Franca qëndron e heshtur. Menjëherë pasi u parandalua një qeveri radikale e krahut të djathtë, Macron e sheh kundërshtarin e tij politik në kampin e krahut të majtë.
Nga Adrienne Woltersdorf * [IPG]
Një shaka po qarkullon në Francë: Emmanuel Macron, presidenti francez, përqafoi yjet e sportit në Lojërat Olimpike në Paris aq gjatë, në mënyrë që të mos i duhej të qeveriste më. Koreografia e gëzueshme, elegante olimpike dhe performancat më të mira të atletëve francezë kontrastojnë në mënyrën më të çuditshme një lidership politik që me kokëfortësi dhe në mënyrë refleksive përfshihet gjithnjë e më shumë në kontradiktat e veta. Pamja që Franca aktualisht paraqet për veten e saj vështirë se mund të jetë më konfuze. Rreth dy javë pas “paqes olimpike” të urdhëruar nga Macron dhe gati dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, fati i vendit mbetet i pazgjidhur. Presidenti nuk po nxiton të emërojë një kryeministër dhe as nuk është gati të emërojë në krye të qeverisë Luci Castets, kandidatin e propozuar nga opozita e majtë. Për çfarë bëhet fjalë e gjithë kjo?
Fejtonistët parizianë, në kërkimin intelektual të vetë qenies, rrallëherë humbasin qëndrimin e tyre në raport me zhvillimet në vend. A është vendi tani në krizë politike apo institucionale? Disa po kërkojnë përgjigje në botimet e reja letrare të vjeshtës, në të cilat romancierët si Aurélien Bellanger po përpiqen, jo për herë të parë, të vendosin njeriun në krye të shtetit, të paktën në kuptimin letrar – ose më banalisht: psikologjik. Në Les Derniers jours du Parti socialiste (“Ditët e fundit të Partisë Socialiste”, shtator 2024), Bellanger e quan presidentin mezi të fiksionalizuar si “Princi i pavendosmërisë” dhe një “Lojtar që luan në xhepin e vet”.
Por, së pari, t’i kthehemi fakteve: vetë Makron-i, pa dhënë kurrë një shpjegim të besueshëm, i riinterpretoi zgjedhjet evropiane si një lloj referendumi për qeverinë e tij. Edhe përpara se të shpalleshin rezultatet përfundimtare, ai urdhëroi zgjedhje të reja për parlamentin francez – me afatin më të shkurtër të lejuar nga kushtetuta. Siç dihet, ato përfunduan në mënyrë katastrofike për Makron-in. Kombi mbajti frymën e tij për javë të tëra, ndërsa dukej sikur ekstremistët e krahut të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen-i mund të fitonin një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare për herë të parë. Vetëm sistemi zgjedhor mazhoritar i Francës dhe fushata e disiplinuar dhe e palodhshme e aleancës ad hoc të krahut të majtë Nouveau Front Populaire solli dështimin e ngushtë të Le Pen-it. Votuesit shpërblyen heroizmin e frontit të majtë dhe e bënë aleancën – e përbërë nga socialistët, La France insoumise (“Të paepurit”), të Gjelbrit dhe Komunistët – fraksionin më të fortë, të ndjekur nga Aleanca e Ansamblit të Makron-it në fund si kamp i tretë – ekstremistët e djathtë.
Që atëherë: Rien ne va plus – Asgjë nuk funksionon më në politikën franceze. Kampi i tkurrur dramatikisht i Makron-it po përpiqet të shpikë gjëra të paqena. “Askush nuk i fitoi zgjedhjet”, përsërisin ata vazhdimisht, dhe akoma më me zë të lartë se rreziku më i madh për politikën e Francës vjen nga populisti i majtë La France insoumise, “Të paepurit” rreth Jean-Luc Mélenchon. Dhe këtu gjërat thjesht fillojnë të sillen rreth boshtit të së keqes. Shumë njerëz e shohin të tmerrshëm stilin egoist të Melenchon-it. Por portretizimi i partisë së tij, e cila mbron demokracinë e drejtë dhe sundimin e ligjit, si një rrezik më i madh se sa grupi ekstremist, fashist, racist dhe antisemitik i krahut të djathtë, është vështirë i kuptueshëm. Makron-i kishte bërë tashmë përpjekje masive për të përçarë Aleancën e majtë gjatë fushatës zgjedhore dhe kërcënoi se do të refuzonte pjesëmarrjen e Partisë Socialiste në aktin e krijimit të qeverisë. Ai refuzon çdo dialog me La France insoumise, si dhe çdo qeveri në të cilën përfshihen “Të Paepurit”. Këtë javë ai refuzoi të emërojë Lucy Castets, kandidaten e aleancës ende të bashkuar të krahut të majtë, si kryeministre.
A i lejohet ta bëjë këtë? Duket sikur vetëm juristët e së drejtës kushtetuese mund të sjellin rregull në kaosin e vetëkrijuar. Jo dhe po, është përgjigja e tyre. Sipas kushtetutës, nuk ka një afat brenda të cilit presidenti francez duhet të emërojë një qeveri të re. Qeveria e mëparshme nën Gabriel Attal, i cili u votua jashtë detyrës, aktualisht është qeveria e përkohshme. Kjo është një rrethanë që mund të çojë vendin në një krizë kushtetuese brenda disa javësh – ose jo. Makroni ka një javë që flet me dyer të mbyllura me liderët e partive dhe drejtuesit e grupeve parlamentare. Të ardhmen e tij ai padyshimin e sheh vetëm në një aleancë të republikanëve të krahut të djathtë, madje edhe me Partin Socialiste. Një formacion që do të kishte vetëm numrin e nevojshëm të përfaqësuesve për të arritur një shumicë absolute në parlament – sigurisht nën udhëheqjen e tij politike. Por, socialistët e kanë refuzuar gjithmonë këtë variant dhe i qëndrojnë besnikë aleancës së majtë. Rezultati është: një ngërç pothuajse i pazgjidhshëm.
Këtu qëndron pjesa e krizës që mund të interpretohet politikisht: një president dhe fraksioni i tij që nuk pranojnë rezultatin e sovranit që votoi jashtë funksionit në dy zgjedhje dhe tre raunde votimi. E majta akuzon me zemërim Makronin se mohon demokracinë. Nga ana e saj, megjithatë, ajo nuk mund të shpjegojë bindshëm pse vazhdon të këmbëngulë që, si fraksion qeverisës me Kastetë në krye, dëshiron vetëm të zbatojë programin e saj – edhe pse ka vetëm një shumicë relative në parlament. Këtu fillon kriza institucionale me të cilën përballet Republika e Pestë e Francës. Disa juristë kushtetues dyshojnë se presidenti (në rolin e tij si garantues i stabilitetit institucional) duhet të supozojë ta bëjë veten gjykatës të perspektivave të ardhshme të një qeverie në ardhje. Arsyetimi i Makron-it për mos emërimin e Castets bazohet në faktin se kjo qeveri nuk ka një shumicë solide dhe mund të rrëzohet pothuajse menjëherë me mocione mosbesimi. Por, duke vepruar kështu, ai i mohon parlamentarizmit mundësinë për të provuar veten. Duket sikur e sheh veten si gjyqtar dhe si palë në të njëjtën kohë.
Nathalie Tehio, kryetarja e Lidhjes Franceze për të Drejtat e Njeriut, nuk përmbahet në kritikat e saj. “Makroni sillet sikur të mos kishte zgjedhje dhe një vullnet të qartë të votuesve! Ai në fakt duhet të sillet si burrë shteti dhe të emërojë kandidatin e fraksionit të mazhorancës – gjithçka tjetër është çështje e “lojës parlamentare”. Sipas mendimit të saj, megjithatë, Macron dëshiron të vazhdojë të mbajë të gjithë pushtetin në duart e tij dhe nuk ka frikë të lexojë kushtetutën e vitit 1958 në një mënyrë gjithnjë e më autoritare. “Thjesht nuk është më legjitime të pretendosh se asgjë nuk ka ndodhur,” ankohet Tehio. Demokracia është ndarja e pushteteve dhe shteti ligjor. “Sot kemi arritur në një sistem që nuk përputhet më me idenë që kemi për demokracinë. Kontrata sociale është prishur.”
Kërkohet me dëshpërim një rrugëdalje nga kriza e Francës. Nuk është çudi që presioni ndaj socialistëve në parlament dhe brenda partisë po rritet çdo ditë. A nuk duhet të dorëzohen më mirë dhe të largohen nga aleanca e majtë për t’i dhënë fund ngërçit jo dinjitoz dhe për të qeverisur së bashku me kampin e Makron-it? Disa zëra me ndikim në parti po i bëjnë thirrje liderit të partisë Olivier Faure të largohet nga New Front Populaire. Së fundmi ai shprehu edhe një herë solidaritetin e tij me Aleancën e majtë. Socialistët ndodhen para ngjarjeve e ditëve tepër të ndjeshme. Sido që do të pozicionohen në fund, do të ketë pasoja të rënda për të majtën dhe Francën. [Përktheu: ISHGJ]
_________________
* Adrine Voltesdorf [Adrienne Woltersdorf] drejton zyrën e Fondacionit Friedrich Ebert në Paris. Ajo ishte drejtuese e departamentit të komunikimit të FES-it dhe Zyrës për Bashkëpunim Rajonal në Azi me seli në Singapor si dhe zyrës së FES-it në Afganistan. Ajo raportoi më parë për tetë vjet për të përditshmen taz nga Uashingtoni dhe Berlini.