Gjersa po diskutohet me të madhe mbi propozimin befasues të kryeministrit shqiptar lidhur me një qendër të bektashinjve shqiptarë me karakteristika shtetërore sovrane të ngjashme me ato të Vatikanit (i frymëzuar me gjasë nga “Shoqëria e spektaklit” e Guy Debordit), mu kujtua një dokumentar i Marin Memës, i para 4 muajve (Një histori e rrallë e patriotëve shqiptarë), mbi përpjekjet dhe martirizimet e priftërinjve dhe intelektualëve ortodoksë shqiptarë të Jugut të Shqipërisë, që nga Naum Veçilharxhi e deri te Asdreni e Fan Noli. Shumica e tyre ishin priftërinj, ndërsa poeti i madh, nga të fundit të Rilindjes, Asdreni, megjithëse laik, një përmbledhje të tij poetike e pati titulluar çuditërisht “Psalme murgu”. Ky fakt më shtyri të mendoja: A mos vallë edhe nacionalizmi është thjesht një substitut i religjionit ndërsa nacionalistët, njësoj si priftërinjtë, po këndonin psalmet e tyre biblike me një përmbajtje të re laike? Dhe a mos gjithë nacionalistët shqiptarë s’ishin veçse priftërinj të një religjioni të ri?
Jo rastësisht librat e parë që u shkruan e u botuan shqip në gadishullin ballkanik ishin përkthimet e Biblës. Kam menduar se edhe Qerbelaja e Naimit ishte në këtë linjë, pra një subjekt thjesht fetar do t’u ofrohej shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare. Ndërkaq studjuesi Gent Carrabregu ka zbuluar te kjo vepër qëllimet thjesht nacionaliste të Naimit, dhe jo ndonjë përpjekje për të frymëzuar fanatizmin shiit.
Bibla e parë shqip u realizua me 1814 pas kontaktit të Vangjel Meksit me francezët dhe me ca priftërinj ortodoksë në ishullin e Korfuzit. Natyrisht që kjo ishte bërë për qëllime thjesht nacionaliste, që shqiptarët të mos kishin nevojë akoma për gjuhën greke për të komunikuar me zotin. Se sa janë të vonuar shqiptarët suni në këtë aspekt e dëshmon e dhëna mbi përkthimin e parë të plotë të Kuranit në gjuhën shqipe. Ndonëse sure të veçanta të tij ishin botuar qysh nga fundi i shek. XIX nga Naim Frashëri (1894) dhe Ilo Qafëzezi (1921), botimi i plotë i Kuranit u realizua vetëm në vitin 1984, i përkthyer nga akademiku kosovar Feti Mehdiu. Nuk është çudi prandaj që imamët tanë akoma janë të dashuruar pas arabishtes në predikimet e tyre, dhe nuk e kanë arritur akoma atë nivel emancipimi të priftërinjve të reformacionit luteran të shekullit XVI, që u drejtoheshin qytetarëve në gjuhët e tyre përkatëse.
Prandaj pyetja që ia vlen të shtrohet është se kush e shpiku i pari nacionalizmin tek shqiptarët?
Jemi mësuar të ofrojmë përgjigjen e gatshme se nacionalizmi është një produkt i iluminizmit evropian i përshtatur për shqiptarët nga poetë, filozofë e politikanë të ndritur bektashinj si frashërllinjtë, Samiu, Naimi e Abdyli, apo dijetari iluminist Hoxha Tahsini. Padyshim që përkatësia e tyre në një komunitet fetar opozitar brenda perandorisë sunite osmane i favorizonte ata për ta bërë kthesën dhe transformimin drejt nacionalizmit. Mirëpo a mjaftoi vetëm ky fakt, apo edhe fakti tjetër, se bektashizmi, megjithëse me sytë nga Perëndimi, qysh herët lindi dhe u zhvillua në një ambient ortodoks, dhe në rast se Xhalaludin Rumiu i madh adhuronte Krishtin, ky adhurim i erdhi nga ai lloj krishterizmi me të cilin ishte në kontakt të drejtpërdrejtë, përkatësisht nga ortodoksizmi bizantin. Si shpjegohet që miqtë më të ngushtë të idealit të Naim Frashërit ishin ortodoksi arbëresh Jeronim De Rada bashkë me shumë patriotë të tjerë ortodoksë të Sofjes e Bukureshtit? Si shpjegohet që lamentin më të fuqishëm, këngën më prekëse të vajtimit me rastin e vdekjes së tij, e shkroi ortodoksi Andon Zako?
Tradicionalisht, sulltanët osmanë kishin pasur raporte të ngushta me popullsitë ortodokse, sepse pikërisht ato ishin ndër burimet kryesore financiare për arkën e shtetit për shkak të taksave të veçanta që paguanin. Jo rastësisht edhe qendra e ortodoksizmit botëror akoma e ka selinë në Stamboll, ndërsa hoxhallarët në Kosovë deri vonë predikonin se për t’u bërë musliman një katoliku i duhet që më parë të kalojë nëpër ortodoksizmin, sepse që nga kohërat e profetit Muhamed, kontakti i parë i muslimanëve me besimin abrahamik ka qenë Bizanti dhe jo Roma, ortodoksia dhe jo katolicizmi.
A mos vallë e kundërta mund të jetë e vërtetë, se pikërisht një moskonvertim i ortodoksëve shqiptarë të Kosovës në muslimanë do t’i shpëtonte ata nga asimilimi, përkatësisht, do të bënte që ata, njësoj si jugu i Shqipërisë, t’i kundërviheshin sllavizimit përmes ndonjë ideologjie nacionale shqiptare si të Naum Veçilharxhit? Nuk e di se sa do të ketë qenë përqindja e ortodoksëve shqiptarë të Kosovës në kohën e luftërave austro-turke në mbarim të shekullit XVII, mirëpo nuk besoj se ata do të jenë sllavizuar pas kësaj lufte për shkak të besimit të tyre ortodoks. Kësisoj do t’i bënim një shërbim historiografik manipulatorëve serbë që thonë se vetëdija nacionale serbe shkon përtej shekullit XIX, deri tek principatat mesjetare serbe, gjë që është një gënjeshtër, si për serbët, ashtu dhe për shqiptarët. Pikërisht një shërbim të tillë na bëjnë paradoksalisht neve autorët budallenj serbë që pohojnë se elementi shqiptar nën Perandorinë Osmane paska qenë aq potent e aq “nacionalist” sa ka mbushur gjithë hapësirën e Kosovës të braktisur nga serbët. Ata u atribuojnë shqiptarëve kësisoj një vetëdije etno-nacionale, një shkallë kulture dhe një fuqi të tillë që objektivisht nuk mund ta kishin pasur në atë kohë dhe për më tepër, në kushtet e pushtimit. E vërteta, ndërkaq, është se grupime të kufizuara banorësh shqiptarë janë degdisur në zona të caktuara brenda Perandorisë Osmane vetëm kur një sundimtar lokal i pashallëkut apo vilajetit ka pasur kokëçarje/telashe me to, siç ka qenë rasti me kelmendasit, një fis që u shpërngul dhunshëm nga malësia e tyre burimore në Sanxhakun e Novi Pazarit, nga ku do të lindte edhe udhëheqësi i mëvonshëm i Kryengritjes së parë serbe.
Gjithashtu vështirë se mund të qëndrojë hipoteza se sikur prijësit e Lidhjes së Prizrenit të kishin kyçur në radhët e veta edhe elementin katolik të Kosovës, fati i saj do të zhvillohej ndryshe. Elementi katolik në Kosovë në fund të shekullit XIX nuk ishte aq masiv e i fuqishëm sikurse ai në Shkodër, ku austriakët e italianët bënin garë se kush kë do të mbështeste më shumë elementin katolik vendës të grupuar rreth françeskanëve e jezuiteve. (Me gjasë, goditjen fatale pas disfatës austriake të Pikolominit në Kosovë e pësoi pikërisht elementi i saj katolik, dhe jo ortodoksët që i përkisnin kryesisht rajas taksapaguese besnike ndaj sulltanit.) Megjithatë, një veprim i tillë i Lidhjes sigurisht që do të gëzonte simpatinë e ndonjë diplomati perëndimor për orientimin e distancuar e tolerant të shqiptarëve kundrejt një realiteti multifetar.
Përse ishin pikërisht ortodoksët shqiptarët e parë që përqafuan nacionalizmin? Përgjigja është e thjeshtë, më parë se kush jam, individi ia shtron pyetjen vetes se kush nuk jam. Duke vrojtuar shpërthimet e para të nacionalizmit grek në fillim të shekullit XIX, shqipfolësit e “Greqisë” nisën të pyesnin veten: “A mos jam edhe unë grek?” Kësaj pyetjeje ata iu përgjigjën në dy mënyra: pohuese dhe mohuese. Askund më mirë se në letrën që i dërgon të nipit të tij Naum Veçilharxhi nuk ilustrohet ky fakt: për Jani Calin xhaxhai i tij është një i marrë. Përkundrazi, Naumi ishte i sigurt që fara që kishte mbjellë ai me “Ëvetarin” do të jepte fruta dhe historia do t’i jepte të drejtë atij dhe jo nipit të ti mendjefyell. Prandaj themelet e nacionalizmit shqiptar janë dy: themeli arsimor i “Ëvetarit” dhe themeli politik i “Letrës Jani Calit”, që të dyja nga ortodoksi Naum Veçilharxhi. Mund të thuhet me siguri të plotë: nacionalizmi shqiptar lindi si një replikë ndaj nacionalizmit grek. Ndërsa vargu i martirëve që humbën jetën në përplasjet me panhelenistët për më shumë se një shekull ishte i pafund. Ata mund të krahasohen vetëm me vuajtjet dhe sakrificat e predikuesve të parë të krishterimit që sfiduan religjionin zyrtar të Romës:
Theodor Haxhifilipi (Dhaskal Todhri) i vrarë më 1805
Naum Veçilharxhi, i helmuar
Anastas Kullurioti, i vrarë
Pandeli Sotiri, i vrarë
Thimi Mitko, vdekje natyrale
Jani Vreto, vdekje natyrale
Konstandin Kristoforidhi, vdekje natyrale
Koto Hoxhi, vdekje në kushtet mizore të burgut osman Yedikule
Papa Kristo Negovani, i vrarë me 1905
Petro Nini Luarasi, i helmuar me 1911
Atë Stath Melani, i vrarë me 1917
Spiro Kosturi (Themelues i Mësonjtores së Korçës), i vrarë
Nikolla Naço, vdekje natyrale
Dhimitër Heqimi, i vrarë
Apostoll Kollçaku, i vrarë
Gjokë Pjetri – Shqiptari (i djegur gjallë bashkë me fletët e abetares shqip)
Aleks Andrea ng Oshteqa, i vrarë
Atë Dhimitër Misha – Bellkameni
Papa Llambro Ballamaçi, i vrarë
Vasil Tallabaku
Vangjel Balojana
Pasha Pema, i vrarë
Kozma Trebicka, i vrarë.
Kjo listë sigurisht që nuk është e plotë, vetë korçarët e dinë më së miri numrin e plotë. Do të kisha dëshirë që edhe Kosova të kishte ndonjë martir të gjuhës shqipe e të arsimit shqip, mirëpo një gjë e tillë nuk më rezulton përpara viteve të pushtimit serb me 1912. Një përjashtim mund të bëjë vetëm rasti i likuidimit nga serbët i Shtjefën Gjeqovit. Mirëpo edhe për periudhën pasuese nuk më kujtohet ndonjë botim që ta ketë trajtuar këtë problem.
Për të treguar respektin për martirët korçarë të shqiptarizmës, kryeqytetet tona, Tirana e Prishtina, do të duhej që të ngrinin së paku ndonjë park me emrin “Martirët korçarë të Rilindjes”, ndërsa vetë qyteti i Korçës do ta nderonte veten po të ngrinte një shëtitore ku në të dy anët e rrugës të ngriheshin në mënyrë uniforme (madhësie të njëjtë) bustet e të gjithë martirëve të rrethit të Korçës. Kësisoj ky qytet do të kthehej në një vend pelegrinazhi për të gjithë ata shqiptarë që nuk do të heqin dorë kurrë nga rrënjët e vetëdijes së tyre nacionale.