SHBA qëndron në prag të një lufte globale
Robert Clark
Lufta midis Izraelit dhe Hamasit do të intensifikohet, me një pushtim tokësor të Gazës që besohet të ndodhë së afërmi. Forcat izraelite po mblidhen përgjatë kufirit dhe ministri i mbrojtjes Yoav Gallant u ka thënë trupave në pritje, se së shpejti do ta shohin Gazën “nga brenda. Komanda do të vijë”.
Kjo komandë mund të jetë goditja e parë në një konflikt shumë më të gjerë. Në detin Mesdhe, një grup sulmi ajror amerikan është në pritje, duke shpresuar të pengojë aktorët e tjerë rajonalë nga përpjekjet për të ndërhyrë në luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Një grup i dytë është drejtuar në Gjirin Persik, së bashku me sistemet e mbrojtjes raketore. Predhat e artilerisë të cilat më parë ishin drejtuar në Ukrainë, tashmë janë rezervuar për Izraelin.
Ndërkohë, në kufirin verior të Izraelit, shkëmbimet e zjarrit me grupin terrorist Hezbollah të financuar nga Irani po shtohen. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se konflikti i drejtpërdrejtë do të sillte “shkatërrim të paimagjinueshëm” për Libanin dhe Hezbollahun.
Bota po përgatitet për luftë. Konflikti tashmë është ndezur në Evropë, me forcat ruse dhe ukrainase të mbërthyera në ofensivë dhe kundërsulm. Pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit, tani mund të ndizet Lindja e Mesme.
Ndodh apo jo, kjo varet pjesërisht nga Irani, financuesi dhe tutori politik i Hamasit dhe Hezbollahut, i cili tani është disa çaste larg zhytjes së mundshme të botës në një luftë të tretë botërore.
Ministri i Jashtëm iranian ka paralajmëruar Izraelin se nëse lufta nuk ndalet “menjëherë”, atëherë “çdo gjë është e mundur, në çdo moment, dhe rajoni do të dalë jashtë kontrollit”. Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin ka paralajmëruar për një rrezik shumë real të “përshkallëzimit të ndjeshëm”, të sulmeve ndaj forcave amerikane dhe civilëve.
Ai ka arsye të forta për t’u shqetësuar. Teherani nuk po e kufizon armiqësinë vetëm me fjalë; përfaqësuesit e tij rajonalë duken të vendosur të ngatërrojnë më tej SHBA-në, duke sulmuar forcat amerikane me dronë dhe raketa në bazën ajrore Ain Al-Asad në Irak, dhe al-Tanf në Siri.
Irani nuk po sprapset. Tashmë, një luftanije amerikane ka rrëzuar tre raketa lundruese të lëshuara nga terroristët Houthi, që mbështeten nga Irani në Jemen. Duke u nisur drejt veriut, këto raketa potencialisht
synonin Izraelin. Nëse do ishte i suksesshëm, një sulm i tillë do të kishte pasoja të gjera për Iranin, me hakmarrje pothuajse të sigurt izraelite, që mund të shkaktojë një luftë të drejtpërdrejtë – dhe përfshirjen e SHBA.
Situata është tej mase e tensionuar. Edhe pse angazhimi i tij ndaj luftës së Ukrainës fillon të lëkundet, Perëndimi përsëri e gjen veten të sfiduar nga regjimet autoritare. Burimet në dispozicion për Izraelin nuk janë të pakufizuara. Përveç vazhdimit të furnizimit me armë në Ukrainë, Amerika duhet të shqetësohet edhe për krahun e saj në Paqësor.
Uashingtoni është i angazhuar me riorganizimin e shpejtë të ushtrisë së vet për t’u përballur me kërcënimin e paraqitur nga një regjim komunist kinez gjithnjë e më luftarak, që synon ribashkimin me Tajvanin, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Me luftën dhe konkurrencën e fuqive të mëdha që po shpërthejnë në Evropë, dhe SHBA-të gjithnjë e më shumë të përfshira në Lindjen e Mesme, regjimi komunist në Pekin mund ta shohë këtë si një mundësi që shfaqet një herë në disa breza.
Me vëmendjen e Amerikës të shpërndarë, Irani mund të vendosë të provokojë më tej SHBA-në, në përpjekjet e veta për të shpallur dominimin rajonal, duke u përpjekur t’i shtyjë amerikanët të shkëputen dhe ta lënë Izraelin vetëm.
Nuk është e vështirë të shihet se si një akt armiqësor i gjykuar keqas, të mund të shkaktojë një reagim ushtarak dhe situata në Lindjen e Mesme të fillojë të dalë jashtë kontrollit të çdo lideri, të tërheqë në Uashingtonin dhe t’i japë Kinës dritaren e dëshiruar, për të tentuar një goditje vrasëse në Tajvan – një goditje e cila, pothuajse në mënyrë të pashmangshme do të tërhiqte një reagim amerikan.
Brenda disa muajsh, SHBA mund të përfshihet drejtpërdrejt në dy luftëra shkatërruese, në dy kontinente, dhe duke financuar një të tretë në Ukrainë.
Ky makth nuk është i pashmangshëm. Rruga drejt përshkallëzimit është e shtruar me qëllime të mira dhe zbutje. Nëse Amerika dhe Perëndimi tregojnë vendosmëri, se do të luftojnë në përgjigje të provokimit, ata ende mund të përballen me torturuesit e tyre potencialë.
Deri më tani, Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë qenë të palëkundur në mbështetjen e tyre për Izraelin dhe Kievin. Ata nuk duhet të lëkunden në javët në vazhdim. Diktatorët dhe të fortët respektojnë vetëm forcën, dhe është forca dhe vendosmëria që do ta detyrojnë Teheranin të tërhiqet. Siç thotë një fjalë e vjetër, nëse do të kesh paqe, përgatitu për luftë. _______________________________
* Robert Clark është drejtor i mbrojtjes dhe sigurisë në Civitas. Më parë, ai ka shërbyer në Ushtrinë Britanike