Lufta e re e Ftohtë po shkakton përplasje mes fuqive rajonale për sferat e tyre të interesit. Në këtë kuadër, Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës, vetëm duke ecur drejt krijimit të Federatës Shqiptare si mburoja e interesit nacional, do të sigurojnë stabilitetin dhe prosperitetin tonë si Komb.
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Rikthimi i gjeopolitikës po ndodhë tok me Luftën e re të Ftohtë që po karakterizohet nga shpërthimet e luftrave në zona të “nxehta” të tipit të luftrave me prokurë [rasti i Ukrainës, asaj në Lindjen e Meme – Gazë], tensioneve të ndezura në zona tjera [Ballkan, Azi Perednimore, Iran…], mospërfilljeve të normave ndërkombëtare, rikthimit të plotë në garën për armë në plan të gjerë, me theks midis SHBA-së nga njëra anë dhe fuqive të mëdha si Kina dhe Koreja e Veriut për Indo-Paqësorin dhe Rusinë e Euroazinë nga ana tjetër…
Pretendimi i Rusisë së Putinit se brenda pak ditësh, eventualisht javësh, do ta rikthente Ukrainn në tërësi brenda spektrit të saj, në përputhje me interesat gjeopolitike ruse, nuk e kishte parasysh gadishmërinë e SHBA-ve për ta tërhequr Rusinë në një luftë-kurth të gjatë, që do ta arsyetonte zhytjen e saj në garën e re për armatim dhe përballje afatgjatë me Europën Perendimore.
Në procesin e rikthimit gjeopolitik kishte nevojë urgjente që të spërthente lufta në Ukrainë, me qëllim që të ndalet marshi rus drejt Euroazisë.
Përmbyllja e Luftës së Ftohtë me fitoren e demokracive liberale përballë socializmit të tipit rus, sado që kishte krijuar entuziazmin mbi “fundin e historisë”, respektivisht promovimin jo pa burbujë të unipolaritetit që për gadi tri dekada do të drejtohej nga SHBA-të, në esencë kishte shpërfaqur edhe një zonë të madhe gri. Në këtë zonë “shtetet kaluan nga politika e jashtme pro-SHBA-ve ose politika e jashtme e qartë anti-SHBA-ve, qoftë edhe e kufizuar, në një politikë të jashtme më të pavarur.”[1]
Në këtë kapërcyell të rikthimit të gjeopolitikës rrjedhimisht dalin në skenë, përveç Kinës si sfiduesja kryesore e SHBA-ve, edhe disa fuqi rajonale që sfidojnë dominimin amerikan në pjesë të ndryshme të globit dhe mbajnë marrëdhënie miqësore me Kinën. Në këtë rast India zë vend qendror, por nuk mbesin mbrapa edhe fuqitë rajonale si Turqia, Irani, Korea Veriore, Afrika e Jugut, Brazili…
Në përpjekjet e saj për rikthim të plotë në skenën botërore në cilësinë e superfuqisë, Rusia luan të gjitha levat e mundshme, për realizimin e ambicieve të saj. Aspak mbrapa saj nuk mbeten as India, Irani dhe Turqia.
Irani na rishfaqet sërish me ambiciet e tij bërthamore dhe me peshën që pretendon ta imponoj edhe në Lindjen e Mesme përmes provokimit të luftës në Gaza, po edhe mbështetjes së hapur të Hutit në Jemen.
Por, përderisa studjues të shumtë gjykojnë se ky rikthim i gjeopolitikës në themel ka garën amerikane të armatimeve dhe tensionet në rritje me Kinën, ai po promovon njëkohësisht edhe Luftën e re të Ftohtë që po shkakton përplasje mes fuqive rajonale për sferat e tyre të interesit që njëkohësisht sfidojnë hegjemoninë amerikane.
Lufta në Ukrainë imponoi ndryshimin e dinamikës
Ndërsa Lufta e Ftohtë i referohej konkurrencës së pushtetit dhe garës së armëve midis dy superfuqive – SHBA-ve dhe BRSS-së, rikthimi tek gjeopolitka dhe promovimi i Luftës së re të Ftohtë është ndërmarrje e madhe dhe përfshin sfidant të ri si Kinën, Rusinë, Indinë, Turqinë, Iranin… të cilët kërkojnë të promovojnë një rend t ri botëror. Në këtë rend të ri botëror, sipas tyre, roli i SHBA-ve dhe i Perendimit në përgjithësi, do të ishte shumë më i kufizuar se sa që ata kanë në rendin aktual.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore [LDB] po shpërfaqte në skenën e re politike botërore dy fituesit shenjues të saj – SHBA-të dhe BRSSS-në. Ata tok, në zanafillën e Lufëts së Ftohtë, që po promovonin me krijimin e dy blloqeve ushtarake, kishin ideologjinë [përballeshin demokracia liberale me komunizmin e tipit rus]. Lufta e Ftohtë e re bazohet përgjithësisht në interesa gjeopolitike dhe gjeoekonomike, që nuk kanë për orjentim fare ideologjinë. Ndërkohë ka zëra nga mileu i mendimit politik amerikan, se beteja për një rend të ri botëror ka për bazë edhe përplasjen ideologjike që për bazë ka demokracinë e tipit amerikan përballë autoritarizmit të tipit të Kinës, Rusisë a Iranit. Megjithatë, ekspertët nga pjesë të tjera të globit nuk e shohin këtë si një konkurrencë ideologjike, pasi politika e jashtme amerikane nuk promovon gjithmonë demokracinë.[2]
Nga mbarimi i LDB e deri në rënien e perdes së hekurt në Berlin [1989], me çka shënohej edhe fundi i Luftës së Ftohtë, intenziteti i luftrave me prokurë në nivel planetar ishte më i ultë; ai nuk rrezikonte dot përplasjen mes superfuqive bërthamore.
Shpërthimi i lufëts në Ukrainë dhe dështimi rus për ta pushtuar e nënshtruar Ukrainën shpejt dhe plotësisht, ka imponuar dinamikë tjetër në rrafshin global. Rrjedhimisht intensiteti i konfliktit midis konkurrentëve në Luftën e Ftohtë të re duket se do të jetë më i lartë edhe për shkak të natyrës së lokalizuar të konflikteve.
Shpërthimi i luftës në procesin e shkërmoçjes së Jugosllavisë duket të ketë qenë prologu i këtij përballimi të ri mes superfuqive. Ndërhyrja e NATO-s atbotë për të ndalur thellimin e gjenocidit në Bosnjë e Kosovë, pra jo për të parandaluar atë, kishte për objektiv edhe arsyetimin moral të një ndërmarrjeje të tillë që do të kufizonte rolin e Rusisë tutje në Ballkan.
Ndërkaq zhytja e Rusisë sot në një luftë të re, në Ukrainë, gjithësesi me shumë të panjohura, sado që në interesin e Putinit do të ishte që ajo të prodhojë një varg shpërthimesh në pjesë të ndryshme të palnetit, ky konflikt po shkon drejt përplasjes afagjatë mes Europës dhe Rusisë.
Gjatë dinamikave të reja që mund të rrjedhin në këtë proces të rikthimit të gjeopolitikës, e bashkë me të edhe të promovimit të Luftës së re të Ftohtë, çdo konflikt midis SHBA-ve dhe Kinës do të kufizohet ekskluzivisht në rajonin Indo-Paqësor. Por, përderisa gjatë Luftës së Ftohtë [1947-1989] qe arritur një lloj barazpeshe dhe “mirëkuptimi” për ndarjen e sferave të interesit, zhvillimi i hovshëm i teknologjisë sot në përmasat e një Lufte Kibernetike, që është tipari shenjues i Luftës së re të Ftohtë, e bën përballjen të jetë sfiduese për të gjithë pjesëmarrësit.
Por, ngjashëm si në epokën e Luftës së Ftohtë dhe përballjes mes dy blloqeve atbotë [SHBA-BRSS], edhe sot në fillet e Luftës së re të Ftohtë, përballja mes fuqive bërthamore do të bëhet çmos që të shmanget.
Kjo intencë për shmangie të një përballje të tillë lexohet qartë edhe në reagimin e Papës, tek i bën thirrje Ukrainës që të ngre flamurin e bardhë dhe të fillojë bisedimet për paqë, edhe me kushtin që të humbas territor.[3] Çdo luftë e drejtpërdrejtë në epokën e globalizimit do t’u kushtojë atyre edhe në frontin ekonomik.
Ndryshe nga periudha sa zgjati Lufta e Ftohtë, kur blloku amerikan dhe ai sovjetik u demarkuan, ndërkaq ekonomia globale ishte larg integrimit, Lufta e re e Ftohtë po promovon ndikimin e madh të përdorimit të sanksioneve amerikane ndaj konkurentëve rajonal të SHBA-ve, meqë fuqia ekonomike dhe dominimi i saj në tregjet botërore, gjykojnë ekspertët amerikan, luan një rol kryesor në botën globale.
“Bota serbe” dhe rirreshti i ri gjeopolitik
Ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, nga fundi i shkurtit vizitoi Malin e Zi me ç’rast e vetkuptueshme, u takua me zyrtarët më të lartë të shtetit. Me këtë rast, ai kishte dërguar “disa mesazhe sterile, të përgjithshme për publikun për domosdoshmërinë e Euro- Integrimi Atlantik”[4], shkruan publicisti i njohur malazez Balsha Knezheviq.
Në këtë kontekst, vizita e O’Brien-it nuk ndryshon aspak nga vizitat e zyrtarëve tjerë të lartë nga perëndimi, të cilët në Mal të Zi sillen pak a shumë si administratorë kolonialë që detyrohen të japin urdhra, sepse kjo duket se është e vetmja rrugë se si mund ta bëjë të funksionojë grupi “rininë politike”, që është aktualisht në pushtet.
Kjo vizitë vije në prag të promovimit të bazës usharake ajrore taktike të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kuçovë [Shqipëri] që do të bëhej më 4 mars , duke hyrë në histori si e para bazë e aleancës në rajonin e kësaj pjese të Europës Juglindore që sot po cilësohet pa ndonjë bazë shkencore si Ballkani Perëndimor.
Por përderisa për shqiptarët përgjithësisht përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeostrategjik të vendit, po aq edhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake, me Malin e Zi ndryshon puna.
Kësaj vizite i parapriu ndryshimi i thellë në kreun e Malit të Zi dhe një sprovë për pushtimin e veriut të Kosovës nga fundi i shtatorit të vitit që lamë pas [24 shtator 2023] nga ana e Serbisë. Ndërkohë revista prestigjioze amerikane The Times paralajmron se ka dyshime se Serbia po përgatit një operacion tjetër ushtarak ndaj Kosovës.[5]
Këto zhvillime tok me kërcnimet e përditshme të drejtuesve të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë për shkëputje nga Bosnja dhe bashkim në kuadër të “Botës serbe”, flasin se rajoni i Ballkanit Perëndimor është në një situatë shumë më të keqe dhe në gjendje jostabiliteti më të rënduar se sa ishte disa vite më parë kur hynë në skenë projekti i Eskobar-it dhe Hill-it që ndërlidhet me Ballkanin e hapur. Shih për këtë, shkruan B.Knezheviq “nuk është çudi që spekulohet se ata përfaqësojnë një zhgënjim të madh për diplomacinë amerikane, megjithëse kjo nuk do të thuhet kurrë zyrtarisht.”[6]
Zbarkimi ndërkohë i të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Prishtinë këtë javë nuk ndërlidhet thjeshtë vetëm me mesazhet që ai i solli Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, por shkon përtej këtyre raporteve.
Siç bën të ditur Departamenti i Shtetit, Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024.
“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Më 13 e 14 mars ai vizitoi Kosovën dhe dha deklarata tejet kontraverze.
“Vendimi për dinarin – katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës…”
Ose:
“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe, dhe shtete tjera si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, tha Escobar.[7]
Ose edhe më kontravrze, por që sinjalizon krijimin e alibisë për shpërthim të luftës së re shqiptaro-serbe! Kujt i shërben nëse jo Beogradit kjo axhendë politike?
“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë.”[8]
***
Derisa Serbia si parakusht për shkëputje nga orbita ruse duket se e ka rikthimin tek axhenda e ndarjes së Kosovës në një mënyrë a tjetër [imponimi i Bashkësisë së Komunave Serbe mund të cilësohe tsi hapi i parë në këtë drejtim] dhe përfshirjen e Malit të Zi dhe Republikës Serbe të Bosnjës brenda “Bota serbe”, ajo ndërkohë me ngurrim po bëhet pjesëmarrëse në Lufëtn e re të Ftohtë dhe po rishikon pozicionin e saj jo pa shqetësime të thella, për shkak të konsolidimit të faktorit shqiptar dhe forcimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës në këtë kuadër.
Serbia pretendon të bëjë brenda një harku kohor të arsyeshëm lëvizje strategjike për të përmirësuar profilin dhe ndikimin e saj në Europën Juglindore, duke u bërë pjesë integrale e ambjentit strategjik të SHBA-ve, gjithnjë duke pretenduar ta përmbyllë ëndrrën shekullore serbe për dalje në Detin Adriatik.
Por ky pozicionim nuk ka se si të mos cilësohet si akt që bie ndesh me interesat amerikane, përderisa garancitë për shqetësimet e sigurisë në rajon mbesin permanente për aq kohë sa Rusia ka një prezencë kaq të madhe sa ka sot në Serbi.
Kjo prezencë u sinjifikua edhe përmes një akti trivial që paraqet një fotografi e ish ambasadorit serb në SHBA, Marko Gjuriqi, i dërguar i lobit ruso-serbo-hebre [këta të fundit përfaqësues të një sekte të ekstremit të djathtë që veprojnë kryesisht për rikthimin e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë – produkt i të cilit është projekti Ballkani i hapur, për t’u katapultuar në postin e kryeministrit të Serbisë. Por që ta arrijë këtë pozicion atij i duhet të kalojë verifikimin dhe të dëshmojë se tutje ai i shërben kauzës ruso-serbe, prandaj publikohet fotoja me Millan Radojçiqin tek platforma X. Publikimi i saj pikërisht në prag të formimit të Qeverisë së re serbe, ku roli i Gjuriqit duket të jetë më shumë në shërbim të rirreshtimit strategjik serb, respektivisht shkëputjes formale nga orbita ruse, pasi ta marr miratimin nga Milan Radojiçiqi, zyrtari i lartë i FSB ruse [Shërbimit Federal për Siguri] dhe i BIA-s serbe, duke qenë i bindur se dalja e Serbisë në Adriatik, de fakto, i shërben më shumë interesave ruse në rajon.
Portali malazez Aktuelno ka kohë që ka shkruar se për shkak të sjelljes së tillë të Eskobar-it dhe Hill-it, ata do të sanksionohen. Në këtë kuadër O’Brien, i cili ishte i dërguari special i presidentit dhe pjesëmarrës në negociatat për paqen në BeH, por edhe pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 1999, nuk mund të qëndronte pasiv si paraardhësi i tij, derisa projekti për krijimin e “Botës serbe” po përparon tutje.
***
Në dritën e zhvillimeve të reja gjeopolitike në Ballkan, Serbia ia ka dalë të marrë një pozicion të rëndësishëm jo dhe aq për shkak të historisë së saj, rëndësisë gjeografike dhe rolit të saj në rajon, sa për faktin se rivalët – faktori shqiptar, mbetet i ndarë, ndërkaq ai kroat tashmë ka realizuar projektin e tij.
Në periudhën e Luftës së Ftohtë, Serbia duke qenë pjesë e Jugosllavisë, kishte përfituar shumë nga e ashtuquajtura Lëvizje e të Painkuadruarve. Gjatë procesit të shkërmoçjes së Jugosllavisë, Serbia ia doli që të imponohet si faktor ushtarak dhe përfitoi duke krijuar mbi gërmadhat e gjenocidit në Bosnjë një entitet politik siç është Republika Serbe, përçuese e interesave serbe dhe ruse në rajon. Nëdrkohë Serbia ka kërkuar të afirmohet si një forcë e rëndësishme në Ballkan dhe të luajë një rol të rëndësishëm në gjeopolitikën rajonale. E tillë – fituese, ajo u dëshmua edhe në takimin e presidentit ukrainas Zelensky me shefat e shteteve dhe qeverive të Ballknait Perendimor në Tiranë, duke imponuar tekstin e deklaratës politike.[9]
Ndërkaq në lidhje me ndikimin amerikan në rajon, Serbia ka pasur marrëdhënie të ndryshme dhe ka ndjekur një kurs të veçantë politik. Në disa raste, Serbia ka kërkuar të ruajë marrëdhëniet e saj tradicionale me Rusinë dhe shtetet e tjera që janë pjesë e bashkësisë së ish-Bashkimit Sovjetik. Këto kërkesa dyshja e diplomatëve amerikan që zumë në goj më lart, i ka tumirë. Megjithatë, në disa raste të tjera, Serbia ka kërkuar të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kthehet drejt Perëndimit.
Pozicioni i Serbisë në këtë kuadër është ndikuar nga shumë faktorë, përfshirë marrëdhëniet me fqinjët, me theks ato me shqiptarët e kroatët, aspiratat për anëtarësim në strukturat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe marrëdhëniet me fuqitë globale si SHBA-ja, Rusia dhe Kina. Në një farë mënyre, Serbia ka insistuar edhe gjatë plot tri dekadave të koegzistencës Lindje-Perednim, respektivisht përpjekjeve për të ringjallur boshtin Paris-Berlin – Moskë [1989-2022], për të qëndruar e pavarur. Ajo, në këtë kuadër, ka shfrytëzuar marrëdhëniet me të gjithë aktorët për të përmbushur interesat kombëtare dhe për të mbrojtur pozicionin e saj në rajon dhe në skenën ndërkombëtare.
Shqipëria dhe shqiptarët në rirreshtimin e ri gjeopolitik
Në dritën e këtyre zhvillimeve të reja gjeopolitike në Ballkan, Shqipëria dhe shqiptarët kanë një vend të rëndësishëm për shkak të pozicionit gjeografik, historisë dhe rolit në rritje në rajon.
Shqipëria pavaërsisht se është një shtet i vogël në këtë rajon, ajo ka pozicion të shkëlqyeshëm gjeopolitik, ndërkaq në historinë moderne të rajonit ka pasur një rol të rëndësishëm. Pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve ’90-ta, Shqipëria ka kërkuar të forcojë marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian dhe në NATO.
Në dritën e zhvillimeve të fundit, ndikimi amerikan në Ballkan ka qenë më i dukshëm, veçanërisht në kontekstin e zgjerimit të NATO-s dhe përpjekjeve për të rritur stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendeve ballkanike. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner i rëndësishëm për Shqipërinë në fusha të ndryshme, duke përfshirë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe reformën në institucionet shtetërore.
Në këtë kuadër, Shqipëria dhe shqiptarët janë përpjekur të përfitojnë nga marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe të përdorin këtë partneritet për të përparuar në rrugën e tyre drejt integrimit evroatlantik.
Me ndërhyrjen e SHBA-ve në qershor të vitit 1999 u arritë që pjesërisht të korigjohet dëmi që i ishte shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve me Konferencën e Ambasadorëve në Londër [1913]. Pas çlirimit të Kosovës do të pasohet krijimi i Republikës së dytë shqiptare në një pjesë të ish Vilajetit të Kosovës, duke ju mohuar e ddrejta për bashkim me Shqipërinë. Ky ishte thjesht kompromis i Perendimit me interesat strategjike të fqinjëve të shqiptaërve, para së gjithash me ato të Serbisë.
Përveç kësaj, Shqipëria dhe shqiptarët kanë punuar për të përforcuar bashkëpunimin me vendet tjera të rajonit dhe për të promovuar stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan. Pozicionimi strategjik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke u shndërruar në faktor të kohezionit të kësaj ish republike jugosllave dhe ai i shqiptarëve në Malin e Zi, duke i kontribuar pavarësimit të tij, është një investim politik kapital për të ardhmen e shqiptarëve dhe të rajonit.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët, një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara mund të sjellë avantazhe në fusha të ndryshme, duke përfshirë investime të reja, siguri të përbashkët etj. Megjithatë, në këtë kuadër, është gjithashtu e rëndësishme që të dy republikat tona – Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës, duke ecur drejt krijimit të Federatës Shqiptare [duke e cilësuar atë edhe si mburojë e interesit nacional], të kultivojë marrëdhënie të mira me të gjithë partnerët tanë strategjik, në mënyrë që të sigurojmë stabilitetin dhe prosperitetin tonë si Komb, por edhe të rajonit si pjesë e rendit të ri botëror që po vjen tok me ndeshtrashat që sjell Lufta e re e Ftohtë.
________________
Fusnotat
1. Dr. Manoj Kumar Mishra: https://www.eurasiareview.com/11032024-the-new-cold-war-changing-context-and-shifting-contours-of-international-politics-analysis/
2. Po aty
3. https://www.geopolitika.news/vijesti/papa-franjo-pozvao-kijev-da-pokaze-hrabrost-bijele-zastave-reakcija-ukrajinskog-sefa-diplomacije/
4. Balša Knežević: https://www.aktuelno.me/politika/gabrijel-eskobar-prva-zrta-pogresne-politike-sad-u-regionu/?fbclid=IwAR1a52avYi7GRaUaHtWJ-ZyHqq9QWTGVWmTenSu9Jh6AmcS4y8fhgweRnhk
5. https://www.thetimes.co.uk/article/gun-battle-in-kosovo-raises-the-tension-with-serbia-sh6m2k8vf
6. Balša Knežević: https://www.aktuelno.me/politika/gabrijel-eskobar-prva-zrta-pogresne-politike-sad-u-regionu/?fbclid=IwAR1a52avYi7GRaUaHtWJ-ZyHqq9QWTGVWmTenSu9Jh6AmcS4y8fhgweRnhk
7. https://www.koha.net/arberi/412400/escobar-thote-se-dialogu-eshte-ne-faze-kritike/
8. https://www.koha.net/arberi/412618/escobar-raportet-kosove-shba-perballen-me-sfida-shkaku-i-trajtimit-te-minoritetit-serb/
9. https://www.youtube.com/watch?v=3oi80-oqSc0