Nga Dr Selim IBRAIMI
Henri Kisinxheri vdiq të mërkurën (1923-2023). I lindur në qytetin Furth të Gjermanisë në një familje hebreje, pas ardhjes në pushtet të nazistëve emigruan në SHBA. Ai ishte ushtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, oficer i inteligjencës amerikane në Gjermani, student dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Harvard, Sekretar Shteti, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së presidentit Riçard Nikson (1913-1994) dhe Gerald Ford (1913-2006), dhe njëri ndër arkitektët e hapjes së Kinës me botën dhe SHBA-të. Ai pas vetes la një trashëgimi të jashtëzakonshme.
Kisinxheri gjithashtu kritikohet nga shumë kombe dhe etni nga Evropa, Lindja e Mesme, Amerika Latine e deri në Azi. Kundërshtarët e Kisinxherit e kanë akuzuar atë si “kriminel lufte”. Mendimet dhe këshillat e Kisinxherit kanë nxitur urrejtje ndaj figurës së tij. Ai për habi ka pasur mendime pozitive ndaj Serbisë dhe Rusisë. Për Kosovën, Bosnjën dhe Ukrainën është shprehur kundër çdo intervenimi dhe involvimi amerikan atje. Në fillim nuk është pajtuar asnjëherë me pavarësinë e Kosovës dhe luftën e Ukrainës ndaj Moskës. Përkundër të gjitha kritikave brenda SHBA-së dhe jashtë, në 100 vitet e jetës së tij dhe karrierës diplomatike, Henri Kisinxheri ndryshoi mënyrën se si qeveria amerikane i zhvilloi marrëdhëniet e jashtme.
Trashëgimia më e spikatur e tij ishte besimi i fortë dhe i qëndrueshëm në negociata për të prodhuar stabilitet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga thëniet e tij të preferuara ishte e poetit gjerman Johan Gëte (1749-1832). “Nëse do të më duhej të zgjidhja midis drejtësisë dhe çrregullimit, dhe padrejtësisë dhe rendit, gjithmonë do të zgjidhja këtë të fundit”. Në një këndvështrim më të gjerë, strategjia e Kisinxherit gjatë luftës amerikane në Vietnam, përfshinte një tërheqje graduale të forcave tokësore, një zgjidhje të negociuar për shpëtimin e regjimit të Vietnamit të Jugut, një politikë të rrethimit (Detente) me ish-Bashkimin Sovjetik dhe një rishikim të marrëdhënieve me Kinën.
Kisinxheri karakterizohet si një burrë shteti, i cili ndërmjet viteve 1969 dhe 1977 artikuloi politikën e jashtme të SHBA-së në vijë të interesave kombëtare të përcaktuara qartë. Me përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në krizën e Lindjes së Mesme, luftën në Vietnam dhe në marrëdhëniet SHBA-Kinë, u krijuan rrethana historike të reja për SHBA-të pët tu përballur me konfliktet ndërkombëtare të shek. 20-të. Henri Kisinxheri ishte profesionist në sintezën e tij të ngjarjeve botërore.
Për lexuesit e Portalbit do t’i hedhim një vështrim disa prej pikëpamjeve të Kisinxherit mbi poliitkën botërore, shtetin, realizmin, publikimeve dhe disa prej ideve të tija që sot praktikohen në politikën e jashtme amerikane.
Në librin “Diplomacia” që u botua në vitin 1994 dhe është përkthyer poashtu në gjuhën shqipe, Kisinxheri analizon një pikëpamje të Tomas Hobsit (1588-1679) mbi politikën e pushtetit dhe interpretimin e sistemit ndërkombëtar në botën moderne. Kritikë tjerë të veprave të Kisinxherit kanë thënë se ky lloj interpretimi i pikëpamjes së Hobsit nga Kisinxheri për çështjet botërore mund të ketë ndikuar në mënyrën e të menduarit të Kisinxherit me pasoja për të mos arritur marrëveshje të mira në krizat ndërkombëtare.
Kisinxheri cilësohet si realisti i fundit pas Nikollo Makiavelit (1469-1527) dhe Klemens Von Meternikut (1773-1859). Kisinxheri ka qenë arkitekti kryesor i mënyrës se si drejtohet politika e jashtme në një botë bipolare. Përvoja e Kisinxherit në politikën ndërkombëtare dhe shërbimi i tij në politikën e jashtme të SHBA-ve ndikoi në administratat në Uashington, ku SHBA-ja duhej të merrej me konfliktet botërore në mënyrë ushtarake.“Njerëzit flasin për një rend të ri botëror sikur të ishte tashmë këtu, por një rend botëror shfaqet vetëm nëse shumica e vendeve të mëdha bashkë me vendet kryesore pra ato vende që janë të afta të kërcënojnë paqen ose të promovojnë mirëqenien e përgjithshme të shumicës së vendeve-” shkruante Kisinxheri në botimin “Diplomacia”.
Kisinxheri ka bërë përpjekje të vendosë disa paralele të viteve kur ishte Sekretar Shteti me ish-burrështetasin gjerman Oto Von Bismark (1815-1898). Ai i referohet Bismarkut me një citat: “Më e mira që mund të bëjë një burrë shteti është të dëgjojë me kujdes hapat e Zotit. Ndërsa endet nëpër histori, të përpiqet të kapet nga ‘manteli’ i tij dhe të ecë me të disa hapa të rrugës”.
Henri Kisinxheri i njohur për autoritetin diplomatik dhe ndikimin e tij të madh në politikën e jashtme amerikane para, gjatë dhe pas mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe Sekretar Shteti, u ndikua gjithashtu nga idetë e ish- ministrit austriak Klemens Von Meternik i cili shërbeu si ministër i Jashtëm i Austrisë gjatë viteve (1809-1848). Disa analistë diplomatik besojnë se edhe pse Kisinxheri e ka mohuar formimin e ideve të tij të bazuara në të kaluarën e Meternikut, ata besojnë për lidhjen apo ndikimin e Meternikut në fushën diplomatike të Kisinxherit.
Pikëpamjet e Henrit për politikën realiste dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, gjetën të njëjtën gërshëtim me idetë e ish- presidenit amerikan Nikson. Arritjet e Kisinxherit gjatë viteve në politikë përfshinin negocimin e një formule për tërheqjen e forcave amerikane nga Vietnami, dhe me diplomacinë “shuttle”për të gjetur një zgjidhje territoriale midis Egjiptit dhe Izraelit pas krizës së vitit 1973.
Mbi ideologjinë e baraspeshës së pushtetit, shumë vëzhgues të punës së tij janë të ndarë në mendime. Në Evropën e hershme deri në mesin e shek. 19-të, ideologjia luajti rol shumë të rëndësishëm në baraspeshën e pushtetit sesa gjatë kohës së Niksonit dhe Kisinxherit. Në këtë drejtim, Kisinxheri e kuptoi rëndësinë e baraspeshës të politikës në diplomacinë botërore. Ideologjia e brendshme politike e të dy superfuqive gjatë Luftës së Ftohtë e SHBA-së dhe ish- BRSS-së e kundërshtonin njëra tjetrën. Kisinxheri ishte i kujdesshëm për rolin që duhet të kenë demokracitë liberale në respektimin e të drejtave të njeriut. Mirëpo kritikë të shumë janë shprehur se pikërisht Kisinxheri me politikat e tij ka qenë njëri ndër mos respektuesit e parimeve të të drejtave të njeriut.
Më tej duhet nënvizuar se Kisinxheri si diplomat i karrierës u ndikua nga pikëpamjet e Hans Morgentaut (1904-1980) rreth rolit të shtetit në çështjet botërore. Koncepti i Kisinxherit për marrëdhëniet ndërkombëtare mbeti tepër tradicional. Ai kohë pas kohe ka shfaqur dyshime për kapacitetin e demokracive (qeverive) për të udhëhequr një politikë të jashtme koherente. Kisinxheri në botimet e tija ka argumentuar se përgjithësisht duhet të pranohet se sistemi shtetëror modern u zhvillua nga “Traktati i Vestfalisë” së vitit 1648. Nga ajo kohë, në thelb marrëdhëniet ndërkombëtare kanë ndjekur në masë të madhe këtë model. Megjithatë, Kisinxheri ka argumentuar se sot “Rendi Vestfalian” në marrëdhëniet ndërkombëtare është në krizë sistematike.
Kisinxheri si diplomat dhe me ndikim në institucionet vendimmarrëse ka pasur mjaft kritika, veçanërisht për mospërputhjet e tij në propozimet e palogjikshme. Ai është akuzuar se nuk e ka njohur idealizmin politik dhe se ka kundërshtuar “Uilsonianizmin”. Mbi realizmin në marrëdhëniet ndërkombëtare, Kisinxheri mendonte se realistët gjithmonë kanë drejtuar politikën e jashtme dhe kanë vepruar më mirë në çështjet ndërkombëtare në dhënien e analizave të duhura empirike të rolit të shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për idealistët, ai është shprehur, se ata marrin pjesë në shumë konferenca akademike, shkrujanë libra dhe artikuj dhe nuk janë të përfshirë në sistemin e çështjeve botërore. Për negociatat taktike pa dyshim ai është figura që riformatoi politikën e jashtme amerikane. Ai ishte mbështetës i madh i operacioneve të fshehta për qëllimet e politikës së jashtme.
Disa kritikë e kanë akuzuar për udhëheqje të politikës së jashtme me “brutalitet”. Ai është përpjekur të shpjegojë realitetin e ri në marrëdhëniet ndërkombëtare duke u nisur nga SHBA-ja si fuqia ekonomike e botës e cila zotëron fuqinë ushtarake globale. Në aspektin akademik, filozofia e tij politike dhe diplomatike bazohej në konceptet e shek. 19-të. Kisinxheri pas largimit nga politika raportohet të ketë qenë kritik ndaj politikës amerikane në zgjidhjen e problemeve në mënyrë ushtarake. Ai ishte për një politikë afatgjate diplomatike me kundërshtarët. Për diplomacinë aktuale amerikane dhe të ardhmen e çështjeve botërore Kisnxheri ka bërë thirrje për ndërtimin e politikave afatgjata. Kisinxheri do të jetë figura qendrore që i zhvilloi më shumë rrënjët e realizmit. Realizmi politik ka diktuar veprimet e Kisinxherit në politikën e jashtme amerikane në një atmosferë të paqëndrueshme ndërkombëtare të shek. 20-të.
Disa u gëzuan nga vdekja e Kisinxherit, ndërsa mbështetësit u zemëruan. Ai besonte në traditën diplomatike të shek. 19-të, në rolin e shtetarëve të mëdhenj në formësimin e politikave pa pasur nevojë për të shkuar në luftë. Henri Kisinxheri një hebre dhe emigrant nga Gjermania në SHBA, për rrjedhojë si realist ka ndikuar shumë në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Sidoqoftë, debati mbi trashëgiminë e Kisinxherit sapo ka filluar dhe premton rritje për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Personalisht me veprat e Henrit jam ballafaqur në fillim të vitit 1993 dhe gjatë studimeve në SHBA.Vazhdoj të besoj se ish- strategjisti polako-amerikan Zbigniev Brzhezhinski (1928-2017), si ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare gjatë presidencës së Xhimi Karterit, të konsiderohet si mendimtari dhe një ndër diplomatët më të mirë të shek. 20-të që luajti rol kryesorë në dështimin e ish- Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Idetë dhe veprimet e Brzhezhinskit në politikën amerikane buronin gjithashtu nga vuajtjet historike të popullit polak prej rusëve. Idetë e tij përputheshin me përpjekjet e popujve për liri nga pushtuesit, andaj nuk kemi dëgjuar kritika ndaj tij.
Megjithatë Kisinxheri do të mbetet në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të SHBA-së. Botimet e fundit të Kisinxherit ishin disa si: “Rendi i ri botëror”, Lidershipi: Gjashtë studime për strategjinë botërore etj etj. Për mendimin tim libri që më ka bërë përshtypje dhe ka luajtur rol në të menduarit tim si gazetar dhe vëzhgues i marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë këtyre tre dekadave, është botimi i titulluar “Një botë e restauruar. Meternich, Castlereagh dhe problemet e paqes 1812-1822.” Ky libër është botuar në vitin 1957. Është shkruajtur në vitin 1954 si disertacion i doktoratës së Henri Kisinxherit në Universitetin e Harvardit.