Nga Dr Selim IBRAIMI
Frikë dhe pasiguri në BE dhe Ukrainë pasi Kancelari gjerman në largim Olaf Scholz bisedoi me presidentin rus Vlladimir Putin. Ditë më parë jozyrtarisht presidenti i posazgjedhur amerikan Donald Trump kishte biseduar gjithashtu me Putinin. Për kohën e paqartë gjithmonë është mirë të bëhet analiza e rrezikut gjeopolitik. Por para kësaj, gjithmonë duhet të sjellim për lexuesin disa aspekte të veçorive të gjeopolitikës së sotme.
Që nga kohërat e lashta, njerëzit kanë qenë gjithmonë të interesuar të kuptojnë të ardhmen dhe se si mund të zhvillohen gjërat. Ndërsa teknologjia dhe metodat shkencore janë zgjeruar shumë, së bashku me këtë zhvillim, përmirësimi i kërkimit shkencor ka bërë që institucionet, mediat dhe analistët të publikojnë dhe të thonë më shumë se si do të duket politika, qoftë në nivel lokal, kombëtar apo global. Veprimet në skenën globale janë pikërisht objekt i studimeve gjeopolitike. Dhe në këto çështje, e kemi të pamundur të mos themi asgjë për gjeopolitikën në kohën tonë. Duke aplikuar metoda të reja në gjeopolitikë, analistët mund të nxjerrin disa përfundime se si një udhëheqje mund të veprojë, ndryshe ose do t’i përsërisë të njëjtat veprimet politike. Ndërsa kombet lundrojnë në sfidat e përbashkëta dhe burimet konfliktuale shpesh nuk janë të njëjta, ekziston një akt i vazhdueshëm balancues për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe global.
Gjeopolitika në kohën bashkëkohore formon botën tonë të përditshme, e cila në fakt tregon realitetin politik, ekonomik dhe social, duke u nisur nga një shitës në treg e deri te të moshuarit. Në këtë botë të re që po imponohet a nuk duhet të dimë pak më shumë për të?
Për lexuesit kemi sjellë disa shembuj që janë shqetësimet tona të përditshme, por gjeopolitika për të cilën flitet aq shumë sot, është më shumë se një pasqyrim i interesave kombëtare, rajonale dhe globale.
Në gjeopolitikën e shteteve të mëdha, armiqtë e sotëm mund të jenë miqtë dhe aleatët e së nesërmes, ose anasjelltas. Siç po shkojnë gjërat në BE, Ukrainë, Lindjen e Mesme, Kinë dhe SHBA, politika kombëtare dhe gjeopolitika ndërkombëtare bëhen të paparashikueshme për shkak të larmisë së aktorëve dhe faktorëve. Po sërish siç thamë më lart mund të priten disa zhvillime që janë afërsisht të njohura, se si mund të veprojë një udhëheqës jashtë vendit, me aleatë apo armiq. Për shembull, Donald Trumpi, presidenti i zgjedhur i SHBA-së i fitoi zgjedhjet më 4 nëntor 2024. Njerëzit brenda dhe jashtë janë në ankth të dinë se si do të ecë ai në mandatin e tij të dytë.
Konkretisht, lexuesit dhe audienca globale janë të interesuar të dinë më shumë se si do të jetë gjeopolitika amerikane. Meqenëse ndryshimet në qeveritë e shteteve të fuqishme priret të ndikojnë në ekonomitë globale dhe në jetën e përditshme, është e natyrshme që njerëzit të rrisin interesin, veçanërisht në vendet që preken qoftë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi. Për shembull, lufta tregtare dhe tarifat kanë ndikim në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe materialeve të tjera të rëndësishme për konsumatorët. Siç dihet, çdo ndryshim në politikën botërore tenton të ketë efekte në stabilitetin global dhe rajonal. Në këtë linjë, të përballur gjithmonë me sfida dhe të papritura, qeveritë detyrohen të hyjnë në marrëveshje detyruese ose të negociojnë bazuar në një sërë faktorësh.
Shtetet evropiane, Ukraina dhe shtetet e Ballkanit mund të merren si raste pa përjashtuar shtetet e tjera të ndikuara nga presidenca e re e Trumpit. Lojtarë të tjerë gjeopolitikë mund të vendosin të hyjnë në marrëveshje paqeje ose të paktën të ruajnë një paqe të brishtë me kundërshtarët. Në këtë fazë të rritjes së pasigurisë gjeopolitike, padyshim se qasja tradicionale amerikane ndaj politikës së jashtme gjatë këtij mandati të Trumpit do të sjellë një peizazh të ri në institucionet shumëpalëshe dhe madje edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore. Për lexuesit tanë mund të themi se nga kjo pikë mund të fillohet të bëhet një parashikim i shkurtër për presidencën e re amerikane dhe se si do të lëvizin gjërat në nivele të tjera të marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe sigurisht, kjo është një punë e vështirë që kërkon shikim dhe vlerësimin sistematik të ngjarjeve nga një histori e afërt me një aktualitet zhvillimesh të pritshme. Parashikimi i së ardhmes në gjeopolitikën globale është një proces i ndërlikuar. Ndërsa teknologjia përparon dhe ngjarjet globale lëvizin me shpejtësi marramendëse, ndryshimet dhe politikat agresive ka të ngjarë të vazhdojë të bëjnë riformatimin e kufijve dhe qeverive (shih rastin e Gjermanisë). Ndërsa njerëzit kërkojnë ndryshime, dhe ndërprerje të konflikteve, tensionet e reja mund të rriten brenda dhe midis kombeve. Të gjitha këto ngjarje janë si pasojë e gjeopolitikës e cila historikisht ka qenë vendimtare për fatin e liderëve dhe kombeve.
Presionet ekonomike, luftërat dhe rritja e pabarazisë do të jenë gjithashtu në horizont gjatë mandatit të Trumpit. Konfliktet në skenën globale duhet të shihen si një proces i pashmangshëm që kanë lidhje me territorin dhe qeverisjen ose thënë ndryshe me gjeografinë politike dhe humane. Ndërsa i afrohemi fundit të dekadës së tretë, fatet e shumë kombeve do të përcaktohen nga të mëdhenjtë, të cilët, kundër vullnetit të shteteve të pafuqishme, do të detyrohen të mbijetojnë ose bëjnë kompromis në një sistem kompleks anarkie.
Media, studiuesit njerëzimi dhe qeveritë duhet të shpresojnë për një rezultat më të mirë dhe ndoshta një botë me më pak viktima, pasi kur vakumin duhet ta mbushnin të mëdhenjtë, zakonisht e pësojnë të tretët. Meqë gjeopolitika më e mirë që mund të riimagjinojmë në këtë kohë është të parandalohen luftërat e ardhshme, pritjet do të ishin zgjidhja e konfliktit në Ukrainë, në Gazë, me një ndryshim të mundshëm të paradigmës në zgjidhjen e çështjeve të hapura të Ballkanit. Gjithçka duhet parë në vitet e ardhshme.