NGA Dr Dritan HOTI
Ndonëse bën pjesë në regjistrin e krizave etnike, ajo që ka ndodhur në Bosnje-Hercegovinë diferencohet nëpërmjet disa karakteristikave prej një krize tipike etnike. Teksa në rastin e një krize të mirëfillte etnike, dy ose më shumë komunitete të ndryshme etnike futen në një konflikt historik të papajtueshëm, në rastin e Bosnjës bëhet fjalë për një popullsi me përkatësi të njëjtë etnike, por me besim të ndryshëm fetar, atë mysliman, ortodoks e katolik ( boshnjakët, serbët dhe kroatët) si dhe një dinamike historike jo homogjene. Bosnje-Hercegovina po ashtu si i gjithë Ballkani u përfshi në skemat e rivaliteteve gjeopolitike e strategjike të fuqive apo perandorive evropiane të shtrira deri Evropën Juglindore apo të interesuara për të, duke nisur nga 1878 e në vazhdim. Pikërisht në Kongresin e Berlinit (1878) u përcaktua një klauzolë, së cilës iu referua perandoria austriake kur aneksoi Bosnje-Hercegovinën 3 dekada më vonë, në 1908, në momentin kur agjitacioni politik i Serbisë në Ballkan po bëhej gjithnjë e më shumë më agresiv.
Në të njëjtën kohë, ky mandat i Austrisë mbi Bosnjën shkonte edhe kundër projeksioneve të atëhershme të Rusisë në Ballkan, e cila synonte një organizim të ri të sllavëve të jugut si një strukturë e kontrolluar dhe pikëmbështetëse e saj në këtë rajon. Kur ka munguar përfshirja e drejtpërdrejtë e fuqive të mëdha në rastin e Bosnje-Hercegovinës, kjo mungesë u ka lënë mundësi elementëve përbërës etnikë atje, të hedhin poshtë çdo mundësi kohabitacioni etnik me njëritjetrin në emër të sensit të njëjtë të historisë me entitetet e shtetërore, me të cilat ato kanë përkatësi të njëjtë fetare. Ky ishte edhe shkaku i luftës civile që mbërtheu Bosnjën në vitet 1991-1994 duke arritur kulmin e krizës me krimet genocidare të kryera nga formacionet paramilitare serbe të Bosnjës, të përkrahura edhe nga Beogradi. Ndryshe nga e shkuara historike, këtë radhë disi me vonesë ndërhyrja ndërkombëtare, e kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës imponoi nëpërmjet marrëveshjes së Dayton-it në Ohaio 1995 një zgjidhje që mbështetej mbi një ndarje administrativo-institucionale proporcionale, në të cilën përfshihen që të dyja entitetet përbërëse të saj, Federata boshnjako-kroate (51%) si dhe Republika Srpska (49%).
Konfliktet etnike shënjohen në të shumtën e rasteve nga një konstante, e cila përshkruan etapat e ndryshme të historisë duke përfshirë edhe transformimet e mëdha ekonomiko-teknologjike, e cila qëndron si e pandryshueshme. Ndjesitë e përkatësisë etnike, pra, ato kombëtariste dhe në raste të caktuara me konotacion fetar, iu rezistojnë edhe tendencave transformuese të gjeopolitikës si dhe formulave të reja të diplomacisë ndërkombëtare, saqë ato në të gjitha herët paraqitet në format e dinamikës së tyre tradicionale. Tensionet në rritje të kohëve të fundit në Bosnjë, të simbolizuara në qëndrimet e liderit të Republika Rrpska, Mirolad Dodik, me frymëzimin e Beogradit duket se favorizojnë projeksionet për implementimin e skemave aktuale të diplomacisë ruse në këtë rajon. Rusia, e cila edhe në ditët tona u qëndron modaliteteve tradicionale të politikës së saj të jashtme, synon në rajone të ndryshme të botës ndërtimin e vatrave ose një kordoni shtetesh të kontrolluara apo influencuara direkt prej saj.
Konkretisht, në rastin e Bosnje-Hercegovinës, precedenti më i fundit, ai i konstituimit të një korpusi milicie të pavarur të serbëve të Bosnjës si dhe thirrjeve kërcënuese të liderit të tyre, M. Dodik e bindën përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar, ishministrin konservator gjerman Christian Schmidt që mban edhe lidhje të mira personale me Uashingtonin ku nëpërmjet një letre zyrtare të kërkojë një përforcim të trupave ushtarake ndërkombëtare në Bosnjë për të frenuar mundësisht një përshpejtim të një procesi shpërbërës atje. Në këto kushte një rritje e menjëhershme e forcave ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë në emër të ruajtjes së status quo-se do t’i shtynte serbët e alarmuar të kërkonin edhe një zmadhim edhe me domethënës të mekanizmave ushtarake të Rusisë brenda tyre, duke e shndërruar Ballkanin perëndimor në një terren rivaliteti direkt ndërmjet shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat së fundmi kanë rikonfirmuar edhe njëherë garancinë e tyre në respektimin e Marrëveshjes së Dayton-it, si dhe Rusisë me interesa të kundërta me të.
Në këtë rast natyra e rivaliteteve gjeopolitike në Ballkan nuk do të ishte analoge me përmbajtjen e krizës aktuale në Ukrainë, me të cilën Rusia ka lidhje të drejtpërdrejtë territoriale nëpërmjet enklavave ruse në pjesën lindore te saj, por do t’u ngjajë më shumë ballafaqimeve gjeopolitike e strategjike të Rusisë me Perandorinë Austriake të fillimshekullit të kaluar. Më tej, precipitimi i prirjes që ka të bëjë me mosnjohjen nga e vazhdimit të integritetit të Bosnjës nga Republika Srpska do të ushqente një proces të rikonceptimit të çështjeve kombëtare në Evropën juglindore të ngelura të papërfunduara që nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, duke stimuluar skenarë të riformatimeve shtetërore në Ballkan. Përderisa përmasa dhe forca e “botës serbe” në Ballkanin Perëndimor nuk e garanton dot plotësisht një radikalizim të tillë ushtarak në këtë rajon, ajo, pra, Serbia e mbështetur nga Rusia do të preferonin formulën tjetër, atë të inkurajimit e të ndryshimeve politike të brendshme në favor të tyre brenda kordonit të shteteve sllavo-ortodokse në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Malin e Zi si dhe ne Maqedoninë e Veriut.
Gjendja aktuale në Ballkan si dhe evoluimi i saj nuk përcaktohen aq shumë nga iniciativa që burojnë vetë brenda rajonit, por nga kompleksiteti i tendencave kryesore të gjeopolitikës ndërkombëtare, e cilat si rrjedhojë gjejnë jehonë direkte në këtë rajon. Vendndodhja si dhe statusi i Bosnje-Hercegovinës, i cili në një pamje të parë duket fare i parëndësishëm, mundet të shërbejë si precedent i një radikalizmi të madh politik me rrjedhoja të kontrolluara prej ku lindin edhe ndryshimet domethënëse gjeopolitike për rajonin. Përtej kësaj, rasti i Bosnjës duket i ndryshëm prej ligjësive të historisë, të cilat predikojnë se historia nuk përsëritet. Në Bosnjë duket se historia e përsërit veten e saj në një formë ciklike. [ISHGJ]
*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.