Pse na duhet një strategji gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe Republikës?
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Dezinformimi kërcënon demokracinë dhe kauzën tonë për bashkim. Kjo është arsyeja pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria në detyrë ka nevojë për strategji që do të shërbente si instrument për mbrojtjen e sferës publike të informimit dhe atë dixhitale.
Hulumtuesit e kësaj sfere pajtohen se dezinformimi është një fenomen i përgjithshëm (shih lajmet e rreme) dhe si i tillë ai përbën njërën nga ndeshtrashat [sfidat] më të mëdha që kemi përpara, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
Si në Kosovë edhe në Shqipërinë politike, ishim dëshmitarë se rezultati i zgjedhjeve demokratike ka ndikim të madh në vendimet politike që përcaktojnë të ardhmen tonë si dy republika dhe si Një Komb.
Në këtë kontekst, si në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, edhe në këto të 11 majit në Shqipërinë politike, dezinformimi ishte jo vetëm real, por edhe efektiv.
Tashmë ka prova të forta që dezinformimi minon besimin në politikë dhe media dhe kontribuon në polarizimin e opinionit publik.
Qytetarët shqiptarë në të dy republikat tona, publiku i gjerë, ka vite që ballafaqohet vazhdimisht me informacione të nxjerra jashtë kontekstit, të shtrembëruara ose krejtësisht të rreme. Ky fakt ka prodhuar pasoja në diskursin politik dhe formimin e opinionit.
Rrjedhimisht, si i tillë, tejet shqetësues, do të duhej të na shërbente si një kambanë alarmi, thirrje zgjimi, që të përballemi me vendosmëri nga ky kërcënim real. Për këtë, më në fund, kërkohet të kemi një strategji.
Edhe në nivel europian, për një kohë të gjatë, qeveritë demokratike kanë hezituar jo vetëm që të hartojnë strategji, pos nuk kanë denjuar as të flisnin në mënyrë aktive se si do ta luftonin dezinformimin si fenomen. Gjithandej dominonte frika e madhe se mund të përceptoheshin nga publiku si një “Ministri e së Vërtetës” Orwelliane. Në Kosovë kjo dro u reflektua edhe në dështimin e Bordit të RTK-së si medium publik dhe krijimit të një strategjie të mirëfilltë të komunikimit me media.
Ky shqetësim nuk ishte krejtësisht i pabazë: repertori i altoparlantëve të oligarkëve dhe partive të shndërruara me kohë në korporata atipike, me vokacion të qartë antidemokratikë, I kishte të gatshme mekanizmat për veprim shtesë, për shpifje që për qëllim kishin e kanë që mbrojtjen e diskursit publik, ta cilësojnë si një cenim i lirisë së shprehjes.
Qeveria në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje si organizata më e madhe politike në hapësirën tonë kombëtare, do të bënin mirë ta kundërshtonin me forcë këtë akuzë dhe në të njëjtën kohë të merrnin veprime vendimtare kundër dezinformimit.
Për ta bërë këtë me sukses dhe që ajo të has në mirëbesim në popull, një strategji kombëtare kundër dezinformimit do të ishte një gurthemel I mirë në përballje me këtë furtunë dezinformatash. Përvoja që kanë bërë në këtë rrafsh disa vende të BE-së si Franca, Holanda dhe Suedia, do të mund të na shërbente mirë.
Europa tani ka kuadrin rregullator më të rreptë për platformat e mediave sociale, me Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA) si instrumentin e saj qendror. Ky dokument do të mund të na shërbente si bazë e mirë për strategjinë tonë.
Dezinformimi dhe përdorimi i narativave si “Perëndimi i egër” (Western Wild West) për të
përshkruar demokracitë perëndimore janë bërë mjete të fuqishme në duart e regjimeve autoritare, aktorëve jo-shtetërorë dhe platformave sociale që synojnë të minojnë besimin në sistemet demokratike. Këto fenomene mund të kenë efekte të rënda në stabilitetin politik, kohezionin social dhe legjitimitetin e institucioneve demokratike.
Rëndësia e dezinformimit në epokën dixhitale
Dezinformimi nuk është thjesht “shpifje.gënjeshtër”, por me kohë është shndërruar në një armë politike e sofistikuar që shfrytëzon algoritmet e mediave sociale për të amplifikuar përçarjen dhe manipulimin.
Pikësynim ka të trand besimin në institucione, media dhe politikë.
Si ia arrinë këti qëllimi?
Kur qytetarët ballafaqohen me flukse informacionesh të kundërta, ata humbasin besimin ndaj burimeve zyrtare.
Kur strategët e fushatave dezinformuese synojnë grupe të caktuara, duke forcuar ndarjet sociale dhe etnike (p.sh., teoritë e konspiracionit në zgjedhjet amerikane ose narrativat anti-EU në Brexit ose akuza publike se kryeministri I Republikës na qenkërka spiun I Serbisë e Rusisë!).
Kur një lagje mediash krijojnë terren të përshtatshëm për ndërhyrjen e huaj. Aktorë si Serbia dhe Rusia përdorin dezinformimin për të destabilizuar dy republikat tona ose për të imponuar katapultimin në krye të shtetit figura politike që do t’i kontribuoin agjendës së tyre politike për Ballkanin (shembull: promovimi I “Ballkanit të haur në vitin 2022).
Në Kosovë, dezinformimi ka shfaqur rritje alarmante, duke shfrytëzuar polarizimin politik dhe dobësitë e sistemit mediatik. Ky fenomen tashmë paraqet kërcënim direkt për stabilitetin shtetëror dhe demokracinë.
Dezinformimi në Kosovë manifestohet në disa mënyra: Përmes Fake news për manipulim elektoral [asti I numrimit të votave në ambasada e Konsullata…], pretendimeve të paverifikuara për mashtrime në votime; përmes shpërndarjes së teorive konspirative kundër qeverisë: p.sh., akuzat se “Qeveria e Kosovës është në xhep të Serbisë” ose se “BE-ja/USA do ta braktisin Kosovën”; përmes shpërndarjes së propagandës së Rusisë dhe Serbisë që lansojnë dezinformimin për të destabilizuar Kosovën (shembull: pretendimet se “NATO do të tërhiqet nga Kosova”).
E qartë, ata që përdorin dezinformimin kanë objektivat e veta politike kundruall Kosovës. Aktorë e huaj (Rusia, Serbia, disa grupe islamiste) kanë për qëllim për ta dobësuar projektin shtetëror të Kosovës. Ndërkaq në grackën e dezinfommit jo rrallë ka rënë edhe ndonjë parti politike duke përdor lajmet e rreme për të diskredituar qeverinë. Por, në ballë të kësaj lufte hibride ishin dhe janë një lagje mediash pa etikë që luftojnë për klikime dhe ndikim nëpërmjet sensationalizmit dhe dezinformatës.
Dezinformimi si instrument i luftës hibride: Rasti i Kosovës
Lufta hibridë është një strategji moderne ku përdoren mjete jo-konvencionale (dezinformimi, cyber-sulmet, manipulimi politik) për të arritur qëllime strategjike pa përdorur forcën e hapur. Në këtë kontekst, dezinformimi është një nga armët më efektive, dhe Kosova vazhdon të jetë një prej objektivave kryesore të kësaj lufte.
Lufta hibridë përdor dezinformimin për të minuar besimin në institucionet demokratike. Këtë objektiv pretendon ta realizoj duke përhapur teori konspiracioni kundër qeverisë, duke e prezentuar atë si jo stabile [“Qeveria bie në vjeshtë; ajo do të rrëzohet në pranverë!”
Duke nxitur përçarjen sociale ose fetare; mundësisht edhe brenda sektare [Promovimi i vehabive dhe selefive si islam burimor; I xhmive rezerervë jashtë kontrollit të BIK-ut…].
Duke Legjitimuar narrativat e kundërshtarit–p.sh., Serbia përdor propagandën për të thënë se “Kosova është një shtet i dështuar”.
Duke përgatitur terrenin për konflikte të armatosura që për objektiv kanë aneksimin e veriut të Kosovës [rasti I agresionit shtator 2023]…
Dezinformimi mund të përdoret edhe për të justifikuar ndërhyrje të jashtme (shembull: retorika ruse për “mbrojtjen e serbëve” në Kosovë).
Dezinformimin si instrument të luftës hibride në Kosovë e ka promovuar dhe vazhdojn ta aplikoj para së gjithash Serbia dhe Rusia. Serbia e ushtron këtë instrument përmes mediave të saj dhe filialeve të saj në Kosovë, me theks në ato në gjuhën serbe. Ndërkaq Rusia përmes platformave propagandiste si RT, Sputnik, dhe influencuesve pro-rusë.
Dezinformimin si instrument të luftës hibride në Kosovë janë duke e aplikuar edhe aktorë të brendshëm (politikanë që përdorin lajme të rreme për të sulmuar kundërshtarët), por edhe grupet kriminale/interesit (që përdorin dezinformim për të korruptuar proceset).
Dezinformimi dhe retorika anti-shqiptare nuk do ta shkatërrojnë dot as Republikën e Kosovës e as demokracinë, siç mëtojnë hartuesit e strategjisë dhe bartësit e kësaj lufte hibride, por mund ta dobësojnë atë deri në pikën ku zgjedhjet, debatet dhe besimi publik humbasin vlerën e tyre. Përgjigja nuk është censura, por krijimi I mundësive që qytetarët të jenë më të informuar dhe krijimi i institucioneve më reziliente.
Në një demokraci, është thelbësore që njerëzit të kenë qasje lirisht në informacion, të formojnë opinione, të shkëmbejnë argumente dhe të ndërtojnë presion politik. Megjithatë, kjo mund të funksionojë vetëm për aq kohë sa të gjithë aktorët e përfshirë bien dakord për një sërë rregullash të drejta dhe u përmbahen atyre.[Freihse/Unzicker:2025]
Por, kur informacionit nuk mund t’i besohet më, kur humori banal dhe akuzat pa far mbulese simulohen nga mediat televizive, madje edhe në emisionet më të shikuara, kur iks media me një armatë gazetarësh dhe opiniuonistësh e kuazianalisëtsh të ndryshëm gërvallen sistematikisht, kërcënojnë ose përplasen me një diskurs atipik, atëherë lindin dinamika të rrezikshme që shtrembërojnë proceset politike.
Rëndësia e strategjisë mbrojtëse ndaj dezinformimit
Për të mbrojtur Republikën dhe demokracinë, duhet të mirren një varg masash institucionale:
- Rritje e edukimit mediatik: Qytetarët duhet të mësojnë të verifikojnë burimet dhe të njohin
- teknikat e dezinformimit.
Bashkëpunim ndërkombëtar: Vendet demokratike duhet të ndajnë inteligjencën kundër dezinformimit (shembull: Iniciativa e BE-së për të garantuar informacionin). - Transparenca e mediave: Gazetaria investiguese dhe organizatat fakt-checking luajnë rol kyç. Forcimi i mediave të pavarura duke mbështetur gazetarinë dhe platformat për fact-checking (si Kallxo.com).
Analizat e mirëfillta që janë bërë nga institute me renome, sidomos vitin e kaluar tregojnë se fushatat e dezinformimit janë përdorur qëllimisht në mbarë botën për të ndikuar në zgjedhje. Ato u aplikuan zhurmshëm edh endër ne.
Prandaj kërkohet që shteti të marrë masa për të mbrojtur publikun, rendin demokratik funksional dhe Republikën. Duke e bërë këtë, ne kontribuojmë në dy fronte paralelisht: mbrojmë lirinë e shprehjes dhe njëkohësisht mbrojmë publikun që është përcaktuar për një rend demokratik dhe për Republikë funksionale. Një qasje sistematike do të ishte zhvillimi i një strategjie gjithëpërfshirëse: një përkufizim i përbashkët i problemit, masa të qarta politikash dhe marrëveshje për organet përgjegjëse qeveritare.
Ndërkohë vetëm gjashtë shtete anëtare të BE-së kanë paraqitur strategjinë e tyre për trajtimin e dezinformimit dhe forcimin e sferës publike dixhitale – me një shtrirje dhe thellësi shumë të ndryshme. Ndërsa disa vende tashmë kanë paketa gjithëpërfshirëse masash që kombinojnë arsimin, edukimin mediatik, përdorimin dhe monitorimin e teknologjisë, koncepte të tjera mbeten të paqarta ose janë të kufizuara në fusha individuale, si rregullimi i platformave të mediave sociale.
Hulumtimi i revistës gjermane International Politik Zeitschrift [IPG] që citova më lart, tregon se strategjitë efektive bazohen në një qasje të gjithë shoqërisë që përfshin në mënyrë të barabartë arsimin, gazetarinë e pavarur, inovacionet teknologjike dhe monitorimin e vazhdueshëm të platformave të mediave sociale – dhe fokusohet në afat të gjatë.
Dezinformimi në Kosovë nuk është thjesht një problem mediatik, por një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.