. https://doi.org/10.2307/442951
Lajme Sot. (2024, March 30). Sot u bashkua i gjithë Fronti i fitores kundër Rusisë, pro Europës. LajmeSot.mk. Retrieved April 4, 2024, from https://lajmesot.mk/sot-u-bashkua-i-gjithe-fronti-i-fitores-kunder-rusise-pro-europes/
Marusic, S. J. (2022, September 14). North Macedonia Warned Over Cyber Safety amid Ongoing Attack. Balkan Insight. Retrieved April 6, 2024, from https://balkaninsight.com/2022/09/13/north-macedonia-warned-over-cyber-safety-amid-ongoing-attack/
McBride, J. (2023, November 21). Russia’s influence in the Balkans. Council on Foreign Relations. Retrieved April 4, 2024, from https://www.cfr.org/backgrounder/russias-influence-balkans#chapter-title-0-5
Mearsheimer, J. J. (2001). The tragedy of great power politics. W. W. Norton & Company.
Moravcsik, A. (1997). Taking Preferences seriously: A liberal theory of international politics. International Organization, 51(4), 513–553. https://doi.org/10.1162/002081897550447
Mujanović, J. (2018a). Conclusions. In Hunger and Fury: The crisis of democracy in the Balkans (p. 171). Oxford University Press.
Mujanović, J. (2018b). Geopolitics and the Crisis of Democracy in the Western Balkans. In Hunger and Fury: The crisis of democracy in the Balkans (p. 127). Oxford University Press.
NATO. (2023, March 7). NATO team in North Macedonia to help against hybrid attacks. Retrieved April 6, 2024, from https://www.nato.int/cps/en/natohq/news_212621.htm?selectedLocale=en
Nedos, V. (2018, July 11). Greece decides to expel Russian diplomats. kathimerini.gr. Retrieved April 4, 2024, from https://www.ekathimerini.com/news/230551/greece-decides-to-expel-russian-diplomats/
Nikolovski, I., & Kirchner, M. J. (2021). Political rollercoaster. An eventful year for North Macedonia on its EU path. In Konrad Adenauer Foundation in the Republic of North Macedonia Institute for Democracy “Societas Civilis” – Skopje (No.02/2021). Konrad Adenauer Foundation in the Republic of North Macedonia Institute for Democracy “Societas Civilis” – Skopje. Retrieved April 4, 2024, from https://www.kas.de/en/web/nordmazedonien/single-title/-/content/analysis-of-the-public-opinion-about-the-north-macedonia-s-accession-to-the-european-union-2014-2023
Noack, R. (2021, December 1). Russia blames the U.S. after protesters storm Macedonia’s parliament. Washington Post. Retrieved April 3, 2024, from https://www.washingtonpost.com/news/worldviews/wp/2017/04/28/russia-blames-the-u-s-after-protesters-storm-macedonias-parliament/
Radio Slobodna Evropa. (2022, March 28). Македонија протера петмина руски дипломати. Радио Слободна Европа. Retrieved April 4, 2024, from https://www.slobodnaevropa.mk/a/31774150.html
Radio Slobodna Evropa. (2023a, August 20). Ministar odbrane Srbije: Crnoj Gori i Sjevernoj Makedoniji će se obiti o glavu priznanje Kosova, kao što je Ukrajini. Radio Slobodna Evropa. Retrieved April 4, 2024, from https://www.slobodnaevropa.org/a/vucevic-crna-gora-makedonija-priznanje-kosova/32555915.html
Radio Slobodna Evropa. (2023b, September 18). Македонските власти протераа тројца руски дипломати. Радио Слободна Европа. Retrieved April 4, 2024, from https://www.slobodnaevropa.mk/a/makedonskite-vlasti-proteraa-trojca-ruski-diplomati-/32595555.html
Rechica, V. (2023, June 19). The disappointment towards the West nurtures anti-democratic sentiments in North Macedonia | Politics |. Res Publica. Retrieved April 4, 2024, from https://respublica.edu.mk/blog-en/politics/the-disappointment-towards-the-west-nurtures-anti-democratic-sentiments-in-north-macedonia/?lang=en
Reed, M. (2023, August 26). Escobar: Not asking people to support the government but to support European path. Mia.mk. Retrieved April 4, 2024, from https://mia.mk/en/story/escobar-not-asking-people-to-support-the-government-asking-them-to-support-the-european-path
Samardjiev, A. (2024, February 5). North Macedonia, new elections coming. OBC Transeuropa. Retrieved April 4, 2024, from https://www.balcanicaucaso.org/eng/Areas/North-Macedonia/North-Macedonia-new-elections-coming-229708
Secrieru, S. (2018). RUSSIA IN THE WESTERN BALKANS: Tactical wins, strategic setbacks. European Union Institute for Security Studies. Retrieved April 4, 2024, from https://ethz.ch/content/dam/ethz/special-interest/gess/cis/center-for-securities-studies/resources/docs/EUISS_Brief%208%20Russia%20Balkans_0.pdf
Secrieru, S. (2021, July 19). Russia in the Western Balkans. European Union Institute for Security Studies. Retrieved April 4, 2024, from https://www.iss.europa.eu/content/russia-western-balkans#_make_the_balkans_multipolar_again
Silverman, C., & Alexander, L. (2016, November 3). How teens in the Balkans are duping Trump supporters with fake news. BuzzFeed News. Retrieved April 9, 2024, from https://www.buzzfeednews.com/article/craigsilverman/how-macedonia-became-a-global-hub-for-pro-trump-misinfo#.xxbDgkEbw
Smith, H. (2019, November 26). Putin says US wants to “assert dominance” in Balkans as Macedonia changes name. The Guardian. Retrieved April 4, 2024, from https://www.theguardian.com/world/2019/jan/16/putin-says-us-wants-to-assert-dominance-in-balkans-as-macedonia-changes-name
Sunter, D. (2020, December 21). NATO Review – Disinformation in the Western Balkans. NATO Review. Retrieved April 4, 2024, from https://www.nato.int/docu/review/articles/2020/12/21/disinformation-in-the-western-balkans/index.html
Synovitz, R., & Mitevska, M. (2020, October 23). “Fake news” sites in North Macedonia pose as American conservatives ahead of U.S. election. RadioFreeEurope/RadioLiberty. Retrieved April 9, 2024, from https://www.rferl.org/a/macedonia-fake-news-sites-us-election-conservatives/30906884.html
Trpkovski, G. (2018, May 18). Kremlin ‘Guru’ rouses Anti-Western feeling in Macedonia. Balkan Insight. Retrieved April 3, 2024, from https://balkaninsight.com/2018/03/05/kremlin-guru-rouses-anti-western-feeling-in-macedonia-03-05-2018/
Vuksanovic, V. (2018, July 27). Serbs are not “Little Russians.” The American Interest. Retrieved April 4, 2024, from https://www.the-american-interest.com/2018/07/26/serbs-are-not-little-russians/
Waltz, K. N. (1980). Theory of International Politics. Political Science Quarterly, 95(1), 136–137. https://doi.org/10.2307/2149594
Wendt, A. (1995). Constructing international politics. International Security (Print), 20(1), 71. https://doi.org/10.2307/2539217
Анкета на ИПИС: Над 70% од граѓаните се против францускиот предлог. (2022, July 7). Сител Телевизија. Retrieved April 4, 2024, from https://sitel.com.mk/anketa-na-ipis-nad-70-od-gragjanite-se-protiv-francuskiot-predlog
Европа, Р. С. (2022, April 2). Петков – Руските агенти работеле против добрососедските односи на Бугарија и Македонија. Радио Слободна Европа. Retrieved April 4, 2024, from https://www.slobodnaevropa.mk/a/31782827.html
Митевска, М. (2015, January 23). Србизација на Македонија? Радио Слободна Европа. Retrieved April 3, 2024, from https://www.slobodnaevropa.mk/a/26809481.html
Президент на Република България. (2022, May 4). President.bg. Retrieved April 4, 2024, from https://m.president.bg/en/news6555/address-by-president-rumen-radev-at-the-national-conference-european-perspective-on-good-neighbourly-relations-between-the-republic-of-bulgaria-and-the-republic-of-north-macedonia
____________________