Nga Dr. Gurakuç Kuçi – [Hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë]
Abstrakt:
Serbia synon rikthimin e saj apo arritjen e Botës Serbe (Serbia e Madhe) në Mal të Zi nëpërmjet modelit të Bosnjës me federalizëm, modelit të Maqedonisë së Veriut – sikur shqiptarët, modeli i tretë është Kosova – një asociacion të komunave me shumicë serbe, modeli i katërt është mundësia e një referendumi, ku mund të kërkohet bashkim i pjesshëm apo i plotë me Serbinë nga Mali i Zi dhe mundësia e pestë është ndryshimi i rrethanave gjeopolitike të volitshme që shpien tek invazioni total.
Këto konkluzione mbi punimin janë të bazuara mbi një analizë historike, gjeopolitike, apetitet hegjemoniste serbe, statistikore, të inxhinieringut etnik, të “territorit pa dalje në det” si dhe arsyeve ekonomike.
Punimi vë theksin se si demokracia me zgjedhje i lejoi Serbisë dhe Rusisë që gradualisht, pas vitit 2020, të ndryshojë strukturën politike.
Rezultati parashikon se interesat gjeopolitike të Serbisë shfaqen si pjesë e një strategjie për ruajtjen e ndikimit të saj në Ballkan dhe menaxhimin e zhvillimeve rajonale, duke krijuar sfida dhe ndryshime komplekse për stabilitetin dhe perspektivën e Malit të Zi në skenën ndërkombëtare.
Fjalët kyçe: censusi, inxhinieringu etnik, territor pa dalje në det, Mali i Zi, Serbia, Gjukanoviç, lufta hibride.Hyrje:
Në Ballkanin Perëndimor të trazuar, ku historinë e përcjellin sfidat e pakrahasueshme dhe ambiciet e palëve të ndryshme, një entitet i vogël, por me një vendndodhje të pazëvendësueshme dhe të rëndësishme, me dalje në detin Adriatik, vë veten në qendër të një loje të madhe gjeopolitike ndërkombëtare.
Territori i vogël, por me bregdet të gjatë 293.5 kilometra, dhe hapësirë ujore prej 2540 kilometra katrorë, nuk është thjesht një fragment gjeografik, por një shpërthim i tensioneve potenciale dhe shanseve të padukshme për ndikim të jashtëm. Mali i Zi, historikisht ka qenë pjesë e një peizazhi dinamik politik dhe strategjik, i vënë gjithmonë në fokus të fuqive të mëdha për qëllime të ndryshme.
Për një territor të tillë, me një hapësirë të kufizuar prej 13.812 kilometrash katrorë dhe një histori problematike, ka qenë e vështirë të mos jetë vazhdimisht objekt i ambicieve imperialiste. Serbia, me ambiciet e saj historike dhe mungesën e gatishmërisë për të pranuar status quo-në, ka shfaqur apetite të vazhdueshme për të kontrolluar këtë pjesë të Ballkanit, e cila historikisht ka pësuar ndikimet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë Rusinë dhe Serbinë ekskluzivisht.
Për fat të keq, historia e Malit të Zi ka qenë e pasigurt dhe shpeshherë e lidhur me sfidat e politikave ndërkombëtare. Pas Luftës së Parë Botërore, ky vend i vogël u përball me një aneksim “demokratik” nga Mbretëria Serbe në atë kohë. Kjo ngjarje është e ngjashme me atë të vitit 1989, kur Serbia suprimoi autonominë e Kosovës nëpërmjet forcës ndaj parlamentit të Kosovës.
Serbia kishte arritur që pas ikjes së mbretit të Malit të Zi, Nikollës, të krijonte kushtet e nevojshme që brenda pak ditësh në dhjetor të vitit 1918, të hartonin rregullat, të mbanin një referendum dhe një kuvend ku malazezët ndër të tjera i bashkoheshin Serbisë, një kuvend që më pastaj do të shpërndahej shumë shpejt pasi do ta kryente misionin e tij. (Pavlović, 2008) (Littlefield, 1922)Ndërkohë, ndryshimet e mëtejshme pas Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërja e Jugosllavisë do të sillnin një sërë transformimesh, me Malin e Zi që do të mbetet një pjesë e Jugosllavisë së dytë dhe pastaj të tretë deri në vitin 2006.
E veçanta e historisë së Malit të Zi shtrihet më tej në vitin 2006, kur pas një referendumi vendimtar, me pjesëmarrjen e rëndësishme të komunitetit shqiptar, u shpall pavarësia. Ky moment vendimtar shënon një kthesë të rëndësishme, duke hapur një kapitull të ri në jetën e pavarur të Malit të Zi në skenën ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, ndikimi i pjesëmarrësve shqiptarë në këtë proces vendimtar nuk mund të neglizhohet. Ata, me ndërgjegjen e tyre kombëtare dhe përkushtimin për lirinë dhe pavarësinë, kanë shtuar peshën e vendimit në favor të pavarësisë së Malit të Zi. Kjo tregon se, përkundër sfidave dhe tensioneve, faktorët nacional dhe kulturore shqiptar kanë një rol vendimtar në kthimet e fatit në këtë rajon me histori të ndërlikuar.
Pyetja hulumtuese e punimit është: Cilat janë interesat gjeopolitike të Serbisë në raport me Malin e Zi dhe si këto elemente ndikojnë në marrëdhëniet e tyre?
Hipoteza e punimit është: “Interesat gjeopolitike të Serbisë në Malin e Zi shfaqen si pjesë e një strategjie të përgjithshme për ruajtjen e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor dhe për të menaxhuar zhvillimet e ndryshme në rajon. Këto interesa përfshijnë ndikimin në politikën brenda Malit të Zi, mënyrën e trajtimit të çështjeve etnike dhe të shpërndarjes së fuqisë dhe interesa ushtarake dhe ekonomike”.
Variabli i varur është: “ndikimi i Serbisë në Malin e Zi”
Metoda hulumtuese e këtij punimi është bazuar mbi analizën e veprimeve të Serbisë kundër Malit të Zi, analizën gjeopolitike, analizën e zgjedhjeve, analizën e luftës hibride, analizën e inxhinieringut etnik dhe analizën e vendit “pa dalje në det”.
Gjukanoviç dhe Rruga e Pavarësisë: Politika e Jashtme dhe Atentati ndaj Gjukanoviçit në Historinë e Malit të Zi
Afrimi i Malit të Zi me perëndimin ka filluar nga mesi i viteve të ’90, aty pas marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjën dhe Hercegovinën. Marrëveshja e Dejtonit ishte arritur në gusht të vitit 1995, përderisa Millo Gjukanoviç bashkë me Svetozvar Maroviç vizituan Pentagonin në SHBA në nëntor 1995. (Morrison, 2018) Duhet kujtuar se Gjukanoviç ishte i afërt me Millosheviçin dhe mik i Momir Bulatoviçit, president i Malit të Zi asokohe, Bulatoviçi ishte mik i afërt i Millosheviçit po ashtu.
Gjukanoviçi me evoluimin e politikave pas Luftës së Ftohtë edhe ai kishte nisur një proces tërheqjeje nga lidershipi jugosllav. Vizita e tij bashkë me Maroviçin gjatë qëndrimit në Pentagon, ishte dhënia e Portit të Barit për veprime logjistike të paqeruajtësve ndërkombëtarë në Bosnjë dhe Hercegovinë. (Morrison, 2018) Ky moment e bëri Malin e Zi një aktor që vepron në formë të pavarur nga Serbia dhe si faktor bashkëpunues në skenën ndërkombëtare. Gjukanoviç po ashtu gjatë bombardimit të NATO-së mbi caqet ushtarake serbe në RFJ, kishte arritur që të negocionte kufizimin e sulmeve të NATO-së mbi territorin e Malit të Zi. (Morrison, 2018)
Kjo lidhje e Gjukanoviçit me Perëndimin, e bëri atë si njeri të tyre dhe gardian i rrugës së Malit të Zi drejt pavarësisë, integrimeve në NATO dhe BE. Mirëpo, ky rrugëtim nuk ishte pa sfida deri në tentim vrasjen e Gjukanoviçit.
Kur Mali i Zi kishte shpallur pavarësinë e saj nga Serbia, Aleksandër Vuçiq në një video shihet duke thënë se: “Referendumi do të njihet me forcë…. por do të punojmë që në 10-20 vjetët e ardhshme të organizojmë një tjetër, ku të bashkohemi sërish në shtetin e përbashkët me mjete demokratike”. (Filipoviç, 2024) Kjo video shpërfaq atë se Serbia asnjëherë nuk ka ndryshuar qasjen e saj të pushtimit të fqinjëve të saj, edhe atëherë kur ka bashkëpunuar me Bashkimin Evropian dhe se strategjia e saj është e ndërtuar krejtësisht mbi interesat e Rusisë.
Për të vërtetuar se Vuçiq nuk kishte folur kot për një rikthim strategjik të Rusisë dhe Proxy-ttë saj Serbisë në Mal të Zi kemi kërkesat e disa viteve më vonë të Rusisë për të marrë në posedim dhe qasje për qëllime ushtarake në Detin Adriatik nëpërmjet Malit të Zi.
Në vitin 2013, Mali i Zi kishte refuzuar një kërkesë të Federatës Ruse për të instaluar një bazë ushtarake në portin e tij të Barit në Adriatik për të ofruar mbështetje logjistike për flotën detare ruse në Mesdhe. (MediTelegraph, 2013) Një kërkesë e ngjashme ndaj Malit të Zi ishte përsëritur edhe me 2015, ku në këmbim të kësaj leje, Mali i Zi do të merrte disa miliardë dollarë. (Radio Slobodna Evropa, 2015)
Ambasadori Shaban Murati, në atë kohë konsideronte se: “Rusia me kërkesën e saj ndërmerr një sfidë gjeopolitike dhe ushtarake ndaj NATO-së, një përpjekje për të ndryshuar raportet e forcës në Detin Adriatik, sepse të gjitha shtetet përfshirë edha Malin e Zi, i përkasin orientimit strategjik euroatlantik dhe spektrit të sigurisë atlantike”. (Murati, 2014)
Ky refuzim i Rusisë nga Mali i Zi, ndikoi shumë në ashpërsimin e marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi me Rusinë dhe Serbinë. Rusia dhe Serbia, të dyja vendet që kanë pasur një lidhje historike të ngushtë, ishin të zhgënjyer nga vendimi i Mali i Zi për të mos pranuar bazën ushtarake ruse në territorin e tyre. Kjo situatë shtroi tensionet në rajon dhe krijoi një atmosferë të ndjeshme politike, sidomos pasi Mali i Zi ishte duke shfaqur një qëndrim të fortë pro-Perëndimit dhe në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike. Në këtë kontekst, vendimi i Malit të Zi për të refuzuar kërkesën e Rusisë u interpretua si një sinjal i qartë për orientimin e tij të ardhshëm politik dhe ushtarak drejt Aleancës së Atlantikut Verior dhe Bashkimit Evropian. Kjo gjë natyrisht thelloi dallimet dhe sfidat në raportet rajonale, duke sjellë një ndërhyrje të re në gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ky veprim i Malit të Zi ishte edhe në favor të fqinjëve tjerë të saj si Shqipëria, Kosova, Kroacia, por edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën.
Sfidat për Malin e Zi do të rriteshin edhe më shumë kur procesi i anëtarësimit të këtij vendi në NATO po intensifikohej edhe më shumë. Ky proces i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO e shndërroi shtetin në një skenë të ndërlikuar, duke e shtyrë atë të ndërmerrte një përpjekje të fuqishme për të pastruar institucionet e tij nga infiltrimet dhe ndikimet e ndryshme, duke përfshirë ato të Rusisë. Veprimet e Malit të Zi, ishin shenjë e vendosmërisë së këtij vendi për t’iu përgjigjur thirrjes së perëndimit për anëtarësim në NATO. Kjo përgjigje e Malit të Zi, me në krye Gjukanoviçin pothuajse do i kushtonte me jetë këtij të fundit.
Organet e sigurisë të Malit të Zi kishin marrë një paralajmërim nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) se kishin zbuluar që po përgatitej një atentat vrasje gjatë zgjedhjeve ndaj Millo Gjukanoviçit. Nga ky informacion, organet e sigurisë malazeze arritën të dekonspirojnë komplotin dhe aty u arrestuan një grup prej 20 shtetas serbë dhe malazezë, përfshi edhe ish-kreun e xhandarmerisë serbe Bratislav Dikiç dhe dy shtetas rusë. (Tomoviç, 2018) Në fillim të nëntorit 2016, prokurori malazez për krimin e organizuar dhe korrupsionin që kishte hetuar komplotin, Milivoje Katniç, kishte ardhur në përfundim se një grup nacionalistësh rusë kishin planifikuar vrasjen e kryeministrit Millo Gjukanoviç me qëllimin që në pushtet pastaj të vinte një parti opozitare. (Gotev, 2016)
Opozita malazeze pro-serbe dhe pro-ruse, këtë atentat e konsideroi si një manipulim të Gjukanoviçit për të fituar edhe një palë zgjedhje tjera. (Tomovic, 2018) Dëshmitë në gjykatë tregonin të kundërtën dhe para “Gjykatës së Lartë në Podgoricë dëshmitari bashkëpunëtor Sasha Singjeliç deklaroi se e ka refuzuar detyrën që ia ka dhënë shtetasi rus Eduard Shimakov për ta vrarë kryeministrin e atëhershëm Millo Gjukanoviç, gjatë zgjedhjeve të vitit 2016”. (GjyqiiPuçitNëPodgoricë: RusëtMëThanëTëVras Gjukanoviçin, 2018)
Kur në vitin 2022, kryeministri i ri dhe me mandat të shkurtër Dritan Abazoviç kishte nënshkruar një marrëveshje me kishën ortodokse serbe, Gjukanoviç kishte deklaruar se Kisha Serbe dhe Ruse janë në duart e Putinit i cili synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor nga viti 2016. (Metro, 2022) Pra, që nga koha e atentatit ndaj tij [Gjukanoviçit].
Ndikimi rus në Mal të Zi vërtetohet edhe nga dokumentet e inteligjencës maqedonase të publikuara nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe partnerët NOVA TV dhe Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit (KRIK). Sipas këtyre dokumenteve Ivan Stoilkoviç, një deputet maqedonas pro-rus, i cili ishte lider i një partie të vogël në koalicion me VMRO-në dhe Partinë Demokratike të Serbëve në Maqedoni kishte takuar politikanë dhe aktivistë nga Mali i Zi të cilët ishin kundër anëtarësimit të këtij vendi në NATO, klerikë të kishës ortodokse dhe zyrtarë të Moskës. (Dojčinović, 2017) Sipas të njëjtave dokumente, të gjitha këto ishin udhëhequr nga Goran Zhivaloviç, një operativist i BIA-së dhe zyrtar në ambasadën e Serbisë në Shkup.
Megjithatë, këto sfida nuk e ndaluan Malin e Zi që të ndjekë rrugën e anëtarësimit drejt NATO- së, ku edhe këtë e arriti me 5 qershor 2017 në kohën kur president i SHBA-së ishte bërë Donald Trump, vetëm disa muaj më herët. Ai nuk e kishte kundërshtuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO por e kishte quajtur si “shumë vend agresiv që mund të dërgoj në luftën e tretë botërore”. (The Guardian, 2018)
Mali i Zi deri në vitin 2020, do vazhdonte rrugëtimin e tij sigurt drejt strukturave perëndimore, mirëpo gjendja filloi të marrë tatëpjetën në vitin 2020.
Ndryshimet politike dhe analiza e zgjedhjeve: Marrëveshja e Abazoviçit me Kishën Serbe dhe pasojat në skenën politike
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 për Malin e Zi shënuan një kthesë dramatike në rrjedhën e ngjarjeve, duke shtuar sfidat për ruajtjen e perspektivës perëndimore. Pas tre dekadash të udhëheqjes të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), një koalicion opozitar “pro-evropian” u ngrit triumfues, duke shënuar fundin e një dominimi të gjatë të një partie të vetme, DPS-së.
Fituesit, koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”, i udhëhequr nga Zdravko Krivokapiç, shpalli një periudhë të re politike duke siguruar 36 nga 81 vendet në parlamentin malazias. Ky bashkim i forcave politike nga spektri i djathtë dhe i majtë përfshinte: Mali i Zi Demokratik (DCG), Mali i Zi i Bashkuar (UCG) dhe Lëvizja Qytetare (CG), duke i mbledhur 41 vota të mjaftueshme për krijimin e qeverisë.
Partia në pushtet, DPS, pësoi një humbje të madhe duke fituar vetëm 30 vende në kuvend. Koalicioni i ri për qeverisjen e Malit të Zi zgjodhi Zdravko Krivokapiç si kryeministër, një udhëheqës i cili do të qëndronte në pushtet për një periudhë prej vetëm 14 muajsh deri në fillim të shkurtit të vitit 2022.
Për herë të parë në historinë e Malit të Zi, në gusht të vitit 2021, për kryeministër u zgjodh Dritan Abazoviç, një figurë me prejardhje shqiptare, i cili u mbështet nga një koalicion i forcave pro- evropiane dhe pro-serbe. Megjithatë, mbi këtë rrugë drejt një drejtimi të ri politik, Abazoviç shfaqi një dallim të shpejtë midis hyrjes së tij në skenën politike dhe rrëzimit të tij nga detyra e kryeministrit. Ngritja dhe rënia e tij shpejt u kthye në një dramë politike pasi ai nënshkroi një marrëveshje bazike me Kishën Ortodokse Serbe, duke hapur diskutime dhe tensione të forta në skenën politike malaziase. Marrëveshja, e konfirmuar së pari në profilin personal të Abazoviçit në rrjetin social Telegram, një platformë e përmendur dhe akuzuar për lidhje me Rusinë, “caktoi të drejta ekstraterritoriale për Kishën Ortodokse Serbe dhe plot benefite tjera” (Kuka, 2022), duke shkaktuar një valë kundërshtimi dhe duke përbuzur mundësinë e stabilitetit të Malit të Zi. Kjo ngjarje shënon një pikë kritike në zhvillimet e fundit, duke sjellë sfida të reja dhe rikonfigurime të mëtejshme në politikën e Malit të Zi.
Sipas një studimi hulumtues të së përditshmes “Pobjeda” gjatë qeverisjes së Abazoviçit, ishin lejuar ndryshime në policinë kufitare, ku ishin anashkaluar policët profesionit dhe zëvendësuar me policë të paaftë por besnikë të partisë. Këto veprime sipas “Pobjeda” kishin mundësuar që në thelb Mali i Zi të kishte një kufi jo-funksional me Republikën Srpska që së bashku me Serbinë janë përfaqësuesit kryesorë të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. (Đuranović & Raičković, 2024)
Sidoqoftë, arsyetimi për të rrëzuar qeverinë e Abazoviçit u gjet tek marrëveshja e nënshkruar me Kishën Ortodokse Serbe, pasi kjo marrëveshje pati një ndikim të thellë në konfliktin e brendshëm politik në Mal të Zi, duke shtuar tensione dhe zhvillime të paparashikuara. Gjukanoviç, një kundërshtar i fortë i Abazoviçit, shfrytëzoi pozitën e tij si president dhe ndikimin në partinë e tij DPS për të organizuar një mocion votëbesimi që rrëzoi qeverinë e Abazoviçit me 50 vota pro, duke e detyruar kështu Malin e Zi të hynte në një periudhë të vazhdueshme të paqëndrueshmërisë politike.
Dritan Abazoviç mbeti në pushtet me një qeveri teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të reja në qershor të vitit 2023. Zgjedhjet e reja që u mbajtën në Mal të Zi ishin në frymën e përplasjeve të ashpra ndërmjet forcave pro-serbe dhe pro-ruse me ato pro-perëndimore. Këto zgjedhje prapë nuk krijuan ndonjë parti që kishte shumicën, por nga to doli pastaj një koalicion i madh prej 11 partive që do krijonin qeverinë me në krye Milojko Spajiç. Ai u emërua nën kundërshtimin e protestave për shkak të qasjeve të tij pro-serbe. Deputetët shqiptarë janë një lloj garancie që qeveria e Spajiç do ruaj kursin e tij pro-perëndimor dhe nuk do e tërheqë njohjen ndaj Kosovës.
Ndër të tjera, ndryshimet politike të Malit të Zi pas zgjedhjeve të fundit tregojnë një përkeqësim të qëndrimit malazias ndaj perëndimit dhe orientimit drejt atij pro-serb dhe pro-rus në shumë segmente të institucioneve. Për ta ilustruar, kryeparlamentari malazez, Andrija Mandiq, mori pjesë në një konferencë të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kur ky i fundit shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare serbe. Vuçiq zyrtarisht ka hequr dorë nga jeta partiake por ai vazhdon të ketë në grusht partinë që dikur e ka udhëhequr. Ky akt, i cili shpalli një solidaritet të qartë të Mandiçit me forcën politike të Vuçiqit në Beograd, nuk bëri asgjë tjetër veçse forcoi bindjen se Mal i Zi po drejtohet drejt një periudhe të vështirë dhe të paqëndrueshme në skenën politike, duke sjellë sfida të mëdha për qëndrueshmërinë dhe perspektivën e tij.
Mandiç po ashtu sipas një certifikate të nënshtetësisë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë, e publikuar nga Alternativa Cerna Gora, thuhet se ai është shtetas i Republikës së Serbisë dhe është i regjistruar në regjistër të qytetarëve në zonën me vendbanim Stari Grad në vitin 2009, me numër personal rendor 1229. Sipas ligjit malazez për shtetësinë, ai humb automatikisht shtetësinë malazeze dhe nuk mund të jetë kryetar i kuvendit të Malit të Zi. (Gazeta Dita, 2023) Mirëpo, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj kësaj shkelje.
Që qeveria dhe presidenca malazeze është me tendenca pro-serbe dhe pro-ruse tregon fakti se me marrjen e postit të presidentit nga Jakov Milatoviç pas Millo Gjukanoviçit, Milatoviç menjëherë kishte pasur një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku ishin pajtuar që të krijojnë marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike pas përplasjeve që kishin pas mes veti nga shpallja e pavarësisë e deri në vitin 2020. (Former Allies Serbia and Montenegro Agree to Repair StrainedRelations, 2023) Po ashtu, djali i Presidentit të Republika Serpskas, Igor Dodik ka pranuar se ka ndihmuar Milojko Spajiçin, tani kryeministër i Malit të Zi që të ndërtonte partinë në Mal të Zi dhe që Spajiç kishte marrë pjesë në Ditën e Republika Serpskas. (Vijesti, 2024a) Dodik me 27.02.2024, në momente kritike të përplasjeve globale, bëri disa vizita tek shumë “proxy” të Rusisë, ku e vizitoi edhe Malin e Zi. (RFE/RL’s Balkan Service, 2024) Kujtojmë se Millorad Dodik së bashku me dy djemtë e tij janë në listën e zezë të SHBA-së.
Sfidat ndaj Malit të Zi po vazhdojnë të rriten duke ndryshuar gradualisht qasjen e këtij shteti nga perëndimi drejt Serbisë dhe Rusisë dhe këtë e vërejmë edhe në censusin e mbajtur në fund të vitit 2023.
Censusi në Mal të Zi: Ndërhyrjet, manipulimet dhe akuzat për ndryshimin e identitetit kombëtar
Në Mal të Zi, censusi apo matjet e fundit të popullsisë, janë mbajtur nën kritika dhe akuza të forta për ndërhyrje nga jashtë dhe parregullsi. Për shkak të këtyre problemeve ky proces ishte shtyrë disa herë për t’u mbajtur me 3 dhjetor 2023 për 15 ditë me radhë. (After Several Postponements,thePopulation Census inMontenegro Begins, 2023)
Akuzat për ndërhyrjet e Serbisë në këtë census ishin të mëdha me qëllim për të ndryshuar rezultatet e censusit. Qëllimi i Serbisë ishte që banorët e Malit të Zi të deklaroheshin në përqindje sa më të madhe në malazez.
Para mbajtjes së censusit të fundit filloi një fushatë politike ku nëpërmjet billbordeve shkruheshin parulla “Nuk je malazez nëse nuk je serb” dhe po ashtu “Nëse nuk e di se kush je, pyete gjyshin tënd”. Në këtë fushatë politike u angazhua edhe Kisha Ortodokse Serbe, gjegjësisht në mes të tetorit të vitit 2023, Patriarku Porfirije (Prvoslav Perić) në
Podgoricë iu bëri thirrje gjithë besimtarëve ortodoks (ortodoks janë edhe malazezët) që ta “definojnë identitetin e tyre si një besim ndaj Kishës Ortodokse Serbe, si folës të gjuhës serbe dhe si pjesëtarë të nderuar të popullit serb … Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi, por edhe obligim dhe detyrë e të gjithëve …” ai po ashtu kishte thënë se: “…është e rëndësishme të ruajmë, mbrojmë dhe ruajmë atë që jemi, atë që quhet identitet – identitetin tonë fetar, personal, familjar, kombëtar të të parëve tanë, por edhe të pasardhësve tanë”. (Vijesti, 2023b)
Pas deklaratave të patriarkut serb të Kishës Ortodokse Serbe, ushtruesi i detyrës së kreut të DPS- së, Daniel Zhivkoviq, theksoi se qëllimi i regjistrimit të popullsisë të planifikuar për në nëntor është “inxhinieria etnike”. (Obradović, 2023)
Gjukanoviç për angazhimin e Serbisë në censusin në Mal të Zi, kishte deklaruar se: “Ideologët e Serbisë së Madhe duan të shkatërrojnë Malin e Zi. Prioriteti i parë është të dëshmohet se Mali i Zi është shtet serb. Identiteti kombëtar malazez është nën sulm sepse kjo i hap rrugën shkatërrimit të pavarësisë së Malit të Zi”. (Vijesti, 2023c) Këto paralajmërime për manipulim të censusit u vërejtën edhe gjatë mbajtjes së procesit ku u identifikuan shumë parregullsi. Ndër parregullsitë e identifikuara është regjistruar edhe rasti i manipulimit të listave në Podgoricë. Aty janë arrestuar disa persona përgjegjës për censusin pasi u zbulua se kishin përdorur mjetet e tyre për të manipuluar të dhënat, ku ishin përdorur lapsa të cilët mund të fshiheshin dhe po ashtu regjistra të tjerë të plotësuar fshehurazi që ishin të falsifikuar. (Salaj, 2023)
Dyshimet edhe më shumë i rritë publikimi i vetëm disa statistikave të kufizuara nga rezultatet preliminare të censusit, duke evituar informacionet mbi përkatësinë kombëtare, fetare dhe gjuhësore të popullsisë. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Statistikave të Monstatit, Miroslav Pejoviç, statistikat janë ende duke u procesuar dhe se kjo do të zgjasë disa muaj deri sa të publikohen. (Pamfleti, 2024)
Analizat rreth censusit në Mal të Zi sugjerojnë se ndërhyrjet nga Serbia janë përpjekje të ndikojnë në strukturën e popullsisë, duke nxitur në forma të ndryshme një pjesë të madhe të popullsisë të deklarohen si serb. Kjo ka nxitur shqetësime se rezultatet që do të publikohen të plota mund të jenë subjektive dhe të manipuluara për të pasqyruar një realitet të njëjtë me synimet e Serbisë dhe Rusisë në këtë rajon.
Përderisa nuk i dimë rezultatet e censusit të fundit ende se sa të deklaruar si serb jetojnë në Mal të Zi, sipas censusit të vitit 1948 jetonin vetëm 1.8% serb në Mal të Zi, me 1953 jetonin 3.3%, me 1961 jetonin 3%, me 1971 jetonin 7.5% serbë, me 1981 jetonin 3.3% serbë, me 1991 jetonin 9.3% serbë, me 2003 jetonin 32% serbë dhe sipas censusit të parafundit me 2011 jetonin 28.7% serbë. (StatisticalOfficeof Montenegro–MONSTAT, n.d.)
Grupi Etnik | 1948/ % | 1953/ % | 1961/ % | 1971/ % | 1981/ % | 1991/ % | 2003/ % | 2011/ % |
Malazezët | 90.7 | 86.6 | 81.4 | 67.2 | 68.5 | 61.9 | 43.2 | 45 |
Serbët | 1.8 | 3.3 | 3.0 | 7.5 | 3.3 | 9.3 | 32 | 28.7 |
Shqiptarët | 5.1 | 5.6 | 5.5 | 6.7 | 6.5 | 6.6 | 5 | 4.9 |
Boshnjakë | 0.1 | 1.5 | 6.5 | 13.3 | 13.4 | 14.6 | 11.8 | 11.9 |
Pra, vërejmë se pas fillimit të shkatërrimit të Jugosllavisë, dendësia etnike në Mal të Zi në favor të Serbëve ka filluar të ndryshoj me hapa të mëdhenj, duke arritur shifra të larta në dy censuset e parafundit. Një tregues i rritjes joproporcionale kundrejt shtimit të popullsisë dhe etnive tjera është tabela më lartë ku tregon një përpjekje të qëllimshme për të ndryshuar ekuilibrin etnik të një vendi. Në tabelën e ndërtuar bazuar në statistikat e marra nga agjencia e statistikave të Malit të Zi i kemi përfshirë vetëm katër grupe etnike, ku vërejmë edhe një ndryshim tek boshnjakët të cilët janë rritur në numër përderisa shqiptarët kanë ruajtur një konstante por duke shënuar rënie.
Gjeopolitika e izolimit detar: Ndikimi i humbjes së territoreve në identitetin dhe zhvillimin e Serbisë
Në mentalitetin serb, humbja e territorit të Kosovës nuk paraqet të vetmin shqetësim, ajo përkeqësohet më tej me humbjen e Malit të Zi. Kjo humbje konsiderohet si e drejta e Serbisë që i privon ata nga qasja e lirë në det dhe duke ulur ndikimin strategjik në rajon për Serbinë dhe aleatin e saj, Rusinë. Një vend pa dalje në det të hapur është një vend i cili është i rrethuar vetëm nga kufij tokësor si në rastin e Serbisë së tanishme. Rikthimi i Serbisë në një territor pa dalje në det të hapur, i ka sjellë pengesa të mëdha strategjike edhe Rusisë. Mungesa e qasjes në det të hapur përveç ndikimit strategjik ushtarak dhe politik, ajo ndikon edhe në atë ekonomik, rritë varësinë nga vendet fqinjë si në aspektin ekonomik edhe atë të sigurisë.
Vendet pa dalje në det në kategorinë e “vendeve në zhvillim”, priren të kenë performancë më të ulët në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI) krahasuar me homologët e tyre bregdetar. Sipas performancës së përgjithshme, nga 44 vendet pa dalje në det në kategorinë e vendeve në zhvillim, asnjë nga vendet nuk renditet në kategorinë e “zhvillimit shumë të lartë njerëzorë”. Nëntë nga dymbëdhjetë vendet më rezultatet e HDI më të ulët janë nga vendet pa dalje në det. (HumanDevelopmentReport 2021/22 |UNDP HDR, n.d.)
Duke qenë se edhe Serbia është në kategorinë e vendeve pa dalje në det dhe në kategorinë e vendeve në zhvillim, kjo ia rritë mundësitë Serbisë që të mbetet prapa me zhvillim ekonomik dhe në kategori tjera kundrejt fqinjëve të saj. Kjo forcohet edhe më shumë kur kemi parasysh faktin se Serbia është duke devijuar drejt autoritarizmit sipas freedom house. Ky institucion (freedom house) për vitin 2023 në gjetjet e saj për Serbinë shkruan se faqet e lajmeve pro-qeveritare të lidhura me partinë në pushtet përfshihen në fushata dezinformuese, qeveria përdor mjete përçarëse nëpërmjet rrjeteve sociale me narrativë kundër kritikëve dhe shton se Agjencitë Qeveritare janë angazhuar në përdorimin e mjeteve të spiunazhit dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike. (Freedom House, 2023)
Sa i përket korrupsionit, Serbia vetëm në 10 vitet e fundit sipas Indeksit mbi Perceptimin e Korrupsionit ka pësuar përkeqësim për 32 vende në korrupsion, duke u renditur vendi i 104 në botë, sa ishte në vendin e 72 në vitin 2013. (2023CorruptionPerceptionsIndex–ExploreSerbia’sResults, 2024)
Së fundmi, po ashtu Serbia ka treguar që nuk është e gatshme në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si ajo e arritur në Bruksel me Kosovën dhe aneksin e arritur në Ohër. (Deutsch Welle, 2023) Më këtë rast bën shkelje të hapur të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, premtimit ndërkombëtar dhe fyen rëndë BE-në dhe SHBA-në si mbështetës të dialogut.
Mirëpo, në aspektin e sigurisë, Serbia duke qenë një vend pa dalje në det mund të jetë një hap i cili e frenon atë drejt një bashkëpunimi më të lehtë me vende si Rusia dhe Kina dhe e frenon atë në të pasurit e një pavarësie kërcënuese. Kjo mund të kufizojë opsionet e saj tregtare, qasjen në burimet ushtarake ose mbështetjen diplomatike në krahasim me vendet bregdetare. Po ashtu këtij argumentimi i shtohet arsyeja se Serbia nuk po tregohet e gatshme për bashkëpunim rajonal në aspektin e barabartë sidomos në rastin e Kosovës.
Për më tepër, refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës krijon kompleksitet kur bëhet fjalë për iniciativat rajonale të sigurisë. Kjo mund të kufizojë aftësinë e Kosovës për të marrë pjesë plotësisht në programe të caktuara ose përpjekje për shkëmbimin e informacionit, duke penguar potencialisht stabilitetin rajonal. Megjithatë, është e rëndësishme të pranohen perspektivat alternative dhe të kuptohen faktorët kompleksë që luajnë në politikën e jashtme të Serbisë dhe konsideratat e sigurisë. Ky lloj izolimi krijon nevojën e Serbisë që në një të ardhme të afërt të ndryshoj qasje ose të përshkallëzimit ose të stabilizimit me fqinjët. Në rrethanat më të mira do ishte stabilizimi por në rrethanat e tanishme që gjendet bota mund të dërgoj drejt përshkallëzimit.
Serbia Malin e Zi e konsideron si pjesë të thellë të identitetit kombëtar dhe jo vetëm si territor, por edhe si pjesë të popullsisë së saj, të cilën e lidh ortodoksizmi dhe sllavizmi. Tomislav Nikoliç, pasi u zgjodh president në Serbi në maj të vitit 2012, në një intervistë për Televizionin e Malit të Zi, shprehu: “Unë e njoh Malin e Zi si shtet, por nuk ka dallim mes serbëve dhe malazezëve, sepse nuk ka”. (B 92, 2012) Kjo shfaq atë se Serbia nuk e pranon Malin e Zi si një komb të veçantë dhe e kontestojnë si shtet, duke e konsideruar si një pjesë integrale të Serbisë.
Ky territor i humbur nuk përfaqëson vetëm një humbje gjeografike, por një largim nga kuptimi i thellë i Serbisë për veten dhe rolin e saj në Ballkan. Konsiderohet jo vetëm si një sipërfaqe tokësore, por edhe si një bashkim i popullsisë ortodokse dhe trashëgimisë sllave, duke e bërë atë një element themelor të identitetit kombëtar serb.
Lidhja e Serbisë me këtë territor i shtohet nga koha e Naçertanjes, por ishte Woodrow Wilsoni që deri në një masë ia legjitimoj kërkesën Serbisë për dalje në det. Duke qenë Mali i Zi një vend me rëndësi strategjike që nga Luftërat Ballkanike, si një opsion për të shuar apetitet Serbe, në pikën e XI nga gjithsejtë XIV pikat e propozuara nga presidenti amerikan Woodrow Wilson pas Luftës së Parë Botërore, aty thuhej se Serbisë “duhet t’i jepet qasje e lirë dhe e sigurt në det”. (PresidentWoodrowWilson’s14 Points (1918), 2022)
Strategjia e qasjes së Rusisë dhe Serbisë në det asnjëherë nuk është mbetur si një version i vjetërsuar.
Zbatimi i kësaj politike nga Serbia është duke u mundësuar edhe nga qasja e butë që është duke iu bërë nga perëndimi me qëllimin e joshjes dhe largimit nga struktura ruse dhe kineze e gjeopolitikës.
Taulant Elshani nga Instituti OCTOPUS shkruan se: “Politika perëndimore e paqëtimit (appeasment politics) ndaj Aleksandër Vuçiqit jo vetëm që ka rritur mbështetjen e Serbisë nga Rusia, por ka dërguar gjithashtu në sigurimin e armatimeve më të avancuara. Ajo e ka inkurajuar Serbinë për të ndërmarrë sipërmarrje të rrezikshme ushtarake, si agresioni i hapur paraushtarak dhe terrorist kundër Kosovës. Ky qëndrim ka intensifikuar gjithashtu retorikën nacionaliste kundër Bosnje-Hercegovinës, ka rrënjosur më tej autoritarizmin dhe ka gërryer parimet demokratike brenda Serbisë”. (Elshani, 2024)
OpsionetOgurzezapërMalineZi:NgaOpsionetpolitikederitekatoushtarake
Serbia i ka të konsoliduar modelet imperialiste dhe kolonialiste të saj nga vitet ’80 dhe ’90, duke filluar nga heqja e autonomisë së Kosovës me 1989 dhe shpalljen e Regjioneve Autonome Serbe (SAO) në Kroaci dhe Bosnjë. Andaj, në varësi të rezultateve të censusit në Mal të Zi, reagimit perëndimor dhe rrethanave gjeopolitike mund të shohim edhe sjelljen e Serbisë në Mal të Zi, nëse politika e paqëtimit nga perëndimi vazhdon ndaj Serbisë, kjo e fundit do vazhdojë të reagoj në forma imperialiste dhe terroriste deri në arritjen e synimeve të veta.
Pas rezultateve të censusit, nuk duhet të habitemi nëse shohim daljen e lëvizjeve të tipit “Serpskipoktry otpors Kosova” (Lëvizja e Rezistencës Serbe në Kosovë) në Mal të Zi. Kjo lloj lëvizje, e krijuar në Kosovë me qendër në Fushë Kosovë (Sholleviç, Bulatoviç) në vitin 1982 nga Dobrica Qosiç, me 1986 përmes një peticioni drejtuar autoriteteve komuniste bënte thirrje për ndryshimet që ata i mëtonin të nevojshme për të ndaluar terrorin e pretenduar të shqiptarëve kundër serbëve në Kosovë. (Tromp-Vrkić, 2021)
Në këtë kontekst, lëvizjet në Mal të Zi mund të marrin modelin edhe të Republikës së Krajinës. Në fillim të viteve ’90, serbët në Kroaci me ndihmën e Serbisë, në rajonin e Kninit kishin shpallur Republikën e tyre. Momenti i pikënisjes për krijimin e Rajonit Autonom Serb të Krajinës, me Kninin si qendër Administrative, ishte “Deklarata e Sovranitetit dhe Autonomisë së Popullit Serb në Kroaci”, e miratuar nga Kuvendi i Serbisë me 25 korrik 1990. Deklarata shpallte se serbët nga Republika e Kroacisë kishin të drejtën e plotë të zgjidhin një sistem federal apo konfederal, qoftë bashkë me Kroacinë, qoftë në mënyrë të pavarur. Në gusht pastaj do të mbahej referendumi në 11 komuna me shumicë serbe ku do të votonin për pavarësinë. (Tromp-Vrkić, 2021a) E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Andaj bazuar në të kaluarën e Serbisë, që asnjëherë nuk është distancuar dhe nuk ka kërkuar falje për krimet e saj në vendet e ish-Jugosllavisë, opsionet që po e kurthojnë shtetin e Malit të Zi çdo ditë e më shumë po bëhen më ogurzeza, intensiteti i këtyre opsioneve është rritur pas ndryshimeve të mëdha politike me 2020 në Mal të Zi. Por këto janë bërë të dukshme veçanërisht pas luftës në Ukrainë. Boshti që pretendon se përfaqëson interesat e sllavo-ortodoksëve Moskë-Beograd tani është futur në luftë hibride kundër fqinjëve të tyre me të gjitha elementet e mundshme.
Nga përdorimi i mjeteve “demokratike” për qëllime ogurzeza e deri tek mjetet paraushtarake dhe ushtarake janë duke u parë si metoda të cilat janë në tavolinë nëse jo akoma në funksion.
Pasi Serbia dhe Rusia kanë arritur me sukses që të instalojnë “vasalët” e tyre në institucionet e Malit të Zi, shpejt mund të fillojë edhe përdorimi i tyre për qëllime ruso-serbe.
Në Mal të Zi pushtetin e kanë pothuajse gjitha partitë pro-ruse dhe pro-serbe, ato mund të zgjedhin rrugë të ndryshme për realizimin e interesave të Beogradit dhe Moskës. Në fillim mund të nisin gërryerjen nga brenda duke bllokuar procesin vendimmarrës apo edhe duke kërkuar më shumë poste ministrore, për pasojë këto dy kërkesa mund të hasin në refuzim të qëllimshëm dhe të përdoren si justifikime për rrëzimin e qeverisë.
Nëse presidenti i Malit të Zi lejon krijimin e një qeverie teknike apo e dërgon menjëherë vendin në zgjedhje kjo vetëm sa do jetë në interes të forcave pro-ruse dhe pro-serbe pasi ato do vazhdojnë me përhapjen e propagandës se “serbët në Mal të Zi janë në rrezik” dhe se “nacionalistët malazezë do të rikthehen shpejt në pushtet”. Kjo mund të intensifikohet sidomos pas daljes së rezultateve të plota të censusit të organizuar në dhjetor të vitit 2023.
Rezultatet përfundimtare të censusit mund të kenë edhe pasoja të tjera që mund të nxisin referendum p.sh. si në komunën e Pljeveljies, Nikshiqit dhe Beranës. Në këto komuna dominon ndikimi pro-rus, pro-serb dhe Kisha Ortodokse Serbe. Popullsia në këto komuna është refuzuese ndaj çdo gjëje malazeze duke filluar nga ligjet e deri tek simbolet. Kisha Ortodokse Serbe duke shfrytëzuar këto parametra në këto komuna mund ta sheh këtë çështje si një mundësi historike për serbët për t’u bashkuar dhe si “dëshirë e Zotit”.
Për të realizuar këto qëllime dalin në pah edhe metodat ushtarake dhe paraushtarake. Serbia dhe Rusia vazhdimisht kanë përdorur metoda paraushtarake dhe kjo u pa edhe me rastin e sulmit në Banjskë të Kosovës në shtator të vitit të kaluar (2023). Këto trupa mund të ndikojnë drejtpërdrejtë që secesionistët të realizojnë me sukses qëllimet e tyre dhe po ashtu ta neutralizojnë reagimin e forcave malazeze.
Të gjitha veprimet me lartë mund të funksionojnë edhe pa frikën e ndërhyrjes së Ushtrisë dhe NATO-së, pasi si duket jo rastësisht Mandiç është në krye të parlamentit të Malit të Zi, ashtu si Dodiku që është president i Republikës Srpska.
Mandiç nëpërmjet pozitës së tij si kryeparlamentar dhe anëtar në Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Malit të Zi mund të bllokojë këto institucione që të mbrojnë qenësinë aktuale të Malit të Zi. Mandiç nëpërmjet Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes që mban Komandën e Forcave të Armatosura e ndalon këtë forcë që të veprojë në përgjigje të çdo secesioni pasi ky Këshill vendimet i merr me unanimitet. Ndërsa nëpërmjet pozitës si kryeparlamentar, Mandiç po ashtu mund të ushtrojë autoritetin e tij që të ndaloj çdo reagim të opozitës nëpërmjet Kuvendit në thirrje të NATO-së bazuar në traktatin e kësaj të fundit gjegjësisht në nenet 4 dhe 5. Një thirrje e tillë mund të mos e bëjnë asnjëherë pozita por kjo nuk d.m.th. domosdo që e ndalon reagimin e NATO-së në rast se kërcënohet qenësia e saj dhe struktura e sigurisë. Por shfrytëzimi i referendumit si mjet “demokratik” mund të sjellë pikëpyetje serioze ndaj reagimit të NATO-së.
Opsioni i fundit mbetet një invazion total apo i pjesshëm i Serbisë kundër Malit të Zi nën pretendimin se “serbët janë në rrezik” duke krijuar kushte për një federalizim apo konfederalizim të Malit të Zi, secesion si me rastin e Krimesë me 2014 apo invazion total. Por, Serbia edhe mund të zgjedhë që zyrtarisht të mos angazhohet në asnjë nga këto opsione por i mjafton që të financoj dhe organizoj grupe paramilitare që ndihmojnë secesionistët dhe realizojnë qëllimet e Rusisë dhe Serbisë.
Këto ngjarje pastaj ndihmojnë në shpërqendrimin e luftës duke e vështirësuar edhe më shumë përballjen e perëndimit me luftën hibride dhe shumë qendra zjarri të krijuara nga Rusia. Rusia nxit krijimin e vatrave të reja zjarri në këtë vit pasi viti 2024 jo vetëm që 40% e shteteve të botës janë në fushatë elektorale dhe mbajnë zgjedhje, por ka zgjedhje edhe në shtetet më të rëndësishme si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.
Sipas Natalia Ischenko nga Balkan Observer, janë dy opsione të mundshme për Malin e Zi:
Opsioni 1.“Maqedonia e Veriut”. Serbët në Mal të Zi – si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – do të marrin të drejta më të mëdha për gjuhën e tyre dhe më e rëndësishmja – përfaqësim më të madh dhe të garantuar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha strukturat e pushtetit.
Opsioni 2. “Bosnje-Hercegovina”. Ky opsion parashikon federalizmin e Malit të Zi, duke përfshirë ndryshimin nga sistemi unitar në atë federal, si dhe krijimin e autonomisë serbe. (Правда, 2023)
Kështu, ndikimi i modelit organizativ dhe politik serb mund të përforcojë lëvizjet në Mal të Zi, duke sjellë ndryshime të mëdha në skenën dhe sistemin politik të vendit apo ndoshta edhe realizimin e profecisë së Trumpit.
Konkluzione
Gjeografia është një faktor kyç në përcaktimin e fatit të një vendi. Në skenën ndërkombëtare, vendet e vogla, por me pozicion strategjik si Mali i Zi, përfshihen në sfida të mëdha dhe janë nën presionin e fqinjëve me mendësi imperialiste.
Serbia, me një histori të pasur imperialiste, mbetet e vendosur në këtë rrugë të saj, duke mos u përpjekur të ndryshojë edhe pse perspektiva e Ballkanit Perëndimor mëton drejt perëndimit. Edhe pse Mali i Zi ka vazhduar rrugëtimin drejt strukturave perëndimore deri në vitin 2020, ai është sfiduar tani nga parti me orientime pro-ruse dhe pro-serbe. Kjo në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe ka shpallur hapësira të reja ndikimi, një ndërhyrje e cila u theksua së fundmi me tentativën e ndryshimit të strukturës etnike në Mal të Zi nga Serbia
Përtej kësaj, Serbia, në kërkim të zgjerimit territorial dhe daljes në det, me politikë imperialiste, objektiv kyç e ka edhe Malin e Zi. Ndërkohë, ndihma nga Rusia po shton presionin nëpërmjet luftës hibride, duke përdorur metoda të ndryshme për të arritur qëllimet e tyre.
Këtu përfshihen:
- vrasjet politike, siç ishte tentimi i vrasjes së Gjukanoviçit për ndryshimin e qasjes së Malit të Zi dhe ndalimin e anëtarësimit të saj në NATO.
- partitë politike, duke përkrahur subjekte të ndryshme, kryesisht të krahut të djathtë ekstrem dhe duke shfrytëzuar brishtësinë e demokracisë për të legalizuar çështjen etnike të tyre. zgjedhjet elektorale, duke krijuar sa më shumë subjekte të cilat pastaj arrijnë të copëzojnë votat e partive të mëdha që nuk janë pro interesave ruse dhe serbe.
- ndikimi nëpërmjet propagandave të ndryshime si ato që ishin para censusit që i përmendëm në punim.
- ndikimi i ndryshimit të deklarimit të shoqërisë për çështje etnike, në rastin
konkret deklarimi nga malazez në serb, inxhinieringut etnik.
- përdorimi i mediave televizive, të shkruara dhe rrjeteve sociale për të shpërndarë propagandë, agjitacion dhe dezinformim.
Nëse lufta hibride e Rusisë dhe Serbisë nuk ndalet, opsionet e mundshme për Malin e Zi janë pesë:
Opsioni1. “Maqedonia e Veriut”. Serbët në Mal të Zi – si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – do të marrin të drejta më të mëdha për gjuhën e tyre dhe më e rëndësishmja – përfaqësim më të madh dhe të garantuar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha strukturat e pushtetit.
Opsioni 2. “Bosnje-Hercegovina”. Ky opsion parashikon federalizmin e Malit të Zi, duke përfshirë ndryshimin
nga sistemi unitar në atë federal, si dhe krijimin e autonomisë serbe.
Opsioni 3. “Kosova”. Ky opsion parashikon krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Opsioni 4.“Referendumi”. Ky opsion tenton që në të njëjtën formë si është shpallur shteti i Malit të Zi, në të njëjtën formë të rikthehet nën Serbi, qoftë si union apo si shkrirje e tërësishme.
Opsioni 5. “Rrethanat Gjeopolitike”. Serbia mund të presë dhe zhagisë gjitha proceset në Ballkanin Perëndimor deri në ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe ndryshim të raportit të forcave, mundësisht në të mirë të Rusisë dhe Kinës, ku për pasojë pastaj ajo mund ta marrë me apo pa luftë lirshëm Malin e Zi.
Lufta hibride dhe përpjekjet për ndikim po nxisin tensionet në rajon, krijojnë një atmosferë të pasigurt dhe sfiduese, veçanërisht për Malin e Zi dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Këtë realitet që e ka krijuar Rusia dhe Serbia mund ta ndryshojë vetëm një përfshirje e fortë e komunitetit ndërkombëtar, me theks të veçantë nga NATO, SHBA dhe BE. Është koha për ta ndërprerë “politikën e paqëtimit” në drejtim të Serbisë dhe të kthehet vëmendja drejt veprimeve agresive, siç ishte akti i dhunshëm në Banjskë të Kosovës në shtator 2023 dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në Bosnjë dhe Mal të Zi. Vetëm nëpërmjet një qasjeje të përbashkët dhe vendosmërisë së përbashkët të komuniteti ndërkombëtar mund të ndalohet përhapja e ndikimit dhe destabilizimit të rajonit.
Shembulli i Putinit dhe Hitlerit dëshmon se sa e pavlefshme është “politika e paqëtimit” me diktatorët nazi-fashistë.
Sugjerime për Kosovën:
Kosova ka paraqitur planet për organizimin e një censusi shumë shpejtë (me gjasë nga data 1 prill 2024), një hap thelbësor për njohjen e popullsisë dhe për zhvillimin e politikave të përshtatshme. Instituti për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS këshillon që ky proces të kryhet me një përgatitje të plotë dhe të kujdesshme, duke marrë shembullin e Malit të Zi dhe duke marrë parasysh ndërhyrjet e palëve të treta si Rusia dhe Serbia.
Në veçanti, është e rëndësishme që Kosova të analizojë me kujdes çdo aspekt të procesit të censusit, duke përfshirë teknikat e regjistrimit, sigurinë e të dhënave dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve. Duke marrë parasysh përvojën negative në Mal të Zi, duhet të ndërmerren masat e duhura për të shmangur ndërhyrjet e mundshme nga faktorët e jashtëm, siç janë Rusia dhe Serbia. Në planin e jashtëm duhet të shtohet aktiviteti diplomatik në qendrat e vendimmarrjes, duhet të lidhen aleanca të reja, por edhe të përforcohet apo avancohet rruga drejt anëtarësimit në NATO.
Ndërkaq, është e rëndësishme të theksohet se organizimi i censusit është një proces thelbësor për njohjen e realitetit demografik të vendit dhe përparimin e zhvillimit. Duke iu përkushtuar një përgatitjeje të plotë dhe duke implementuar masat e duhura të sigurisë, Kosova do të ketë mundësinë të zhvillojë një census të saktë dhe të besueshëm, duke parandaluar veprime të përafërta dhe duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes dhe politikave publike në të ardhmen.
Referencat:
- 2023CorruptionPerceptionsIndex–ExploreSerbia’sresults. (2024, January 30).
Transparency.org. https://www.transparency.org/en/cpi/2023/index/srb
- After several postponements, the population census in Montenegro begins. (2023, December 4). Vox News. Retrieved January 29, 2024, from https://www.voxnews.al/english/kosovabota/pas- disa-shtyrjeve-nis-regjistrimi-i-popullsise-ne-malin-e-zi-i53845
- B 92. (2012, May 30). Podgorici ne smeta izjava Nikolic’s. B92.net. Retrieved February 1, 2024, from https://www.b92.net/info/vesti/index.php?yyyy=2012&mm=05&dd=31&nav_category=206&nav
_id=614272
- Deutsch Welle. (2023, December 19). BE e shqetësuar – Serbia nuk e zbaton marrëveshjen e Ohrit. dw.com. Retrieved January 30, 2024, from https://www.dw.com/sq/be-e-shqet%C3%ABsuar-pasi- serbia-nuk-e-zbaton-marr%C3%ABveshjen-e-ohrit-me-kosov%C3%ABn/a-67763231
- Dojčinović, A. B. S. C. B. S. a. S. (2017, June 4). Leaked documents show Russian, Serbianattempts to meddle in Macedonia. OCCRP. Retrieved February 14, 2024, from https://www.occrp.org/en/spooksandspin/leaked-documents-show-russian-serbian-attempts-to- meddle-in-macedonia/
- Đuranović, D., & Raičković, A. (2024, January 27). Najvažnije vijesti svakog dana. Pobjeda. Retrieved February 15, 2024, from https://www.pobjeda.me/clanak/kako-su-partijski-uhljebi- urusili-sektor-granicne-policije
- Elshani, T. (2024, January 17). Redefining diplomacy: Challenging Serbia’s path in the wake of Western tolerance. THE FRONTLINER. https://www.thefrontliner.uk/p/redefining-diplomacy- challenging
- Filipovic, @Ljubofil. (2024, February 16). Serbian President Vučić back in 2006 during the Montenegrin independence referendum. X. Retrieved February 17, 2024, from https://twitter.com/ljubofil/status/1758405554882400736
- Former allies Serbia and Montenegro agree to repair strained relations. (2023, July 10). PBS NewsHour. https://www.pbs.org/newshour/world/former-allies-serbia-and-montenegro-agree-to- repair-strained-relations
- Freedom House. (2023). Serbia. In Freedom House. Retrieved January 30, 2024, from https://freedomhouse.org/country/serbia/freedom-net/2023
- Gazeta Dita (Ed.). (2023, November 1). Kryeparlamentari i Malit të Zi mund të shkarkohet. Gazeta Dita. Retrieved February 8, 2024, from https://gazetadita.al/posedon-ne-menyre-te- paligjshme-shtetesine-serbe-kryeparlamentari-i-malit-te-zi-mund-te-shkarkohet/
- Gotev, G. (2016, November 7). Montenegro says it foiled Russian-backed plan to kill PMDjukanovic. www.euractiv.com.
- https://www.euractiv.com/section/enlargement/news/montenegro-says-it-foiled-russian-backed- plan-to-kill-pm-djukanovic/
- Gjyqi i puçit në Podgoricë: Rusët më thanë të vras Gjukanoviç. (2018, January 11). Tech-shëndeti. Retrieved January 29, 2024, from https://sot.com.al/bota-rajoni/gjyqi-i-pu%C3%A7it-n%C3%AB- podgoric%C3%AB-rus%C3%ABt-m%C3%AB-than%C3%AB-t%C3%AB-vras- gjukanovi%C3%A7
- Human Development Report 2021/22 | UNDP HDR. (n.d.). https://report.hdr.undp.org/?_gl=1%2a17nfgz5%2a_ga%2aNDg3MjkxMTY4LjE3MDY1MzUzO TY.%2a_ga_3W7LPK0WP1%2aMTcwNjUzNTM5NS4xLjEuMTcwNjUzNTU2My41NC4wLjA.
- Kuka, G. (2022, July 12). ÇfarëpërmbanmarrëveshjameKishënSerbedhesarrezikonAbazovic? – Euronews Albania. Euronews Albania. https://euronews.al/cfare-permban- marreveshja-me-kishen-serbe-dhe-sa-rrezikon-abazovic/
- Littlefield, W. (1922, April 16). Annihilation of a nation; Montenegrins’ effort to prevent annexation of their country to Serbia–Reparations Commission doesn’t know to whom to pay
$2,000,000 collected for Montenegro. The New York Times. Retrieved February 18, 2024, from https://www.nytimes.com/1922/04/16/archives/annihilation-of-a-nation-montenegrins-effort-to- prevent-annexation.html
- MediTelegraph. (2013, December 20). Montenegro refuses Russian request to use port of Bar for military purposes. The MediTelegraph. Retrieved February 16, 2024, from https://www.themeditelegraph.com/en/transport/ports/2013/12/20/news/montenegro-refuses- russian-request-to-use-port-of-bar-for-military-purposes-1.38181913
- Metro, G. (2022, February 9). Djukanovic: Kisha Serbe dhe Ruse janë në duart e Putin, i cilisynon destabilizimine BallkanitPerendimorë. . .Gazeta Metro. https://www.gazetametro.net/gjukanovic-kisha-serbe-dhe-ruse-jane-ne-daurt-e-putin-i-cili-synon- destabilizimin-e-ballkanit-perendimore-prej-vitit-2016/
- Murati, Sh. (2014). Mbi bazën ruse në Mal të Zi. In Rusia Ballkanike (p. 335). Botimet ENEAS.
- Obradović, A. (2023, October 16). Zivkovic: Census aimed at ethnic engineering, BIA controls process, we’ll propose boycott if we don’t get. CdM. https://www.cdm.me/english/zivkovic- census-aimed-at-ethnic-engineering-bia-controls-process-well-propose-boycott-if-we-dont-get- answers-by-day-end/
- Pamfleti. (2024, January 24). Mali i Zi publikon në kohë rekord të dhënat e Censit të popullsisë;po INSTAT pse i mban të fshehura? Pamfleti. Retrieved January 27, 2024, from https://pamfleti.net/aktualitet/mali-i-zipublikon-ne-kohe-rekord-te-dhenat-e-censit-te-popullsise- po–i209530
- Pavlović, S. (2008). Gods Messengers. In Balkan Anschluss: the annexation of Montenegro and the creation of the common South Slavic State (pp. 157–163). Purdue University Press.
- President Woodrow Wilson’s 14 points (1918). (2022, February 8). National Archives. https://www.archives.gov/milestone-documents/president-woodrow-wilsons-14-points
- Radio Slobodna Evropa. (2015, February 13). Officials dismiss talk of Russian military base in Montenegro. Radio Slobodna Evropa. Retrieved February 16, 2024, from https://www.slobodnaevropa.org/a/officials-squash-talk-of-russian-military-base-in- montenegro/26839898.html
- RFE/RL’s Balkan Service. (2024, February 27). Protesters boo “Putin envoy” Dodik as Montenegro Pro-Russian party welcomes him. RadioFreeEurope/RadioLiberty. https://www.rferl.org/a/protesters-boo-putin-envoy-dodik-as-montenegro-pro-russian-party- welcomes-him/32837738.html
- Salaj, A. (2023, December 16). Mali i Zi, hetime për parregullsi në regjistrimin e popullsisë. VoiceofAmerica. https://www.zeriamerikes.com/a/7400962.html
- Tomovic, D. (2018, May 22). Russian, Serbian, nationalists accused of plotting Montenegro coup. Balkan Insight. https://balkaninsight.com/2016/11/06/montenegro-s-prosecution-says-nationalists- from-russia-behind-coup-11-06-2016/
- Tromp-Vrkić, N. (2021a). Formimi i Republikës Serpska Krajina (RSK) dhe Politika e Ndarjes Etnike në Kroaci. In Gjykimii papërfunduariSllobodanMillosheviqit(pp. 204–205). Pema.
- Tromp-Vrkić, N. (2021b). Udhëheqësi dhe Ideologjia. In Gjykimi i papërfunduar i SllobodanMillosheviqit (pp. 112–113). Pema.
- The Guardian. (2017). Montenegrin prosecutor says Russian nationalists behind alleged coup plot. In The Guardian. Retrieved January 30, 2024, from https://www.theguardian.com/world/2016/nov/06/montenegro-prosecutor-milivoje-katnic-russian- nationalists-behind-alleged-coup-plot
- The Guardian. (2018, July 19). “Very aggressive”: Trump suggests Montenegro could cause world war three. The Guardian. Retrieved February 23, 2024, from https://www.theguardian.com/us- news/2018/jul/19/very-aggressive-trump-suggests-montenegro-could-cause-world-war-three
- Vijesti. (2023a, October 14). Porfirije in Podgorica: We are proud to speak the Serbian language, to be proud members of the Serbian people and. vijesti.me. https://en.vijesti.me/news/politics/677712/Porfirija-in-Podgorica%2C-we-are-proud-to-speak-the- Serbian-language%2C-to-be-great-members-of-the-Serbian-people-and-believers-of-the-Serbian- Orthodox-Church.
- Vijesti. (2023c, October 18). Đukanović: It is dangerous to carry out the census, the ideologues of Great Serbia want to “scratch” Montenegro. vijesti.me. https://en.vijesti.me/news/politics/678109/Djukanovic%2C-it-is-dangerous-to-realize-the- census%2C-the-ideologues-of-Greater-Serbia-want-to-destroy- Montenegro#:~:text=%22The%20ideologues%20of%20Greater%20Serbia,the%20destruction%20 of%20Montenegrin%20independence.
- Vijesti. (2024a, February 19). Dodik’s son: I helped Spajić start the party, and now he has lost his identity. vijesti.me. Retrieved February 20, 2024, from https://en.vijesti.me/news/politics/694804/Dodik%27s-son%2C-I-helped-Spajica-to-start-a- party%2C-and-now-he-has-lost-his-identity
- Правда, Є. (2023, October 24). Референдум на користь “сербського міра”: як чорногорці можуть стати меншиною в своїй країні. Європейська Правда. https://www.eurointegration.com.ua/articles/2023/10/24/7172043/