Nga Dr. Samet Dalipi, profesor, Kolegji Universum, Kosovë
Të shmangurit nga rendi liberal në botë po vendoset nga vet shteti i cili ishte prijës i këti rendi për një periudhë disadekadëshe. Konservatizmi e përqafimi i realpolitikës nga ana e SHBA-ve ndaj botës po zhgënjen përkrahësit e idesë liberale duke hedhur kështu dyshime mbi përkushtimin e Amerikës ndaj sigurisë dhe vlerave perëndimore. Pse ky revolucion i politikës së jashtme të vendit i cili identifikohej si promovues i demokracisë e cila politikë e bëri atë shtet aq të fuqishëm, të admirueshëm dhe i cili ishte në përkrahje të humanizmit e drejtësisë ndërkombëtare? A do të dëmtoj apo përforcoj imazhin e shtetit një politikë e këtillë e cila, me gjasë përkohësisht, po rreshtohet krah vendeve autoritariste? Trump me qëllim të arritjes së paqes në Ukrainë po tregohet pragmatik me Rusinë, duke u ofruar me te si armikun më të madh ideologjik që nga paslufta e dytë botërore. Në ҫështjen e Kosovës nuk pritet të ketë ndryshime nga kursi amerikan i paracaktuar që nga shpallja e pavarësisë së saj.
Fjalët çelës: SHBA, Ukraina, Konservatizmi, Realpolitika, America First.
Hyrje
Ndryshimet në shoqëri ndodhin evolucionarisht apo revolucionarisht, me hope. Shoqëritë stabile ndryshojnë gradualisht, me kalimin e kohës dhe si rezultat i përvojave në politikat e brendshme e konkurenca, e të cilat ndikohen edhe nga ambienti rrethues.
Në të kundërt, në shoqëritë e pakonsoliduara politikisht e ekonomikisht, ndryshimet mund të bëhen në formë revolucionare ose transformuese, përnjëhershëm, të thella dhe duke e transformuar shoqërinë me norma të reja të të jetuarit, të besuarit, vepruarit e të rindërtimit e edhe të krijimit të aleancave të reja.
Ardhja e Donald Trumpit në krye të shtetit ka karakteristikat e ndryshimit të përzier, evolucionar e revolucionar. Evolucionar, sepse është vazhdimësi e demokracisë përfaqësuese, ndjekëse e zhvillimit ekonomik, përpjekje për të qenë hegjemoni,…revolucionare, sepse ka një prapakthim në disa nga të drejtat e njeriut, ndryshim të aleancave, kalim nga një liberalizëm demokratik drejt një konservatorizmi shoqëror e politikë, mbyllje ndaj organizatave ndërkombëtare, tërheqje nga përkrahja humanitare përveҫ rasteve të rënda egzistenciale,…
Që nga paslufta e parë botërore, përhapja e demokracisë ishte qëllimi i SHBA-së e sidomos pas 14 pikave të Woodrow Wilsonit. Diplomacia tradicionale do të shndërrohet në një gjysëm të hapur e paqja shpresohej të jetë më thjeshtë e arritshme. Kultivimi i paqes konsiderohej si një virtyt që duhet zhvilluar drejt përsosmërisë gjatë brezave si garancia më e mirë e një bote paqësore. Mirëpo, ajo degjeneroi si rezultat edhe i mospërfshirjes së SHBA-ve në Ligën e Kombeve dhe apetiteve të autokratëve të kohës. Autokratët e tillë jetojnë dhe veprojnë edhe sot, si Putin e satelitët rreth tij si Vuҫiq, Orban, Kim Jon, dhe të tjerë si këta, prishës të paqes. Udhëheqës të tillë shkatërrojnë paqen jo vetëm të huajëve, por edhe qytetarëve të vet. Zbatimi i drejtësisë ndaj shkatërruesve të paqes do të jetë një model i rëndësishëm për parandalimin e konflikteve të mundshme. Mosndëshkimi i drejtuesve përgjegjës do t’u japë dritë jeshile autokratëve për aventura tjera të luftës.
Ndërtimi i institucioneve ndërkombëtare të besueshme me ndikim vendimtar në vendimmarrjen globale për luftën dhe paqen do të rriste sigurinë dhe reduktimin e kërcënimeve dhe luftërave.
Bota demokratike, pavarësisht nga qëllimet e mira të Trumpit, mbeti e shokuar me rreshtimin e SHBA-ve përkrah Rusisë, Bellorusisë, Koresë së Veriut,…siҫ ndodhi në votimin e fundit të 24 shkurtit 2025 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara lidhur me integritetin teritorial të Ukrainës, edhe pse dihej se që në konventën e Republikanëve ishte vendosur që Ukraina dhe Rusia duhet të lëshojnë pe edhe në aspektin teritorial.1
Politika e jashtme e Amerikës ka pasur mbyllje-hapjet e saj. Baballarët e kombit kishin porositur pasuesit që të kenë kujdes në përzierjen në punët e Evropës pasi, sipas tyre, ajo gjithmonë ka qenë e përfshirë në luftra andaj leht mund të zhyten në vorbullën evropiane. Në fillet e saj shtetndëruese ajo ndoqi politikën e hapjes ndaj botës, për tu mbyllur, kur pa që ajo po shndërrohej në një vend të rikonolizuar nga evropianët. Mbyllja e saj nxiti zhvillimin e hovshëm të kapaciteteve prodhuese, e kur këto kapacitete tejkaluan nevojat vendore vendi, i shtyrë nga kapitalistët, u detyrua të hapej nëpërmjet krijimit të rrugëve të reja tregtare me botën, duke dalur nga izolacionizmi. Dalja nga izolacionizmi përfshinë sidomos kyҫjen e saj në fundin e luftës së dytë botërore nga W. Wilson, e cila vendosi një rend të ri botëror.
Mosratifikimi dhe mospërfshirja e SHBA-së në Ligën e Kombeve, rikthimi në izolacionizëm, ishte njëri nga faktorët e dështimit të Ligës dhe shkuarjes së botës në luftën e dytë botërore. Përshirja e vendit në luftë, pas sulmit në Perl Harbur, do ta përshpejtoj humbjen e boshtit nacist. Nga kjo kohë politika e jashtme amerikane do të jetë përfshirëse dhe aktive, sidomos në përpjekjet për të luftuar ideologjinë komuniste dhe për të përhapur liberalizmin në botë, duke e ndryshuar rendin dypolar në njëpolar, në krye të së cilës do të qëndroj vet Amerika. Me këtë raport forcash nuk u pajtuan Federata e Rusisë, e cila synonte kthimin e ‘botës ruse’ dhe Kina, nëpërmjet ndikimit ekonomik në botë, e të dyja së bashku duke qenë nismëtare të grupimit të shteteve në aleancën politiko-ekonomike në mes shteteve Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut, ‘BRIKS’, pjesëtarë të së cilës janë edhe disa shtete.
Ikja e Amerikës nga neoliberalizmi drejt realpolitikës e konservatizmit klasik
Ngjarjet dinamike në politikën botërore nuk i japin komoditetin një analisti të predikoj mbi të ardhmen e kësaj fushe, e sidomos të veprimeve të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Sipas Nye, ‘ka vënë në dyshim të ardhmen e rendit ndërkombëtar të pasluftës.2 Paralajmërimet për tërheqje nga Organizata Botërore e Tregëtisë, e moslejimit të përzierjes në politikat e SHBA-ve nga ana e OKB-së, i mosrespektimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, rishikimi i rolit të saj në NATO, dalja nga Marrëveshja e Parisit,…janë dëshmi e tërheqjes nga rendi egzistues botëror.
Takimi i fundit i Trump me Zelenskin në Shtëpinë e Bardhë në Washington DC treguan paparashikuesmërinë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky joprediktabilitet tregon edhe papritshmëritë në rrugën e paqes për të cilën Trump kishte paralajmëruar se me ardhjen e tij në funksion të presidentit do ta përfundonte shumë shpejt luftën në Ukrainë. Tani ai po përballet me kërkesat e papajtueshme të palëve, sidomos të Rusisë.
Donald Trump, nëpërmjet doktrinës “Amerika e para”, po tregon largim të rëndësishëm nga diplomacia tradicionale e SHBA me fokus në “sovranitetin kombëtar, proteksionizmin ekonomik dhe shkëputjen strategjike nga aleancat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.3
Trumpi i ka vendosur administratës së tij një axhendë të ndërthurur të qasjeve konservatore ndaj taksave, duke zvogluar ato për të pasurit dhe duke vendosur ato për prodhimet e importuara, një prirje më populiste për tregtinë, tkurrje të të drejtave civile, si për emigrantët, ndalimin e abortimit, mospërkrahje të komunitetit LGBTQ, për tërheqjen e fondeve federale “për çdo shkollë apo program që shtyn teorinë kritike të racës, shpërbërjen e Departamentit të Arsimit, ideologjinë gjinore ose përmbajtje të tjera të papërshtatshme racore, seksuale ose politike për fëmijët”4…, zgjerim të kompetencave të tij duke ndikuar në degën e ekzekutivit, qëndrim të ashpërt ndaj ambientalistëve dhe një ҫasje pragmatike në rolin ndërkombëtar të Amerikës në botë. Dhe, kjo e fundit do të konsiderohet në artikullin tonë.
Trump dhe politika e jashtme e SHBA-së
Riardhja e presidentit Trump në krye të Amerikës me motot populiste të fushës ekonomike, “Amerika së pari”,“America first” dhe “Ta bëjmë Amerikën sërisht të fortë” , “Make America great again”, po zhvendos politikën amerikane drejt një shpërndarjeje të balancuar të kontributeve të vendeve në mekanizmat institucional vendor e ndërkombëtar, duke porositur botën se, ”nëse doni paqe investoni në sigurinë tuaj, nëse doni shëndetësi, sërish, investoni për shëndetin tuaj”, në kuptim të asaj se “amerika nuk i bën më këto për ju”, e që është pragmatike, reale dhe e drejt. Retorika dhe qasja e politikës së Trump në çështjet botërore është narracion izolues diplomatik, jo-ndërhyrëse ushtarakisht dhe proteksioniste ekonomikisht krahasuar me ate të SHBA-ve të pas Luftës së Dytë Botërore.5 Politika ekonomike sipas American First Trade Policy, e kësaj administrate bazohet në adresimin e pabarazisë tregtare dhe në mbrojtjen e industritë amerikane përmes tarifave reciproke dhe nismave të tregtisë së drejtë.6 Kjo doctrine i jep përparësi interesave të SHBA-së në marrëdhëniet globale, duke vërë theksin në reduktimin e deficiteve tregtare, kthimin e vendeve të punës në SHBA duke siguruar se qytetarët amerikanë do të ishin përfituesit kryesorë në angazhimet e saj jasht SHBA-ve.
Buxheti i SHBA-së për ndihmat e jashtme është dyfishuar gjatë 25 viteve të fundit, megjithatë është ende një pjesë e vogël e BPV-së; mbi gjysma e projekteve të SHBA-së zbatohen nga organizata ndërkombëtare dhe OJQ. Ky trend ishte në rritje edhe me administratën e parë të Trump.
Derisa administrata e J. Biden popullin ukrainas gjatë luftës trevjeҫare me Rusinë e ka përkrahur me rreth 174 miliard dollar,7 duke i ofruar përkrahje sa të jetë e nevojshme, e sipas Interagency Oversight Group rreth 183 miliard dollar8, dhe gjithësejt 240 miliardë dollarë për 180 vendet tjera,9 tani Trump ka ndryshuar radikalisht në këtë fushë duke kritikuar edhe USAID-in për shpenzime joadekuate dhe të cilën dëshiron ta pushoj së vepruari, duke e vendosur nën përkujdesjen fillimisht të Sekretarit të shtetit, Marco Rubio. Mendoni për këtë, thot Trump, ‘një komedian modest i suksesshëm, Volodymyr Zelenskyy, i nxiti Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që ai, pa SHBA-në dhe “TRUMP-in”, nuk do të mund ta zgjidhte kurrë”. Ky tregues kthen vendin në një nikoqir të kujdesshëm të shpenzimit të parasë publike dhe josolidar me vendet e varfëra! Bazuar në GDP e vendeve perëndimore ato ndihmuan pak Ukrainën, Gjermania, SHBA, e MB, vetëm me 0.2% të GDP-së së tyre e tjerat edhe më pak, psh. Franca, Italia e Spanja vetëm 0,1%, e Ukraina, përveҫ shkatërrimeve njerëzore e infrastrukturore, mbulon 55% të luftës, 20% SHBA, dhe 20% vendet tjera,10 edhe kjo ndihmë kushtëzohej me mospërdorim të armatimit për të sulmuara agresorin në teritorin e tij.
Ofrimi i presidentit Trump me presidentin e Federatës Ruse, V. Putin dhe paralajmërimi i vizitës së presidentit të Kinës Xi Jinping në SHBA, vlerësimi i kryeministrit hungarez V. Orban, e qëndrimi kritik ndaj liderëve e shteteve evropiane, përfshirë edhe ato brenda NATO-s, janë shenja të kthimit të politikës amerikane në kahen e kundërt të politikës të udhëhequr deri tani nga administratat e kaluara amerikane, duke hedhur dyshime serioze për të ardhmen e rendit ndërkombëtar të pasluftës.
Rezoluta e propozuar nga Ukraina dhe e përkrahur nga partnerët evropian, “Advancing a comprehensive, just and lasting peace in Ukraine”,11 e cila thërret për përkushtimin e sovranitetit teritorial të Ukrainës përmbante fjalinë ”pushtimi i plotë i Ukrainës nga Federata Ruse ka vazhduar për tre vjet dhe vazhdon të ketë pasoja shkatërruese dhe afatgjata jo vetëm për Ukrainën, por edhe për rajone të tjera dhe stabilitetin global”, nuk u përkrah nga SHBA. U votua rezoluta e dytë brenda ditës e propozuar nga SHBA-të, por e ndryshuar me vërejtjet e, kryesisht evropianëve, e që si rezultat pati apstenimin e propozuesit, SHBA-ve.12
Dy rezolutat e AP dhe njëra në KS të OKB-së dhe e cila u përkrah edhe nga Rusia, fuqishëm ftonin për arritjen e paqes por të cilat dallonin, poashtu fuqishëm, në mënyrën se si të arrihet paqja. Në Rezolutën e SHBA-ve, A Path to Peace, nuk figuronte shprehja agresion Rus e as integriteti teritorial për Ukrainën, e cila u plotësua me amandamentin e evropianëve i cili kishte të bënte me këtë ҫështje, e që shënon zhvendosje të politikës amerikane pranë politikës së Federatës Ruse për kthim të imperializmit të së kaluarës. SHBA kishte sponsoruar një rezolutë në vitin 2023 dhe kishte dënuar agresionin rus në Ukrainë. Kulmi në këtë pikë do të vie në takimin e dy presidentëve në Shtëpinë e Bardhë, më 28 shkurt 2025, kur Trump dhe zëvendësi i tij Wance, e mbështetën për muri Zelenskin për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e rralla, pa i ofruar garancione sigurie për Ukrainën, duke e quajtur jomirënjohës, se po e shtynë botën drejt luftës së tretë botërore, se pa ne nuk i ke letrat e paqes në dorë…Më vonë do të kuptohet se kjo sjellje ndaj një kërkuesi për ndihmë nga SHBA-të a ishte një skenar agresiv paralajmërues i cili do të mund të replikohet edhe në situata tjera ndaj atyre të cilët dëshirojnë shërbimet amerikane apo për të ulur pritshmëritë e Ukrainës nga procesi i paqes e duke joshur Putinin për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, me tendencën e blerjes së kohës nga SHBA, pasi që Rusia nuk po heq dorë nga kërkesat e saj.
Kriticizmi ndaj politikës së qëndresës së Ukrainës karshi agresionit rus dhe politikës së administratës së J. Biden e vendeve të BE-së, kur e tërë hemisfera perëndimore kishte përkrahur dhe ndihmuar luftën e Ukrainës si dhe votimi në AP të OKB-së mbi ruajtjen e integritetit teritorial të Ukrainës tregon për qasje të kundërt me politikat amerikane të deritashme,13 dhe shenjë e dallimeve strategjike e të rigrupimeve të reja të aleancave me mundësi dëmtimi të aleancës transatlantike, një shpërndarje të re të forcave në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pse ky kthim radikal në politikën e jashtme amerikane, sidomos për ҫështjen e mospërkrahjes së sovranitetit të Ukrainës dhe ofrimit të sigurisë së saj nga NATO, të hezitimit për ta pasur në tavolinë të parin e Ukrainës,V. Zelenski deri te klasifikimi si fajtorë të nisjes së luftës, jolegjitim e diktator, trajtimit të aleatëve të deridjeshëm në kuptimin negativ se ata nuk janë lider të vërtetë e jo të aftë për të zgjidhur problemet, vlerësimi pozitiv për AfD-në gjermane dhe partitë e orientimit të ekstremit të djathtë në Evropë dhe zbutja ndaj kundërshtarëve si Rusia e Kina? A do të thot kjo se Amerika po ofron dhe anon nga ish kundërshtarët ideologjik si Rusia e Kina si dhe satelitët e tyre si Irani, Korea e Veriut, Serbia,…?
Në fushën e ekonomisë dhe tregtisë ndërkombëtare SHBA-ja ka miratuar një përzierje të strategjive tregtare tradicionale dhe progresive, e nëpërmjet strategjisë “America First” thekson mbrojtjen e industrive vendase, përpiqet për të promovuar praktikat e tregtisë së drejtë dhe për të forcuar marrëdhëniet tregtare me aleatët. SHBA po punon drejt krijimit të një mjedisi ku konkurrenca mund të çojë në rezultate paqësore duke u angazhuar në marrëveshje tregtare shumëpalëshe dhe duke avokuar për praktika të drejta tregtare brenda OBT-së.14
Bashkëkryesuesi i Qendrës për Sigurinë Amerikane, gjenerali me tre yje, Keith Kellogg, tani këshilltar dhe i deleguar special i D. Trump për Ukrainën dhe Rusinë, në prill të vitit të kaluar shkroi se “përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë do të kërkojë një udhëheqje të fortë, America First për të arritur një marrëveshje paqeje dhe për t’i dhënë fund armiqësive midis dy palëve ndërluftuese”. Lëshimi pe dhe kapitulimi para Putinit duke u pajtuar me kërkesat e këtij të fundit, sidomos për teritoret ukrainase dhe mosantarësimin në NATO të sajë, a e bënë të fortë udhëheqjen e SHBA-ve? Përkundrazi, kompromiset e Trump në disa nga objektivat e nisur lidhur me taksat për mallrat nga jashtë, me kërkesat për tokat e rralla në Ukrainë nuk premtojnë tregojnë për qëndrueshmërinë e tij në objektivat e politikave të paraqitura publikisht.
Cili mund të jetë interesi amerikan në vendosjen e kësaj politike konfrontuese me partnerët euro-atlantik e ofrimi me ata autoritar në botë?
Ne mund të spekulojmë lidhur me objektivat e Trump dhe me sjelljen e tij në politikën globale. Por, tashmë janë dhënë shkëndijat e para mbi tendencat e tij në kuptim të përvetësimit të infrastrukturës tregtare boërore, si Kanali i Panamasë, të territoreve jashtë SHBA-së për ofrimin e sigurisë së vendit, siҫ është rasti me Grenlandën, të marrjes eventuale të Gazas, bërjen e Kanadas si shtetin e 51 të SHBA-ve,…duke përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët tradicional të Amerikës. Në arritjen e të gjitha këtyre synimeve nuk mund të përjashtohet edhe përdorimi i forcës. Të gjitha këto japin mundësinë për hedhjen e paraleleve me veprimet e Rusisë në Ukrainë e cila ka pushtuar territore të saj në emër të sigurisë së Federatës Ruse me interesat e sigurisë dhe ato ekonomike të SHBA-ve. Fatin e Ukrainës, antare e OKB-së sipas kësaj logjike mund ta pësojnë në të ardhmen e afërt edhe shtetet pa vend në OKB, si janë Taivani, Kosova e Palestina, e të cilat mund të bien pre e këtyre politikave të pretenduesëve potencial kinez, serb apo hebraik.
Administrata Trump dhe Kosova
Ҫështja e Kosovës dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë ende nuk është në tavolinën e interesimit të administratës Amerikane, por bazuar në letrën e Trumpit dërguar institucioneve të Kosovës Ai konsideron që lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre, përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë mirëqenie më të madhe për të dy vendet.15 Duke e konsideruar se konteksti politik Kosovë-Serbi është ҫështje e BE-së, dy administratat, e SHBA-ve dhe BE-së janë në pritje të ndërtimit të qeverisë së re të Kosovës për të vazhduar me procesin negociator. Nuk pritet që të ketë zhvendosje nga ky proces e aq më pak ndonjë kthesë dramatike dhe kontesti kryesor do të jet ai i cilësisë së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si njëri nga elementet për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ani se kontesti është bartur evropianëve për ta zgjidhur, administrata amerikane do të shtyj procesin që ta përfundoj gjatë mandatit Trump 2, për të treguar se Kosova është ndërmarrje suksesi i Amerikës. Dy pretendimet serbe ‘nën tepih’, për ndarjen e Bosnjës dhe të Kosvës nuk do të përkrahen sepse ky efekt do të hapte rrugë nismave të ngjashme të popujve në Gadishullin Ilirik-Ballkan.
Përfundime:
Së paku sa të qëndroj në krye të SHBA-ve, Presidenti Trump, do të riformësoj marrëdhëniet globale me bazë realizmin, duke sfiduar idenë bazë të liberalizmit, multilateralizmin, duke vendosur prioritet interesin ekonomik të SHBA-ve, transaksionizmin.
Veprimet e presidentit Trump vijnë si reagim ndaj:
– kërcënimeve Kineze në garën për primat, fillimisht ekonomik e politik ndërkombëtar;
– pjesëmarrjes jo të balancuar financiare të vendeve tjera të NATO-s në veprimet e aleancës e në dëm të SHBA-së;
– i pabarazive në transaksionet ekonomike mes aleatëve dhe joaleatëve;
Si reagim ndaj politikës së jashtme e Amerikës do të krijohen grupime, aleanca shtetesh regjionale duke rishpërndarë fuqinë ndërmjet tyre, megjithatë, Amerika:
– do të mbetet substancialisht lidere ekonomike e ushtarake por edhe e aleancave;
– nëpërmjet politikës së karrotës për Rusinë dhe narracionit të balancuar mes palëve në luftë po synon ta ofroj ate afër tavolinës negocijuese;
– potencialisht, do të përsëritet marrveshja e Mynhenit, do të shpërblehet agresori dhe do të hap rrugë zgjerimeve të reja për agresorin, në këtë rast Rusisë.
Dobësimi i NATO-s, nëpërmjet mosobligueshmërisë së SHBA-ve për të vepruar sipas nenit 5 të marrëveshjes, mospërkrahja e Ukrainës, lëndimi i aleatëve tradicional, është fitore e Putinit;
Fajësimi i Ukrainës për konfliktin me Rusinë, i tipit ‘të fortit, mos bëj më e të dobtit, mos bëj zë’, inkurajon Rusinë për veprime të ngjashme ndaj fqinjëve të saj;
Paqja në Ukrainë pa Ukrainën nuk funksionon;
Paqja në Ukrainë nuk arrihet:
-Pa unitetin SHBA-Evropë;
-pa plotësimin e disa nga synimet e Rusisë, siҫ janë respektimi i të drejtave të rusfolësve në vend nëpërmjet një lloj autonomie e lirisë fetare, mosantarësimi në NATO për një kohë,…
Krimea do të ndahet mes Ukrainës dhe Rusisë, sidomos portet detare në gadishull, si një element i paqes mes tyre;
-Pa ofrimin e sigurisë ndërkombëtare, sidomos të NATO-s.
Paqja e padrejtë nuk mund të zëvendësoj paqen e qëndrueshme.
Fitorja eventuale e Ukrainës do të thot vazhdimësi e mënyrës perëndimore e të të jetuarit,, e Trump do të rreshtohet në anën e drejtë të historisë dh e kundërt.
Vendimi i kthimi të përkrahjes ushtarake për Ukrainën nga SHBA në momentet e fundit pas përparimit negociator të Xhedas jep shpresë për paqe më të drejtë mes palëve.
Kosova do të vazhdoj të jet problem evropian por me ndërhyrje amerikane për të përmbyllur ate brenda periudhës qeverisëse të administratës Trump.
Literatura
Bill Barrow, AP, Donald Trump has sweeping plans for a second administration. Here’s what he’s proposed, 19 January 2025, https://apnews.com/article/trump-second-term-policies-immigration-economy-tariffs-f9d55c34a95054cd224a0b295d88fbde
Congressional Research Service, U.S. Direct Financial Support for Ukraine, January 15 2025, shih në chromeextension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://crsreports.congress.gov/product/pdf/IF/IF12305#:~:text=As%20of%20January%202025%2C%20Congress,to%20Russia’s%20war%20against%20Ukraine.
Dawood Mamoon, How would the second term of President Trump define a New World Order? f. 53.
Donald Trump’s foreign policy: A comprehensive analysis, NTCFPA, 11 November 2024, https://nycfpa.org/11/11/donald-trumps-foreign-policy-a-comprehensive-analysis/
Eerik Kross, Greg Mills, History is repeating itself as the U.S. risks abandoning Ukraine like it did in Vietnam and Afghanistan. March 06, 2025, https://kyivindependent.com/us-set-to-abandon-partners-again-as-history-repeats-in-ukraine/
Joseph S Nye, Jr. The future of world order, march 04, 2025. Observer, https://www.omanobserver.om/article/1167186/opinion/the-future-of-world-order
Julia Moon, Inside USAID: How America has spent billions in development aid, 21 February, 2025. https://www.nzz.ch/english/a-closer-look-at-usaid-how-the-us-spent-its-development-aid-ld.1871424
Marco Rubio, Seanca e Konfirmimit të Senatit, 15 janar 2025, CFR/FP 11/24. Aty, mes tjerash thuhet se Ukraina është në luftë shkatërruese, vdekjet duhet të ndalen,…të dyja palët do të duhet të bëjnë lëshime nga pozicionet e tyre.
Presidenti Trump e uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës,
https://president-ksgov.net/presidenti-trump-e-uron-presidenten-osmani-per-17-vjetorin-e-pavaresise-se-kosoves
President Trump’s America First Priorities, January 20, 2025. https://www.whitehouse.gov/briefings-statements/2025/01/president-trumps-america-first-priorities/
Ukraine Oweright, https://www.ukraineoversight.gov/Funding/
UN, https://docs.un.org/en/A/ES-11/L.10?_gl=1*19yki9d*_ga*MTA4MTIxNDQ4MC4xNzQwNDg0MTk2*_ga_TK9BQL5X7Z*MTc0MDQ4NDE5Ni4xLjEuMTc0MDQ4NDIzOS4wLjAuMA..*_ga_S5EKZKSB78*MTc0MDQ4NDIzOS4xLjEuMTc0MDQ4NDY1NC42MC4wLjA.
UN News, 24 February 2025, https://news.un.org/en/story/2025/02/1160456?_gl=1*1snyimn*_ga*MTA4MTIxNDQ4MC4xNzQwNDg0MTk2*_ga_TK9BQL5X7Z*MTc0MDQ4NDE5Ni4xLjEuMTc0MDQ4NDIwMi4wLjAuMA..
The Guardian, Trump says he ‘had very good talks with Putin and again criticizes Ukraine – as it happened, https://www.theguardian.com/us-news/live/2025/feb/21/trump-administration-federal-government-politics-updates?utm_source=chatgpt.com
1 Marco Rubio, Seanca e Konfirmimit të Senatit, 15 janar 2025, CFR/FP 11/24. Aty, mes tjerash thuhet se Ukraina është në luftë shkatërruese, vdekjet duhet të ndalen,…të dyja palët do të duhet të bëjnë lëshime nga pozicionet e tyre.
2 Joseph S Nye, Jr. The future of world order, march 04, 2025. Observer, https://www.omanobserver.om/article/1167186/opinion/the-future-of-world-order
3 Donald Trups;s foreign policy: A comprehensive analysis, NTCFPA, 11 November 2024, https://nycfpa.org/11/11/donald-trumps-foreign-policy-a-comprehensive-analysis/
4 Bill Barrow, AP, Donald Trump has sweeping plans for a second administration. Here’s what he’s proposed, 19 January 2025, https://apnews.com/article/trump-second-term-policies-immigration-economy-tariffs-f9d55c34a95054cd224a0b295d88fbde
5 Bill Barrow, po aty.
6 President Trump’s America First Priorities, January 20, 2025. https://www.whitehouse.gov/briefings-statements/2025/01/president-trumps-america-first-priorities/
7 Kongresi ka ndarë afro 174.2 miliardë dollarë nga viti 2022 deri në vitin 2024 në ndarjet shtesë në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, prej tyre 37.8 miliardë dollarë për Fondin e Mbështetjes Ekonomike dhe Asistencës për Evropën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore, duke urdhëruar që një pjesë e kësaj ndihme të vihet në dispozicion për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për buxhetin qendror të Qeverisë së Ukrainës (GOU). Deri më sot, Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka obliguar më shumë se 30 miliardë dollarë për një mbështetje të tillë nëpërmjet tre mekanizmave të Bankës Botërore.
Congressional Research Service, U.S. Direct Financial Support for Ukraine, January 15 2025, shih në chromeextension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://crsreports.congress.gov/product/pdf/IF/IF12305#:~:text=As%20of%20January%202025%2C%20Congress,to%20Russia’s%20war%20against%20Ukraine.
8 Ukraine Oweright, https://www.ukraineoversight.gov/Funding/
9 Julia Moon, Inside USAID: How America has spent billions in development aid, 21 February, 2025. https://www.nzz.ch/english/a-closer-look-at-usaid-how-the-us-spent-its-development-aid-ld.1871424
10 Eerik Kross, Greg Mills, History is repeating itself as the U.S. risks abandoning Ukraine like it did in Vietnam and Afghanistan. March 06, 2025, https://kyivindependent.com/us-set-to-abandon-partners-again-as-history-repeats-in-ukraine/
11 UN, https://docs.un.org/en/A/ES-11/L.10?_gl=1*19yki9d*_ga*MTA4MTIxNDQ4MC4xNzQwNDg0MTk2*_ga_TK9BQL5X7Z*MTc0MDQ4NDE5Ni4xLjEuMTc0MDQ4NDIzOS4wLjAuMA..*_ga_S5EKZKSB78*MTc0MDQ4NDIzOS4xLjEuMTc0MDQ4NDY1NC42MC4wLjA.
12 UN News, 24 February 2025, https://news.un.org/en/story/2025/02/1160456?_gl=1*1snyimn*_ga*MTA4MTIxNDQ4MC4xNzQwNDg0MTk2*_ga_TK9BQL5X7Z*MTc0MDQ4NDE5Ni4xLjEuMTc0MDQ4NDIwMi4wLjAuMA..
13 The Guardian, Trump says he ‘had very good talks with Putin’ and again criticizes Ukraine – as it happened, https://www.theguardian.com/us-news/live/2025/feb/21/trump-administration-federal-government-politics-updates?utm_source=chatgpt.com
14 Dawood Mamoon, How would the second term of President Trump define a New World Order? f. 53.
15 Presidenti Trump e uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës,
https://president-ksgov.net/presidenti-trump-e-uron-presidenten-osmani-per-17-vjetorin-e-pavaresise-se-kosoves
Shënim: Kumtesë e lexur në konferencën shkencore: “Roli i shqiptarëve në rajon dhe qasja e administratës Trump – Një perspektivë e re”, mbajtur në Shkodër, më 13.03.2025, organizuar nga Instituti Shqiptar për Gjeopoplitikë [Prishtinë] në bashkëpunim me Univesitetin “Luigj Gurkuqi”, Shkodër.