Ng Dr. Selim IBRAIMI
Pasiguria vazhdon në Ballkan, megjithatë BE dhe SHBA kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prezente në rajon, pavarësisht vullnetit të dobët të qeverive ballkanike për të mos iu nënshtruar reformave dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura historike. Gjatë tre dekadave të fundit, SHBA dhe BE në Ballkan kanë ndihmuar qeveritë me mjete financiare dhe donacione. Disa i kanë përdorur me mençuri që një ditë të bëhen pjesë e unionit dhe disa jo. Nga ky këndvështrim, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë ecur përpara, gjë që të lë përshtypjen se deri në vitin 2030 vetëm disa vende si Mali i Zi dhe Shqipëria do të kenë fatin për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa të tjerat që ende po humbasin kohë do të përballen me kriza të papritura.
Në Samitin e fundit të BE-së për Ballkanin, Brukseli dëshmoi se është i përkushtuar ndaj procesit të integrimit, por ju mbetet qeverive ballkanike të bëjnë më shumë me ndihmën e BE-së. BE-ja nuk ka munguar në Ballkan, pavarësisht kritikave nga qeveritë e rajonit se Brukseli nuk po bën mjaftueshëm dhe është tepër burokratik. Brukseli ka miratuar një paketë financiare që shkon deri në 6 miliardë euro. Së bashku me këtë, Komisioni Evropian (KE) ka miratuar edhe “Paketën e Zgjerimit” duke ofruar “një vlerësim të detajuar të situatës dhe progresit të bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor”. Pra, janë të kota vërejtjet dhe akuzat e disa presidentëve dhe kryeministrave ballkanikë se BE-ja nuk është mjaft e pranishme në rajon.
Fokusi që nga viti 1991 dhe tani kur jemi në prag të kalimit në 2025, për BE-në, mbeten reformat themelore ku vetë qeveritë kanë ngecur pa fajin e BE-së dhe ku në mungesë të zbatimit të reformave, vërejtjet për shpejtësinë e zgjerimit i drejtohen vetë BE-së. Si SHBA ashtu edhe BE janë angazhuar në rajon që nga shpërbërja e Jugosllavisë, qoftë në formën e misioneve paqeruajtëse apo ushtarake. Por dinamikat e ndërlikuara politike, fetare dhe etnike të rajonit shpesh kanë sfiduar zgjidhjet që kanë ardhur nga Perëndimi, duke çuar në negociata të stërzgjatura dhe marrëdhënie të tensionuara ndërmjet shteteve, siç është rasti në mes Kosovës dhe Serbisë, apo Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kancelaritë perëndimore në tre dekadat e fundit në krahasim me vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, siç e theksuam më lart, kanë qenë të pranishme në Ballkan me projekte konkrete. Ndryshimi që nuk shihet në disa shtete të Ballkanit, nuk është faji i BE-së, por në realitet, janë faktorët aktualë politikë dhe etnikë, përfshirë edhe ata historikë, që kanë bërë që rajoni të ketë këtë rënie dhe progres të ngadalshëm ekonomik. Gjithashtu duhet theksuar se duke qenë një rajon me përzierje të ndryshme fetare, kulturore dhe etnike, BE-ja, pavarësisht lëshimeve që nga viti 1991 ka bërë shumë për Ballkanin. Dihet se popujt e rajonit kanë një histori të keqe marrëdhëniesh me njëri-tjetrin, marrëdhënie që kanë kontribuar në rritjen e tensioneve dhe rivaliteteve jo vetëm mes popujve të Ballkanit. Nisur nga faktorët e lartpërmendur, zyrtarët në Bruksel e kanë parë Ballkanin si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, me mundësi që nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe afrimit drejt bashkimit në BE, vatrat e konflikteve të bëhen më pak të rrezikshme edhe për Evropën. Së fundi, ndërsa çështjet e tjera të brendshme dhe të jashtme evropiane marrin formë dhe rëndësi, Ballkani është ende në agjendën e BE-së, ashtu siç u konfirmua edhe një herë nga diplomatët dhe zyrtarët evropianë në takimin e fundit.
Por, kombet dhe politikëbërësit ballkanikë mbeten të marrin në konsideratë të gjitha opsionet për bashkëpunim, të ruajnë kursin e deklaruar drejt BE-së, dhe të ofrojnë zgjidhje për çështje të hapura. Përndryshe, me dështimin eventual për të hyrë në BE, qeveritë ballkanike nuk do të kenë shumë argumente kundër BE-së. Atëherë në kushte të tilla, rajoni do të kthehet në një zonë të ftohtë mes shteteve, dhe në marrëdhëniet me BE-në e pse jo edhe me SHBA-në. Pra, viti 2025 duhet të jetë vit i veprimeve konkrete nga Shkupi, Prishtina dhe Beogradi. Ndryshe, i gjithë Ballkani kërcënohet nga një ndarje e re me pasoja për të gjithë. Ashtu siç e kemi analizuar në artikujt tanë të mëparshëm, ngritjen e partive të krahut të djathtë në BE dhe në Ballkan, ku prezenca e së kaluarës së errët merr formë në politikat aktuale, rreziku ekziston për rajonin dhe pjesërisht për BE-në. Por le të shpresojmë për një rezultat të mirë në 2025 dhe më tej.