Nga Dr. Selim IBRAIMI
Në fillim të javës së kaluar, Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së për Zhvillim trajtoi disa pika të ndihmës ndërkombëtare që po shqetësojnë Brukselin. Njëra prej tyre ishte ndikimi i ndihmës së kufizuar për zhvillim nga SHBA.
Pas janarit 2025, me ardhjen e presidentit të SHBA-së Donald Trump, shumë programe të USAID-it dhe ndihma të tjera u anuluan nga qeveria amerikane. Uashingtoni ndaloi së dërguari dollarë amerikanë në organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe gjithashtu u tërhoq prej disa nga organizatat globale në të cilat kishte qenë i përfshirë në mënyrë aktive për dekada. Eliminimi i USAID-it, siç dihet, ndikoi në dinamikën e ndihmës ndërkombëtare, pasi kjo agjenci menaxhoi një shumë prej mbi 44 miliardë dollarë për vitin 2024 dhe 35 miliardë dollarë për vitin 2025. Që nga njoftimi i ndërprerjes së ndihmës, pakënaqësia ndërkombëtare u rrit ndjeshëm, pasiqë nga viti 1945 shtetet ishin mësuar me fonde të mjaftueshme nga SHBA-ja, si në dollarë ashtu edhe në forma të tjera.
Ndërprerja e ndihmës financiare, humanitare dhe shëndetësore është vlerësuar si një katastrofë. Për të mbushur këtë vakum, nuk kishte aktorë të tjerë seriozë, me përjashtim të Kinës dhe BE-së. Për kulturën dhe politikën tonë, BE-ja ishte më afër. Takimi i javës së kaluar është vetëm një vazhdim i konfirmimit të politikave të BE-së jo vetëm ndaj krizave, por edhe i nevojës që vendet e varfra kanë për BE-në. Duhet pranuar se ndërprerja ka pasur ndikim në të gjithë botën, përfshirë Ballkanin. Sfidat na presin, por vendet evropiane si Gjermania, Franca, Hollanda, Italia, Austria dhe të tjera janë zotuar se nuk do ta lënë këtë vakum, pavarësisht tërheqjes amerikane.
Ndërsa Uashingtoni vazhdon të mbetet në krizë, BE-ja dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë u aktivizuan dhe do të përfitojnë shumë nga përmbajtja amerikane në botë. Në këtë drejtim, shefja e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Kaja Kallas, ka theksuar nevojën për të promovuar demokracinë. Sipas diplomates Kallas, BE-ja nuk mund ta zëvendësojë plotësisht tërheqjen financiare të SHBA-së, por mund të luajë një rol udhëheqës në shumë fusha të ndihmës dhe zhvillimit ndërkombëtar. BE-ja mund ta mbushë këtë vakum me ndihmë afatgjatë zhvillimi për vendet e varfra dhe ato në tranzicion, përfshirë Ballkanin. Edhe pse vetë shtetet anëtare të BE-së kanë buxhete të kufizuara, BE-ja tani ka mundësinë të tregojë veten si një aktor i rëndësishëm gjeopolitik dhe ekonomik si kurrë më parë. BE-ja mund të marrë thjesht rolin e mëparshëm të SHBA-së pas vitit 1945 duke e bërë ndihmën e huaj themelin e politikës së jashtme. Sipas USAFacts, SHBA-të, pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), me programin e saj të ndihmës së huaj, arritën deri në 3.8 trilion dollarë, një shumë që ishte në shërbim të sigurisë kombëtare dhe ekonomike amerikane. BE-ja mund të ndjekë të njëjtën rrugë, duke qenë racionale, sepse BE-ja nuk është SHBA-ja, dhe interesat kombëtare të vendeve evropiane shpesh e kanë dëmtuar unionin.
Kur flasim për ndihmën ndërkombëtare dhe rolin e saj në promovimin e interesave kombëtare, si ekonomike ashtu edhe të sigurisë, sipas të dhënave të qeverisë amerikane, Programi i Huadhënies (1941–1945) shkonte deri në 50 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për aleatët gjatë LDB-së, kryesisht Britanisë së Madhe me 31 miliardë dollarë dhe ish- BRSS-së me 11 miliardë dollarë. Sipas një raporti të CFR-së, me Planin Marshall (1948–1951), SHBA-të ndanë 12 miliardë dollarë për të rindërtuar Evropën Perëndimore të shkatëruar nga LDB. Programi i quajtur si Pika Katër (1949) i iniciuar nga presidenti i SHBA-së Harry Truman shënoi fillimin e ndihmës për zhvillim për vendet më të varfra në botë.
Raporti i Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë në SHBA i vitit 1954 tregon se nga viti 1945 deri në vitin 1953, 5.9 miliardë dollarë shkuan në vendet aziatike, përfshirë Japoninë me 2.44 miliardë dollarë, Korenë e Jugut me 894 milionë dollarë dhe Indinë me 255 milionë dollarë. Megjithatë, pas vitit 1960, politika e jashtme amerikane mori një drejtim tjetër, pasi Lufta e Ftohtë u zgjerua dhe u forcua më tej me ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961. Kështu, me Aktin e Ndihmës së Jashtme (1961), SHBA themeluan USAID-in. Aleanca për Progres, e nisur nga Presidenti John Kennedy, synonte të promovonte zhvillimin ekonomik dhe përparimin shoqëror. Deri në fund të Luftës së Ftohtë dhe më pas, SHBA shpërndanë miliarda dollarë në Evropë, Afrikë, Amerikën Latine, Azi, Lindjen e Mesme dhe gjetkë.
Edhe pse nuk është e lehtë të demonstrohet fuqia dhe të mbushet vakumi i lënë nga SHBA-të në ndihmën ndërkombëtare, BE-ja ka hapësirën dhe kapacitetin për të financuar projekte dhe në të njëjtën kohë për të projektuar fuqi në botë, ashtu siç bënte dikur SHBA-të. Ky mision kërkon mbështetje publike nga vetë qytetarët e vendeve të BE-së. Sepse nëse opinioni publik nuk është në favor të një misioni ndërkombëtar, atëherë qeveritë e kanë të vështirë të ndërmarrin hapa që ndikojnë në buxhetet e shteteve. Për shembull, në SHBA, mendimi i qytetarëve amerikanë ka ndryshuar me kalimin e viteve. Perceptimi i qytetarëve amerikanë në lidhje me përfshirjen ushtarake, ekonomike dhe humanitare në botë ka ndryshuar. Gjatë këtij viti, mbështetja publike në SHBA për ndihmën ndërkombëtare ka rënë. Nuk është më SHBA-ja e vjetër. Edhe pse ndihma ekonomike stabilizon krizat, qytetarët amerikanë dhe vetë qeveria amerikane kanë ndryshuar qasjen e tyre. Ata janë përqendruar në krizat e brendshme dhe shumë më pak në krizat e jashtme.
Tërheqja e SHBA-së nga zhvillimi ndërkombëtar pas tetë dekadash ndryshoi ndjeshëm pamjen e ndihmës së huaj edhe për Ballkanin. Vendet e Ballkanit kanë qenë pjesë e përfitimeve amerikane që nga viti 1950. Ndihma është rritur pas vitit 1991 me rënien e federatës jugosllave dhe deri më sot. Kur jemi tek shkurtimet buxhetore, jo të gjitha programet amerikane janë pezulluar; disa vazhdojnë, por shumica po rishikohen në Uashington. Pas tërheqjes amerikane, siç thamë më sipër, BE-ja ka qenë aty e angazhuar për të vazhduar zhvillimin dhe ndihmën për Ballkanin. Sipas një raporti të qeverisë amerikane nga viti 2020 deri në vitin 2024, SHBA-të investuan 1.7 miliardë dollarë në Ballkan. Shuma financiare është më e lartë nëse llogarisim shumat që nga viti 1991 për vendet e rajonit dhe veçanërisht ish-republikat që dolën pas rënies së federatës jugosllave.
Megjithatë, BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës për Ballkanin, me mbi 3.3 miliardë euro. Aktualisht, Plani i Rritjes për Ballkanin prej 6 miliardë eurosh (2024–2027), me 2 miliardë euro në grante dhe 4 miliardë euro në kredi, përfaqëson një shumë të madhe financiare që vendet e rajonit duhet ta shfrytëzojnë. Nga Plani i Rritjes, Serbia merr 1.6 miliardë euro, Shqipëria 922 milionë euro, Kosova 883 milionë euro, Maqedonia e Veriut 750 milionë euro dhe Mali i Zi 384 milionë euro.
Sipas BE-së, fondet lidhen me reformat ekonomike dhe ato kundër korrupsionit. Si mbështetje shtesë, BE-ja ka ndarë 1.2 miliardë euro për infrastrukturën dhe 1 miliard euro për mbështetjen energjetike për të rritur stabilitetin rajonal.
Derisa BE-ja synon të mbushë vakumin e lënë nga tërheqja e SHBA-së, Rusia dhe Kina do të përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë e dallimeve transatlantike dhe ato të vendeve në rajon. SHBA-të kanë ende kohë për të shqyrtuar ndihmën dhe programet e huaja, duke adresuar abuzimet, ndërkohë duke riaktivizuar programet që promovojnë interesat amerikane në mënyrë më të përgjegjshme. Së fundmi, zyrtarët në Bruksel kanë theksuar se BE-ja do të bëjë angazhime më të mëdha financiare dhe strategjike për të zëvendësuar mungesën e ndihmës amerikane.
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh i BE-së mund të shihet si ndihmë në kohë që nuk duhet të ndërpritet për Ballkanin. Në terma konkretë, ndihma evropiane vjen në kohë të duhur. Ajo duhet të shfrytëzohet nga shtetet e Ballkanit, sepse mundësia nuk vjen përsëri. Derisa SHBA-të të zgjidhin llogaritë e tyre, Ballkani dhe BE-ja do të duhet të bashkëpunojnë shumë më ngushtë dhe të adresojnë kërkesat dhe sfidat e së tashmes dhe të së ardhmes. Nëse nuk e bëjnë këtë, krizat do të jenë të përhershme dhe sigurisht ndihma për zhvillim do të vihet në pikëpyetje.