Nga Dr. Arben Qirezi
Në rastin e Kosovës, deklarata e kuvendit gjithëserb tregon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është partner i besueshëm me të cilin mund të arrihet normalizimi dhe paqja. Përkundrazi, ai është promotori kryesor i politikës agresive serbomadhe dhe dialogu nuk është mënyra e vetme përmes, të cilës mund të arrihet normalizimi dhe paqja e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në rajonin më të gjerë. Sepse, po shihet se synimi i Vuçiqit nuk është as normalizimi, as paqja. E vetmja gjë që nuk e lejon atë të fillojë një luftë të re në rajon është prania e NATO-s, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnie e Hercegovinë
Kuvendi gjithëserb, i cili u mbajt të shtunën e kaluar në Beograd, dëshmoi edhe një herë se nacionalizmi serbomadh i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, vazhdon të jetë shtylla e politikës zyrtare të Serbisë. Ky kuvend, në të cilin morën pjesë zyrtarët më të lartë të Serbisë, të Republikës Srpska dhe të kishës ortodokse serbe tregoi se politika e Millosheviqit nuk ishte një episod i nacionalizmit dhe shovinizmit agresiv ndaj popujve të tjerë, të ish-Jugosllavisë, porse është një konstante e mendësisë serbomadhe e cila vazhdon ta dominojë të menduarit politik dhe qasjen e Serbisë ndaj historisë dhe bashkëkohësisë në raport me popujt dhe vendet fqinje.
Në deklaratën 49-pikëshe të miratuar në këtë kuvend dhe i cili pritet të aprovohet nga Parlamentet e Serbisë dhe të Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë, për t’u bërë, siç thuhet i obligueshëm për të dyja, në të gjitha pikat ku flitet për shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë, shpërfaqet urrejtja ndaj popujve të tjerë, mohimi i përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftërave në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë, si dhe një narrativë vetviktimizimi, i cili ka qenë lajtmotiv i krimeve të forcave serbe të kryera ndaj civilëve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Në deklaratë nuk përmendet fare Vukovari, mohohet Srebrenica, kurse për krimet në Kosovë as që bëhet fjalë. Në të njëjtën kohë, në një intervistë dhënë për gazetën sarajevase, Dnevni Avaz, president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bën thirrje që shtetet në rajon të zgjedhin problemet me njëra me tjetrën pa praninë e bashkësisë ndërkombëtare, nga të cilët ankohet se “po e pengojnë bashkëbisedimin” ndërmjet shteteve në rajon. Kjo hipokrizi e Vuçiqit shpërfaq qëndrimin tradicional serbomadh të zgjidhjes së problemeve me anë të forcës. Prania ndërkombëtare e pengon Vuçiqit, sepse kjo prani e pengon realizimin me forcë të synimeve shtetmëdha nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, me gjithë tragjeditë, të cilat i ka shkaktuar gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë.
Ironikisht, ky kuvend u mbajt në kontekst të dy ngjarjeve të rëndësishme të cilat dëshmojnë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e kryera në ish-Jugosllavi: miratimi i rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë dhe përvjetori i 25-të i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe dëbimit të forcave ushtarake e policore të Serbisë nga Kosova për shkak të krimeve kundër popullsisë civile dhe shkeljes flagrante të së drejtës humanitare. Pra, në vend që të ishte një kuvend reflektimi për përgjegjësinë vetanake për tragjeditë në ish-Jugosllavi, ky kuvend vetëm sa e konfirmoi orientimin serbomadh të politikës zyrtare në Serbi dhe në Republika Srpska.
Në deklaratë sulmohet Kroacia, me pretendimin për gjenocid ndaj serbëve gjatë luftës së dytë botërore – diçka që është dëgjuar vazhdimisht gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe që kishte shërbyer si arsyetim i agresionit ushtarak të Serbisë kundër Kroacisë dhe krimeve kundër civilëve kroat në Vukovar e gjetiu. Deklarata po ashtu e minon unitetin shtetëror të Bosnje e Hercegovinës, duke promovuar fuqizimin e subjektivitetit të Republika Srpska, në raport me institucionet shtetërore të Bosnje e Hercegovinës. Në këtë mënyrë, synohet betonimi i mosfunksionaliteti të Bosnjës e Hercegovinës si tërësi shtetërore dhe rritja e ndikimit të Beogradit në proceset politike në këtë shtet.
Nga 49 pika të deklaratës së miratuar në Kuvendin gjithëserb, 4 sosh i referohen Kosovës. Aty shqiptarët dehumanizohen, duke u etiketuar si “secesionist,” mu sikurse janë quajtur prej vitit 1981, e përgjatë viteve të nëntëdhjeta, si dhe bëhet thirrje që “mbrojtja e serbëve” dhe e “monumenteve, pronës dhe varrezave” serbe të bëhet duke përdorur “të gjitha mjetet e parapara me ligjin e brendshëm dhe ndërkombëtar”. Kjo është thirrje e hapur për përdorimin e forcës në Kosovë, 25 vjet pas dëbimit të forcave ushtarake e policore nga Kosova dhe tregon se normalizimi dhe paqja janë larg, sepse Kosova nuk ka partner për t’u normalizuar dhe për të arritur paqe. Sepse nëse bëhen deklarata si kjo, ku bëhet thirrje e hapur për agresion, cila është logjika e dialogut? Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë seriozisht këtë deklaratë, sepse ajo, nuk është folklor siç kishte deklaruar ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, por është një sintezë e synimeve politike afatshkurtra dhe afatgjata shtetmëdha të Serbisë, e cila e kthen rajonin e Ballkanit perëndimor në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Bashkësia ndërkombëtare, nuk mund të arrijë synimin e vet për paqësimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor me tendenca të tilla destabilizuese të një shteti, i cili nuk heq dorë nga gjuha dhe synimet agresive të viteve të nëntëdhjeta, të cilat është përpjekur t’i realizojë përmes luftërave dhe gjenocidit mbi popujt e tjerë. Vazhdimësia e këtij nacionalizmi është kërcënim real, sidomos për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë diçka lidhur me këtë. Përkëdhelja e Serbisë nga ana e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian është e kundërefektshme, sepse i dërgon mesazhin udhëheqjes së këtij shteti se politika destabilizuese në rajon do të tolerohet përderisa Serbia distancohet nga Moska e Putinit. Kjo politikë e perëndimit është e gabueshme sepse llogarit në një mendësi politike, e cila ende nuk ka lindur në Serbi. Në të vërtetë, mendësia politike e Serbisë së sotme nuk ndryshon fare nga mendësia politike e kohës së Millosheviqit, kundër të cilës ishte ngritur bashkësia ndërkombëtare.
Në rastin e Kosovës, deklarata e kuvendit gjithëserb tregon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është partner i besueshëm me të cilin mund të arrihet normalizimi dhe paqja. Përkundrazi, ai është promotori kryesor i politikës agresive serbomadhe dhe dialogu nuk është mënyra e vetme, përmes të cilës mund të arrihet normalizimi dhe paqja e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në rajonin më të gjerë. Sepse, po shihet se synimi i Vuçiqit nuk është as normalizimi, as paqja. E vetmja gjë që nuk e lejon atë të fillojë një luftë të re në rajon është prania e NATO-s, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnie e Hercegovinë. Prandaj, për të siguruar një ombrellë afatgjatë dhe të qëndrueshme të sigurisë dhe për të arritur stabilitetin politik në rajon, e cila përfundimisht do ta zprapste politikën destabilizuese të Beogradit, është anëtarësimi i këtyre dy vendeve në NATO. Pas kësaj mund të bisedojmë në të vërtetë për normalizim sepse paqja do te jetë arritur. [KOHA]