Antena M*
Kur presidenti rus Putin dhe presidenti serb Vuçiç më në fund vendosin të veprojnë sipas planeve të tyre për të destabilizuar seriozisht një aleat të NATO-s, Malin e Zi, dhe për të filluar një konflikt tjetër në Ballkanin Perëndimor, atyre do t’u duhen vetëm disa muaj për ta bërë këtë. Ja se si.
Së pari, qeveria e Malit të Zi është e dobët, e paqëndrueshme dhe plotësisht e varur nga mbështetja e partive ekstreme pro-serbe dhe pro-ruse. Këta elementë pro-serbë dhe pro-rusë tashmë po kërkojnë me zë të lartë të ashtuquajturin “rindërtim” të qeverisë – që do të thotë t’u jepen poste ministrore. Kryetari i Parlamentit malazez, Andrija Mandic, është një nga politikanët më të shquar pro-rusë në vend – që do të thotë se mbështetësit e Vuçiqit dhe Putinit kontrollojnë gjithashtu axhendën e Parlamentit.
Ata kanë mbështetje të heshtur nga një politikan tjetër pro-serb – Presidenti i Malit të Zi, Milatoviq, si dhe nga disa anëtarë të opozitës (ish-kryeministri Abazovic dhe partia e tij) dhe, më e rëndësishmja, nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, për 3.5 vitet e fundit , ka qenë entiteti më me ndikim në Mal të Zi.
E gjithë kjo do të thotë se blloku pro-serb/pro-rus është aktualisht forca politike më e fuqishme në Mal të Zi. Sapo elementët e tyre më ekstremë të hyjnë në Qeveri, do të jenë në gjendje ta destabilizojnë atë nga brenda. Ata tashmë kontrollojnë sektorin e sigurisë – sipas ministrit aktual të Drejtësisë të Malit të Zi, shërbimi kryesor i inteligjencës i Malit të Zi, ANB, u reduktua në të qenit “një zyrë satelitore e shërbimeve të sigurisë që funksionojnë jashtë sistemit të NATO-s” (lexo: shërbimi i inteligjencës serbe BIA) .
Megjithatë, elementët pro-serbë në koalicionin qeverisës deri më tani kanë bllokuar me sukses ndryshimet e pritshme të personelit në ANB. Kjo do të thotë se të njëjtët njerëz që kontrollonin inteligjencën e Malit të Zi e kontrollojnë atë tani. Kjo do të thotë më tej, se shërbimi inteligjent i Malit të Zi është ende “një zyrë satelitore” e BIA-s serbe.
Për më tepër, Mali i Zi në thelb nuk ka një kufi funksional me Republikën Srpska, e cila është, së bashku me Serbinë, përfaqësuesi kryesor rus në Ballkanin Perëndimor. Sipas raportimit investigativ të së përditshmes malazeze “Pobjeda”, qeveria e mëparshme, haptazi pro Vuçiçit, në thelb shkatërroi funksionalitetin e Patrullës Kufitare të Malit të Zi, duke anashkaluar qëllimisht policët e kalitur kufitar dhe duke instaluar në vend të tyre besnikë të paaftë të partisë.
Ministrat tjerë në Qeverinë e Malit të Zi, të udhëhequr nga kryeministri Spajiq, deri më tani kanë futur kokën në rërë dhe kanë zgjedhur të injorojnë të gjitha këto veprime. Në vend të kësaj, ata, të paktën publikisht, po përpiqen të përqendrohen në çështjet ekonomike dhe procesin e integrimit evropian. Megjithatë, është e vështirë të besohet se ata nuk e kuptojnë se fakti që një president autoritar i një vendi armiqësor ka fuqinë për të rrëzuar shpejt qeverinë e tyre, nuk është një shenjë e mirë për karrierën e tyre politike. Është gjithashtu naive deri në ekstrem të mendosh se Vuçiqi thjesht do ta lërë Malin e Zi të përfundojë negociatat e anëtarësimit me BE-në përpara se Serbia t’i përfundojë (dhe Serbia nuk e ka fare qëllimin t’i përfundojë këto negociata). E megjithatë, deri më tani, ata nuk kanë treguar guximin dhe mprehtësinë politike për t’u përballur dhe për t’iu përgjigjur kërcënimit.
Në këtë situatë, është relativisht e lehtë të nxitet konflikti civil në Mal të Zi. Së pari, partitë pro-ruse dhe pro-serbe rrëzojnë qeverinë. Ata ose mund ta bëjnë atë “nga brenda” – duke përdorur postet ministrore që marrin në “rindërtim” për të bllokuar procesin e vendimmarrjes ose thjesht mund të kërkojnë më shumë poste ministrore se më parë dhe të përdorin refuzimin e kësaj kërkese si një justifikim për të votuar. Qeveria del kështu jashtë pushtetit.
Sapo Mali i Zi të jetë i ngarkuar sërish me një qeveri të “përkohëshme”, Presidenti ose mund t’i japë një mandat një partie politike për të formuar një qeveri të re, ose të thërrasë zgjedhje të parakohshme. Sido që të jetë, paqëndrueshmëria politike që pason do të jetë një mundësi e mirë për forcat
pro-serbe dhe proruse që të fillojnë përsëri propagandën se “serbët në Mal të Zi janë në rrezik”, se “nacionalistët malazezë do të kthehen së shpejti në pushtet” dhe se Mali i Zi është tepër jofunksional dhe i paqëndrueshëm për të ekzistuar fare si shtet.
Pastaj fillon kaosi i vërtetë – komunat si Pljevlja, Nikshiqi dhe Berane, ku partitë pro-serbe/pro-ruse kanë shumicë të qartë dhe ku ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe është më i fortë, mund të vazhdojnë me organizimin e “referendumeve” të rreme dhe të shkëputen nga Mali i Zi. . Popullata në këto komuna është përgatitur në mënyrë aktive për këtë për një kohë të gjatë – duke mos përfillur kryetarët e tyre për flamurin malazez, himnin kombëtar dhe institucionet dhe sistemin ligjor malazez dhe me organizimin e ngjarjeve si “Topi i Shën Savës” dhe shfaqje të tjera të hapura agresive veprime të njohura këto të nacionalizmit virulent serb.
Kundërshtimi i mundshëm ndaj shkëputjes mund të dekurajohet më tej nga ndërhyrja e Kishës Ortodokse Serbe, e cila mund ta paraqesë procesin si një “mundësi historike për serbët për t’u bashkuar” dhe më e rëndësishmja, si dëshirë e Zotit.
Ashtu si 10 vjet më parë në Krime dhe Donbass, secesionistët do të ndihmohen aktivisht nga forcat paraushtarake të trajnuara nga shërbimet e inteligjencës ruse dhe serbe dhe do të futen në Mal të Zi nëpërmjet kufirit poroz. Këta elementë të armatosur do të kenë për detyrë të ushtrojnë kontroll mbi institucionet komunale ose të ndalojnë çdo përpjekje të forcave malazeze të sigurisë ose patriotëve malazezë për të ndërhyrë në “referendum”.
Si mund të reagojnë institucionet shtetërore të Malit të Zi ndaj kësaj? Nëse ata janë të paralizuar, ata nuk mund ta bëjnë këtë në mënyrë efektive. Elementet pro-ruse dhe pro-serbe mund të përdorin kontrollin e tyre të aparatit të inteligjencës dhe sigurisë për të bllokuar/ vonuar reagimin efektiv zyrtar. Mandiç mund të bllokojë Parlamentin nga shpallja e ligjit ushtarak dhe, si anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili është institucioni që mban komandën e Forcave të Armatosura të Malit të Zi dhe ka nevojë për votim unanim për të marrë një vendim, ai mund të ndalojë reagimin e ushtrisë së Malit të Zi. Kryetari i Parlamentit gjithashtu mund të refuzojë të votojë një projekt-ligj të mundshëm për të nxitur Nenin 4 dhe/ose 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut – Mali i Zi atëherë nuk do të jetë në gjendje të detyrojë NATO-n të veprojë.
Dhe tani finalja – Vuçiq mund të fillojë të kërcënojë ndërhyrjen ushtarake, sepse “serbët janë në rrezik” nga konflikti që pasoi. Ai mund ta përdorë këtë kërcënim si një levë ose për të kërkuar ndryshime kushtetuese dhe federalizim të Malit të Zi (duke përdorur “taktikat e tij të përshkallëzimit pastaj për të de-përshkallëzuar gjendjen dhe për të shantazhuar Perëndimin) ose mund të qëndrojë zyrtarisht mënjanë (Mali i Zi është, në fund të fundit, një aleat i NATO-s ), por e ndezi më tej konfliktin duke armatosur secesionistët dhe duke futur më shumë paraushtarakë. Cilido opsion që ai të zgjedhë, ai (dhe Putini, natyrisht) do të mbështetet në faktin se Perëndimi do të jetë shumë i preokupuar me krizat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe zgjedhjet në BE, MB dhe SHBA. Sidomos nëse vetë Mali i Zi nuk e zbaton nenin 5.
Mali i Zi në këtë skenar bëhet Irlanda Veriore e viteve 1969-1998 në rastin më të mirë, dhe Libani i viteve 1975-1990, në rastin më të keq. Të mos harrojmë – nëse ka një artikull me bollëk në Mal të Zi, ai është arsenali i armëve të zjarrit.
I gjithë skenari i përshkruar më sipër është hipotetik, jo i sigurt dhe mund të shmanget. Megjithatë, gjëja e frikshme është se as njerëzit me qëllime të mira në Qeverinë dhe opozitën malazeze, as aleatët tanë perëndimorë, nuk e kuptojnë se sa është rreziku të futemi të gjithë së afërmi në ingranazhet e realizimit të këtij skenari. [Përktheu: ISHGJ]
[* Burimi: https://www.antenam.net/stav/314142-how-does-a-civil-conflict-in-montenegro-start]