Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ndërkohë që kriza e re mes BE-së, Ukrainës dhe SHBA-së vazhdon, Rusia ka ndërmarrë një fushatë sulmesh për të ndryshuar perceptimin dhe manipuluar luftën. Dhe natyrisht objektivi kryesor mbetet aleanca perëndimore NATO. Dy takimet e të nivelit të lartë të shteteve evropiane në Paris janë të pamjaftueshme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me SHBA-në.
Në raste të tilla, gjithmonë ngjarjet e së kaluarës mbeten aktuale për zhvillimet e sotme. Kështu në vitin 1997 diplomati dhe akademiku amerikan George Kennan, (1904-2005) e quajti zgjerimin e NATO-s drejt lindjes në Evropën Qendrore, si” gabimi më fatal i politikës amerikane pas Luftës së Ftohtë”.
Një zgjerim që dëmtonte sipas tij marrëdhëniet ruso-amerikane. Por, pas tre dekadave, gjërat ndryshuan në kahje të paparashikueshme me ardhjen e sërishme të Donald Trumpit, i cili si asnjë president tjetër amerikan pas 1945-ës nuk ka qenë kurrë më afër Rusisë, duke e bërë Moskën si një partner të barabartë me mundësi që ky partnership të kthehet në një bllok kundër Evropës. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një intervistë për “Catherine Herridge Reports” (CHR) se Rusia është faktor. “Deshëm apo jo Rusia është faktor global”.
Përkundër linjës së butë amerikane për të hapur një kapitull të ri me Rusinë, mediat ruse të kontrolluara nga qeveria, duke e parë përçarjen e hapur që po vazhdon në mes Ukrainës, BE-së dhe SHBA-së, kanë filluar të tallen me Perëndimin dhe NATO-n. Këtu rolin kryesorë e luan “Sputniku” dhe “Rusia Today” të cilët kanë forcuar dezinformimin kundër BE-së, Kievit dhe NATO-s.
I gjithë edicioni dhe raportet e “Sputnikut” ditëve të fundit përfshinë institucionet e Perëndimit se si po dobësohen nga përçarja e re dhe ardhmëria e tyre po sipas “Sputnikut” është në pyetje se kur do të shpërbëhen. Raportit të pakonfirmuar të gazetës gjermane “Der Spigel” se presidenti amerikan Donald Trump do të tërheqë trupat amerikane nga vija e frontit të NATO-s me Rusinë në Baltik, propaganda ruse i jep një kahje tjetër, duke e parë nga këndi i bisedimeve të fundit në Arabinë Saudite.
“Presidenti amerikan po kërkon të tërheqë forcat amerikane nga Evropa”. Këtu kemi një mashtrim nga “Sputniku” pasi deri më tani asnjë zyrtarë amerikanë nuk është shprehur rreth mundësisë së largimit masiv amerikan nga Evropa, dhe as nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për të bërë një tërheqje të tillë.
Sipas njoftimeve të shtypit, delegacioni amerikan, kërkesën ruse e ka refuzuar. Përveç taktikave të mashtrimit të opinionit dhe përhapjes së informatave të rrejshme, “Sputniku” një vëmendje i ka kushtuar tendencave të hershme të administratës së presidentit Donald Trump që nga mandati i parë (2017-21) për largimin e SHBA-së nga NATO. “Sputniku” këtë qëndrim e forcon me bindjen se kësaj rradhe SHBA-të do të tërhiqen plotësisht nga NATO-ja.
Është e vërtetë se Uashingtoni ka pasur kritika ndaj anëtarëve të aleancës për shpenzimet e ulëta ushatarke, por së fundi të gjithë shtetet aleate janë dakorduar që të shpenzojnë nga 3 deri në 5 %. Kur jemi tek tërheqja amerikane, për lexuesin duhet bërë të njohur se tërheqja nga NATO është një proces politik. Kur një anëtar i aleancës tërhiqet nga “Traktati i Atlantikut”, vendi në fjalë pushon së qeni anëtar i NATO-s. Procesi formal përcaktohet në nenin 13 të Traktatit.
Kjo nënkupton se çdo shtet që dëshiron të largohet nga aleanca, duhet t’i dërgojë SHBA-së (si shteti depozitues) një njoftim të cilin SHBA-të më pas do t’ua kalojnë aleatëve të tjerë. Pas një pritjeje njëvjeçare, shteti përkatës pushon të qenit anëtar i NATO-s. Në rastin konkret ashtu siç “Sputniku “keqinformon, SHBA do të duhet që këtë procedurë për ironi t’ia përsëris vetes.
Argumenti shtesë është se në vitin 2023, senatorët Tim Kaine (D) dhe Marco Rubio (R), (sot Sekretar Shteti i administratës së Trumpit), paraqitën një masë që kërkon pëlqimin e Kongresit për çdo tërheqje nga NATO. Amendamenti dypartiak i quajtur “Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare” (NDAA) të vitit 2024 e pengon presidentin amerikan të tërhiqet nga NATO pa miratimin e Kongresit, duke kërkuar që dy të tretat e senatorëve të votojnë për tërheqjen nga NATO.
Sipas Dispozitës për tërheqje nga NATO, seksioni 1250A, i titulluar “Kufizimi i tërheqjes nga NATO”, vendos një kufizim të rëndësishëm mbi autoritetin e presidentit për të tërhequr në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga NATO. Kufizimi parashikon që presidenti nuk mund të pezullojë ose të tërhiqet nga NATO nëse nuk plotësohet një nga dy kushtet si miratimi nga Senati.
Tërheqja miratohet me dy të tretat e votave të Senatit, në përputhje me kërkesën kushtetuese për ratifikimin e traktatit (Neni II, Seksioni 2). Me Aktin i Kongresit, kongresitët miratojnë një rezolutë të përbashkët ose masë të ngjashme legjislative që autorizon në mënyrë eksplicite tërheqjen. Kjo është e vërteta e tërheqjes së një anëtari të NATO-s dhe vetë SHBA-së. Mirëpo, administrata e Trumpit nuk besohet se do të shkojë aq larg të tërhiqet nga aleanca.
Mund që të bëjë tërhejqe të personelit ushtarak nga shtetet e Evropës dhe të mosfinancojë projekte të përbashkata me evropianët, ose të mos marrë pjesë në misione me NATO-n, por ka gjasa të vogla që Uashingtoni të lë NATO-n plotësisht nën përgjegjësinë e evropianëve e në veçanti strukturën e komandës ushtarake të NATO-s, e cila është drejtuar nga një gjeneral amerikan që nga viti 1949. Në këtë linjë, zyrtarë të lartë usharakë të BE-së dhe diplomatë, në përgjigje të politikës së re amerikane ndaj Evropës janë shprehur se shtetet evropiane së bashku duhet të ndërtojnë baza ushtarake.
Evropa sipas tyre duhet të kursejë menjëherë para për forcat e armatosura. Kaja Kallis, përfaqësuesja e lartë e BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, ka deklaruar se Rusia do të përpiqet të na ndajë. “Të mos hyjmë në grackat e tyre”. “Puna me SHBA-në mund të sjellë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme sipas kushteve të Ukrainës”.
Në anë tjetër mesazhet e Trumpit dhe të zyrtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë shfrytëzuar për të ulur poshtë Ukrainën, dhe nxjerrë në sipërfaqe dallimet Ukrainë -SHBA rreth burime strategjike dhe negociatave. Propagandisti rus Vlladimir Solovyev, po në “Sputnik” ka shkuar mëtej duke hedhur ide se çfarë duhet të negociojnë Rusia dhe SHBA.
Sipas tij pse të mos krijohet një koalicion ushtarak midis Rusisë dhe SHBA-së dhe të ndahet Evropa? “Mendoj se është një ide e shkëlqyer”. “SHBA-të tani e shohin Rusinë, jo Evropën apo Ukrainën, si çelësin për t’i dhënë fund konfliktit, duke sinjalizuar se Uashingtoni ‘ka vendosur në thelb’ të përpiqet dhe ‘të rivendosë ato që janë në thelb sferat e ndikimit’ në vend që të vazhdojë të përpiqet të dominojë të gjithë planetin”. “SHBA-ja nuk është më e gatshme të mbështesë vazhdimisht luftërat e Evropës.
A është takimi i Riadit fillimi i fundit për NATO-n? Kështu propaganda dhe keqinformimi vazhdon në “Sputnik” me të gjitha metodat për të ulur politikat e BE-së, NATO-s, Ukrainën dhe zërat tjerë. Se sa kohë do të qëndrojnë së bashku BE-ja dhe anëtarët e tjerë të NATO-s kjo nuk dihet. Por një fakt është i pashmangshëm: Rusia dhe propaganda e saj do të kundërshtojnë plotësisht të gjitha shtetet që janë anën e Ukrainës dhe ndaj të gjitha qeverive që janë kundër negociatave të SHBA-së dhe Rusisë. Kjo do të thotë se propaganda ruse, duke përfshirë edhe Ballkanin, do të rritet plotësisht në një shkallë të gjerë.