Nga Dr. Selim IBRAIMI
Pavarësisht paralajmërimeve nga zyrtarët e BE-së për të mos marrë pjesë në Paradën e Moskës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri të njëjtën gjë. Ai u takua me përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse dhe me presidentin rus Vlladimir Putin. “Pas shumë vitesh, përsëri në Moskë”, tha presidenti Aleksandër Vuçiç. Nga Rusia, presidenti serb premtoi të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Ai gjithashtu deklaroi se është një person që e mban fjalën e tij, ashtu siç e mbajti fjalën e dhënë presidentit Vlladimir Putin se do ta vizitonte. “Unë jam këtu për të luftuar për popullin dhe vendin tim. Nuk më intereson se çfarë thonë ose mendojnë të tjerët. Unë jam votuar nga populli serb, jo nga Riga, Talini apo Vilniusi”, tha Vuçiç për RTS. Lojërat me fjalë dhe pothuajse një përpjekje për të zemëruar Perëndimin nuk po mbarojnë nga qeveritarët e Serbisë dhe Rusisë.
Disa bllokada ajrore nga shtetet e BE-së për presidentin serb e shtynë Rusinë të reagonte ndaj BE-së. Ministria e Jashtme ruse e komentoi vendimin e Rigës dhe Vilniusit për të bllokuar hapësirën ajrore për kryeministrin sllovak Robert Fico dhe kryeministrin serb Vuçiç si sjellje autoritare.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se shtetet e BE-së vazhdojnë të kufizojnë të drejtën sovrane të shteteve për të ndjekur politikën e tyre të jashtme. “Ata po përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për këtë.” Sipas Zakharovas, sjellja e autoriteteve lituaneze dhe letoneze nuk është për t’u habitur. “Këto dy vende kanë rezervuar prej kohësh për veten e tyre rolin e shteteve rusofobike, të gatshëm për çdo veprim të egër, vetëm për të bezdisur si Rusinë ashtu edhe ata që refuzojnë të ndjekin gjurmët e mbikëqyrësve burokratikë të BE-së”, tha Zakharova. “Askush nuk mund ta shkatërrojë partneritetin tonë strategjik me Beogradin, miqësinë tonë shekullore me popullin serb”, tha Zakharova.
Para se Vuçiçi të nisej për në Moskë, duke demonstruar kokëfortësinë serbe, Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, i paralajmëroi zyrtarët serbë se pjesëmarrja në paradën ushtarake të Moskës nuk do të merrej lehtë nga BE. “Kjo do të shihej si shkelje e kritereve të anëtarësimit të bllokut”, tha ajo.
Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, theksoi më tej se pjesëmarrja në paradën e Moskës ishte “plotësisht në kundërshtim me vlerat evropiane”, pasi bie ndesh me vendimin e Këshillit të BE-së të vitit 2022 për Rusinë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE), Markus Lammert, ka qenë në të njëjtën linjë. Lammert tha se Serbia, si një vend kandidat për në BE, pritet të veprojë si një partner i besueshëm që ndan parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e BE-së.
Pas të gjitha këtyre vërejtjeve dhe reagimeve, presidenti Vuçiç bëri të veten, fluturoi për në Moskë pas dështimit të vizitës në SHBA, duke njoftuar nga Moska se Serbia nuk ka hequr dorë nga marrëdhënia strategjike dhe historike me Rusinë. Pas provokimit të hapur nga presidenti serb dhe ai i Republikës Srpska, Milorad Dodik, çfarë duhet të bëjë BE? A mund të vendosë sanksione ndaj Serbisë, apo do të heqë dorë si në të kaluarën? Në një takim joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Varshavë të Polonisë, Serbia u përball me kritika për vizitën e presidentit Vuçiç në Moskë, por fitoi mbështetje për integrimin e saj evropian. Kjo u deklarua nga kreu i Ministrisë së Jashtme serbe, Marko Gjuriç. Gjuriq theksoi se sot u konfirmua se Serbia ka një të ardhme të qartë evropiane. “U shpreh një zë shumë i qartë mbështetjeje për Serbinë në rrugën e integrimit evropian, reformave, përparimit ekonomik dhe të gjitha gjërave pozitive që po bën Serbia”.
Pavarësisht vizitës së Vuçiçit në Moskë, duket se BE do ta ketë të vështirë të sanksionojë Beogradin. Mund të jenë arsye dhe faktorë të ndryshëm që e shtyjnë BE-në të mos ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me sjelljen e Serbisë në lidhje me Rusinë dhe Kosovën. Nëse BE nuk ndërmerr ndonjë veprim serioz në të ardhmen kundër Serbisë, atëherë Vuçiçi dhe të tjerët do të mendojnë se vendet e BE-së nuk janë në gjendje të vendosin për asgjë.
Një nismë konkrete është marrë nga eurodeputeti Rico Terras i cili në rrjetin X shkroi: “Kam marrë një nismë me kolegët eurodeputetë, do të mbledhim nënshkrime për t’i kërkuar presidentit të Këshillit të BE-së, Antonio Costa, të anulojë vizitën e tij të planifikuar në Serbi më 13 maj”. A mund ta shpëtojë BE-ja prestigjin e saj? Nga deklaratat e zyrtarëve evropianë në Varshavë, vihet re se nuk priten masa kundër Serbisë. Reagimet jo aq të forta të BE-së dhe SHBA-së pas përfundimit të vizitës në Moskë të presidentit serb janë një tregues se BE-ja dhe SHBA-ja do të jenë tolerante ndaj Serbisë.
Kritikët në Serbi thonë se BE-ja, pas pranisë së Vuçiçit dhe Dodikut në Moskë, duhet të mendojë për atë që është në interesin e saj. Serbia, siç dihet, ka vazhduar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në kohë lufte dhe paqeje. Bashkëpunimi përfshinë kontrata për blerjen e Mi-17, sistemit të mbrojtjes ajrore “Pantsir” dhe më shumë. Serbët e llogarisin Rusinë si një mbështetëse të fortë në institucionet ndërkombëtare për të minuar të ardhmen e Bosnjës- Hercegovinës dhe Kosovës. Prania e medias ruse në Serbi, politika energjetike dhe politika e dy Kishave Ortodokse shihen si shtylla të forta midis Serbisë dhe Rusisë. Bazuar në trendet aktuale ekonomike dhe politike, Serbia do të vazhdojë të balancojë midis Rusisë dhe BE-së.
Vizita e Vuçiçit në Moskë nuk ka gjasa ta detyrojë BE-në të rishqyrtojë ndihmën financiare dhe të ndërpresë paketën e miratuar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin. Serbia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012. Qeveria serbe ka njoftuar se po bën përpjekje për të përshtatur ligjet e saj me standardet e BE-së. Progresi i ngadaltë demokratik, korrupsioni, marrëdhëniet e këqija me Kosovën dhe përafrimi i politikës së jashtme me Rusinë dhe Kinën nënkuptojnë se Beogradi do të mbetet jashtë BE-së për një kohë. Disa kritikë thonë se Serbia as nuk dëshiron të bashkohet me BE-në. Situata ndërkombëtare, sipas kritikëve, shkon në favor të politikës serbe. Serbia ka zhvilluar marrëdhënie të forta me Rusinë në dy shekujt e fundit. Shihet si në interesin e saj kombëtar të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë.
Përveç presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit brazilian Luiz Lula da Silva, në festimin e Ditës së Fitores në Moskë, jo të gjithë anëtarët e shteteve anëtare të BRICS morën pjesë.
Çuditërisht, Dimitar Apasievi, udhëheqësi i së “Majtës” nga Maqedonia e Veriut, ishte i pranishëm në Sheshin e Kuq në Moskë. Kjo mund të konsiderohet një përafrim i pjesshëm me agjendën ruse.
Më 9 maj, Rusia feston Ditën e Fitores mbi Gjermaninë naziste dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore. Menjëherë pas kapitullimit të Gjermanisë në vitin 1945 dhe ndarjes së Berlinit në katër zona, filloi Lufta e Ftohtë. Jehona e asaj kohe po përsëritet edhe sot, pas 80 vitesh në Evropë, me rrezikun e paraqitjes së zonave të reja të interesit. Koha do të tregojë nëse vizita e Vuçiçit në Moskë ishte edhe për të eksploruar opsionet gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Apo e gjithë kjo mund të shihet si një vazhdim i politikës së ekuilibrit dhe një provokim i vogël për Perëndimin?