Lufta në Ukrainë për pothuajse tri vjet rresht, nëdrkohë ka krijuar një rezonancë të thellë gjeopolitike, duke prekur sigurinë ndërkombëtare, ekonominë globale dhe marrëdhëniet midis fuqive kryesore botërore.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në plan të gjerë, kur kaloi edhe dita e 1000-të e luftimeve, të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha – dhjetëra mijëra të vdekur dhe të lënduar e sakatuar. Shkatërrimi është i përmasave pothuajse apokaliptike; janë regjistruar masakra të panumërta ndaj popullatës civile, rrëmbime, përdhunime masive grash të shoqëruara me plaçkitje e vjedhje gjatë gjithë “operacionit special ushtarak”, siç insistohet të cilësohet ende zyrtarisht lufta nga ana e Rusisë. Nuk duket fare fundi i luftimeve.
Kjo javë ka shënuar një kthesë të papritur në skenën e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas burimeve të brendshme, më 17 nëntor presidenti amerikan Joe Biden kishte lejuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë. Kufizimet përkatëse janë hequr, janë shprehur tre persona të njohur me këtë çështje për agjencinë e lajmeve Reuters.
New York Times raportonte një ditë pas [të dielën], duke cituar qarqe të qeverisë amerikane, se raketat fillimisht do të përdoreshin kundër ushtarëve rusë dhe koreano-veriorë në rajonin e Kurskut.
Ndërkohë Ukraina ka vu në veprim për herë të parë raketa britanike të tipit “Storm Shadow” me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, sulmi ukrainas vjen pas njoftimeve se Presidenti Joe Bien vendosi në fillim të javës që ta lejojë Kievin të përdor raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva në brendësi të Rusisë.
Mediat britanike njoftuan të mërkurën se Ukraina kishte përdorur për herë të parë raketa të tipit “Storm Shadow”, të furnizuara nga Britania, për të goditur objektiva brenda territorit rus.
Franca gjithashtu e ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi. Por raketat evropiane dallojnë nga ato amerikane, thotë për Zërin e Amerikës analisti Patrick Bury nga Universiteti Bath.
“Ato janë raketa që lëshohen nga ajri dhe kanë një rreze veprimi prej 250 kilometrash. Raketat amerikane kanë një rreze më të gjatë veprimi dhe nuk lëshohen nga ajri, ndaj janë më të vështira që të eliminohen, të paktën në teori”.
“Rrezja e veprimit të dy llojeve të raketave është e mjaftueshme për të depërtuar brenda territorit dhe goditur infrastrukturën ruse, duke ndërprerë furnizimet për frontin e luftës. Rrezja e veprimit nuk është aq e rëndësishme sa fakti që Ukraina ka nevojë për sasi të mëdha raketash dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë James Nixey, i cili drejton programin Ruso-Euroaziatik në Institutin Mbretëror për Çështjet Ndërkombëtare që njihet edhe si Chatham House.
Përgjegjia ruse
Forcat Ajrore të Ukrainës pohojnë se Rusia ka lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) drejt rajonit të Dnieperit të enjten që lamë pas, ndërkaq gjashtë raketa tjera synuan gjithashtu pika strategjike në këtë qytet ukrainas, raportoi Ukrainska Pravda. Sipas burimeve ushtarake ukrainase, raketa u lëshua nga rajoni Astrakhan në Rusinë jugperëndimore dhe sulmi filloi herët në mëngjes.
Hedhja e këtij tipi rakete ka shkaktuar tension të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Çështja tashmë shtrohet nëse ky shkëmbim zjarri raketor mund të kthehet në një krizë më të gjerë.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit që mund të përfshijë aktorë të tjerë globalë ose të zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i ICBM-ve, megjithëse nuk është konfirmuar, ka peshë simbolike dhe dërgon një mesazh të fortë për Ukrainën dhe aleatët e saj.
Duke pasur parasysh rritjen e përdorimit të armëve me rreze të gjatë veprimi dhe ndryshimet në doktrinën ushtarake ruse, kanalet diplomatike përballen me ndeshtrashat shtesë. Analistët besojnë se kjo situatë mund të jetë vendimtare për hapat e ardhshëm në vijim të luftës në Ukrainë dhe negociatat e mundshme të paqes.
Sulmi u pasua pasi Ukraina përdori raketat amerikane ATACMS për herë të parë për të goditur brenda territorit rus. Të martën, sipas deklaratave të Ministrisë së Mbrojtjes ruse, gjashtë raketa të tilla shënjestruan një depo municioni në rajonin Bryansk të Rusisë.
ATACMS janë raketa balistike tokë-tokë me lëndë djegëse të ngurtë me rreze veprimi prej 300 kilometrash. Kur qëllohen, ata marrin një rrugë të lartë atmosferike dhe bien në një kënd të pjerrët. Ata kanë një ngarkesë të aftë prej 225 kilogramësh eksploziv ose municione thërrmuese, ato mund të përdoren kundër objektivave me një zonë të gjerë dhe të blinduar lehtë dhe kanë një probabilitet gabimi rrethor prej 9 metrash.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk konfirmoi drejtpërdrejt përdorimin e ATACMS, por deklaroi se Ukraina tani e posedon këtë armë dhe synon ta përdorë atë në mbrojtje kundër sulmeve ruse. Presidenti amerikan Joe Biden miratoi kohët e fundit dorëzimin e këtyre raketave me rreze të gjatë, një hap i rëndësishëm në ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, Rusia njoftoi se po përditëson doktrinën e saj bërthamore, duke ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore. Ky veprim i Kremlinit rriti më tej shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.
Boshti alternativ
Mbështetja e vendeve perëndimore dhënë Ukrainës, përmes ndihmës ushtarake, financiare dhe sanksioneve ndaj Rusisë, ka forcuar solidaritetin në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Megjithatë, ka ngritur gjithashtu tensione me Rusinë, e cila e konsideron këtë mbështetje si kërcënim direkt.
Në këtë prosperim të rezonancës gjeopolitike Moska ka forcuar marrëdhëniet me vendet si Kina dhe Irani, duke krijuar një bosht alternativ ndaj Perëndimit. Kjo ka ndikuar në një ripozicionim të balancave globale të fuqisë.
Konflikti ka vënë në provë neutralitetin e disa vendeve, duke i detyruar ato të zgjedhin anë ose të rrisin përgatitjet për të përballuar pasojat ekonomike dhe të sigurisë.
Frika nga Përshkallëzimi
Pas fjalimit tetë minutësh të Putinit, me ç’rast ai njoftoi për përdorimin e një rakete të re me rreze të mesme – nuk ngurroi të paralajmrojë se tashmë ai është i gatshëm të sulmojë objektivat perëndimore.
Raketa që lëshoi Rusia gjykohet se është e re, e sapo zhvilluar, hipersonike me rreze të mesme veprimi e quajtur Oreshnik dhe ajo goditi qytetin ukrainas Dnipro. Presidenti rus Vladimir Putin e bëri të ditur këtë akt në këtë fjalim të shkurtër, befasues televiziv në të njëjtën mbrëmje. Si objektiv i kësaj rakete hipersonike ruse, sipas Putinit ishte një fabrikë armësh të epokës sovjetike në Dnipro. Kjo është përgjigja për faktin se amerikanët dhe aleatët e tyre kanë lejuar përdorimin e armëve të tyre me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në brendi të Rusisë.
Putini konfirmoi se objektivat në Bryansk dhe Kursk, ishin një depo municioni dhe një post komandë ushtarake. Në të dyja rastet, sulmet – me raketa Atacms në Bryansk dhe me raketa anglo-franceze “Storm Shadow” në Kursk – u zmbrapsën nga Rusia, pretendoi ai. Në Kursk pati të vdekur dhe të plagosur në mesin e personelit të sigurisë.
Rusia me këtë akt i është përgjegjur granatimeve të territoreve ruse me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi. Kremlini e sheh këtë akt si uvertyrë në një përshkallëzim drejt një lufte me “karakter global”.
Shih për këtë, një nga shqetësimet kryesore është përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia, nëse ajo e ndjen veten të kërcënuar nga humbjet ushtarake ose ndërhyrjet perëndimore.
Ekziston frika që konflikti do të përhapet në vendet fqinje, si Moldavia apo shtetet baltike, duke përfshirë kështu drejtpërdrejt NATO-n dhe duke çuar në një luftë më të gjerë.
Njëkohësisht lufta ka shkaktuar kriza të ushqimit dhe energjisë, duke rritur tensionet sociale dhe politike në shumë vende, gjë që mund të shkaktojë destabilizim të mëtejshëm.
Dimensioni i ri i luftës
Ashtu si në deklaratat e mëparshme, Putini edhe në kët fjalim të shkurëtr tha se këto sisteme të armëve mund të operohen vetëm nga specialistë perëndimorë. Si rezultat, “konflikti rajonal në Ukrainë i provokuar nga Perëndimi ka marrë karakteristika globale”. Në rast të sulmeve të mëtejshme në territorin rus, Rusia do të rezervojë të drejtën të synojë objektivat ushtarake të atyre vendeve që morën pjesë në këto sulme me sistemet e tyre të armëve, kërcënoi ai.
Sidoqoftë, askush nuk duhet të ketë iluzione se është në gjendje t’i shkaktojë Rusisë një disfatë strategjike apo edhe të ndikojë në rrjedhën e “operacionit special ushtarak”, konkludon ai.
Rinegocimi i arkitekturës së sigurisë europiane
Në këto zhvillimettë reja në fushbetejë dhe në prapavijën e saj, përpjekjet për diplomaci janë të domosdoshme për të shmangur përshkallëzimin. Organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe OSBE po kërkojnë zgjidhje paqësore, por dialogu mes palëve mbetet i vështirë.
Ndërmjetësimi nga vende të treta, si Turqia apo Kina, mund të luajë një rol kyç në frenimin e konfliktit.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, një konflikt i përshkallëzuar në Ukrainë mund të ketë pasoja të pallogaritshme për të gjithë globin. Rëndësia e stabilitetit dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë më e madhe.
Rinegocimi i arkitekturës së sigurisë evropiane është një objektiv strategjik i kahershëm i Rusisë dhe lidhet me synimin e saj për të rritur ndikimin në sistemin ndërkombëtar dhe për të rivendosur një rend që reflekton interesat e saj. Ky objektiv është pasqyruar në disa veprime dhe deklarata të politikës së jashtme ruse gjatë viteve të fundit.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, zgjerimi i NATO-s dhe BE-së drejt Europës Lindore është perceptuar nga Rusia si kërcënim ndaj interesave të saj. Rinegocimi i arkitekturës së sigurisë evropiane ka për qëllim kufizimin e ndikimit të këtyre organizatave dhe krijimin e një balance më të favorshme për Moskën.
Konform Doktrinës së Sigurisë Kombëtare Rusia e sheh vetveten si një fuqi euroaziatike me rol të rëndësishëm në përcaktimin e rregullave të sigurisë ndërkombëtare. Ajo ka propozuar disa herë modele alternative të sigurisë, të cilat kërkojnë të zëvendësojnë ose të modifikojnë strukturat ekzistuese, si NATO apo OSBE, duke krijuar një sistem më gjithëpërfshirës që do t’i jepte Rusisë një rol qendror.
Në Ukrainë, Gjeorgji dhe vende të tjera të ish-hapësirës sovjetike, Rusia ka përdorur forcën ose kërcënimin ushtarak për të ndaluar afrimin e këtyre vendeve me Perëndimin, duke pretenduar se kjo dëmton arkitekturën e sigurisë evropiane.
Ndër objektivat e Rusisë në rinegocimin e arkitekturës së sigurisë mund të veçojmë:
- Një “rend i ri evropian”: Rusia ka propozuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë evropiane, e cila do të përjashtonte zgjerimin e NATO-s dhe do të siguronte një të drejtë vetoje për Moskën mbi çështje të rëndësishme të sigurisë.
- Një sferë ndikimi më e gjerë: Rusia dëshiron të krijojë një “zonë buffer” me vende që janë neutralë ose të orientuar drejt saj, duke zvogëluar ndikimin e Perëndimit në hapësirat që ajo konsideron strategjike.
- Dobësimi i unitetit euro-atlantik: Duke theksuar dallimet mes SHBA-së dhe vendeve evropiane mbi çështjet e sigurisë, Rusia kërkon të përçajë bllokun euro-atlantik dhe të promovojë marrëveshje bilaterale që i japin asaj avantazhe.
Që të imponojë strategjitë e saj për rinegocim rusia vazhdon ta rrisë presionin ushtarak: Siç është parë në Ukrainë, Rusia përdor forcën ushtarake për të imponuar ndryshime në status quo-në e sigurisë.
Nëpërmjet platformave ndërkombëtare si OSBE-ja dhe Kombet e Bashkuara, Rusia përpiqet të shtyjë axhendën e saj për një dialog të ri mbi arkitekturën e sigurisë.
Në këtë betejë edhe diplomatike, gjykon Putini, rinegocimi i arkitekturës së sigurisë së Evropës do të shkonte në dobi të rikthimit të Rusisë në skenën botërore, me ç’rast ndarja e sferave të intresit në rrafshin botëror, edhe në dobi ët Rusisë, do të ishte e pashmangshme. Ripërsëritja e takimit të famshëm të Jaltës, por tani mes treshes: Trump, Putin dhe Xi do ta ndajnë botën në sfera ndikimi, si në fund të Luftës së Dytë Botërore.