A dëshiron vërtet Perëndimi që Ukraina ta mposhtë Rusinë? Kjo është pyetja që po bëjnë aktualisht shumë njerëz në Kiev për shkak të shenjave të vazhdueshme të pavendosmërisë perëndimore, teksa pushtimi më i madh evropian që nga Lufta e Dytë Botërore po i afrohet verës së tretë, pa një fund në horizont…
Shkruar nga Oleksiy Goncharenko*
Ndjenja në rritje e zhgënjimit midis ukrainasve është e lehtë për t’u kuptuar. E inkurajuar nga vonesat në ndihmën ushtarake për Ukrainën, Rusia i ka shtuar bombardimet ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës gjatë muajit të kaluar, duke zhytur qytete të tëra në errësirë dhe duke lënë miliona pa energji elektrike, ngrohje, ujë apo internet.
Pavarësisht perspektivës së afërt të një katastrofe humanitare, përgjigja e Perëndimit ka vazhduar të jetë e ngadaltë. Ndërkohë, Ukraina ka filluar të kundërpërgjigjet me sulme me dronë ndaj rafinerive ruse, duke ia dalë të reduktojë me 10 për qind kapacitetin e rafinimit.
Në vend se ta mbështesë këtë fushatë të efektshme për dobësimin e makinerisë luftarake të Putinit, thuhet se SHBA i ka bërë thirrje Kievit që t’i japë fund sulmeve me dron për shkak të shqetësimeve mbi çmimet globale të naftës dhe hakmarrjes së mundshme të Moskës. Nga këndvështrimi i Ukrainës, këto këshilla nuk janë normale për partnerët që janë plotësisht të përkushtuar ndaj fitores së Ukrainës.
Gjatë 2 viteve të fundit, ukrainasit janë mësuar me kujdesin e tepruar të treguar nga Perëndimi si dhe me mbështetjen e tij të pamjaftueshme. Ndërsa bota demokratike meriton një meritë të madhe për dërgimin e armëve që i kanë lejuar Ukrainës të mbijetojë, ndihma ushtarake e ofruar që nga shkurti i vitit 2022, ka rënë shpesh pre e vonesave të shpeshta dhe ka qenë vazhdimisht shumë larg sasive të nevojshme për të mposhtur një superfuqi ushtarake si Rusia.
Përgjigja jo e duhur e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës, buron kryesisht për shkak të frikës së madhe nga përshkallëzimi i konfliktit. Putin e sheh shumë qartë këtë pavendosmëri dhe vepron në përputhje me rrethanat. Ai i frikëson me lehtësi udhëheqësit perëndimorë me shantazhin e tij me armët bërthamore, në një kohë që i përshkallëzon sulmet e tij ndaj qyteteve të Ukrainës dhe infrastrukturës civile të vendit.
Sipas të dhënave të Forcave Ajrore të Ukrainës, vetëm në mars të këtij viti, Rusia sulmoi me 264 raketa dhe 515 dronë. Disa u kapën dhe u neutralizuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por municionet po mbarojnë me shpejtësi. Pa një ide të qartë se kur mund të mbërrijnë grupet e ardhshme të raketave interceptuese, trupat ukrainase po detyrohen të racionojnë furnizimet,
duke lënë miliona njerëz të pambrojtur ndaj bombardimeve ruse.
Po aq kritike është edhe situata në vijën e parë të frontit. Teksa gjysma e dërgesave të premtuara të armëve po mbërrijnë me vonesë dhe ndërsa ndihma shumë e rëndësishme ushtarake e SHBA-së po mbahet peng në Kongres prej 8 muajsh, trupave ukrainase po u mungojnë municionet bazë dhe aktualisht janë në rrezik të mposhten nga fuqia e zjarrit të trupave ruse.
Në fund të muajit mars, presidenti Zelenskyy e pranoi se nëse nuk mbërrin sa më shpejt ndihma e re e SHBA-së, Ukraina do të detyrohet të kalojë nga sulmi në mbrojtje. Dhe nëse ndodh kjo e fundit, paralajmëroi ai, Rusia mund të thyejë linjat mbrojtëse të Ukrainës dhe të përpiqet të pushtojë qytetet më të mëdha të vendit.
Pavarësisht nga kjo panoramë e zymtë, aktualisht në pjesën më të madhe të Perëndimit ekziston një ndjenjë surreale e vazhdimit të punëve si zakonisht. Klasat politike janë gjithnjë e më shumë të shqetësuara me zgjedhjet e ardhshme dhe shfaqen në përgjithësi të pavetëdijshme për katastrofën gjeopolitike që po shpaloset në kufirin lindor të Evropës.
Duket sikur shumica prej tyre mendojnë se vetëm guximi i ukrainasve do të mjaftojë për të frenuar Rusinë në pozicionet aktuale derisa një ditë të përfundojë pushtimi. Por ky është një mendim i dëshiruar. Në realitet, nëse Ukraina nuk merr urgjentisht një ndihmë ushtarake shtesë, ekziston një shans shumë real që Putin ta fitojë luftën.
Dhe nëse Putin fiton në Ukrainë, ai do të shkojë më tej. Aktualisht, Perëndimi duket i kënaqur me zhvillimin e një lufte të ngadaltë rrënimi, në një kohë që e furnizon Ukrainën me një ndihmë minimale. Por kjo është një recetë që çon drejt humbjes.
Rusia ka avantazhe të mëdha sa i përket fuqisë punëtore dhe armëve, ndërsa Kremlini e ka zhvendosur me sukses të gjithë ekonominë ruse në një bazë lufte. Putin beson se mund t’ia kalojë Perëndimit në Ukrainë dhe ka besim se koha është në anën e tij.
Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se një fitore e Ukrainës është diçka e paarritshme, por nëse shpresojnë vërtet që të sigurojnë humbjen e Putinit, partnerët e Ukrainës duhet të demonstrojnë shumë më tepër vendosmëri. Sulmet e Ukrainës me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj rafinerive ruse, e kanë ekspozuar cenueshmërinë e industrisë energjetike të Rusisë.
Por deri tani përgjigja perëndimore ka qenë e parashikueshme dhe shumë e kujdesshme. Ajo duhet të ndryshojë. Ukraina s’mund të fitojë një luftë kundër një armiku kaq të fuqishëm me njërën dorë të lidhur pas shpine. Po kështu, suksesi i jashtëzakonshëm i Ukrainës në Betejën e Detit të Zi po i zhvlerëson konceptet e “linjave të kuqe ruse” dhe po ofron një udhërrëfyes drejt fitores mbi Kremlinin.
Pavarësisht se nuk ka një marinë ushtarake të sajën që të krahasohet me atë të armikut, Ukraina ka përdorur dronët dhe sulmet me raketa për të fundosur rreth çerekun e flotës ruse të Detit të Zi. Kjo e ka detyruar Putinin të tërheqë në heshtje nga Krimea pjesën më të madhe të anijeve të tij luftarake.
Një sukses i ngjashëm është i mundur edhe në tokë, në rast se partnerët perëndimorë të Ukrainës i japin vendit mjetet që i nevojiten. Kërkesat e Ukrainës janë tashmë të njohura; ushtria ukrainase ka nevojë për sasi të mëdha predhash artilerie dhe dronë, së bashku me dërgesat shtesë të mjeteve të blinduara, avionëve luftarakë, sistemeve të mbrojtjes ajrore, teknologjive të luftës elektronike dhe raketave me rreze të gjatë.
Pa këtë ndihmë ushtarake, perspektivat e Ukrainës duken të zymta. Por pasojat e një fitoreje ruse nuk do të kufizoheshin vetëm në Ukrainë. Përkundrazi, valët tronditëse do të ndiheshin në mbarë botën ndërsa Putini dhe kolegët e tij autokratë janë përpjekur të përfitojnë në çdo rast nga dobësia e Perëndimit.
Një Putin triumfues do të kërkojë thuajse me siguri të rimarrë “tokat historikisht ruse”. Kësisoj, axhendë revizioniste e Putinit do të vendoste më shumë se një duzinë shtetesh të pavarura që më parë i përkisnin Perandorisë Ruse dhe do të jenë të rrezikuara të pësojnë të njëjtin fat si Ukraina.
Objektivat fillestarë më të mundshëm do të përfshijnë Moldavinë, Gjeorgjinë, Bjellorusinë dhe Kazakistanin, por ambiciet e tij ka të ngjarë të zgjerohen më tej. Rënia e Ukrainës do ta linte NATO-n të demoralizuar dhe diskredituar, duke krijuar një mundësi një herë në jetë për diktatorin rus për të arritur qëllimin e tij përfundimtar: shpërbërjen e aleancës perëndimore.
Prandaj udhëheqësit perëndimorë duhet të vendosin nëse është më mirë ta armatosnin Ukrainën për të arritur fitoren sot, apo nëse duan të përballen nesër me një Rusi të ringjallur dhe tejet të inkurajuar për zgjerim. [Nga “Atlantic Council”]
*Shënim: Oleksiy Goncharenko, deputet ukrainas i Partisë së Solidaritetit Evropian.