Nga Dr. Selim IBRAIMI
Në dy shekujt e fundit, Gjermania ka luftuar shumë për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare, veçanërisht në Evropë dhe, natyrisht, në rajonin tonë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, (LDB) përfshirja e Gjermanisë në Ballkan u nxit për motive strategjike dhe ekonomike, të tilla si sigurimi i furnizimeve me naftë nga Rumania dhe mbajtja e një zone kundër forcave aleate në Detin Mesdhe. Pushtimi i Greqisë dhe Jugosllavisë në vitin 1941 kishte për synim stabilizimin e rajonit. Në veçanti pushtimi ishte kundër BRSS-së. Nga viti 1945 deri në vitin 1990, Gjermania, nga një vend që u bombardua në vitin 1945, bëri përparim të madh, gjë që tashmë është një fuqi e pashmangshme evropiane, dhe më shumë. Për të arritur në këtë fazë, gjermanët kanë punuar shumë për shekuj me radhë. Kur jemi tek roli i Gjermanisë, përpara se një shtet të projektojë fuqi, është e domosdoshme të ketë disa kapacitete ekonomike, industriale, inovative dhe ushtarake. Në terma konkret, Gjermania është një nga shtetet që i posedon këto kushte.
Gjermania ka provuar, veçanërisht në tre dekadat e fundit, të jetë një faktor në të gjitha krizat, luftërat e rëndësishme, dhe sigurisht në paqe. Në situatën tonë, Berlini e ka ndihmuar Ballkanin në dërgimin e ndihmave ushtarake, ekonomike, forcave paqeruajtëse dhe të tjera. Qeveria e re e Gjermanisë e kancelarit Friedrich Merz ka planifikuar të zgjerojë përfshirjen e forcave të armatosura në misionet ndërkombëtare duke përfshirë Ballkanin. “Duke vazhduar pjesëmarrjen e saj në këto misione, qeveria gjermane po thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqe dhe stabilitet”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius. Kancelari Merz e ka bërë të qartë se dëshiron një Gjermani ndryshe me një ushtri të fuqishme që nuk do të varej më nga SHBA. Për këtë ndryshim, Gjermania tashmë ka një buxhet për të forcuar Berlinin gjatë dy deri në tre dekadat e ardhshme. Qeveria e tij ka planifikuar të bëjë investime ushtarake deri në 600 miliardë euro shtesë gjatë 14 viteve të ardhshme.
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se kancelari, po shtyn përpara një buxhet për vitin 2025 prej mbi 60 miliardë eurosh, një rritje prej 10 miliardë eurosh nga viti i kaluar. Shpenzimet aktuale të njohura në qeveria gjermane po bëhen për arsye të ngecjes së qeverive të mëparshme gjermane në modernizimin e ushtrisë gjermane. Me premtimet e reja të kancelarit Merz, pritet që industria gjermane e armëve të marrë një drejtim tjetër të prodhimit në masë. Përkundër premtimeve, planet e qeverisë së re mund të sfidohen nga partitë tjera si nga AfD e cila ka kundërshtuar kancelarin Merz përshkak të shpenzimeve të mëdha financiare që duhen të bëhen për ushtrinë gjermane. Sipas AfD shpenzimet nuk përpudhen me “konservatorizmin fiskal”. Një raport i Zyrës Federale të Statistikave, thotë se PBB-ja e Gjermanisë në vitin 2024 ishte afërsisht 5.76 trilion dollarë. Për vitin 2025, rritja e PBB-së parashikohet të jetë 0.3 përqind duke reflektuar ngecjen ekonomike për shkak të sfidave të eksportit dhe pasigurisë globale, me një rimëkëmbje ekonomike e parashikuar nga qeveria gjermane në 1.1 përqind për vitin 2026. PPB-ja, vizioni dhe misionet e jashtme gjermane tregojnë për rritjen e ndikimit gjerman nga një shtet i kufizuar në një shtet me përgjegjësi globale.
Nën kancelarin e ri Friderich Merz, qeveria në Berlin ka bërë të njohur ambicie të reja për të transformuar ushtrinë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës dhe rreziqeve që vijë nga Rusia dhe më gjërë. Merz tha se do ta bëjë ushtrinë gjermane një ndër të fuqishmet në Evropë. Këto janë disa nga sfidat dhe objektivat aktuale të kancelarit Merz i cili do të ballafaqohet në vitet në vazhdim. Për sa i përket misoneve ushtarke gjermane në Ballkan dhe më gjërë, Gjermania pas vitit 1990 konkretisht me diplomacinë dhe ushtrinë e saj në Bosnjë- Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ka luajtur një rol të rëndësishëm. Misionet gjermane në Ballkan u aktivizuan pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 1994 që lejonte operacione të tilla me vendim të Bundestagut (parlamentit) gjerman. Objektivat e vendosura në Berlin mbeten për tu parë nëse do të plotësohen, pasi qeveria e re pavarësisht parashikimeve, ka trashëguar një ekonomi në rënie. Kjo më tej mbetet të shihet nga veprimet e kancelarit Merz gjatë këtij viti. Ripërtrirja ekonomike gjermane do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për BE-në dhe Ballkanin.
Për sa i përket më tej Ballkanit, vizioni i Gjermanisë ka qenë i lidhur ngushtë me zgjerimin e BE-së drejt ish vendeve komuniste. Procesi i Berlinit, i filluar nga ish-kancelarja Angela Merkel në vitin 2014, është vlerësuar si themeli i strategjisë së zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit. Procesi i Berlinit është konsideruar jo vetëm si projekt ekonomik, por edhe si një përpjekje të shteteve nëpëmes ekonomisë të ndërtojnë një mbrojtje sipas standarteve të NATO-s. Gjermania e ka parë anëtarësimin në BE dhe NATO për vendet e Ballkanit si një domosdoshmëri gjeopolitike për të parandaluar ndikimin rus dhe kinez. Berlini u përqëndrua në Procesin e Berlinit, sepse inkurajon integrimin ekonomik dhe politik midis shteteve të Ballkanit përmes nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh. Njëkohësisht ekziston një drojë nëse vizioni aktual gjerman është në shpërputhje me interesat afatgjata të disa shteteve të Ballkanit që synojnë vetëm financat e BE-së dhe në anën tjetër janë duke parë zgjidhje të tjera. Megjithatë, rritja ekonomike, emigrimi, modernizimi i forcave të mbrojtjes, sfidat e procesit të anëtarësimit të ish vendeve komuniste nga Ballkani në BE, ngritja e probleme historike dhe ndikimet globale kanë potencial të devijonë jo vetëm shtetet e BE-së bashkë me Gjermanisë por vetë rajonin.
Për të mbajtur të qëndrueshme jo vetëm anën ekonomike, ne këtë kohë është e rëndësishme të vazhdohet me një bashkëpunim të ndërsjelltë në fushën e sigurisë për çka Gjermania pavarësisht tërheqjes së zbehtë nga Ballkani, është zotuar se do të jetë e pranishme në të gjitha proceset e integrimit dhe paqes. Paralelisht, me përpjekjet për një buxhet më të madh, qeveria në Berlin vendosi të shfuqizojë gjithashtu postin e të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin. Deri më tash si i dërguar ka qenë Manuel Sarrazini i cili ka vizituar disa herë rajonin e Ballkanit duke mos dhënë rezultate konkrete për politikën e jashtme gjermane. Kjo nuk do të thotë se Gjermania nuk do të angazhohet në rajon dhe do të tërhiqet. Në fund është e kuptueshme që pa Gjermaninë BE-ja nuk mund të ecë përpara dhe natyrisht kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit që presin shumë nga Berlini. Qeveria e kancelarit Merz me planet e njohura tregon për një Gjermani që pretendon të jetë e fuqishme ashtu si dukur pas bashkimit në vitin 1848. Nga kjo me siguri se do të përfitojnë të gjithë duke përfshirë edhe rajonin tonë.