Nga Dr. Selim IBRAIMI
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte organizoi një samit të shteteve të Detit Baltik javën e kaluar. Në takimin në Helsinki, sekretari Rutte njoftoi nisjen e një aktiviteti të ri ushtarak nga NATO për të forcuar infrastrukturën kritike. “Baltic Sentry”, quhet nisma e re e NATO-s për të mbrojtur vendet nordike dhe baltike nga sulmet ruse. Sipas NATO-s, ky aktivitet ushtarak do të rrisë praninë ushtarake të NATO-s në Detin Baltik dhe do të përmirësojë aftësinë e shteteve anëtare të aleancës në rast të një konflikti të madh me Rusinë në të ardhmen.
Në këtë kuadër janë shtuar zërat në vendet europiane anëtare të aleancës për rritje të buxhetit deri në 5 % të PBB-së në mbrojtje. Disa shtete të aleancës si Polonia kanë shpenzuar më shumë se 3 % duke premtuar që të arrijnë 5 %. Gjermania kanë shfaqur rezerva, mirëpo shtetet baltike janë zotuar se mund të arrijnë 5 %.
Në këtë drejtim, Rutte para ligjvënësve të BE-së tha se Evropa duhet të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes. “Ne jemi të sigurt tani, por mund të mos jemi të sigurt në pesë vitet e ardhshme,” tha ai. Ai tha se vendet e NATO-s mund të kenë nevojë të shpenzojnë 3.6-3.7% të PBB-së së tyre për mbrojtjen kundër kërcënimeve të mundshme. Analistë të ndryshëm thonë se propozimi i disa shteteve europiane dhe ai amerikan deri në 5 % vështirë të arrihet si objektiv, pasi do të kërkojë shumë sakrifica nga shtetet europiane, e që lidhet me shpenzimet ushtarake me pasoja në uljen e standardit ekonomik.
Në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Hagë në qershor të këtij viti, shtetet anëtare në parim mund të arrijnë një marrëveshje për shpenzimet ushtarake deri në 3% duke i marrë në konsideratë kërcënimet e së ardhmes. Nga frika e kërcënimeve të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, shtetet anëtare do të detyrohen që të kenë një marrëveshje për shpenzimet dhe plan shtesë në rast të një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga NATO.
Por, sipas vlerësimeve në Uashington, gjasat janë shumë të vogla që SHBA të largohet nga aleanca. Grindjet në mes SHBA-së, dhe shteteve evropiane, më shumë shihen si përpjekje për të arritur 3 % si minimum në shpenzimet e mbrojtjes. Sipas llogaritjeve të NATO-s, shpenzimet e kombinuara të shteteve anëtare shkojnë deri 1.474 trilion dollarë, ku 968 bilion dollarë janë nga SHBA, ndërsa shuma tjetër prej 507 bilion dollarë nga shtetet anëtare të aleancës.
NATO ka njoftuar se mesatarja e përgjithshme e shpenzimeve në mbrojtje është rreth, 2.71 % e PPB-së. Ndërsa në Ballkan gjerat janë më ndryshe. Sipas Balkan Defense Monitor (BDM), Serbia edhe pse nuk është anëtar i NATO-s, ka ende shpenzimet më të larta të mbrojtjes si pjesë e PBB-së me 2.0 %. Asnjë nga shtetet anëtare të NATO-s në rajon nuk e ka arritur pragun e 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2023.
Po sipas BDM, megjithëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fillimisht kishin planifikuar buxhetin për vitin 2023 për të arritur pragun prej 2% të PBB-së, shpenzimet aktuale në të dy vendet ishin nën 2% të PBB-së së tyre. Bosnja – Hercegovina ka shpenzimet më të ulëta ushtarake në Ballkan, duke i mbajtur ato nën 1% të PBB-së. Mirëpo, për sa i përket Maqedonisë së Veriut duhet thënë se buxheti i mbrojtjes ka pësuar një rritje të madhe në fushën e modernizimit që nga anëtarësimi i vendit në NATO. Buxheti i vitit 2024 ishte me një rritje prej 38% krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit të fundit të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes, buxheti shtetëror i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 parashikonte 263 milionë dollarë, ose 2.22 % të PBB-së. Po si llogaritën shpenzimet ushtarake të shteteve të NATO-s dhe si raportohen ato? Ministria e Mbrojtjes e çdo shteti anëtar i NATO-s i raporton shpenzimet aktuale dhe të parashikuara të mbrojtjes. Mund të ketë dallimeve prej raporteve nga organizatat tjera që raportojnë rreth uljeve dhe ngritjeve ekonomike, por në këtë drejtim qeveritë duhet të raportojnë të dhëna konkrete në mbrojtje, duke përfshirë edhe shpenzimet për pensionistët ushtarakë. Pra të dhënat drejt NATO-s duhet të jenë të sakta dhe gjthëpërfshirëse.
Në fund, sa i përket diskutimeve në SHBA dhe BE për shpenzimet, i gjithë debati transatlantik bëhet përshkak se SHBA është lodhur nga ngarkesa e madhe që mban në fushën e sigurisë në shpinë të taksapaguesve amerikanë. Uashingtoni po kërkon që vetë europianët të paguajnë më shumë për sigurinë në rast se dëshirojnë të jenë më të mbrojtur. Dhe pasi çështjet ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë kanë ndryshuar shumë, dhe NATO është zgjeruar drejt lindjes dhe në Ballkan, koha që po kalojmë dhe vështirësitë që janë paraqitur në Evropë pas 2014 me pushtimin rus të Ukrainës dhe në 2022, e bëjnë të pashmangshëm sigurinë si komponent të vihet e para nga shtetet.
Duke vënë në limbo shtetet anëtare me plane shtesë për të krijuar ushtri evropiane, ose më shumë mjete financiare për në fushën e mbrojtjes, disa qeveri mendojnë të mbajnë statusin neutral si mënyrë për tu mos u përfshirë në konfliktet e së ardhmes. Opsioni më i mirë tani për tani mbeten shpenzimet e mbrojtjes dhe inovacioni si një mënyrë për t’u përgatitur për luftërat e paparashikuara të së nesërmes.