Nga Kian Sharifi [Shkrimtar iranian]*
Irani lëshoi mbi 300 raketa dhe drone drejt Izraelit, duke shënuar herën e parë që Teherani nisi drejtpërdrejt një sulm kundër armikut të tij nga territori i tij.
Por sulmi i paprecedentë në fund të 13 prillit u shfaq gjithashtu shumë koreografik dhe shkaktoi dëme dhe viktima të kufizuara.
Sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje për sulmin e dyshuar ajror izraelit në kompleksin e Ambasadës iraniane në Damask më 1 prill, ku u vranë shtatë komandantë iranianë, duke përfshirë dy gjeneralë.
Përgjigja e Teheranit dukej se kishte për qëllim projektimin e forcës. Por vëzhguesit sugjerojnë se incidenti nënvizoi gjithashtu kufizimet e Iranit.
Teherani ndihej i detyruar të përgjigjej, thonë ekspertët, por ishte gjithashtu i prirur të shmangte veprimet që mund të shkaktonin një luftë të plotë me Izraelin, një skenar që mund t’i shtynte Shtetet e Bashkuara të Amerikës për veprim dhe të rrezikonte mbijetesën e vetë regjimit klerikal.
“Republika Islamike ndoshta beson se është përshkallëzuar – duke synuar drejtpërdrejt dhe haptazi territorin e kundërshtarit të saj – për të de-përshkallëzuar”, tha Farzan Sabet, një bashkëpunëtor i lartë kërkimor Geneva Graduate Institute në Gjenevë.
Në të kaluarën, Irani ka marrë përgjegjësinë vetëm pas sulmeve. Këtë herë, megjithatë, ai njoftoi fillimin e operacionit – Premtimi i ndershëm – menjëherë pas lëshimit të dronëve dhe disa orë para se të arrinin ata në Izrael.
“Çështja mund të konsiderohet e përfunduar”, shkroi misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në X, dikur Twitter, edhe para se vala e parë e dronëve të kishte arritur në Izrael.
Megjithatë, sulmi ishte dukshëm më i madh nga sa kishin parashikuar shumë vëzhgues.
“Sigurisht që nuk ishte një sulm simbolik dhe mendoj se në fund të ditës ai shërbeu për atë që ata donin ta bënin: të rehabilitonin parandalimin ndaj Izraelit”, tha Raz Zimmt, një studiues i lartë në Institutin me qendër në Izrael – Institutin Studimet të Sigurisë Kombëtare.
Irani ishte i prirur të minimizonte dëmet dhe të zvogëlonte shanset për një hakmarrje izraelite, thonë ekspertët. Por Teherani mund të ketë llogaritur gabimisht, sipas Zimmt, i cili thotë se Izraeli do të ndihet i detyruar të përgjigjet. “Pyetja është se çfarë saktësisht mund të bëjë Izraeli në mënyrë që të përgjigjet pa rrezikuar përshkallëzimin e mëtejshëm të gjendjes,” tha ai.
Por më shumë se çdo gjë, shkalla e sulmit dukej se synonte audiencën e brendshme të Iranit.
Televizioni shtetëror iranian IRINN transmetoi pamje të drejtpërdrejta të njerëzve që mblidheshin në qytete të ndryshme iraniane për të festuar sulmin.
Kanali transmetoi gjithashtu pamje të paverifikuara të mediave sociale që supozohet se tregonin pasojat e sulmeve iraniane në Izrael. Por të paktën një nga videot ishte në fakt pamje e vjetër e zjarreve në Amerikën e Jugut. [REL; përktheu: ISHGJ]
______
* Kian Sharifi është një shkrimtar i specializuar për çështjet iraniane në Newsroom Qendrore të Radios Evropa e Lirë në Pragë. Filloi punën në gazetari në Financial Tribune, një gazetë në gjuhën angleze e botuar në Teheran, ku punoi si redaktor. Më pas ai kaloi në BBC Monitoring, ku drejtoi një ekip gazetarësh të cilët ndoqën nga afër trendet e medias dhe analizuan zhvillimet kryesore në Iran dhe rajonin më të gjerë.